2008
Një Çështje Pak Gradësh
Maj 2008


Një Çështje Pak Gradësh

Diferenca midis lumturisë dhe mjerimit … shpesh vjen nga një gabim prej vetëm pak gradësh.

Pamja
President Dieter F. Uchtdorf

Të dashur vëllezër, unë ndiej forcën dhe mirësinë tuaj kur mblidhemi si priftëri e Perëndisë. Unë ju dua, unë ju admiroj. Faleminderit për besimin tuaj, lutjet tuaja dhe vullnetin tuaj për t’i shërbyer Zotit.

U bënë tashmë dy muaj qysh kur Presidenti Tomas S. Monson më thirri për të shërbyer si Këshilltar i Dytë në Presidencinë e Parë të Kishës. Unë jam i sigurt që kjo erdhi si befasi për shumë njerëz dhe ishte befasi edhe për mua. Në fakt, unë do të thosha se mund të kem qenë personi i dytë më i befasuar në tokë, duke qenë bashkëshortja ime e para.

Në ditën që Kuorumi i të Dymbëdhjetëve u takua në tempull për të mbështetur Presidentin Monson dhe për ta veçuar atë si profet shikues dhe zbulues dhe President të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, unë u ndjeva tejet i gëzuar që kisha rastin të ngrija dorën në mbështetje të mikut dhe udhëheqësit tim të dashur.

Pasi u mbështet Presidenti Monson, ai njoftoi këshilltarët e tij.

Presidenti Ajring nuk ishte ndonjë befasi. Ai është një burrë i shquar dhe me karakter – një zgjedhje e mrekullueshme për Këshilltar të Parë. E dua dhe e admiroj aq shumë.

Pastaj Presidenti Monson njoftoi Këshilltarin e tij të Dytë. Ishte një emër që tingëllonte çuditërisht familjar. Ishte emri im.

Unë pashë përreth dhomës, i pasigurtë që e kisha dëgjuar mirë. Por buzëqeshjet nga vëllezërit e mi dhe shikimi me dhembshuri nga Presidenti Monson, më siguruan edhe një herë se jeta ime do të ndryshonte.

Ne të gjithëve na mungon Presidenti Hinkli. Ai vazhdon të bekojë jetën tonë.

Presidenti Monson është profeti i Perëndisë në ditët tona; unë e nderoj atë dhe premtoj zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën time për këtë punë.

Në vitin 1979 një avion i madh pasagjerësh me 257 vetë në bord, la Zelandën e Re për një fluturim soditjeje të natyrës mbi Antarktidë dhe kthim. Pa e ditur pilotët, sidoqoftë, dikush i kishte ndryshuar koordinatat e fluturimit thjesht me dy gradë. Ky gabim e çoi aeroplanin 45 kilometra në lindje të vendit ku pilotët mendonin se ishin. Ndërsa iu afruan Antarktidës, pilotët zbritën në një lartësi më të vogël për t’u dhënë pasagjerëve një shikim më të mirë të panoramës. Megjithëse të dy ishin pilotë me përvojë, asnjëri nuk e kish bërë këtë fluturim të veçantë më parë dhe ata nuk kishin se si ta dinin se koordinatat e pasakta i kishin vendosur ata direkt drejt Malit Erebus, një vullkan aktiv që ngrihet nga peizazhi i ngrirë në një lartësi prej më se 3.700 metra.

Ndërsa pilotët fluturonin përpara, bardhësia e borës dhe e akullit që mbulonin vullkanin, përziheshin me bardhësinë e reve përsipër, duke bërë të dukej sikur po fluturonin mbi një terren fushor. Në kohën që instrumentet buçitën duke lajmëruar që terreni po ngrihej shpejt përpara tyre, ishte tepër vonë. Aeroplani u përplas në faqen e vullkanit, duke vrarë të gjithë personat në bord.

Ishte një tragjedi e tmerrshme që erdhi nga një gabim i vogël – një çështje e vetëm pak gradëve1.

Ndër vite në shërbim të Zotit dhe në intervista të panumërta, unë kam mësuar se diferenca midis lumturisë dhe mjerimit tek individët, tek martesat dhe familjet shpesh vjen nga një gabim prej vetëm pak gradësh.

Sauli, Mbreti i Izraelit

Historia e Saulit, mbretit të Izraelit, ilustron këtë pikë. Jeta e Saulit filloi me premtim të madh, por ajo pati një fund fatkeq dhe tragjik. Në fillim Sauli ishte “i ri dhe i bukur, ndër bijtë e Izraelit nuk kishte asnjë më të bukur se ai”2. Sauli ishte zgjedhur personalisht nga Perëndia të ishte mbret3. Ai kishte çdo epërsi – ai ishte fizikisht madhështor4 dhe vinte nga një familje me influencë5.

