2008
Shohim Pas dhe Ecim Përpara
Maj 2008


Shohim Pas dhe Ecim Përpara

Së bashku do të ecim përpara duke bërë punën e Tij.

Pamja
President Thomas S. Monson

Mendoj se ky ka qenë një sesion i shënuar. Mesazhi ka qenë frymëzues; muzika ka qenë e mrekullueshme, dëshmitë të sinqerta. Mendoj se gjithkush që ka marrë pjesë në këtë sesion nuk do ta harrojë kurrë atë – për Shpirtin që kemi ndier.

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, mbi 44 vjet më parë, në tetor të vitit 1963, qëndrova në podiumin e Tabernakullit, ku sapo isha mbështetur si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Me atë rast përmenda një shenjë të vogël që kisha parë në një podium tjetër. Fjalët në atë shenjë ishin këto: “Ai që qëndron në këtë podium, duhet të jetë i përulur.” Ju siguroj se u përula nga thirrja ime tek të Dymbëdhjetët në atë kohë. Megjithatë, ndërsa qëndroj tek ky podium sot, ju flas nga thellësitë më mëdha të përulësisë. E ndiej mjaft fort varësinë time tek Zoti. Me përulësi kërkoj drejtimin e Shpirtit ndërsa ndaj me ju ndjenjat e zemrës sime.

Vetëm dy muaj më parë ne i thamë lamtumirë mikut dhe udhëheqësit tonë të dashur Gordon B. Hinkli, Presidentit të 15-të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, një ambasador i jashtëzakonshëm i së vërtetës në të gjithë botën dhe i dashur nga të gjithë. E ndiejmë mungesën e tij. Më shumë se 53 000 burra, gra dhe fëmijë udhëtuan për në Sallën e Profetëve në këtë ndërtesë për t’i bërë nderimet e fundit këtij gjiganti të Zotit, që tani i përket historisë.

Me vdekjen e Presidentit Hinkli, Presidencia e Parë u shkri. Presidenti Ajring dhe unë, që shërbyem si këshilltarë të Presidentit Hinkli, u kthyem në vendet tona në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe ai kuorum u bë autoriteti kryesues i Kishës.

Të shtunën, më 2 shkurt 2008, shërbimet e funeralit për Presidentin Hinkli u mbajtën në këtë Qendër të mrekullueshme të Konferencave – një ndërtesë që do të qëndrojë përgjithmonë si një monument i largpamësisë dhe vizionit të tij. Gjatë funeralit, homazhe të bukura dhe me dashuri iu bënë këtij njeriu të Perëndisë.

Ditën pasuese, të 14 Apostujt e shuguruar që jetojnë mbi tokë, u mblodhën në dhomën e epërme të Tempullit të Solt Lejkut. U mblodhëm në një shpirt agjërimi e lutjeje. Gjatë asaj mbledhjeje solemne dhe të shenjtë, Presidencia e Kishës u riorganizua në përputhje me precedentë të vendosur qartë, sipas modelit që Vetë Zoti vendosi.

Anëtarët e Kishës rreth botës u mblodhën dje në një asamble solemne. Ju ngritët duart në një votë mbështetëse për të miratuar vendimin që u mor në atë mbledhje në tempullin të cilit sapo iu referova. Ndërsa duart tuaja u ngritën drejt qiellit, zemra ime u prek. Ndieva dashurinë dhe mbështetjen tuaj, si edhe zotimin tuaj ndaj Zotit.

E di pa dyshim, vëllezërit dhe motrat e mia, se Perëndia jeton. Unë ju dëshmoj se kjo është puna e Tij. Gjithashtu dëshmoj se Shpëtimtari ynë Jezu Krishti është kreu i kësaj Kishe, e cila mban emrin e Tij. E di se përvoja më e ëmbël në gjithë këtë jetë është të ndiesh nxitjet e Tij ndërsa Ai na drejton në çuarjen përpara të punës së Tij. I ndieva këto nxitje si një peshkop i ri, i udhëhequr në shtëpitë ku kishte nevoja shpirtërore – apo ndoshta tokësore. I ndieva ato përsëri si një president misioni në Toronto, Kanada, duke punuar me misionarë të mrekullueshëm të cilët ishin një dëshmi e gjallë për botën se kjo punë është hyjnore dhe se udhëhiqemi nga një profet. I kam ndier ato gjatë gjithë shërbimit tim tek të Dymbëdhjetët dhe në Presidencinë e Parë dhe tani si President i Kishës. Unë dëshmoj se secili prej nesh mund të ndiejë frymëzimin e Zotit ndërsa jetojmë me denjësi dhe përpiqemi t’i shërbejmë Atij.

