2008
Ungjilli i Jezu Krishtit
Maj 2008


Ungjilli i Jezu Krishtit

Ungjilli na mëson gjithçka duhet të dimë që të kthehemi e të jetojmë me Atin tonë në Qiell.

Pamja
Elder L. Tom Perry

Apostulli Pal ka deklaruar me guxim: “Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). I njëjti guxim deklarohet nga misionarët tanë me kohë të plotë, kur shërbejnë në shumë vende të botës.

Në thelb, ungjilli i Jezu Krishtit është një recetë me pesë përbërës për jetën e përjetshme. Së pari, le të mendojmë se çfarë mund të bëhemi nëse e zbatojmë këtë recetë dhe pastaj të mendojmë për secilin nga përbërësit.

Çfarë dimë për jetën e përjetshme? Mësojmë nga Moisiu 1:39 se vepra dhe lavdia e Zotit është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme njeriut. Kjo na mëson se pavdekësia dhe jeta e përjetshme janë të ndara dhe të dallueshme. Dhurata e jetës së përjetshme, që premtohet vetëm kur plotësohen disa kushte, është shumë më e madhe se dhurata e pavdekësisë. Sipas Plakut Brus R. MekKonki: “Jeta e përjetshme nuk është një emër që i referohet vetëm kohëzgjatjes së pafundme të një jete të ardhshme; pavdekësi është të jetosh përgjithmonë në gjendjen e ringjallur dhe, me hirin e Perëndisë, të gjithë njerëzit do ta fitojnë këtë vazhdim të pafundmë të jetës. Por vetëm ata që i binden plotësisë së ligjit të ungjillit do të trashëgojnë jetën e përjetshme… . Ajo është ‘më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë’ … , sepse është lloji, gjendja, tipi dhe cilësia e jetës që gëzon vetë Perëndia. Kështu, ata që fitojnë jetën e përjetshme marrin ekzaltim; ata janë bij të Perëndisë, bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, anëtarë të Kishës së të Parëlindurit; ata mposhtin gjithçka, kanë gjithë pushtetin dhe marrin plotësinë e Atit” (Mormon Doctrine, bot. 2-të, [1966], f. 237).

Detyra e misionarëve, si deklarohet në faqen 1 të “Predikoni Ungjillin Tim”, është të: “ftojnë të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ata të marrin ungjillin e rivendosur nëpërmjet besimit tek Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së … Frymës së Shenjtë dhe të duruarit deri në fund” (2004).

Në shumë libra gatimi ka ilustrime të gjellëve të përsosura që bëjnë recetat – plotësia e kënaqësisë së gatimit. Këto ilustrime janë të rëndësishme sepse na ndihmojnë të përfytyrojmë rezultatin nëse i ndjekim saktësisht udhëzimet siç jepen në recetë. Është e rëndësishme të fillojmë duke mbajtur parasysh përfundimin, por ai i paraqitur nga ilustrimet në librat e gatimit është një përfundim i mundur vetëm nëse gjithçka bëhet siç duhet. Nëse nuk ndiqen udhëzimet, ose lihet mënjanë apo llogaritet gabim një përbërës, rrallë arrihen shija dhe paraqitja e dëshiruar. Megjithatë, ilustrimi i një gjelle të përsosur mund të na shërbejë si motivim që të përpiqemi sërish për të krijuar diçka që është edhe e shijshme edhe e bukur.

Kur mendojmë për jetën e përjetshme, cila është pamja që na vjen në mendje? Besoj se nëse mund të krijojmë në mendjet tona një pamje të qartë e të vërtetë të jetës së përjetshme, do të fillonim të silleshim ndryshe. Nuk do të na duhej të na nxitnin që të bënim gjërat e shumta të përfshira për durimin deri në fund, si kryerja e mësimit të shtëpisë ose e mësimit të vizitave, marrja pjesë në mbledhjet tona, vajtja në tempull, jeta e moralshme, thënia e lutjeve tona, ose leximi i shkrimeve të shenjta. Do të donim të bënim të gjitha këto gjëra e më tepër, sepse e kuptojmë se ato do të na përgatisin të shkojmë diku ku ne jemi të etur të shkojmë.

