2008
Shërbimi, një Cilësi Hyjnore
Maj 2008


Shërbimi, një Cilësi Hyjnore

Ata që shërbejnë do të përpiqen fort të fisnikërojnë, frymëzojnë dhe të ngrenë bashkëqeniet e tyre.

Pamja
Elder Carlos H. Amado

Të gjitha gjërat që bëri për ne Krishti, janë gjëra të veçanta. Ai qe në gjendje ta realizonte veprën e Tij shëlbuese në afërsisht tre vjet shërbesë. Sot dëshiroj të evidentoj tre qëllime për jetën e Shpëtimtarit mbi tokë.

1. Sakrifica e Tij Shlyese

Qëllimi i parë dhe më kryesori ishte detyra e pashoqe dhe e mahnitshme që mori nga Ati i Tij: të realizonte një flijim të pafundmë dhe të përjetshëm për të gjithë njerëzimin.

Duke qenë Biri i Vetëmlindur në mish i Atit Qiellor, trashëgoi të gjitha cilësitë hyjnore të Atit të Tij dhe nga nëna e Tij tokësore, Maria, trashëgoi veçoritë e jetës së vdekshme.

Vetëm sakrifica e Tij mund të na shpëtonte nga gjendja jonë mortore dhe e rënë (shih Alma 34:8–14). Ai erdhi në botë me qëllimin e veçantë të jepte jetën e Tij, meqë vetëm jeta e Tij mund të na jepte neve jetë të përjetshme.

Asnjë qenie tjetër e vdekshme, në të kaluarën, të tashmen apo të ardhmen e ekzistencës së tokës, nuk ka jetuar apo do të jetojë për të realizuar Shlyerjen për mëkatet tona. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë (shih Gjoni 3:16).

Ai do të kthehet përsëri për të qeverisur e sunduar mes nesh me fuqi e lavdi të madhe.

2. Doktrina e Tij

Qëllimi i dytë për të cilin Ai banoi mes nesh, ishte që të na mësonte doktrinën që Ai e mësoi nga Ati i Tij, e cila përmban ordinancat dhe besëlidhjet për shpëtim dhe ekzaltim (shih Marku 1:27; Gjoni 7:16).

Doktrina e Tij është doktrinë e dashurisë, faljes dhe mëshirës. Ajo është mënyra për të jetuar në paqe dhe harmoni mes njerëzve dhe rruga për t’u rikthyer për të jetuar me Perëndinë.

3. Shërbimi i Tij ndaj Fëmijëve të Perëndisë

Qëllimi i Tij i tretë ishte të ndërtonte mbretërinë duke u shërbyer të tjerëve. Ky ishte një lloj i ndryshëm udhëheqjeje. Shërbimi është një veçori e pasuesve të Tij – një cilësi hyjnore.

“Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam.

Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.

Unë, në fakt, ju kam dhënë shembullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju” (Gjoni 13:13–15).

Ai jetoi për të predikuar ungjillin e mbretërisë dhe për të shëruar çdo lloj sëmundjeje (shih Mateu 4:23–24). T’u mësosh doktrinën e Tij dhe t’u shërbesh bashkëqenieve tona, janë përgjegjësi që i pranuam kur u pagëzuam. Kjo na shndërron në shërbyes të vërtetë të Krishtit.

Në një rast pasi u mësoi doktrinën e Tij, Ai ndjeu dhembshuri për njerëzit dhe kreu mrekullinë e shumimit të bukëve e të peshqve dhe ushqimit të turmës, duke na zbuluar tiparin e Tij të dhembshurisë e të shërbimit. Ditën tjetër turma ishte edhe më e madhe, për arsye të ushqimit që patën ngrënë. Ai u mësoi me vendosmëri dhe me largpamësi:

“Ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur.

Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’jua japë Biri i njeriut” (Gjoni 6:26–27).

Si Kishë ne duhet të ushqejmë të varfrit, të lehtësojmë të sëmurin, të veshim të zhveshurin dhe të strehojmë nevojtarin. Me ofertat e agjërimit lehtësojmë nevojat bazë e të menjëhershme të anëtarëve dhe me planin e mirëqenies ndihmojmë për plotësimin e nevojave të tyre të zgjatura. Kur ka fatkeqësi natyrore, përmes shërbimeve humanitare ne japim ndihmë për vëllezër e motra që nuk janë të besimit tonë fetar.

Pa shpërfillur këto nevoja jetësore, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, me urdhërim nga Zoti, zhvillon punën më madhështore e më fisnike të shërbesës, që është bekimi i të gjithë njerëzve duke u mësuar doktrinën e Krishtit dhe duke i ftuar të marrin ordinancat shpëtuese në mënyrë që ata të arrijnë të fitojnë “[pavdekësi dhe jetë të] përjetshme” (Moisiu 1:39).

Ndryshim i Mendimeve dhe i Qëndrimeve

Unë e di se Perëndia na do. Ai na lejon të ushtrojmë lirinë morale të zgjedhjes madje edhe kur ne atë e keqpërdorim. Ai na lejon të marrim vendimet tona.

