2008
Shqetësim për Individin
Maj 2008


Shqetësim për Individin

Jezu Krishti është shembulli ynë më i madh. Ai u rrethua nga turma dhe u foli mijëra njerëzve, por Ai gjithmonë shqetësohej për individin.

Pamja
Elder Joseph B. Wirthlin

Jam mirënjohës për mundësinë që kam të jem me ju sot në këtë Qendër të mrekullueshme të Konferencave. Sado i madh që është ky kongregacion, është përulëse të kuptosh se është thjesht një pjesë e vogël e milionave që do t’i shohin, dëgjojnë dhe lexojnë fjalët e folura në këtë konferencë të madhe.

Sigurisht, ne do të na mungojë Presidenti ynë i dashur, Gordon B. Hinkli. Megjithatë, të gjithë jemi njerëz më të mirë për shkak të ndikimit të tij. Kisha është më e fortë për shkak të udhëheqjes së tij. Me të vërtetë, bota është një vend më i mirë për shkak të një udhëheqësi të tillë si Presidenti Gordon B. Hinkli.

Dua të them pak fjalë rreth Presidencisë tonë të re të Parë.

E kam njohur Presidentin Monson për një kohë të gjatë. Ai është një luftëtar trim i Izraelit, i cili u parashugurua për të kryesuar mbi këtë Kishë. Ai është mjaft i njohur për historitë dhe shëmbëlltyrat e tij magjepsëse, por ne që e njohim atë më mirë, e kuptojmë se jeta e tij është një model praktik dhe tipik i vënies në jetë të atyre historive. Ndërkohë që është një kompliment për të që shumë nga të mëdhenjtë dhe të fuqishmit e kësaj bote e njohin dhe e nderojnë atë, ndoshta është një nderim akoma më i madh që shumë nga të përulurit e thërrasin atë mik.

Në zemrën e tij, Presidenti Monson është i mirë dhe i dhembshur. Fjalët dhe veprat e tij ilustrojnë shqetësimin e tij për të tjerët.

Presidenti Ajring është një burrë i mençur, i mësuar dhe shpirtëror. Ai është i njohur dhe i respektuar jo vetëm në Kishë por edhe nga njerëzit që nuk janë të besimit tonë. Ai është lloji i njeriut i cili, kur flet, çdokush dëgjon. Ai e ka nderuar mbiemrin e tij, Ajring.

E njoha Presidentin Uhtdorf kur po shërbeja si President Zone në Europë. Që nga momenti që e takova, dallova në të një burrë me një thellësi të pamasë shpirtërore dhe me aftësi të jashtëzakonshme. E dija se Zoti e dinte këtë. Njëzet e tre vite më parë, pata nderin t’i përcillja atij thirrjen e Zotit për të shërbyer si president kunji në Frankfurt, Gjermani. Ndërsa kam vëzhguar përgjatë viteve, kam vënë re se gjithçka nën drejtimin e tij ka shkuar përpara. Zoti është me të. Kur mendoj për Presidentin Uhtdorf, dy fjalë më vijnë ndërmend: Ales vol – që në gjermanisht do të thotë “Gjithçka është mirë.”

Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për të tjerët. Jezu Krishti është shembulli ynë më i madh. Ai u rrethua nga turma dhe u foli mijërave, megjithatë Ai gjithmonë u merakos për individin. “Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur,”1 tha Ai. “Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?”2

Ky udhëzim gjen zbatim tek të gjithë që e ndjekin Atë. Ne urdhërohemi të kërkojmë ata që kanë humbur. Ne duhet të jemi rojtarët e vëllezërve tanë. Ne nuk mund të neglizhojmë këtë mandat që na është dhënë nga Shpëtimtari ynë. Ne duhet të shqetësohemi për individin.

Sot do desha të flas për ata që kanë humbur – disa sepse janë të ndryshëm, disa sepse janë të lodhur dhe disa sepse janë larguar.

Disa kanë humbur sepse janë të ndryshëm. Ata nuk e kanë ndjenjën e përkatësisë. Ndoshta sepse janë të ndryshëm, ata dalëngadalë pa rënë në sy largohen nga grigja. Ata mund të duken, veprojnë, mendojnë dhe flasin ndryshe nga njerëzit rrotull tyre dhe kjo ndonjëherë i bën ata të supozojnë se nuk përshtaten. Ata arrijnë në përfundimin se nuk janë të nevojshëm.

E lidhur me këtë ide të gabuar është besimi i gabuar se të gjithë anëtarët e Kishës duhet të duken, flasin dhe të jenë të ngjashëm. Zoti nuk e populloi tokën me një orkestër gjallëruese presonalitetesh vetëm për të vlerësuar flautin (pikolonë). Çdo instrument është i çmuar dhe e shton bukurinë komplekse të simfonisë. Të gjithë fëmijët e Atit Qiellor janë të ndryshëm në një farë shkalle, megjithatë secili ka tingullin e tij të bukur që i shton thellësi dhe pasuri të tërës.

