2008
Bija të Perëndisë
Maj 2008


Bija të Perëndisë

Në jetë nuk ka rol më thelbësor dhe më të përjetshëm sesa ai i mëmësisë.

Pamja
Elder M. Russell Ballard

Vëllezër dhe motra, kohët e fundit bashkëshortja ime, Barbara, kreu një operacion në shpinë dhe nuk mund të ngrinte peshë, të përdridhej apo të përkulej. Si rrjedhojë, kam ngritur më shumë pesha, jam përdredhur e jam përkulur më shumë se asnjëherë më parë – dhe kjo më ka bërë të vlerësoj më shumë atë që gratë, veçanërisht ju nëna, bëni çdo ditë në shtëpitë tona.

Edhe pse gratë jetojnë në shtëpi në rrethana shumë të ndryshme – të martuara, beqare, të veja, apo të divorcuara, disa me fëmijë dhe disa pa ta – të gjitha Perëndia i do dhe Ai ka një plan për bijat e Tij të drejta, që të marrin bekimet më të larta të përjetësisë.

Këtë pasdite dëshiroj t’i përqendroj fjalët e mija në radhë të parë tek nënat, veçanërisht tek nënat e reja.

Kur isha baba i ri, mësova rolin me kërkesa të mëmësisë. Unë shërbeva si këshilltar dhe pastaj si peshkop për një periudhë prej dhjetë vjetësh. Gjatë asaj kohe u bekuam me gjashtë prej shtatë fëmijëve tanë. Barbara shpesh ishte e rraskapitur në kohën kur unë shkoja në shtëpi të dielën në mbrëmje. Ajo përpiqej të shpjegonte se çdo të thoshte të uleshe në radhën e fundit në mbledhjen e sakramentit me familjen tonë të re. Më pas erdhi dita kur u lirova nga detyra. Pasi kisha qëndruar në panel për 10 vjet, tani po qëndroja me familjen time tek radha e fundit.

Kori i nënave këngëtare të lagjes po mundësonte muzikën dhe unë u gjenda ulur i vetëm me gjashtë fëmijët e mi. Asnjëherë nuk kam qenë aq i zënë në gjithë jetën time. Po përpiqesha të zbavitja qetësisht fëmijët me të gjitha fuqitë dhe kjo nuk po funksiononte sa duhet. Ushqimet e thata u derdhën dhe kjo ishte sikletosëse. Librat për ngjyrosje nuk dukej se zbavitnin ashtu siç duhej.

Ndërsa mundohesha me fëmijët gjatë mbledhjes, shihja Barbarën dhe ajo më vështronte e më buzëqeshte. Unë mësova vetë që të vlerësoj më plotësisht atë që të gjitha ju nëna të dashura bëni kaq mirë dhe kaq besnikërisht!

Një brez më vonë, si gjysh, kam vëzhguar sakrificat që bijat e mija kanë bërë duke rritur fëmijët e tyre. Dhe tani, edhe një brez më vonë, vëzhgoj me çudi trysninë mbi mbesat e mija ndërsa udhëheqin fëmijët e tyre në këtë botë të zënë me punë dhe kërkuese.

Pasi kam vërejtur dhe simpatizuar tre breza nënash dhe duke menduar për nënën time të dashur, e di me siguri se nuk ka rol në jetë më thelbësor e më të përjetshëm se atë të mëmësisë.

Nuk ka një mënyrë të përsosur që të jesh nënë e mirë. Secila situatë është unike. Çdo nënë ka sfida të ndryshme, zotësi dhe aftësi të ndryshme dhe sigurisht, fëmijë të ndryshëm. Zgjedhja është e ndryshme dhe unike për secilën nënë dhe secilën familje. Shumë janë në gjendje të jenë “nëna kohëplota”, të paktën gjatë viteve formuese të jetës së fëmijëve të tyre dhe shumë të tjera do të donin të ishin. Disave mund t’u duhet të punojnë me orar të pjesshëm ose të plotë; disa mund të punojnë në shtëpi; disa mund ta ndajnë jetën në periudha të shtëpisë, dhe të familjes, dhe të punës. Ajo që ka rëndësi është se një nënë i do thellësisht fëmijët e saj dhe, në harmoni me përkushtimin që ka për Perëndinë dhe bashkëshortin e saj, u jep atyre përparësi mbi gjithçka tjetër.

