2007
Pse Jemi Anëtarë të së Vetmes Kishë të Vërtetë?
Nëntor 2007


Pse Jemi Anëtarë të së Vetmes Kishë të Vërtetë?

Fuqia më e vlefshme që mund të zotërojmë është thesari i një dëshmie vetjake për Zotin tonë Jezu Krisht.

Pamja

Pse jemi anëtarë të së vetmes Kishë të vërtetë? Megjithëse nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje për të gjithë 13 milionë anëtarët e Kishës, desha të shpreh nga zemra disa përgjigje që ndoshta do të përputhen me vetë përgjigjet tuaja.

Pasuritë e Përjetësisë

“Vini re, ai që ka jetë të përjetshme është i pasur” (DeB 6:7).

Pasuritë nuk ishin pjesë e fëmijërisë sime. Ne ishim një familje me pesë vetë: babai im dhe katër vëllezër e motra. Nëna ime kishte vdekur kur isha pesë vjeç. Të ardhurat e vogla të babait tim përdoreshin për të blerë ushqimin tonë; blerja e rrobave shmangej sa më shumë që të ishte e mundur.

Një ditë, paksa i mërzitur, iu afrova babait dhe i thashë: “Babi, pse nuk më blen një palë këpucë të reja? Shikoji këto; janë vjetëruar dhe mund të shohësh gishtin e madh të këmbës nëpër vrimën e këpucës.”

“Do ta rregullojmë këtë punë”, u përgjigj ai dhe, me pak bojë të zezë, u dha një llustër këpucëve të mia. Pak më vonë më tha: “Bir, i rregullova.”

“Jo”, iu përgjigja, “akoma më duket gishti i madh i këmbës.”

“Edhe ajo mund të rregullohet”, më tha ai. E mori përsëri bojën dhe vendosi pak mbi gishtin tim dhe pak më vonë ai dukej njësoj me këpucët e mia. Kështu, që herët në jetën time, e mësova se lumturia nuk varet nga paratë.

Me kalimin e kohës, një çift misionarësh na mësoi për pasuritë e ungjillit të rivendosur, për doktrinën e planit të shpëtimit dhe për familjet e përjetshme. Ne u pagëzuam dhe kur babai im filloi thirrjen e tij si president distrikti, objektivi i tij i parë ishte të udhëtonte për në tempull dhe të merrte bekimet të cilat do të vinin për shkak të asaj sakrifice. Ai ishte një udhëtim 15 ditor prej 7725 km – një udhëtim i mbushur me vështirësi dhe pengesa, me rrugë në gjendje të mjerë, autobuzë të parehatshëm, duke mos njohur as rrugën, por me shpresë të madhe tek ordinancat në të cilat do të merrnim pjesë.

Kur arritëm në qytetin e Mesas, Arizona, u drejtuam përgjatë një bulevardi, në krye të të cilit mund të shihnim shtëpinë e Zotit, e shkëlqyeshme dhe e bukur. Më kujtohet gëzimi që mbushi zemrat tona; të gjithë shpërthyem në këngë e lavdërime dhe lotët rrodhën nëpër faqet e shumë shenjtorëve.

Më vonë në tempull, ne u gjunjëzuam si familje për të dëgjuar premtimet e bukura rreth familjes së përjetshme, me sigurinë se nëna jonë, megjithëse nuk ishte mes nesh, ishte tani përgjithmonë nëna jonë dhe ndjemë paqen e cila vjen nga njohuria se ne jemi një famlje e përjetshme.

Kështu, premtimi i jetës së përjetshme na dha pasuritë e përjetësisë! “Vini re, ai që ka jetë të përjetshme është i pasur” (DeB 6:7).

Priftëria e Rivendosur

Kisha e Jezu Krishtit është një kishë priftërinjsh, “priftëri mbretërore, një komb i shenjtë” (1 Pjetri 2:9).

Kisha e rivendosur i jep çdo shtëpie një udhëheqës priftërie me fuqinë e Perëndisë për të bekuar. Sa herë kam patur mundësinë të dëgjoj zërin e butë dhe të ëmbël të një prej fëmijëve të mi të më thotë: “Babi, a mund të më japësh një bekim?” dhe më pas të vendos duart e mia mbi kokën e tij apo të saj në momente dhimbjeje e vështirësie dhe të jap bekime ngushëllimi e shërimi, dhe të shoh fuqinë e priftërisë të ushtrojë ndikimin e saj, dhe ditën tjetër të dëgjoj atë zë të vogël të më thotë: “Faleminderit babi. Fjeta mjaft mirë mbrëmë.” Nuk na duhet të kërkojmë dikë që e ka atë fuqi — ajo është mes nesh! Çfarë bekimi që patëm mundësi t’ua mësonim këtë parim fëmijëve tanë! Kjo është e vetmja kishë mbi tokë e cila ofron një bekim të tillë për familjet.