Doemos, Sauli kishte dobësi, por Zoti premtoi ta bekojë, ta përkrahë dhe ta begatojë. Shkrimet e shenjta na tregojnë se Perëndia premtoi që gjithmonë të ishte me të,6 t’ia ndërronte zemrën7 dhe ta shndërronte në një njeri tjetër8.

Ndërsa Sauli kishte ndihmën e Zotit, ai qe një mbret i mrekullueshëm. Ai e bashkoi Izraelin dhe i mundi Amonitët, që kishin sulmuar vendin e tyre9. Shpejt një problem shumë më i madh i doli përpara – filistinët, që kishin një ushtri të tmerrshme me karro lufte dhe me kalorës “dhe njerëz, si rëra në bregun e detit”10. Izraelitët ishin aq të tmerruar nga filistinët, saqë “u fshehën në shpella, në gëmusha, ndër shkëmbinj, në guva dhe në hauze”11.

Mbreti i ri kishte nevojë për ndihmë. Profeti Samuel dërgoi fjalë për të që të priste dhe se ai, profeti, do të shkonte dhe do të ofronte flijim dhe do të kërkonte këshillë nga Zoti. Sauli priti shtatë ditë dhe ende profeti Samuel akoma nuk kishte arritur. Më në fund, Sauli ndjeu se nuk mund të priste më. Ai mblodhi popullin së bashku dhe bëri diçka që nuk e kishte autoritetin e priftërisë për ta bërë – ai ofroi vetë flijimin.

Kur arriti Samueli, ai ishte zemërthyer. “Ti ke vepruar pa mend”, tha ai. Nëse mbreti i ri do të kishte pritur vetëm pak më shumë dhe nuk do të kishte dalë nga rruga e Zotit, nëse ai vetëm do të kishte ndjekur rendin e zbuluar të priftërisë, Zoti do ta kishte rrënjosur mbretërinë e tij përgjithmonë. “Tani”, tha Samueli, “mbretëria jote nuk ka për të vazhduar”12.

Atë ditë profeti Samuel dalloi dobësinë e rrezikshme në karakterin e Saulit. Kur shtrëngohej nga ndikimi i jashtëm, Sauli nuk kishte vetëdisiplinimin për të qëndruar në kurs, në besim ndaj Zotit dhe profetit të Tij dhe të ndiqte modelin që Perëndia kishte vendosur.

Gabime të Vogla Mund të Kenë një Ndikim të Madh në Jetën Tonë

Ndryshimi prej pak gradësh, si në fluturimin mbi Antarktidë ose në dështimin e Saulit për të respektuar këshillën e profetit vetë pak më gjatë, mund të duket i vogël. Por edhe gabime të vogla ndër kohëra mund të krijojnë një ndryshim dramatik në jetën tonë.

Më lejoni t’ju tregoj se si unë u mësoja të njëjtin parim pilotëve të rinj.

Supozoni se po ngriheshit nga një aeroport në ekuator, me planin që të rrotulloheni rreth globit, por kursi juaj ishte devijuar vetëm me një gradë. Në kohën kur ktheheni në të njëjtën gjatësi gjeografike, sa larg kursit do të ishit? Pak milje? Njëqind milje? Përgjigja do t’ju befasonte. Një gabim prej vetëm një grade do t’ju çvendoste gati 500 milje (800 kilometra) nga kursi, ose një orë fluturimi e një avioni reaktiv.

Askush nuk dëshiron që jeta e tij të përfundojë në tragjedi. Por të gjithë ne shpesh, si pilotët, edhe pasagjerët e fluturimit për të parë peisazhe, synojmë çka ne shpresojmë do të jetë një udhëtim emocionues, vetëm për të kuptuar tepër vonë se një gabim prej pak gradësh na ka futur në një drejtim shkatërrimi shpirtëror.

A Ka një Mësim për Jetën Tonë në Këta Shembuj?

Gabime dhe shmangie të vogla nga doktrina e ungjillit të Jezu Krishtit mund të sjellin pasoja të dhimbshme në jetën tonë. Prandaj është me rëndësi vendimtare që të bëhemi aq të vetëdisiplinuar sa të bëjmë në kohë korrigjime vendimtare për t’u kthyer në rrugë të drejtë dhe jo të presim apo të shpresojmë që gabimet në një farë mënyre do të rregullohen vetë.

Sa më shumë të vonojmë veprimin korrigjues, aq më të mëdha bëhen ndryshimet e nevojshme dhe aq më shumë kohë duhet për t’u kthyer në rrugën e drejtë – qoftë edhe në pikën ku shkatërrimi mund të jetë te pragu.