Më bëjnë përshtypje nëna të panumërta që kanë mësuar sa e rëndësishme është të përqendrohesh në gjëra që mund të bëhen vetëm në një periudhë të caktuar të jetës. Nëse një fëmijë jeton me prindërit për 18 ose 19 vjetë, ai interval është vetëm çereku i jetës së një prindi. Dhe koha më formuese nga të gjitha, vitet e hershme të jetës së një fëmije, përfaqësojnë më pak se një të dhjetën e jetës normale të një prindi. Është vendimtare të përqendrohemi tek fëmijët tanë gjatë kohës së shkurtër që i kemi me ne dhe të kërkojmë, me ndihmën e Zotit, t’u mësojmë atyre gjithçka mundemi, përpara se të lënë shtëpitë tona. Kjo punë e rëndësishme përjetësisht bie mbi nënat dhe etërit si partnerë të barabartë. Jam mirënjohës që shumë etër sot përfshihen më shumë në jetën e fëmijëve të tyre. Por besoj se instinktet dhe përfshirja intensive edukuese e nënave me fëmijët e tyre do të jetë gjithmonë një çelës kryesor për mirëqenien e tyre. Me fjalët e proklamatës mbi familjen “Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre” (“Familja: Një Proklamtë Drejtuar Botës”, Liahona, tetor 2004, f. 49).

Duhet të kujtojmë se angazhimi i plotë i mëmësisë dhe vendosja e fëmijëve në radhë të parë, mund të jetë i vështirë. Nëpërmjet përvojës time prej katër brezash në familjen tonë dhe nëpërmjet diskutimeve me nëna të fëmijëve të vegjël në Kishë, unë di diçka nga emocionet e një nëne që shoqërojnë angazhimin e saj për të qenë në shtëpi me fëmijë të vegjël. Ka çaste të një gëzimi të madh dhe përmbushjeje të pabesueshme, por ka edhe çaste të një ndjesie papërshtatshmërie, monotonie dhe zhgënjimi. Nënat mund të ndjejnë se marrin pak ose aspak vlerësim për zgjedhjen që kanë bërë. Nganjëherë, edhe bashkëshortët duket se nuk kanë ide për kërkesat që bien mbi bashkëshortet e tyre.

Si Kishë, ne kemi respekt dhe mirënjohje të pamasë për ju nëna të fëmijëve të vegjël. Ne duam që ju të jeni të lumtura e të suksesshme në familjet tuaja dhe të keni vlerësimin dhe mbështetjen që ju duhet dhe që e meritoni. Prandaj sot, më lejoni të bëj dhe t’u përgjigjem shkurtimisht katër pyetjeve. Ndërkohë që përgjigjet e mija mund të duken jashtëzakonisht të thjeshta, nëse kujdesemi për gjërat e thjeshta, jeta e një nëne mund të jetë tepër shpërblyese.

Pyetja e parë: Çfarë mund të bësh ti, si një nënë e re, për të zvogëluar trysninë dhe për ta shijuar më shumë familjen tënde?

Së pari, ta dish se gëzimi i mëmësisë vjen në çaste. Do të ketë çaste të vështira dhe çaste zhgënjyese. Por në mes sfidave, janë çaste të ndritshme të gëzimit dhe kënaqësisë.