Nëpërmjet kësaj fuqie, unë pata mundësi të shuguroj secilin nga fëmijët e mi në priftëri dhe kështu t’u jepja atyre fuqinë e Perëndisë për të administruar ordinancat e Tij.

Kështu pra, kjo është gjithashtu pse unë jam anëtar i kësaj Kishe: sepse fuqia e priftërisë është përsëri mbi tokë dhe ka ardhur madje edhe në shtëpitë tona.

Dëshmitë Tona Vetjake

Fuqia më e vlefshme që mund të zotërojmë është thesari i një dëshmie vetjake për Zotin tonë Jezu Krishtin dhe fuqinë e Tij shlyese.

Një dëshmi na vjen ndërsa jetojmë një jetë të denjë dhe e kërkojmë atë në lutje. “Dhe Shpirti do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit” (DeB 42:14), na këshilloi Zoti ynë nëpërmjet Profetit Jozef.

Kur djali im, Danieli, ishte gjashtë vjeç, ai pa që unë isha i shqetësuar sepse më duhet të merrja pjesë në një konferencë kunji. Isha i pasigurt se çfarë t’u mësoja shenjtorëve. Ai m’u afrua dhe më tha: “Babi, kjo është shumë e lehtë.” Ajo është mënyra se si mendojnë gjithmonë fëmijët.

“Pa më thuaj, bir”, i thashë atij. “Meqë është e lehtë, më thuaj se për çfarë duhet t’u flas.”

“Folu për lutjen”, më tha ai.

“Ajo është një temë e mirë”, i thashë, “por ata kanë dëgjuar shumë për lutjen; çfarë të reje mund t’u them unë?”

“Edhe kjo është e lehtë, babi. Së pari u thuaj: ‘Para se të filloni të flisni me Atin Qiellor, mendoni mbi gjërat që doni t’i thoni Atij.’”

“Më duket një ide e mrekullueshme”, iu përgjigja. “Po pastaj?”

“Epo, pasi ta keni menduar atë, thuajani Atij! Dhe kur të mbaroni, prisni dhe shihni nëse Ai ka diçka për t’ju thënë.”

Kështu, nëpërmjet lutjeve tona, Shpirti i flet shpirtit tonë dhe na dëshmon mbi realitetin e Shpëtimtarit tonë.

Unë jam i mbushur me habi nga dashuria që Shpëtimtari im Jezu Krishti tregoi duke zbritur nga vendbanimet qiellore, për të ardhur në një botë ku shumica e hodhën poshtë mesazhin e Tij dhe megjithëse nuk e kishin fuqinë për t’ia marrë jetën, e dënuan Atë me vdekje. Krishti pagoi për mëkatet e mia, për sëmundjet, vuajtjet dhe hidhërimet e mia. Dhimbja e Tij ishte e papërshkrueshme; Lluka vetëm sa e përmend “djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë” (Lluka 22:44).

Mbi të gjitha, kjo është arsyeja për anëtarësinë time në Kishë: sepse Fryma e Shenjtë ka depërtuar në zemrën time dhe ma ka bërë të njohur se Krishti jeton, se Ai është Shpëtimtari im, se Ai pagoi për mëkatet e mia dhe se Ai ka përgatitur udhën, në mënyrë që, nëse unë jetoj sipas parimeve të Tij, mund të gëzoj të gjitha bekimet e tjera të premtuara.

Disa javë më parë, babai im vdiq, dhe tani më shumë se kurrë ndiej mirënjohje ndaj Perëndisë tim për thesarin dhe bukurinë e doktrinës së Tij.

Për shkak se jeta familjare mund të vazhdojë përtej pragut të vdekjes. Për shkak se priftëria mbretërore është rivendosur mbi tokë. Dhe për shkak se Shpirti i ka folur shpirtit tim, duke më dhënë një dëshmi se Shpëtimtari im Jezu Krishti jeton dhe se nëpërmjet ndërmjetësimit të Tij unë do të kem mundësi, në varësi të besnikërisë time, të jetoj me Të. Për këto arsye dhe madje edhe për arsye të tjera, unë jam një anëtar i të vetmes Kishë të vërtetë mbi faqen e tokës dhe do të jem përjetësisht mirënjohës për këtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.