2008
Plaku D. Tod Kristoferson
Maj 2008


Plaku D. Tod Kristoferson

Nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Pamja
Elder D. Todd Christofferson

Ka diçka që mund të mësoni nga cilido”, thotë Plaku Dejvid Tod Kristoferson, i thirrur dhe i mbështetur së fundi si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Nuk kam gjetur askënd – brenda apo jashtë Kishës – që nuk mund t’i merrja diçka që më bënte mua më të mirë.”

Të mësosh nga më e mira që të tjerët kanë për të ofruar, është diçka që Plaku Kristoferson ka bërë gjithë jetës së tij, duke filluar me prindërit e tij.

Lindur nga Pol Víkeri Kristoferson dhe Xhein Suenson Kristoferson, më 24 janar 1945, Plaku Kristoferson u rrit në Plezënt Grov dhe Lindon të Jutas në SHBA. Ai thotë se së bashku me katër vëllezërit e tij më të vegjël shijuan një fëmijëri që ishte “idilike” dhe “e qetë”.

“Kishim një jetë familjare shumë të sigurt e të lumtur”, kujton ai. “Babai dhe Nëna na tregonin si të jetonim sipas mënyrës së ungjillit.”

Në fillim të shkollës së mesme, Plaku Kristoferson zhvendoset bashkë me familjen në Somerset të Nju Xhersit, SHBA. Atje gjeti vende të reja, njerëz te rinj dhe mundësi të reja.

“Gëzoja miqësi dhe marrëdhënie me njerëz nga kudo dhe me të gjitha llojet e besimeve fetare”, thotë ai. “Ndërveprimet ishin shumë pozitive.”

Mbas shkollës së mesme Plaku Kristoferson ndoqi Universitetin “Brigam Jang” për një vit, para se të largohej për të shërbyer një mision kohëplotë në Argjentinë. Atje, thotë ai, mësoi nga “dy presidentë misionesh, njerëz të veçantë”, nga Presidenti Ronald V. Stoun, për muajt e parë të misionit të tij, dhe nga Presidenti Riçard G. Skot (tani Plaku Skot, bashkëanëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve), për pjesën tjetër.

Për Plakun Skot, Plaku Kristoferson kujton: “Mësuam të jemi kërkues nga vetvetja, ashtu siç ishte ai për veten e tij. Ai gjithnjë përqendrohej në mundësi më të mëdha për t’u zhvilluar më shumë, për të bërë më tepër dhe për të përmbushur më shumë. Për arsye të kësaj gjëje filluam të shohim një koncept më të lartë për veten, punën dhe atë që mund të përmbushnim.”

Kur u kthye nga Argjentina, Plaku Kristoferson u regjistrua përsëri në UBJ, ku studioi gjuhën anglisht dhe u përfshi në qeverinë studentore dhe sportet në mjedise të mbyllura. Gjithashtu takoi dhe u martua me bashkëshorten e tij, Ketrin (Keti) Telma Xhekob; ata u martuan në fund të vitit të tretë, më 28 maj 1968, në Tempullin e Solt Lejkut. Sot ata kanë pesë fëmijë dhe tetë nipër e mbesa.

Plaku Kristoferson u diplomua nga UBJ më 1969 dhe pastaj vazhdoi për diplomën në fushën juridike tek Universiteti i Dukës. Me t’u diplomuar më 1972, ai u punësua si nëpunës i ligjeve për gjykatësin Xhon J. Sírika, duke shërbyer gjatë procedurave mbi skandalin e Uotërgejtit.

“Kjo ishte një përvojë emocionuese si punë e parë drejtpërdrejt pas shkollës”, thotë Plaku Kristoferson. “Pashë disa prej më të mirëve e disa prej më të këqijve në profesionin juridik përzier të gjithë së bashku. Por ajo përvojë më tregoi mua se çfarë mund të bënte veprimtaria e mirë ligjore, dhe kjo më dha bindje dhe qëllime.

Plaku Kristoferson e shpenzoi karierën e tij ligjore duke punuar në fillim tek një firmë juridike dhe pastaj si avokat i brendshëm për banka dhe shoqëri aksionare, shumica në Shtetet e Bashkuara të Pjesës Lindore. Ajo që i solli gëzimin më të madh për ato vite, thotë Plaku Kristoferson, “ishte shoqërimi me njerëz të mirë nga grupe të ndryshme shoqërore dhe besimore. Mësova se mjaft njerëz duan vërtet t’i ndihmojnë të tjerët dhe janë të përkushtuar për realizimin e kësaj.

Më 1993 Plaku Kristoferson u thirr të shërbente si anëtar i Kuorumit të Parë të të Shtatëdhjetëve, periudhë që ai e përshkruan si “tepër formuese”. Detyrat që iu caktuan e dërguan për pak kohë në Jugperëndim të Amerikës Veriore dhe në Zonën e Meksikës Jugore.

Plaku Kristoferson kujton me dashuri zhvillimin e intervistave gjatë riorganizimit të një kunji të veçantë në Meksikë. “Një nga njerëzit që intervistuam ishte njeri shumë i përulur, shtatshkurtër. Patëm një intervistë të mirë dhe i dhashë atij një “abrazo” (përqafim). Pasi ky njeri doli, i tha presidentit të kunjit: ‘La autoridad me abrazó’ (‘Autoriteti më përqafoi’). E përsëriste këtë vazhdimisht. Ajo përvojë më mësoi të çmoja gjërat e vogla që bëjnë njerëzit. Gjithashtu më mësoi se ju përherë mund të bëni diçka për të ndihmuar të tjerët të ndihen të vlefshëm si bir ose bijë e Perëndisë.

“Ju vërtet mund të mësoni diçka të mirë nga personat në çdo takim dhe çdo shoqërim”, shton ai. “Me shpresë, ne po bëjmë po këtë gjë tek të tjerët.”

Më 1998 Plaku Kristoferson u thirr si anëtar i Presidencisë së të Shtatëdhjetëve, ku shërbeu deri në thirrjen e tij tek Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Ai thotë se së pari, kur mori thirrjen e tij të re nga Presidenti Tomas S. Monson, fillimisht “dukej e pamundur”.

“Përgjegjësia më dukej e papërballueshme kur e mendoja. Por kam pasur mësues të mrekullueshëm kur kam punuar në Kuorumin e të Shtatëdhjetëve dhe me anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve gjatë 15 viteve të fundit. Dhe kam sigurinë shtesë të dijes se Zoti më ka mbështetur përherë. Në çdo kohë kritike, gjatë çdo ndryshimi, në çdo nevojë që pata ndonjëherë, Ai ka qenë i gjindshëm nëpërmjet lutjes. I kam besuar Atij dhe nuk jam zhgënjyer. Me siguri premtimet e Tij janë ende në vendin e tyre. Unë e di se Ai do të më japë ndihmën që më nevojitet edhe këtu.”