Autorja Ana Kuindlen na kujton që të mos nxitojmë përtej çasteve të shkurtra. Ajo tha: “Gabimi më i madh që kam bërë [si prind] është ai që e bëjnë shumica prej nesh … Nuk e jetova çastin sa ç’ duhet. Kjo është veçanërisht e qartë tani që çasti ka shkuar, i fiksuar vetëm në fotografi. Është një fotografi [e tre fëmijëve të mij] ulur në bar mbi një mbulesë në hijen e lëkundëses në një ditë vere, në moshën gjashtë, katër dhe një vjeç. Do të doja të mund të kujtoja çfarë hëngrëm, dhe për çfarë folëm, dhe çfarë zhurmash bënë, dhe si dukeshin kur fjetën atë natë. Do të doja të mos kisha qenë aq me nxitim për të kaluar tek gjëja tjetër: darka, banja, libri, shtrati. Do të doja të kisha ruajtur si thesar pak më shumë kohën kur ndodhnin dhe të mos isha shqetësuar aq shumë për plotësimin e tyre” (Loud and Clear, [2004], f. 10–11).

Së dyti, mos e mbingarkoni veten ose fëmijët tuaj. Jetojmë në një botë të mbushur me mundësi zgjedhjeje. Nëse nuk kemi kujdes, do ta gjejmë çdo minutë të mbushur me aktivitete shoqërore, mësime, stërvitje, klube librash, krijim albumesh me copa të ngjitura, thirrje të Kishës, muzikë, sporte, internet dhe programet tona të parapëlqyera televizive. Një nënë më tregoi për një periudhë kohe kur fëmijët e saj kishin 29 angazhime të programuara çdo javë: mësime muzike, skautizëm, vallëzim, stërvitje bejzbolli, kamp ditor, futboll, art etj. Ajo ndihej si një shofere taksie. Së fundi, ajo organizoi një mbledhje familjare dhe deklaroi: “Duhet të ndalojmë ndonjë aktivitet, nuk kemi kohë për vete dhe nuk kemi kohë për njëri-tjetrin.” Familjet kanë nevojë për kohë të paorganizuar kur të mund të thellohen marrëdhëniet dhe të bëhet prindërim i vërtetë. Kushtoni kohë për të dëgjuar, për të qeshur e për të luajtur së bashku.

E treta, edhe kur përpiqeni të ndaloni angazhimet e tepërta, motra, gjeni kohë për veten, për të zhvilluar talentet dhe interesat tuaja. Zgjidhni një ose dy gjëra që do t’ju pëlqente të mësoni ose bëni, që do t’ju pasurojnë jetën dhe gjeni kohë për to. Nuk mund të dalë ujë nga një burim i thatë dhe, nëse nuk vini mënjanë pak kohë për atë që ju mbush juve, do të keni gjithmonë e më pak për t’u dhënë të tjerëve, madje dhe fëmijëve tuaj. Shmangni çdo lloj abuzimi lëndësh, duke menduar gabimisht se do t’ju ndihmojnë të përmbushni më shumë. Dhe mos e lejoni veten të hutoheni nga gjëra që humbasin kohën kot dhe mpijnë mendjen si telenovelat apo shfletimi i Internetit. Drejtojuni Zotit me besim dhe do të dini çfarë të bëni dhe si ta bëni.

Së katërti lutuni, studioni dhe jepni mësim ungjillin. Lutuni thellë për fëmijët tuaj dhe rolin tuaj si nënë. Prindërit mund të ofrojnë një lloj lutjeje unike e të mrekullueshme sepse ata i luten Prindit të Përjetshëm të të gjithë neve. Ekziston një fuqi e madhe në një lutje që në thelb thotë: “Ne jemi prindër-kujdestarë mbi fëmijët e Tu, Atë; të lutemi na ndihmo t’i rritim ata ashtu si Ti do të doje të rriteshin.”

Pyetja e dytë: Çfarë mund të bëjë më shumë një bashkëshort për të mbështetur bashkëshorten e tij, nënën e fëmijëve të tyre?

Së pari, tregoni më shumë vlerësim dhe jepni më shumë miratim për atë që bashkëshortja juaj bën çdo ditë. Vërini re gjërat dhe thoni faleminderit – shpesh. Planifikoni disa mbrëmje së bashku, vetëm ju të dy.