Jam mjaft i vetëdijshëm për 15 burrat të cilët më paraprinë si Presidentë të Kishës. Shumë prej tyre i kam njohur personalisht. Kam patur bekimin dhe privilegjin të shërbej si këshilltar i tre prej tyre. Jam mirënjohës për trashëgiminë e qëndrueshme që kanë lënë secili prej këtyre 15 burrave. Kam njohurinë e sigurt, siç jam i sigurt se ata e kishin, se Perëndia e drejton profetin e Tij. Lutja ime e sinqertë është që unë të mund të vazhdoj të jem një instrument i denjë në duart e Tij për ta vazhduar këtë punë të madhe dhe të përmbush përgjegjësitë e jashtëzokonshme që vijnë bashkë me detyrën e Presidentit.

E falenderoj Zotin për këshilltarët e mrekullueshëm. Presidenti Henri B. Ajring dhe Presidenti Diter F. Uhtdorf janë burra mjaft të aftë dhe me arsyetim të shëndoshë. Ata janë këshilltarë në kuptimin e vërtetë të fjalës. E vlerësoj gjykimin e tyre. Besoj se janë përgatitur nga Zoti për pozicionet që mbajnë tani. I dua anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe e çmoj shoqërimin tim me ta. Ata, gjithashtu, janë të përkushtuar ndaj punës së Zotit dhe janë duke kaluar jetën e tyre në shërbimin e Tij. Mezi pres të shërbej me Plakun Kristoferson, i cili tani është thirrur në atë kuorum dhe që ka marrë votën tuaj mbështetëse. Ai, gjithashtu, është përgatitur për postin në të cilin është thirrur. Gjithashtu ka qenë një gëzim të shërbej me anëtarët e kuorumeve të Shtatëdhjetëshes dhe me Këshillin e Peshkopit Kryesues. Anëtarë të rinj të Shtatëdhjetëshes janë thirrur dhe u mbështetën dje dhe unë mezi pres të shoqërohem me ta në punën e Mësuesit.

Një shpirt i ëmbël uniteti ekziston mes Autoriteve të Përgjithshme. Zoti ka shpallur: “Nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë.”1 Ne do të vazhdojmë të jemi të bashkuar në një qëllim – i cili është të çojmë përpara punën e Zotit.

Dëshiroj të shpreh falenderimet e mia ndaj Atit tim në Qiell për bekimet e Tij të panumërta ndaj meje. Unë mund të them, siç tha Nefi i kohërave të vjetra, se u linda nga prindër të mirë, prindërit dhe gjyshërit e të cilëve u mblodhën nga tokat e Suedisë, Skocisë dhe Anglisë nga misionarë të përkushtuar. Ndërsa ata misionarë ndanë dëshmi të përulura, ata prekën zemrën dhe shpirtin e paraardhësve të mi. Pasi u bashkuan me Kishën, këta burra, gra dhe fëmijë fisnikë u nisën për në luginën e Solt Lejkut të Madh. Shumë ishin provat dhe dhimbjet me të cilat ata u përballën gjatë udhës.

Në pranverën e vitit 1848, katragjyshërit e mi, Çarls Stjuart Miller dhe Meri MekGovan Miller, të cilët u bashkuan me Kishën në Skoci, e lanë pas shtëpinë e tyre në Rutherglen, Skoci dhe udhëtuan për në Seint Ljuis, Misuri, me një grup shenjtorësh, duke arritur atje në 1849-tën. Një prej 11 fëmijëve të tyre, Margaret, do të bëhej stërgjyshja ime.

Ndërsa familja ishte në Seint Ljuis duke punuar për të fituar para për të përfunduar udhëtimin e tyre për në Luginën e Solt Lejkut, një epidemi kolere përfshiu zonën, duke lënë prapa vdekje dhe dhimbje. Familja Miller u godit rëndë. Në hapësirën e dy javëve, katër nga pjesëtarët e familjes vdiqën. I pari, më 22 qershor 1849, ishte 18 vjeçari Uilliam. Pesë ditë më pas, Meri MekGovan Miller, katragjyshja ime dhe nëna e familjes, vdiq. Dy ditë më pas, 15 vjeçari Arçibald ndërroi jetë dhe pesë ditë pas vdekjes së tij, katragjyshi im, Çarls Stjuart Miller, babai i familjes, vdiq. Fëmijët të cilët mbijetuan mbetën jetimë, përfshirë katragjyshen time Margaret, e cila ishte 13 vjeçe në atë kohë.

Për shkak të gjithë këtyre vdekjeve në zonë, nuk kishte arkivolë, me çfarëdo çmimi, në të cilët të varroseshin pjesëtarët e vdekur të familjes. Djemtë më të rritur që mbetën gjallë, çmontuan stallën e qeve të familjes që të bënin arkivole për anëtarët e familjes që kishin vdekur.