Juve burra të priftërisë ju është besuar një përgjegjësi e madhe. Vetëm mendoni për të: Ati ynë Qiellor ju beson juve dhjakë, mësues dhe priftërinj të rinj “çelësin e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit përgatitor”13. Ju burra të Priftërisë Melkizedeke keni marrë një betim dhe një besëlidhje, ku ju është premtuar gjithçka që Ati ka, nëse ju lartësoni priftërinë tuaj14.

Zoti na kujton se “atij që shumë i është dhënë, shumë i kërkohet”15. Ata që mbajnë priftërinë e Perëndisë kanë një përgjegjësi të madhe për të qënë shembull i mirësisë për botën. Ne jemi në nivelin e këtyre kërkesave kur dallojmë me shpejtësi rreziqet dhe ndikimet që na tundojnë të devijojmë nga rruga e Zotit dhe kur ne me kurajo ndjekim nxitjet e Frymës së Shenjtë për të bërë korrigjime vendimtare që do të na kthejnë përsëri në kurs.

Kjo konferencë po përkthehet në 92 gjuhë dhe po transmetohet për 96 vende me anë të mrekullisë së teknologjisë moderne. Shumë nga ju vëllezër e ndjekin konferencën nëpërmjet Internetit. Teknologji të reja të tilla si kjo e bëjnë të mundur që mesazhi i ungjillit të shpërndahet kudo në botë. Faqet e internetit të Kishës janë shembuj të mirë se si mund ta përdorni këtë teknologji si një burim i mahnitshëm frymëzimi, ndihme dhe mësimi. Ato mund të jenë një bekim për ju mbajtës të priftërisë, familjet tuaja dhe Kishën.

Por kujdes. Po këto teknologji mund t’i lejojnë ndikimet e këqia të kalojnë pragun e shtëpive tuaja. Këto kurthe të rrezikshme janë vetëm një klikim mausi larg. Pornografia, dhuna, intoleranca dhe mosbesimi shkatërrojnë familje, martesa dhe jetë njerëzish. Këto rreziqe shpërndahen me anë të mediave, përfshi revista, libra, televizione, filma dhe muzikë si dhe internetin. Zoti do t’ju ndihmojë të njihni dhe të shmangni këto të këqija. Është dallimi në kohë i rrezikut dhe kursi i qartë i korrigjimit që do t’ju mbajnë juve në dritën e ungjillit. Vendime të vogla mund të çojnë në pasoja të mëdha.

Hyrja në një dhomë të çuditshme dhe të rrezikshme bisedash në internet mund të çojë në qendrën e një stuhie të tërbuar. Vendosja e kompjuterit në një dhomë private që nuk mund të përdoret nga pjesa tjetër e familjes mund të jetë fillimi i një udhëtimi mashtrues dhe të rrezikshëm.

Por Zoti nuk kërkon vetëm veprime që duken, por gjithashtu që mendimet dhe ndjenjat tuaja të brendshme të jenë pranë shpirtit të ligjit16. Perëndia “kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme”17.

Ne, priftëria e Perëndisë kemi përgjegjësinë dhe fuqinë për ta drejtuar veten. “Nuk është e përshtatshme që unë duhet të urdhëroj për gjithçka,” thotë Zoti. “Njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vulllnetin e tyre të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi; Sepse është në ta fuqia, me anë të së cilës ata janë veprues për veten”18.

Ati ynë Qiellor e dinte përpara se ne të vinim në këtë ekzistencë të vdekshme se forca negative do të na tundonin të dalim nga kursi ynë, “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”19. Prandaj Ai përgatiti një rrugë që ne të bëjmë korrigjime. Nëpërmjet procesit zemërgjerë të pendimit të vërtetë dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, mëkatet tona mund të falen dhe ne “të mos [humbasim], por të [kemi] jetë të përjetshme”20.

Vullneti ynë për t’u penduar tregon mirënjohjen tonë për dhuratën e Perëndisë dhe për dashurinë dhe sakrificën e Shpëtimtarit për ne. Urdhërimet dhe besëlidhjet e priftërisë ofrojnë një provë besimi, bindjeje dhe dashurie për Perëndinë dhe Jezu Krishtin, por më e rëndësishmja, ato ofrojnë një mundësi të përjetojmë dashurinë nga Perëndia dhe të marrim një gëzim të plotë si në këtë jetë, edhe në atë që do të vijë.