Përse pikësynimi i një misionari duhet të fillojë duke ndihmuar të tjerët të marrin besim tek Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij? Që të përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, njerëzit së pari duhet të përqafojnë Atë, i të cilit është ungjilli. Ata duhet të besojnë Shpëtimtarin dhe atë që Ai na ka mësuar. Ata duhet të besojnë se Ai ka pushtetin të mbajë premtimin e Tij ndaj nesh për arsye të Shlyerjes. Kur njerëzit kanë besim tek Jezu Krishti, ata pranojnë dhe zbatojnë Shlyerjen e Tij dhe mësimet e Tij.

Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij, siç shënohet tek kapitulli i 27-të i Nefit, ndërvarësinë e ungjillit të Tij, e shërbesës së Tij tokësore dhe Shlyerjes kur tha:

“Vini re, unë ju kam dhënë ungjillin tim dhe ky është ungjilli që ju kam dhënë – se unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim, sepse Ati im më dërgoi… .

Dhe do të ndodhë që kushdo që pendohet dhe pagëzohet në emrin tim, do të mbushet; dhe në qoftë se duron gjer në fund, vini re, atë do ta konsideroj të pafajshëm para Atit tim, në atë ditë kur do të qëndroj të gjykoj botën” (vargjet 13, 16).

Besimi tek Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij na drejton tek Ai. Bota na mëson se duhet të shohësh që të besosh, por besimi tek Zoti ynë na udhëheq të besojmë që të mund ta shohim Atë dhe planin e Atit për ne.

Besimi ynë gjithashtu na udhëheq drejt veprimit – na udhëheq tek zotimet dhe ndryshimet që shoqërojnë pendimin e vërtetë. Siç na mësoi Amuleku në kapitullin e 34-t të Almës:

“Prandaj vetëm atij që ka besim deri në pendim do t’i realizohet plani i madh, i përjetshëm i shëlbimit.

Prandaj, Perëndia dhëntë që ju, vëllezërit e mi, të mund të filloni të ushtroni besimin tuaj në pendim, që ju të filloni të thërritni në emrin e tij të shenjtë, që ai të ketë mëshirë për ju;

Po, përgjërojuni atij për mëshirë; pasi ai është i fuqishëm të shpëtojë” (vargjet 16–18).

Përse individët duhet të pendohen para se të pagëzohen e të marrin Frymën e Shenjtë? Zëri i Krishtit u shpalli nefitëve fundin e ligjit të sakrificës dhe pastaj Ai tha: “Dhe ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë” (3 Nefi 9:20).

E njëjta kërkesë diskutohet në seksionin 20 të Doktrina e Besëlidhje në një varg që shpesh e përdorim për të përshkruar kërkesat për pagëzim. Vargu 37 deklaron: “Gjithë ata që përulen para Perëndisë e dëshirojnë të pagëzohen, dhe vijnë me zemra të thyera e shpirtra të penduar, dhe dëshmojnë përpara kishës se janë penduar me të vërtetë për gjithë mëkatet e tyre, … do të merren me anë të pagëzimit në kishën e tij.”

Këto vargje të shkrimeve të shenjta na mësojnë mësime thelbësore mbi natyrën e pagëzimit, si përgatitja për pagëzim dhe marrjen e Frymës së Shenjtë. Së pari, pendimi përfshin një qëndrim përulësie. Në mënyrë që të përgatitemi për t’u pagëzuar dhe që të marrim mbi vete emrin e Krishtit, ne duhet të përulemi para Tij – të ofrojmë sakrificën tonë, një zemër të thyer e një shpirt të penduar dhe të pranojmë vullnetin e Tij. Së dyti, ne mësojmë se personat duhet të dëshmojnë përpara Kishës, ose një përfaqësie të Kishës, se janë penduar për gjithë mëkatet e tyre. Së fundi, ne pranojmë se pendimi, që është një proces pastrimi, i paraprin pagëzimit, që është një ordinancë pastrimi, në mënyrë që të përgatisë dikë për të marrë Frymën e Shenjtë. Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Dhurata e Frymës së Shenjtë është e gatshme vetëm për ata që janë pastruar, nëpërmjet pendimit, për mëkatet e botës.