Pak është shënuar për dhimbjen dhe mundimet e nëntë fëmijëve të mbijetuar të familjes Miller ndërsa ata vazhduan punën dhe kursyen për atë udhëtim që prindërit dhe vëllezërit e tyre nuk do ta bënin kurrë. E dimë se ata u larguan nga Seint Ljuis në pranverën e vitit 1850 me katër qe dhe një karro, duke arritur më në fund në Luginën e Solt Lejkut po në të njëjtin vit.

Të tjerë nga paraardhësit e mi u përballën me vështirësi të ngjashme. Gjatë gjithë kësaj, megjithatë, dëshmitë e tyre mbetën të vendosura dhe të qëndrueshme. Nga të gjithë ata unë mora një trashëgimi përkushtimi total ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. Për shkak të këtyre shpirtrave besnikë, unë qëndroj përpara jush sot.

E falenderoj Atin tim në Qiell për shoqen time të ëmbël, Frensis. Këtë tetor ajo dhe unë do të festojmë 60 vite të mrekullueshme martese. Megjithëse shërbimi im në Kishë filloi në një moshë të re, ajo asnjëherë nuk është ankuar kur jam larguar nga shtëpia për të marrë pjesë në mbedhje apo për të përmbushur një detyrë. Për shumë vite detyra ime si anëtar i të Dymbëdhjetëve më ka çuar shpesh larg Solt Lejkut – ndonjëherë për pesë javë së bashku – duke e lënë atë vetëm për t’u kujdesur për fëmijët tanë të vegjël dhe për shtëpinë tonë. Duke filluar që kur u thirra si peshkop në moshën 22-vjeçare, ne rrallë kemi patur luksin të ulemi bashkë gjatë një shërbese në Kishë. Nuk mund të kisha patur një shoqe më besnike, të dashur dhe mirëkuptuese.

I shpreh mirënjohjen time Atit tim Qiellor për tre fëmijët tanë dhe shoqet e tyre, për tetë nipër e mbesa të mrekullueshëm dhe për katër stërnipër e stërmbesa të bukura.

Është e vështirë për mua të gjej fjalët për t’ju shprehur, vëllezërit dhe motrat e mia, vlerësimin tim të çiltër për jetën që jetoni, për të mirat që bëni dhe për dëshmitë që ndani. Ju i shërbeni njëri-tjetrit me gatishmëri. Ju jeni të përkushtuar ndaj ungjillit të Jezu Krishtit.

Gjatë më shumë se 44 viteve si Autoritet i Përgjithshëm, kam patur mundësinë të udhëtoj nëpër të gjithë botën. Një nga gëzimet e mia më të mëdha ka qenë të takohem me ju, anëtarët, kudo që mund të ndodheni – për të ndier shpirtin dhe dashurinë tuaj. Mezi pres për shumë mundësi të tjera si këto.

Gjatë gjithë udhëtimit përgjatë udhës së jetës, ka fatkeqësira. Disa largohen nga shenjuesit e udhës të cilat drejtojnë drejt jetës së përjetshme, vetëm për të zbuluar se rruga e tërthortë në fund të çon në një udhë pa krye. Indiferenca, pakujdesia, egoizmi dhe mëkati, të gjitha kanë çmimin e tyre të rëndë në jetën e njerëzve.

Ndryshimi për mirë mund t’u vijë të gjithëve. Gjatë viteve i kemi bërë apel anëtarëve më pak aktivë, të fyerve, kritikuesve, shkelësve – të kthehen. “Eja dhe ushqeu në tavolinën e Zotit dhe shijo përsëri frytet e ëmbla dhe përmbushëse të shoqërimit me shenjtorët.”2

Në ndërgjegjen e çdo njeriu gjendet ajo lloj ndjenje, ajo vendosmëri për ta flakur tutje njeriun e vjetër dhe për t’u ngritur në lartësinë e potencialit tonë të vërtetë. Në këtë frymë, ne përsëri shpallim atë ftesë të çiltër: Kthehuni. Ne ju afrohemi me dashurinë e pastër të Krishtit dhe shprehim dëshirën tonë për t’ju mbështetur dhe mirëpritur në shoqërim të plotë. Atyre që janë vrarë në shpirt ose vuajnë dhe kanë frikë, u themi: na lini t’ju ngremë, t’ju çelim dhe të qetësojmë frikën tuaj. Merreni me gjithë mend ftesën e Zotit: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.”3

Është thënë për Shpëtimtarin se Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë … sepse Perëndia ishte me të”4. Le të ndjekim atë shembull të përsosur. Në këtë udhëtim ndonjëherë të pasigurt përgjatë vdekshmërisë, ndjekshim gjithashtu atë këshillë nga Apostulli Pal e cila do të na ndihmojë të qëndrojmë të sigurt dhe në shteg: “Të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.”5

Do t’i nxisja anëtarët e Kishës kudo që të ndodhen të tregojnë mirësi dhe respekt për të gjithë njerëzit kudoqofshin. Bota në të cilën jetojmë është e mbushur me diversitet. Ne mundemi dhe duhet të tregojmë respekt kundrejt atyre besimi i të cilëve ndryshon nga i yni.

