2008
Qëndroni si Dëshmitare
Maj 2008


Qëndroni si Dëshmitare

Ju … mund të qëndroni si dëshmitare e Perëndisë duke ushqyer një shpirt besimi, dashurie, paqeje dhe dëshmie në shtëpitë tuaja tani.

Pamja
Susan W. Tanner

Ndërsa qëndroj në këtë podium, imagjinoj fytyrat e të rejave në mbarë botën. Sa shumë ju dua! Më pëlqen shumë të premtoj së bashku me ju se ne do të “[qëndrojmë] si dëshmitar[e] të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”1. Si mundet ta bëjmë këtë? Ndërsa flas, unë lutem që Shpirti të na udhëheqë dhe t’i dëshmojë secilës prej nesh sesi ne mund të qëndrojmë si dëshmitare për Perëndinë.

Kur fëmijët tanë qenë misionarë, ata mësuan se kur ne qëndrojmë si dëshmitarë të Jezu Krishtit, Fryma e Shenjtë do ta konfirmojë atë dëshmi. Një nga bijat tona pati një kërkuese të shkëlqyer të quajtur XhiLei. Kjo e re në moshë madhore iu bind çdo urdhërimi të ri që i mësuan, pavarësisht sa i vështirë të ishte. Ajo ishte studente me të ardhura të kufizuara financiare, por filloi të paguante të dhjetën e saj kur mësoi për atë ligj. Puna e saj me orar të pjesshëm i kërkonte të punonte të dielave, por ajo pati kurajën t’i kërkonte punëdhënësit që t’i ndryshonte orët e punës në një ditë tjetër, që ajo të mund të merrte pjesë në mbledhjen e sakramentit.

Me gjithë zellin e saj, XhiLei ende nuk kishte një dëshmi të fortë për Librin e Mormonit. Bija jonë dhe shoqja e saj e dinin se asaj i duhej një dëshmi prej Shpirtit që t’i konfirmonte të vërtetën e tij, prandaj përgatitën një mësim për të rreth Frymës së Shenjtë. Ndërsa punonin për këtë, diçka nuk ndihej tamam siç duhej. Kur u lutën për këtë, ato patën përshtypjen të shkonin në një drejtim tjetër, në vend të tij të jepnin një mësim për Jezu Krishtin.

Kur erdhi takimi i caktuar, këto misionare filluan t’i mësojnë XhiLeit për Jezu Krishtin. Asaj filluan t’i rridhnin lotë në faqe. Vazhdonte të pyeste: “Ç’është kjo që po ndiej?” Atëherë ato i dhanë dëshmi se ishte Shpirti. Pikërisht ajo që ato donin të ndodhte, ndodhi. Në atë kohë bija jonë kujtoi se një nga rolet e mëdha të Frymës së Shenjtë është si dëshmitar i Krishtit. Vetë Jezusi tha: “Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, … do të dëshmojë për mua“.2 Bija jonë e kuptoi se kur ajo qëndroi si dëshmitare e Jezu Krishtit, Fryma e Shenjtë e konfirmoi atë. Edhe ne mund të qëndrojmë si dëshmitare kur “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin” dhe e vështrojmë Atë si burimin për “heqjen e mëkateve [tona]”3.

Mbreti i drejtë Beniamin në Librin e Mormonit e mblodhi popullin e tij të vinte në tempull, që ai të mund t’u fliste për Krishtin dhe t’u predikonte për Krishtin. Ai e mësoi popullin e tij për mirësinë, fuqinë, urtësinë, durimin dhe, mbi të gjitha, për Shlyerjen e Zotit. Kur ai qëndroi si dëshmitar, Shpirti u dha dëshmi atyre se Jezu Krishti është Shpëtimtari, ashtu si i dha XhiLeit. Më pas Mbreti Beniamin e paralajmëroi popullin e tij të qëndronin të palëkundur në besimin e tyre tek Krishti. Të gjithë njerëzit thirrën:

“Po, ne i besojmë të gjitha fjalët që ti na ke folur; … për shkak të Shpirtit të Zotit … , i cili ka bërë një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona, që nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht… .

Dhe ne jemi të gatshëm të hyjmë në një besëlidhje me Perëndinë tonë, që të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të tij, në të gjitha gjërat.”4

Populli i mbretit Beniamin bëri një besëlidhje t’i bindej urdhërimeve të Perëndisë, siç ka bërë secila prej nesh.