Së dyti, bisedoni rregullisht me bashkëshorten tuaj për nevojat e secilit fëmijë dhe për çfarë mund të bëni që të ndihmoni.

Së treti, jepini bashkëshortes tuaj një “ditë pushimi” herë pas here. Merrni mbi vete punët e shtëpisë dhe krijojini bashkëshortes tuaj një shkëputje nga përgjegjësitë e saj të përditshme. Marrja mbi vete për pak kohë do ta rritë shumë vlerësimin tuaj për atë që bën bashkëshortja juaj. Mund të bëni shumë ngritje peshash, përdredhje e përkulje!

Së katërti, kthehuni në shtëpi nga puna dhe merrni një rol aktiv me familjen tuaj. Mos vendosni punën, miqtë apo sportet më përpara se lojën me fëmijët tuaj dhe dhënien e mësimit atyre.

Pyetja e tretë: Çfarë mund të bëjnë fëmijët, madje dhe fëmijët e vegjël? Tani, ju fëmijë, ju lutem të më dëgjoni pasi ka disa gjëra të thjeshta që mund të bëni për të ndihmuar nënën tuaj.

Ju mund të mblidhni lodrat kur të përfundoni lojën me to; dhe, kur të rriteni pak, mund të rregulloni shtratin, të ndihmoni për të larë enët dhe të bëni punë të tjera shtëpie – pa jua kërkuar.

Mund të thoni faleminderit më shpesh kur mbaroni një vakt të shijshëm, kur ju lexohet një tregim në kohën e gjumit, ose kur rrobat e pastra vendosen në sirtarët tuaj.

Mbi të gjitha, mund ta përqafoni mamanë shpesh dhe t’i thoni se e doni.

Pyetja e fundit: Çfarë mund të bëjë Kisha?

Ka shumë gjëra që Kisha i ofron nënave dhe familjeve, por për synimin tim sot më lejoni të sugjeroj që anëtarët e këshillit të peshkopëve dhe këshillit të lagjes të jenë veçanërisht vëzhgues dhe të marrin parasysh kërkesat për kohë dhe burime që kanë nënat e reja dhe familjet e tyre. Njihini ato dhe jini të mençur në atë që u kërkoni të bëjnë në këtë kohë të jetës së tyre. Këshilla e Almës për birin e tij Helamanin zbatohet për ne sot: “Por vër re, unë të them ty nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen” (Alma 37:6).

Shpresoj se ju motra të dashura, të martuara ose beqare, të mos vrisni mendjen kurrë nëse keni vlerë në sytë e Zotit dhe të udhëheqësve të Kishës. Ne ju duam. Ne ju respektojmë dhe vlerësojmë ndikimin tuaj për ruajtjen e familjes si dhe ndihmën për rritjen dhe gjallërimin shpirtëror të Kishës. Le të kujtojmë se “familja është qendrore në planin e Krijuesit për destinacionin hyjnor të fëmijëve të Tij” (“Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”). Shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve dhe të apostujve, i ndihmojnë gjithë anëtarët e familjes të përgatiten së bashku tani që të jenë së bashku në të gjithë përjetësinë. Unë lutem që Perëndia të bekojë vazhdimisht gratë e Kishës që të gjejnë gëzim e lumturi në rolet e tyre të shenjtë si bija të Perëndisë.

Tani, në mbyllje, dua të shtoj dëshminë time për thirrjen profetike të Presidentit Monson. E kam njohur që kur ai ishte 22 vjeç dhe unë 21. Janë 58 vjet. E kam vëzhguar dorën e Zotit ta përgatisë atë për këtë ditë që të kryesojë Kishën si profeti dhe Presidenti i saj. Dhe e shtoj dëshminë time, bashkë me gjithë dëshmitë e tjera që janë dhënë gjatë kësaj konference, për thirrjen e tij të veçantë si President i Kishës, si dhe ia shtoj dëshminë time gjithë të tjerave, se Jezusi është Krishti dhe se kjo është Kisha e Tij. Ne po bëjmë punën e Tij, për të cilën dëshmoj në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.