2008
Tradita të Drejta
Maj 2008


Tradita të Drejta

Traditat që po krijojmë në familjet tona, a do t’ua bëjnë më të lehtë fëmijëve tanë që të ndjekin profetët e gjallë?

Pamja
Cheryl C. Lant

Për sa kohë mund të kujtoj, babai im mbante një unazë të bukur me një rubin të kuq në dorën e majtë. Ajo i kaloi vëllait tim të vetëm. Mendoj se do të bëhet një traditë e familjes time – një trashëgimi që kalon nga brezi në brez. Do të jetë një traditë e mirë e me të do të lidhen kujtime të ëmbla.

Secili prej nesh ka tradita në familjen e vet. Disa prej tyre janë materiale. Disa kanë kuptim të thellë. Traditat më të rëndësishme lidhen me mënyrën si e jetojmë jetën dhe do të zgjasin edhe pas nesh, ndërsa ndikohet dhe formohet jeta e fëmijëve tanë. Në Librin e Mormonit ne lexojmë për lamanitët që u ndikuan thellë nga traditat e etërve të tyre. Mbreti Beniamin tha se ata ishin një popull që nuk dinin asgjë për parimet e ungjillit “ose madje nuk i besojnë ato kur u mësohen atyre, për shkak të traditave të etërve të tyre, të cilat nuk janë të sakta” (Mosia 1:5).

Çfarë lloj traditash kemi? Disa prej tyre mund të na kenë ardhur nga etërit tanë dhe tani ne po ua kalojmë fëmijëve tanë. A janë ato ajo që ne duam të jenë? A bazohen në veprime drejtësie dhe besimi? A janë ato të një natyre më tepër materiale, apo janë të përjetshme? A po krijojmë me ndërgjegje tradita të drejta, apo thjesht po e pranojmë jetën si na vjen? Traditat tona a po krijohen në përgjigje të zërave të lartë të botës, apo po ndikohen nga zëri i qetë e i ulët i Shpirtit? Traditat që po krijojmë në familjet tona, a do t’ua bëjnë më të lehtë fëmijëve tanë që të ndjekin profetët e gjallë, apo do t’ua vështirësojnë?

Si ta përcaktojmë se si duhet të jenë traditat tona? Shkrimet e shenjta na japin një model të shkëlqyer. Në Mosia 5:15 thuhet: “Prandaj unë do të doja që ju të jeni të qëndrueshëm dhe të palëvizur, gjithmonë plot me vepra të mira.”

Më pëlqen shumë kjo, sepse e dimë që traditat formohen në kohë ndërsa përsërisim pa pushim të njëjtat veprime. Kur jemi të qëndrueshëm e të pandryshuar duke bërë atë që është e mirë, traditat tona rrënjosen vendosmërisht në drejtësi. Por unë kam një pyetje. Si e përcaktojmë atë që është e mirë apo, edhe më e rëndësishme, që është e mirë mjaftueshëm? Një tjetër shkrim i shenjtë që na jep pak më shumë informacion, gjendet tek 3 Nefi 6:14. Ai flet për njerëz që “ishin kthyer në besimin e vërtetë; dhe ata nuk donin të ndaheshin prej saj, pasi ishin të vendosur dhe të paepur dhe të palëkundshëm, duke dashur me gjithë zell të zbatonin urdhërimet e Zotit”.

Ne mësojmë se kthimi ynë në “besimin e vërtetë” i paraprin aftësisë sonë për të qëndruar të vendosur, të paepur dhe të palëkundshëm në mbajtjen e urdhërimeve. Ky kthim është një besim i qëndrueshëm tek Jezu Krishti si Shëlbuesi ynë. Një dëshmi e kësaj gjendet në Librin e Mormonit, i cili është një tjetër dëshmi për Jezu Krishtin. Ai ecën krah për krah me Biblën në shpalljen e hyjnisë dhe misionit të Jezu Krishtit si dhe të realitetit të Atit të gjallë në Qiell. Secili profet i dokumentuar në këta libra të shenjtë jep dëshminë e tij personale për këto gjëra, si dhe mësime se si duhet të jetojmë në mënyrë që të marrim pjesë nga Shlyerja dhe të gjejmë paqe e lumturi vetjake.