Kur e mbani atë besëlidhje, ju do të qëndroni si një dëshmitare midis shoqeve tuaja. Kohët e fundit, vetë fëmijët e mij dhe bashkëshortet e tyre po kujtonin kohët nëpër vite kur ata kishin qëndruar për vlerat e sakta përballë shtytjes së shokëve. Njëri nuk do të merrte pjesë në një konkurim për udhëheqësit e sportdashësve një të dielë; një tjetër i tha punëdhënësit të vet se ai nuk mundte të punonte ditën e Shabatit. Njëri kundërshtoi të shihte një film pornografik në shtëpinë e një shoku kur ishte vetëm 11 vjeç; një tjetër nuk pranoi të shihte revista pornografike bashkë me shokët e klasës. Të dy u izoluan shoqërisht për disa kohë më pas kësaj. Një tjetër fëmijë kundërshtoi t’i jepej fjalorit të keq, të pagdhendur, të ulët në mjedisin e saj të punës. Njëri kundërshtoi pijen alkoolike që shoku i tij e kishte marrë fshehtas nga bufeja e kyçur e prindërve të tij. Një tjetër, që ishte e vetmja anëtare shenjtore e ditëve të mëvonshme në klasën e saj, u ngrit të bënte një paraqitje të mësimit të anglishtes dhe e përfundoi duke iu përgjigjur pyetjeve mbi Librin e Mormonit. Fëmijët tanë të martuar kanë vazhduar të rritin fëmijë përballë kritikave të botës.

Në ato çaste ata do të mund të ishin ndier të vetëm; por kur qëndruan si dëshmitarë, ata ndienë shoqërimin dhe praninë mbështetëse të Frymës së Shenjtë. Ata ishin të armatosur edhe me bekimet që vijnë nga bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Ai na ka premtuar: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.”5

Fëmijët e mij vërtet u mbështetën nga dora e Tij kur dëshmuan për Perëndinë duke qëndruar të patundur për mbajtjen e urdhërimeve të Tij. Unë jam bekuar dhe forcuar nga shembujt e tyre.

Kur ju qëndroni si dëshmitare në shtëpinë tuaj, ju do të forconi familjen tuaj. Shpesh ne mendojmë për frazën e temës së Të Rejave, “të forcojmë shtëpinë dhe familjen”6 se zbatohet vetëm për përgjegjësitë e ardhshme të të rejave si bashkëshorte dhe nëna, por ajo zbatohet edhe për përgjegjësitë e tyre si bija dhe motra në shtëpitë e tyre, këtu dhe tani.

Vetë nëna ime ndihmoi të forconte shtëpinë dhe familjen e saj kur qe e re. Fëmija më e madhe në një familje pak aktive, ajo u lind me dhuratën e besimit. Ajo shkonte vetëm në Fillore dhe në Aktivitetet e Përbashkëta. Ajo u kualifikua për martesë në tempull madje më parë se prindërit e saj të ishin në gjendje të shkonin. Ajo u bë një shembull drejtësie, një dëshmitare e patundur, shembulli i së cilës ndihmoi të forconte prindërit dhe motrat e vëllezërit e saj. Edhe ju të reja mund të qëndroni si dëshmitare të Perëndisë duke ushqyer një shpirt besimi, dashurie, paqeje dhe dëshmie në shtëpitë tuaja tani, që ju përgatit të bëni të njëjtën gjë kur të krijoni shtëpitë tuaja të ardhshme. Unë jam rezultati i një të reje të drejtë që qëndroi “[e qëndrueshme] dhe [e] palëvizur, gjithmonë plot me vepra të mira”.7

Ne gjithashtu dëshmojmë për Jezu Krishtin kur gëzohemi në Të. Kur populli i mbretit Beniamin mësoi më shumë për Jezusin, ata thanë: “Gjërat që mbreti ynë na ka folur, … na [kanë] sjellë ne në këtë njohuri të madhe; prandaj ne gëzohemi me një gëzim të tillë jashtëzakonisht të madh.”8 Kur gëzohemi tek Shpëtimtari ynë, ne e kujtojmë Atë dhe bekimet e Tija të mëdha për ne. Ne qëndrojmë si dëshmitare kur shprehim mirënjohje dhe rrezatojmë gëzim. Ashtu si kënduan të rejat në hapjen e kësaj mbledhjeje: “A nuk e keni parë sesi gjithë nevojat tuaja u plotësuan në atë që ai shuguroi?”9

Kohët e fundit mësova për dy të reja trime të cilat, kur jetuan urdhërimet dhe rrezatuan gëzimin e ungjillit, qëndruan si dëshmitare të Perëndisë. Ky është rrëfimi siç e tregoi një misionare më e vjetër në QTM.

Ajo tha se vite më parë ishte në shtëpi një ditë duke hekurosur, duke parë një telenovelë dhe duke pirë cigare, kur dikush trokiti në portë. Kur e hapi, atje qëndronin dy burra me këmisha të bardha dhe kollare dhe një prej tyre u paraqit si peshkopi i saj. Ai tha se kur po lutej, ishte ndierë i frymëzuar t’i kërkonte asaj t’u jepte mësim Të Rejave. Ajo i tha se ishte pagëzuar kur kishte qenë 10 vjeç, por nuk kishte qenë asnjëherë aktive. Duket se ai nuk u pengua kur i tregoi asaj manualin dhe i shpjegoi se ku takoheshin mbrëmjen e të mërkurës. Pastaj ajo tha prerazi: “Nuk mund t’u jap mësim 16 vjeçareve, nuk jam aktive dhe përveç kësaj, unë pi duhan.” Atëherë ai tha: “Nuk do të jesh më jo aktive dhe ke kohë deri të mërkurën për ta lënë duhanin.” Pastaj u largua.