Kjo llojshmëri e krijimit në vetvete është një dëshmi e faktit se si Zoti i vlerëson të gjithë fëmijët e Tij. Ai nuk e vlerëson një mish mbi një tjetër por Ai, “i fton të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra … të gjithë janë njësoj para Perëndisë”3.

Më kujtohet se kur isha i ri, kishte një djalë më të madh në moshë, i cili ishte i paaftë fizikisht dhe mendërisht. Ai kishte një pengesë në të folur dhe ecte me vështirësi. Djemtë talleshin me të. Ata e tallnin dhe e përqeshnin atë derisa ai ndonjëherë fillonte të qante.

Akoma mund ta dëgjoj zërin e tij: “Ju nuk silleni mirë me mua” thoshte ai. Dhe akoma ata vazhdonin ta përqeshnin, ta shtynin dhe të talleshin me të.

Një ditë nuk munda ta duroja më këtë gjë. Megjithëse isha vetëm shtatë vjeç, Zoti më dha kurajon për t’iu kundërvënë shokëve të mi.

“Mos e prekni atë” u thashë atyre. “Boll e ngacmuat atë. Jini dashamirës. Ai është një fëmijë i Perëndisë!”

Shokët e mi u sprapsën dhe u larguan.

Pyeta veten në atë kohë nëse rreptësia ime do të rrezikonte marrëdhënien time me ta. Por e kundërta ndodhi. Që nga ajo ditë, shokët e mi dhe unë u bëmë më të afërt. Ata treguan një dhembshuri më të madhe për atë djalë. Ata u bënë qenie njerëzore më të mira. Sipas njohurisë sime, ata nuk e tallën më kurrë atë.

Vëllezër dhe motra, nëse vetëm do të kishim më tepër dhembshuri për njerëzit që janë të ndryshëm nga ne, kjo do të lehtësonte shumë nga problemet dhe hidhërimet në botën e sotme. Sigurisht do t’i bënte familjet tona dhe Kishën një vend më të shenjtë dhe qiellor.

Disa kanë humbur sepse janë të lodhur. Është e lehtë të ndiehesh i mbingarkuar. Me gjithë trysnitë dhe kërkesat ndaj kohës sonë dhe stresin me të cilin përballemi çdo ditë, nuk është për t’u habitur që të lodhemi. Shumë vetë ndihen të shkurajuar sepse nuk kanë arritur lartësinë e potencialit të tyre. Të tjerë thjesht ndihen shumë të dobët për të kontribuar. Dhe kështu, ndërsa grigja shkon përpara, gradualisht – thuajse pa e kuptuar – disa mbeten pas.

Çdokush është ndier i lodhur dhe i rraskapitur një herë apo një herë tjetër. Ndihem kështu më shumë tani sesa kur isha më i ri. Jozef Smithi, Brigam Jangu, madje Jezu Krishti e dinin se çfarë do të thoshte të ishe i lodhur. Nuk dëshiroj të nënvlerësoj peshën që anëtarët e Kishës mbajnë mbi shpatullat e tyre dhe as nuk dua t’i minimizoj provat emocionale dhe shpirtërore të cilat hasin. Këto mund të jenë të rënda dhe shpesh të vështira për t’u duruar.

Megjithatë, unë kam një dëshmi për fuqinë përtëritëse të ungjillit të Jezu Krishtit. Profeti Isaia shpalli se Zoti “i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit”4. Kur ndihem i lodhur, kujtoj fjalët e Profetit Jozef Smith:

“A nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajo, vëllezër; dhe përpara, përpara drejt fitores! Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara. Toka duhet të shpërthejë në këngë… .

Drurët dhe të gjitha pemët e fushës duhet të përlëvdojnë Zotin; … dhe të gjithë bijtë e Perëndisë duhet të bërtasin nga gëzimi!”5

Për ju anëtarë të Kishës që hezitoni për shkak të ndjenjave të papërshtatshmërisë, lutem me ju që të ecni përpara, ta vendosni shpatullën në karro dhe të shtyni. Edhe kur të ndieni se forca juaj mund të ndikojë pak, Kisha ka nevojë për ju. Zoti ka nevojë për ju. Kujtoni se Zoti shpesh zgjedh “gjërat e dobëta të botës” për të përmbushur qëllimet e Tij.6

Të gjithëve që janë të lodhur, lejoni fjalët ngushëlluese të Shpëtimtarit t’ju ngushëllojnë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.”7 Le të mbështetemi tek ky premtim. Fuqia e Perëndisë mund të mbushë shpirtin dhe trupin tonë me energji dhe fuqi. Ju nxis ta kërkoni këtë bekim nga Zoti.

Afrojuni Atij dhe Ai do t’ju afrohet ju, sepse Ai e ka premtuar që “ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur”8.