Krishti nuk mund të na ndihmojë, nëse nuk i besojmë; nuk mund të na mësojë, nëse nuk i shërbejmë. Nuk do të na detyrojë të bëjmë ç’është e drejtë, por do të na tregojë mënyrën vetëm atëherë kur vendosim t’i shërbejmë Atij. Sigurisht, që ne të shërbejmë në mbretërinë e Tij, Krishti kërkon që të përjetojmë një ndryshim të mendimeve dhe të qëndrimeve.

“Pasi, si do ta njohi një njeri zotëruesin, të cilit nuk i ka shërbyer dhe që është i huaj për të, dhe është larg nga mendimet dhe qëllimet e zemrës së tij?” (Mosia 5:13).

Bekimet e Shërbimit

Unë dëshmoj se nëpërmjet shërbimit ndaj bashkëqenieve tona ne vijmë në njohjen e Zotit.

Shërbimi na bën të fortë në besimin tonë dhe të dobishëm në mbretërinë e Tij. Shërbimi na jep qëllim dhe kurajë në jetë. Ai na sjell më pranë Perëndisë dhe na ndihmon të përmirësojmë natyrën tonë hyjnore. Na mëson të duam e të kuptojmë bashkëqeniet tona dhe na ndihmon të harrojmë dëshirat tona vetjake, duke larguar egoizmin, krenarinë dhe mosmirënjohjen. Na mëson të mendojmë për nevojat e të tjerëve, gjë që na lejon të zhvillojmë virtytet që zotëronte Shpëtimtari.

Dashamirësia, dashuria, durimi, mirëkuptimi dhe uniteti do të rriten kur ne shërbejmë, ndërsa in-toleranca, xhelozia, zilia, lakmia dhe egoizmi pakësohen ose zhduken. Sa më shumë të japim nga vetja, aq më shumë do të rritet aftësia për të shërbyer, kuptuar dhe dashur.

Ata të cilët shërbejnë do të kërkojnë përherë t’i pëlqejnë Perëndisë e të jetojnë në harmoni me Të. Ata do të kenë plot paqe; do të kenë një shprehi të gëzueshme në fytyrë dhe një shpirt dashamirësie.

Ata që shërbejnë, do të përpiqen të fisnikërojnë, të frymëzojnë dhe të ngrenë njerëzit; prandaj, do të gjejnë të mirën tek të tjerët dhe nuk do të gjejnë arsye ose kohë të fyen. Ata zhvillojnë virtytin e lutjes për ata që janë kritikues. Ata nuk presin vlerësim apo shpërblim. Ata zotërojnë dashurinë e Krishtit.

Ata të cilët shërbejnë, do të jenë gjithnjë të gatshëm të ndajnë atë që kanë dhe atë që dinë, në të gjitha kohët, në të gjitha vendet dhe me të gjithë njerëzit.

Ata që shërbejnë edhe në vështirësi, do të ruajnë një shpresë të gjallë për një të ardhme më të mirë. Do të vazhdojnë të jenë të paepur në mes të krizës, sepse shpresa e tyre është te Krishti.

Ata që shërbejnë do t’i pranojnë detyrat e tyre me përulësi, duke njohur kufizimet vetjake, por të bindur se dy vetë mund të bëjnë gjithçka që vënë si qëllim, sa kohë që njëri nga të dy është Perëndia.

Me frymëzim hyjnor Mbreti Beniamin shpalli: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17). Ata që shërbejnë do të kenë kuptim më të madh për personalitetin dhe tiparet e Perëndisë.

Ata që shërbejnë me përkushtim, madje edhe kur gjërat nuk rezultojnë në mënyrën që ata do të dëshironin, nuk shkurajohen, nuk lodhen apo pengohen lehtë sepse premtimi për paqe të mendjes dhe shoqëria e Shpirtit të Shenjtë nuk do t’i braktisin kurrë.

Shërbimi Mbarë-botëror dhe Lokal

Në Kishë ka dhjetëra mijë anëtarë të cilët me vetëmohim shërbejnë në më shumë se 170 kombe me larmi të madhe të folurash dhe gjuhësh. Ata japin shërbim bujar nëpërmjet udhëheqjes, mësimdhënies dhe kujdesit për të tjerët, pa pagesë ose shpërblim material, pa brohoritjen apo vlerësimin e botës. Japin nga koha e tyre, nga dhuntitë e tyre dhe rezervat e tyre; sakrifikojnë gjithçka që kanë dhe shërbejnë me frytshmëri dhe mrekullisht mirë. Mbas njëfarë kohe ata lirohen për t’u dhënë mundësi shërbimi të tjerëve.

Për shkak të doktrinës së Tij dhe shërbimit të Tij, Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit vazhdimisht po bekon jetën e anëtarëve të saj. Falënderojmë Perëndinë për të gjithë ju shenjtorë besnikë të cilët keni ndier gëzimin e shërbimit, që e ndieni tani dhe që do ta ndieni këtë gëzim kur u shërbeni të tjerëve. Ne lutemi që Perëndia përherë t’ju bekojë për këtë. Në emër të Jezu Krishtit, amen.