Ajo tha: “Më kujtohet që thirra me inat, por pastaj nuk mund t’i bëja ballë shtysës për të lexuar manualin. Në fakt isha kaq kureshtare, sa e lexova nga fillimi në fund dhe pastaj mësova përmendësh çdo fjalë të atij mësimi.

Deri të mërkurën ende nuk doja të shkoja, por e gjeta veten duke shkuar me makinë në kishë, e frikësuar për vdekje. Asnjëherë më parë nuk isha frikësuar nga ndonjë gjë. Isha rritur në një lagje të varfër, kisha qenë vetë e ndaluar një herë nga policia dhe kisha shpëtuar babanë nga qelia e të dehurve. Dhe befas ja ku isha tek Aktiviteti i Përbashkët duke u paraqitur si këshilltarja e re e Dafinave. Qëndrova para dy vajzave të Dafinave dhe e thashë mësimin fjalë për fjalë, madje dhe pjesët ku thuhej: ‘Tani pyeti ato.’ … U largova menjëherë pas mësimit dhe qava gjithë rrugës deri në shtëpi.

Pak ditë më vonë, përsëri trokitën dhe mendova: ‘Mirë. Është peshkopi që ka ardhur të marrë manualin e tij.’ Hapa derën dhe atje po qëndronin ato dy vajza të dashura të Dafinave, njëra me lule, tjetra me biskota në dorë. Ato më ftuan të shkoja me to në kishë të dielën, gjë që e bëra. Më pëlqenin ato vajza. Ato filluan të më mësojnë për Kishën, lagjen, mësimin. Ato më mësuan si të qep, të lexoj shkrimet e shenjta dhe të buzëqesh.

Së bashku, filluam të mësojmë vajzat e tjera të klasës që nuk vinin. I mësonim kudo që mund t’i gjenim – në makina, pista boulingu dhe në oborre. Brenda gjashtë muajsh filluan të vinin 14 prej tyre dhe brenda vitit që të 16 vajzat e listës ishin aktive. Ne qeshëm e qamë së bashku. Ne mësuam të lutemi, të studiojmë ungjillin dhe t’u shërbejmë të tjerëve.”10

Këto dy të reja trime qëndruan si dëshmitare për të vërtetën e drejtësinë, për mirësinë dhe gëzimin e ungjillit.

Kur u thirra të bëhesha presidente e përgjithshme e Të Rejave, mora një bekim në veçimin tim, se besimi tek Jezu Krishti do të forcohej nëpërmjet shërbimit tim. U rrethova nga gra trime: këshilltaret e mija dhe bordi, presidenci të tjera të shoqatave të ndihmës dhe paraardhëset e mija fisnike – ish presidentet e përgjithshme të Të Rejave. Ato kanë qëndruar si dëshmitare të Jezu Krishtit me anë të jetës së tyre shembullore dhe shërbimit vetëmohues.

E forcuar nga këto gra, anëtarët e familjes sime dhe gra e udhëheqëse të qëndrueshme e të patundura në të gjithë botën, unë ndjehem e: “rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh”. Kjo më ka ndihmuar “të [rend] me durim në udhën që është përpara [meje], duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit”11.

Premtimi i besimit të shtuar tek Jezu Krishti në bekimin e veçimit tim është plotësuar kur unë kam patur mundësinë të qëndroj si dëshmitare për Të çdo ditë dhe kudo. Unë kam folur për Të, kam predikuar për Të dhe kam gëzuar tek Ai. Kur e kam ndier se fjalët e mija nuk mjaftonin, ato janë konfirmuar nga Shpirti i Tij. Kur jam ndier e frikësuar apo e papërshtatshme, jam forcuar e mbështetur nga dora e Tij e plotfuqishme. E di se Ai do të bekojë secilën prej nesh kur qëndrojmë si dëshmitare. Ai “kurrë, jo kurrë, jo kurrë [s’do të na lëshojë]”12 ne. Shkofshim përpara me besim të patundur tek Krishti duke qëndruar si dëshmitare të Tij “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet,” kjo është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mosia 18:9.

  2. Gjoni 14:26; 15:26.

  3. 2 Nefi 25:26.

  4. Mosia 5:2, 5.

  5. Isaia 41:10.

  6. “Young Women Theme,” Young Women Personal Progress (booklet, 2001), 5.

  7. Mosia 5:15.

  8. Mosia 5:4.

  9. “Praise to the Lord, the Almighty,” Hymns, no. 72.

  10. Për një tjetër rrëfim të kësaj përvoje shih: Joan Atkinson, “Not Me – I Smoke and Drink,” Tambuli, shkurt 1989, f. 19–20.

  11. Hebrenjve 12:1–2.

  12. “Sa i Fortë Një Themel”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 6.