Kur tregojmë shqetësim për njerëzit e lodhur, ne “[ndihmojmë] të dobëtit, [ngremë] duart që varen poshtë dhe [forcojmë] gjunjët e këputur”9. Udhëheqës të kujdesshëm të Kishës janë të vetëdijshëm për kufizimet individuale, megjithatë të zellshëm për t’i shfrytëzuar anëtarët në masën e forcës dhe aftësisë së tyre. Udhëheqësit mësojnë dhe mbështesin por nuk shaktojnë trysni për të “vrapuar më shpejt ose për të punuar më shumë se sa” forca na lejon.10

Kujtoni, ndonjëherë ata që fillojnë më ngadalë arrijnë të shkojnë më larg.

Disa kanë humbur sepse janë larguar. Përveç Zotit, të gjithë kemi bërë gabime. Pyetja nuk është a do të rrëzohemi dhe biem por, në vend të kësaj, si do të reagojmë? Disa, pasi kanë bërë gabime, largohen nga grigja. Kjo është një fatkeqësi. A nuk e dini se Kisha është një vend për njerëz të papërsosur të cilët mblidhen së bashku – madje me të gjitha dobësitë e tyre të vdekshme – dhe bëhen më të mirë? Çdo të dielë, në çdo shtëpi mbledhjesh nëpër të gjithë botën, ne gjejmë burra, gra dhe fëmijë të vdekshëm e të papërsosur të cilët mblidhen së bashku në vëllazëri dhe dashuri hyjnore duke u përpjekur për t’u bërë njerëz më të mirë, për të mësuar nga Shpirti dhe për t’i dhënë kurajo dhe mbështetje të tjerëve. Nuk di për ndonjë tabelë në derën e shtëpive tona të mbledhjeve e cila lexon: “Hyrje e Kufizuar: Vetëm për Njerëzit e Përsosur.”

Për shkak të papërsosmërive tona, ne kemi nevojë për Kishën e Zotit. Është atje që doktrinat e Tij shëlbuese mësohen dhe ku ordinancat e Tij shpëtuese administrohen. Kisha na nxit dhe motivon për të qenë një popull më i mirë dhe më i lumtur. Ajo është gjithashtu një vend ku ne mund të humbim vetveten në shërbimin e të tjerëve.

Zoti e di se ne do të bëjmë gabime. Kjo është arsyeja pse Ai vuajti për mëkatet tona. Ai dëshiron që ne të ngrihemi përsëri në këmbët tona dhe të përpiqemi të bëjmë më shumë. Ka gëzim në praninë e engjëjve të Perëndisë për një mëkatar i cili pendohet.

Juve të cilët jeni larguar sepse jeni ofenduar, a nuk mund ta lini mënjanë dhimbjen dhe zemërimin? A nuk mund ta mbushni zemrën me dashuri? Ka një vend për ju këtu. Ejani, bashkohuni me tufën, përkushtoni aftësitë, talentet dhe mjeshtërinë tuaj. Do të bëheni më të mirë nga kjo dhe të tjerët do të bekohen nga shembulli juaj.

Atyre që janë larguar për shkak të shqetësimeve doktrinore, ne nuk mund të shfajësohemi për të vërtetën. Nuk mund të mohojmë doktrinën e dhënë nga Vetë Zoti. Me këtë parim, nuk mund të bëjmë kompromis.

E kuptoj se ndonjëherë njerëzit nuk pajtohen me doktrinën. Ata madje shkojnë aq larg sa e quajnë atë marrëzi. Por unë përsëris fjalët e Apostullit Pal i cili tha se ndonjëherë gjërat shpirtërore mund t’u duken si marrëzi njerëzve. Megjithatë: “marrëzia e Perëndisë është më e fortë se njerëzit”11.

Në të vërtetë, gjërat e Shpirtit zbulohen nga Shpirti. “Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.”12

Ne dëshmojmë se ungjilli i Jezu Krishtit është këtu mbi tokë sot. Ai mësoi mbi doktrinën e Atit të Tij: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.”13

E di se secili prej jush ndan shqetësim për një person të dashur. Jepuni inkurajim, shërbim dhe nxitje atyre. Duajini ata. Jini të mirë me ta. Në disa raste, ata do të kthehen. Në raste të tjera, ata nuk do ta bëjnë atë. Por në të gjitha rastet, le të jemi gjithmonë të denjë për emrin që kemi marrë mbi vete, madje atë të Jezu Krishtit.

Ndaj të gjithëve që jetojnë mbi këtë tokë të bukur, unë ngre zërin tim dhe jap dëshmi solemne se Perëndia jeton dhe se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Mbreti ynë! Ai rivendosi të vërtetën e Tij dhe ungjillin e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Ai u flet profetëve dhe apostujve të Tij. Presidenti Tomas S. Monson është i vajosuri i Zotit dhe udhëheq Kishën e Tij sot. Unë kështu dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mateu 18:11.

  2. Lluka 15:4.

  3. 2 Nefi 26:33.

  4. Isaia 40:29.

  5. DeB 128:22–23.

  6. DeB 1:19.

  7. Mateu 11:28.

  8. Isaia 40:31.

  9. DeB 81:5.

  10. DeB 10:4.

  11. 1Korintasve 1:25; shih gjithashtu v.18.

  12. 1 Korintasve 2:14.

  13. Gjoni 7:17.