Ka vetëm një mënyrë se si të kthehemi për vete në besim. Kjo është përmes dëshmisë së Shpirtit kur i studiojmë pikërisht këto shkrime të shenjta që dëshmojnë për Jezu Krishtin. Vjen kur lutemi dhe agjërojmë. Vjen vetëm kur kemi një dëshirë të thellë për të ditur të vërtetën. Arsyeja jonë duhet të jetë që të kërkojmë hapur të vërtetën në vend që të justifikojmë veprimet tona duke gjetur të meta tek shkrimet, mësimet e profetëve apo vetë Kisha. Përpjekja jonë duhet të jetë për të dëgjuar interpretimet e Shpirtit, në vend që t’ia vëmë veshin mënyrës si i kupton bota. Duhet të jemi të gatshëm të hapim zemrën dhe mendjen, të pranojmë mënyrën e Zotit dhe, nëse është e nevojshme, të ndryshojmë jetën. Kthimi ynë vetjak vjen kur fillojmë të jetojmë ashtu si dëshiron Zoti për ne – të paepur dhe të palëkundshëm në mbajtjen e të gjitha urdhërimeve, jo vetëm të atyre që janë të volitshme. Atëherë ky bëhet një proces përsosjeje kur përpiqemi ta bëjmë çdo ditë pak më të mirë nga e mëparshmja. Në këtë mënyrë traditat tona bëhen tradita drejtësie.

Do t’ju ftoja të gjithëve të shpenzojmë një çast për të menduar mbi traditat në jetën tonë dhe si mund të jenë ato duke ndikuar mbi familjet tona. Traditat tona të respektimit të ditës së Shabatit, lutjes familjare, studimit familjar të shkrimeve të shenjta, shërbimit dhe aktivitetit në Kishë si dhe modelet e respektit dhe besnikërisë në shtëpi, do të kenë ndikim të madh tek fëmijët tanë dhe në të ardhmen e tyre. Nëse aktiviteti ynë prindëror bazohet në mësimet e shkrimeve të shenjta dhe të profetëve të ditëve të mëvonshme, nuk mund të bëjmë gabim. Nëse kurdoherë që ka një sfidë zemra jonë kthehet për drejtim së pari dhe gjithmonë, tek Ati ynë në Qiell, do të jemi në vend të sigurtë. Nëse fëmijët tanë e dinë se ku qëndrojmë dhe se qëndrojmë gjithmonë në anën e Zotit, ne dimë se jemi atje ku duhet të jemi.

Tani, është e rëndësishme që të punojmë vazhdimisht për të bërë këto gjëra. Nuk do të jemi të përsosur në këtë gjë dhe familjet tona nuk do të përgjigjen gjithmonë pozitivisht, por do të krijonim një themel të fortë traditash të drejta ku mund të mbështeten fëmijët tanë. Ata mund të kapen tek ai themel kur gjërat të vështirësohen dhe mund të kthehen tek ai themel nëse shkojnë në udhë të gabuar për një farë kohe.

Në përfundim të jetës së tij ati ynë na dha ne, fëmijëve të tij, shumë më tepër se një unazë me rubin të kuq. Trupi i tij u shua, por në të vërtetë, ai qëndroi si një shtyllë force, një shembull drejtësie dhe të vërtete. Vetë jeta e tij mbante traditat që na forcojnë sot, edhe pse ai nuk është më me ne. Ai ishte “[i] vendosur dhe [i] paepur dhe [i] palëkundshëm, duke dashur me gjithë zell të [zbatonte] urdhërimet e Zotit”.

A mund ta bëjmë këtë për fëmijët tanë? Cila është trashëgimia që po u japim sot? Cila do të jetë nesër? Ajo mund të fillojë me ne. A do të jetë zemra dhe jeta e tyre plot me tradita që do t’ua lehtësojnë pranimin dhe ndjekjen e Zotit e të profetëve të ditëve të mëvonshme? Po ne si familje, a do të jemi në gjendje të pretendojmë bekimet e premtuara, “që Krishti, Zoti Perëndi i Plotfuqishëm, të mund t’ju vulosë të tijët, që ju të mund të çoheni në qiell, që ju të mund të keni shpëtim të përjetshëm dhe jetë të përjetshme” (Mosia 5:15)?

Vëllezër e motra, unë e di se ne mundemi! Unë e di se Perëndia na do dhe po pret të na ndihmojë të shkojmë tek Ai. Secili prej nesh mund ta dijë se këto gjëra janë të vërteta. E di se janë të vërteta! E di se Perëndia jeton; Jezu Krishti është Biri i Tij dhe Shëlbuesi ynë. Ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë; shkrimet e shenjta e përmbajnë dhe dëshmojnë për këtë. Dhe ne kemi një Profet të vërtetë e të gjallë sot – Presidentin Tomas S. Monson. Ai është përgatitur dhe ka ardhur në këtë kohë për të udhëhequr Kishën e Zotit.

Kur bëhemi “të paepur dhe të palëkundshëm” në mbajtjen e urdhërimeve të Zotit, do të sigurojmë bekimet e qiellit për vete dhe familjet tona.

Unë lutem që ta ndiejmë këtë thellë në zemrën dhe jetën tonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.