2008
Investimi më i Mirë
Maj 2008


Investimi më i Mirë

Nëse ju gjithmonë paguani një të dhjetë të ndershme, Zoti do t’ju bekojë. Do të jetë investimi më i mirë që do të bëni ndonjëherë.

Pamja
Elder Sheldon F. Child

Kur unë isha djalë i vogël, një nga fqinjët tanë kishte një tufë me lopë që jepnin qumësht. Një nga lopët e tij ngordhi duke lënë një viç të porsalindur të cilin ai ma dha mua. Unë u kujdesa për viçin, e ushqeva dhe e rrita atë. Dita kur babai im e çoi atë te vatha me bagëti për ta shitur, ishte një ditë me emocione të përziera për mua. Unë u rrita i dhënë pas viçit tim dhe ende isha duke pritur për të marrë shpërblimin e punës sime. Kërkesa ime e vetme ishte se paratë që unë do të merrja nga shitja e viçit të ishin në monedha argjendi. Unë kujtoj Babain që u kthye në shtëpi atë natë dhe lëshoi 20 monedha argjendi në duart e mia. Paraja ishte vështirë të sigurohej dhe unë mendova se kisha të gjitha paratë e botës. Unë numëroja, admiroja dhe pastroja me kujdes çdo monedhë. Kur e diela erdhi, unë me ngurrim vendosa dy nga monedhat e shndritshme në xhep për të paguar të dhjetën time. Sado e vështirë që qe dhënia e monedhave të mia, të çmuara e të argjendta peshkopit, unë ende kujtoj tani sa mirë u ndieva që iu binda Zotit.

Rrugës në kthim nga kisha për në shtëpi, nëna ime më tregoi sa krenare ndihej për mua. Pastaj ajo tha: “Gjyshi yt gjithmonë na thoshte ne fëmijëve se, nëse do të paguanim me besim një të dhjetë të ndershme, Zoti do të na bekonte dhe ky do të ishte investimi më i mirë që ne do të mund të bënim ndonjëherë.”

Gjyshi im kuptonte se “ka një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cilin të gjitha bekimet bazohen – dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai zbatohet”1. E dhjeta është një urdhërim nga Perëndia dhe, kur ne i bindemi ligjit të Tij, Ai është i angazhuar të na bekojë ne. Edhe pse një djalë shtatëvjeçar, ajo ishte diçka që unë mundesha ta kuptoja. Presidenti Tomas S. Monson, në fjalën rreth ligjeve të Perëndisë, shpalli: “Thyejini ato dhe ne vuajmë pasoja të përhershme. Bindjuni atyre dhe ne fitojmë gëzim të amshuar.”2

Ju do të kujtoni se kur Izraeli u qortua për vjedhjen ndaj Perëndisë, populli pyeti: “Çfarë të kemi vjedhur?” Përgjigjja erdhi: “Të dhjetën dhe ofertat.” Dhe më pas izraelitëve iu premtua se nëse ata do t’i bindeshin ligjit të Tij të së dhjetës, ata do të kishin të drejtë të merrnin bekimet e Tij. Zoti tha: “‘Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit … dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë’, thotë Zoti i ushtrive, ‘në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.’”3

Zoti i kërkoi Izraelit ta provojë Atë, ta testojë Atë, të ketë besim në Të, kështu që Ai do të mund të mbante premtimin e Tij për ata. I njëjti urdhërim dhe i njëjti premtim janë në zbatim sot. Kur ne mbajmë ligjin e të dhjetës, premtimi i Zotit është i sigurt: bekimet do të vijnë te ne, materialë dhe shpirtërorë së bashku, sipas urtësisë dhe kohës së Zotit.

Gruaja ime Xhoan dhe unë, kemi patur privilegjin të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës midis njerëzve të mrekullueshëm të cilët mbështeteshin çdo ditë tek Zoti për nevojat e tyre më të nevojshme materiale. Ata të cilët paguajnë të dhjetën pa menduar për atë që do të marrin, dëshmojnë se pragjet e qiellit janë hapur për ta. Më kujtohet një atë me besim në Filipine, që tregonte për pagesën e të dhjetës së tij të vogël te peshkopi një të dielë dhe pastaj t’i drejtonte fëmijët e tij nga kisha në shtëpi, duke e ditur mjaft mirë se nuk kishte ushqim për ta. Ndërsa ishin duke ecur, një frut shumë i madh i një peme të bukës ra nga pema, drejt para tyre. Ai menjëherë pa lart dhe falenderoi Perëndinë që hapi pragjet e qiellit dhe i dërgoi atij frutin për të ushqyer fëmijët e tij.