Këto urdhërime dhe besëlidhje të Perëndisë janë si udhëzimet e navigimit që vijnë nga lartësitë qiellore dhe do të na çojnë të sigurtë në destinacionin tonë të përjetshëm. Kjo është një nga bukuritë dhe lavditë që e kapërcejnë imagjinatën. Ja vlen të përpiqesh. Ja vlen të bësh korrigjime vendimtare herë pas here duke qëndruar në kurs.

Kujtoni: qiejt nuk do të jenë të mbushur me ata që nuk gabuan kurrë, por me ata që dalluan se ishin jashtë kursit dhe që korrigjuan mënyrat e tyre për t’u kthyer prapa në dritën e të vërtetës ungjillore.

Sa më shumë që i vlerësojmë fjalët e profetëve dhe i zbatojmë ato, aq më mirë ne do të dallojmë kur jemi duke dalë nga kursi – qoftë edhe kur fjala është vetëm për pak gradë.

Çfarë Ndodh Nëse Ne Kemi Devijuar Larg Kursit?

Tani, vëllezër, ka nga ata që kanë neglizhuar të bëjnë korrigjimet e duhura të kursit dhe tani besojnë se janë tepër larg nga rruga e Zotit për t’u kthyer ndonjëherë përsëri. Atyre ne u shpallim lajmin e mirë se është ungjilli i shlyerjes dhe i shpëtimit. Nuk ka rëndësi se sa tmerrësisht larg kursit jeni, nuk ka rëndësi se sa larg keni devijuar, rruga për rikthim është e sigurtë dhe e qartë. Ejani, mësoni për Atin; ofroni një sakrificë zemre të thyer dhe një shpirti të penduar. Kini besim dhe besoni në fuqinë pastruese të Shlyerjes së pafundme të Jezusit Krisht. Nëse i rrëfejmë dhe pendohemi për mëkatet tona, Perëndia është besnik dhe i drejtë që të na falë dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi21. “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”22.

Kjo mund të mos jetë një rrugë e lehtë dhe kërkon vetëdisiplinë dhe vendosmëri, por fundi i saj është i një lavdie të papërshkrueshme. Ju nuk dënoheni me një fund tragjik. Shumë njerëz janë të gatshëm t’ju ndihmojnë – familja juaj, peshkopët, presidentët e kunjit, udhëheqësit e kuorumit tuaj dhe mësuesit e shtëpisë. Doemos, miku juaj më i madh është Krijuesi i plotfuqishëm i universit. Është priftëria e Tij ajo që mbani. Ai e kupton dhimbjen tuaj. Ai e di brengën tuaj. Ai dhe Ati ynë në Qiell do t’ju bekojnë, do t’ju qetësojnë dhe do t’ju forcojnë; ata do të ecin përkrah jush dhe do t’ju mbartin kur përpiqeni të drejtoni kursin tuaj.

Vëllezër të mi të dashur, ju jeni vërtet bij të zgjedhur dhe të çmuar të Atit Qiellor. Ai ju ka besuar juve fuqinë e shenjtë të priftërisë. Lutem mos devijoni nga kursi, qoftë edhe pak gradë. I vini veshin Zotit, Perëndisë tuaj, dhe Ai do të bëjë për ju atë që Ai premtoi të bënte për Saulin: Ai do t’ju japë një zemër të re, do t’ju bëjë një njeri të ri dhe gjithnjë do të jetë me ju.

Unë dëshmoj për Atin tonë Qiellor, që ju njeh dhe ju do juve. Unë sjell dëshmi për Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë, që është kreu i kësaj Kishe. Presidenti Tomas S. Monson është profet i Perëndisë sot. Unë shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time për ju miq dhe vëllezër të mi të dashur të priftërisë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Arthur Marcel, “Mount Erebus Plane Crash”, www.abc.net.au/rn/ockhamsrazor/ stories/2007/1814952.htm.

  2. 1 Samueli 9:2.

  3. Shih 1 Samueli 9:17.

  4. Shih 1 Samueli 10:23.

  5. Shih 1 Samueli 9:1.

  6. Shih 1 Samueli 10:7.

  7. Shih 1 Samueli 10:9.

  8. Shih 1 Samueli 10:6.

  9. Shih 1 Samueli 11:11.

  10. 1 Samueli 13:5.

  11. 1 Samueli 13:6.

  12. 1 Samueli 13:13–14.

  13. DeB 84:26.

  14. Shih DeB 84:38–39.

  15. DeB 82:3.

  16. Shih Alma 12:12–14; DeB 88:109.

  17. DeB 64:34.

  18. DeB 58:26–28.

  19. Romakëve 3:23.

  20. /Gjoni 3:16.

  21. Shih 1 Gjoni 1:9.

  22. Isaia 1:18.