2008
Plaku Geri E. Stivenson
Maj 2008


Plaku Geri E. Stivenson

Nga të Shtatëdhjetët

Pamja
Elder Gary E. Stevenson

Pas asaj që ai e quan një “përvojë tronditëse”, Plaku Geri Ivan Stivenson është mirënjohës për thirrjen për të shërbyer në Kuorumin e Parë të të Shtatëdhjetëve.

“Mendimet e mia fillestare, pas marrjes së kësaj thirrjeje, ishin ndjenja të thella të të qenit i papërshtatshëm, por në të njëjtën kohë unë u mbusha me një ndjenjë të detyrës”, thotë Plaku Stivenson. “Ne dëgjojmë kaq shpesh që Zoti do t’i kualifikojë ata që Ai i thërret; dhe Atij do t’i duhet ta bëjë këtë për mua.”

Plaku Stivenson lindi nga Ivan Stivenson dhe Xhin Stivenson më 6 gusht 1955, në Ogden të Jutas, SHBA. Ai ndoqi Universitetin Shtetëror të Jutës, ku u diplomua në administrim biznesi dhe gjithashtu takoi bashkëshorten e tij, Lesa Xhin Higli. Ata u martuan më 20 prill 1979, në Tempullin Ajdaho Folls, Ajdaho dhe janë prindër të katër djemve.

Së bashku, Plaku dhe Motra Stivenson kanë vendosur një model shërbimi në jetën e tyre dhe besojnë me vendosmëri që lumturia e vërtetë gjendet përmes shërbimit ndaj të tjerëve. “Kur ju i shërbeni të tjerëve, ju i shërbeni Zotit”, thotë Plaku Stivenson. “Ai rregull mbush jetën tonë dhe na lejon t’u sjellim gëzim të tjerëve dhe vetes sonë.”

Ata, këto kohët e fundit, shërbyen së bashku si mësues në Shkollën e së Dielës në degën e tyre në Providencë të Jutas, SHBA. Përveç shërbesës si një misionar i ri në Japoninë jugore, si peshkop dhe në një presidenci kunji; Plaku Stivenson shërbeu gjithashtu si president i Misionit të Japonisë, Nagoja.

Duke qenë se u rrit në një shtëpi të qendërzuar tek ungjilli, Plaku Stivenson i nderon prindërit e zellshëm që e mësuan atë që herët rreth punës së palodhur. Si president i një kompanie për pajisje sportive dhe shëndetësore, të cilën ai e ndihmoi të niste aktivitetin kur ishte një student i ri kolegji, Plaku Stivenson beson se puna e palodhur është një parim i nevojshëm në të gjitha aspektet e jetës.

“Puna e palodhur zbatohet në profesionet tona e thirrjet në Kishë dhe gjen zbatim të rëndësishëm në punën misionare”, thotë ai. “Ne mund të mos bekohemi me aftësi të jashtëzakonshme, por çdo njeri mund të punojë pa u lodhur për të përmbushur gjëra të mëdha.”