Le të tregojmë mirësi dhe dashuri brenda familjeve tona. Shtëpitë tona duhet të jenë më shumë se shenjtërore; ato gjithashtu duhet të jenë vendi ku Shpirti i Perëndisë mund të jetojë, ku stuhia ndalon tek porta, ku dashura mbretëron dhe paqja mbizotëron.

Bota ndonjëherë mund të jetë një vend i frikshëm për të jetuar. Coha morale e shoqërisë duket se po shthuret me një shpejtësi alarmuese. Askush – qoftë i ri apo i vjetër, apo midis – nuk përjashtohet nga ekspozimi ndaj atyre gjërave që kanë potencialin të na çojnë poshtë dhe të na shkatërrojnë. Rinia jonë, rinia jonë e çmuar veçanërisht, përballet me tundime që mezi arrijmë t’i kuptojmë. Armiku dhe ushtria e tij duket se punon pa pushim për të shkaktuar rënien tonë.

Ne po luftojmë kundra mëkatit, vëllezërit dhe motrat e mia, por nuk duhet të dëshpërohemi. Është një luftë të cilën mundemi dhe do ta fitojmë. Ati ynë në Qiell na ka dhënë mjetet që na nevojiten për ta bërë këtë. Ai është timoni. Ne nuk kemi pse të frikësohemi. Ai është Perëndia i dritës. Ai është Perëndia i shpresës. Unë dëshmoj se Ai na do ne – secilin prej nesh.

Vdekshmëria është një periudhë prove, një kohë për ta provuar veten të denjë për t’u kthyer në praninë e Atit tonë në Qiell. Për t’u provuar, ne ndonjëherë duhet të përballemi me sfida dhe vështirësi. Ndonjëherë na duket sikur nuk ka dritë në fundin e tunelit – as agim për të thyer errësirën e natës. Ne ndihemi të rrethuar nga dhimbja e zemrave të thyera, zhgënjimi i ëndrrave të prishura dhe dëshpërimi i shpresave të venitura. Ne bashkohemi në lutjen biblike: “A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad?”6 Ne jemi të prirur të shohim fatkeqësitë tona nëpërmjet prizmit të shtrembëruar të pesimizmit. Ne ndihemi të braktisur, zemërthyer dhe të vetmuar. Nëse e gjeni veten në një situatë të tillë, lutem me ju të ktheheni tek Ati juaj Qiellor me besim. Ai do tngrejë dhe udhëheqë. Ai jo gjithmonë do t’i largojë vuajtjet prej jush, por Ai do t’ju ngushëllojë dhe udhëheqë me dashuri nëpër çfarëdo stuhie me të cilën përballeni.

Me të gjithë zemrën time dhe me zjarrin e shpirtit tim, e ngre zërin tim në dëshmi sot si një dëshmitar i veçantë dhe shpall se Perëndia jeton. Jezusi është Biri i Tij, i Vetëmlinduri i Atit në mish. Ai është Shëlbuesi ynë; Ai është Mediatori ynë me Atin. Ai na do me një dashuri që nuk mund ta kuptojmë plotësisht, dhe sepse Ai na do, Ai dha jetën e Tij për ne. Mirënjohja ime për Të është përtej aftësisë sime për t’u shprehur.

Unë kërkoj bekimin e Tij mbi ju, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në shtëpitë tuaja, në punën tuaj, në shërbimin tuaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj Zotit Vetë. Së bashku ne do të shkojmë përpara duke bërë punën e Tij.

Unë lë peng jetën time, forcën time – gjithçka që kam për të ofruar – në shërbimin e Tij dhe në drejtimin e punëve të Kishës së Tij në përputhje me vullnetin e Tij dhe nëpërmjet frymëzimit të Tij, dhe e bëj këtë në emrin e Tij të shenjtë – madje Zotit Jezu Krisht – amen.

Shënime

  1. DeB 38:27.

  2. First Presidency statement, në Ensign, mars 1986, fq. 88.

  3. Mateu 11:28–30.

  4. Veprat e Apostujve 10:38.

  5. Filipianëve 4:8.

  6. Jeremia 8:22.