Ne jetojmë në kohë me sfida ekonomike. Megjithatë, nëse shohim prapa në vitet e kaluara, ne gjejmë se ka qenë, dhe do të vazhdojë të jetë, koha e begatisë relative dhe koha e paqëndrueshmërisë financiare. Por pavarësisht nga rrethanat në të cilat ne e gjejmë veten, nëse në fillim paguajmë detyrimin tonë ndaj Zotit dhe pastaj përdorim urtësinë dhe gjykimin e mirë, Zoti do të na ndihmojë të menaxhojmë burimet që Ai na ka dhënë.

Presidenti Hiber J. Grant u shpreh: “Unë dëshiroj t’ju them, nëse ju do të jeni të ndershëm me Zotin, duke paguar të dhjetën dhe duke mbajtur urdhërimet e Tij, Ai jo vetëm do t’ju bekojë me dritën dhe frymëzimin e Shpirtit të Tij të Shenjtë, por ju do të bekoheni në dollarë dhe centë; ju do të keni mundësi të paguani borxhet tuaja dhe Zoti do të japë pa kursim bekime materiale mbi ju me bollëk.”4

Në 1936, në kulmin e Depresionit të Madh në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur njerëzit mezi siguronin jetesën, Plaku Xhon A. Uitso i nxiti shenjtorët të paguanin të dhjetat e tyre në mënyrë që të merrnin bekime shpirtërore. Ai tha: “Bindja ndaj ligjit të të dhjetave … sjell gëzim të thellë, të brendshëm, … i cili nuk mund të fitohet në ndonjë mënyrë tjetër… . Parimet e vërtetësisë bëhen më të qarta… . Lutja bëhet më e lehtë… . Ndjesia shpirtërore bëhet më e mprehtë [dhe] … njeriu bëhet më shumë si Ati i Tij në Qiell.”5

Një nënë nga Afrika Perëndimore ndau dëshminë e saj mbi të dhjetën. Ajo ishte shitëse në pazar. Çdo ditë ajo kthehej në shtëpi, ndante të dhjetën dhe e vendoste atë në një vend të veçantë. Pastaj të dielën ajo do ta çonte me besim atë tek peshkopi. Ajo na tregoi se si biznesi i saj ishte rritur dhe si familja e saj ishte bekuar me shëndet, forcë dhe ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë. Pastaj me lotë në sy ajo tha: “Por bekimi më i madh është se fëmijët e mi e duan Zotin dhe ne jemi përgjithmonë një familje.”

Kjo nënë e përulur kuptonte se një nga bekimet më të mëdha e të qenit një pagues i të dhjetës së plotë është privilegji i hyrjes në shtëpinë e Zotit dhe pjesëmarrja në ordinancat e shenjta që mundësojnë familjen të jetë së bashku përgjithmonë.

Nëse ne paguajmë me besim të dhjetën, Zoti me të vërtetë do të hapë pragjet e qiellit dhe do të derdhë mbi ne bekime që nuk do të ketë vend të mjaftueshëm ku t’i shtijmë. Unë dua që secili nga ju të dijë dhe veçanërisht fëmijët dhe nipërit e mi, që unë e di, ashtu si e dinte gjyshi im, që nëse ju gjithmonë paguani të dhjetën e ndershme, Zoti do t’ju bekojë ju. Ky do të jetë investimi më i mirë që ju do të bëni ndonjëherë. Për këtë unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. DeB 130:20.

  2. Pathways to Perfection: Discourses of Thomas S. Monson, (1973), faqe 126.

  3. Malakia 3:8, 10.

  4. Në Conference Report, prill 1898, f. 16.

  5. “Tithing Testimonies of Our Leaders,” Deseret News, 16 maj 1936, Church Section, f. 5.