Përse na duhet pagëzimi që të marrim Frymën e Shenjtë? Plaku Orson F. Uitni na mësoi: “Pagëzimi është dy pjesësh dhe duhet të përmbushë një mision të dyfishtë. Ai jo vetëm pastron – ai [ndriçon] shpirtin, duke shfaqur gjërat e Perëndisë, të shkuarën, të tashmen, të ardhmen dhe duke dhënë një dëshmi të sigurt të së Vërtetës. Shpirti, i pastruar nga mëkati, është në gjendje të gëzojë ndikimin e qëndrueshëm të Frymës së Shenjtë, që ‘nuk jeton në tempuj që nuk janë të shenjtë’. Pagëzimi me ujë fillon punën e pastrimit dhe ndriçimit. Pagëzimi i shpirtit e plotëson atë” (Baptism – The Birth of Water and of Spirit[n.d.], 10).

Ordinanca e pagëzimit me ujë dhe zjarr përshkruhet nga Nefi si një portë (shih 2 Nefi 31:17). Përse pagëzimi është një portë? Sepse është një ordinancë që simbolizon hyrjen në një besëlidhje të shenjtë dhe detyruese midis Perëndisë dhe njeriut. Njerëzit premtojnë të braktisin botën, të duan dhe t’u shërbejnë bashkëqenieve, të vizitojnë jetimët dhe të vejat në pikëllimin e tyre, të shpallin paqe, të predikojnë ungjillin, t’i shërbejnë Zotit dhe të mbajnë urdhërimet e Tij. Zoti premton të “derdhë … Shpirtin e tij më me shumicë mbi [ne]” (Mosia 18:10), të shëlbejë shenjtorët e tij si materialisht edhe shpirtërisht, t’i numërojë me ata të Ringjalljes së Parë dhe të ofrojë jetën e përjetshme. Pagëzimi dhe marrja e Frymës së Shenjtë janë mënyrat e përshkruara për të hyrë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar drejt jetës së përjetshme.

Sipas Apostullit Pal, pagëzimi simbolizon gjithashtu zbritjen tonë në një varr uji nga i cili ngrihemi me “risinë e jetës” (Romakëve 6:4) në Krisht. Ordinanca e pagëzimit simbolizon vdekjen dhe Ringjalljen e Krishtit – ne vdesim me Të që të mund të jetojmë me Të. Në këtë kuptim, pagëzimi është ordinanca e parë shpëtuese dhe marrja e Frymës së Shenjtë e ndihmon secilin prej nesh të shkojë përpara e të durojë deri në fund.

Si durojmë deri në fund? Durimi deri në fund kërkon besnikëri deri në fund, si në rastin e Palit që i tha Timoteut: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin” (2 Timoteut 4:7). Duket qartë, kjo nuk është detyrë e lehtë. Ka për qëllim të jetë e vështirë, sfiduese dhe përfundimisht pastruese, ndërsa përgatitemi të kthehemi të jetojmë me Atin tonë në Qiell dhe të marrim bekimet e përjetshme.

Sigurisht, durimi deri në fund nuk është diçka që mund ta bëni të vetëm. Së pari, ai kërkon fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit. Nuk mund të kthehemi në praninë e Atit tonë Qiellor pa qenë të pastër dhe kështu duhet të vazhdojmë të pendohemi. Në rastin ideal, ne pendohemi çast pas çasti, por gjithashtu marrim pjesë në mbledhjen e sakramentit çdo javë për të marrë sakramentin dhe përtëritur besëlidhjet tona të pagëzimit. Së dyti, durimi deri në fund kërkon Frymën e Shenjtë, që edhe do të na udhëzojë edhe do të na shenjtërojë. Së treti, duhet të jemi pjesë përbërëse e një komuniteti shenjtorësh, që shërbejmë dhe marrim shërbim nga vëllezërit dhe motrat tona në ungjill. Me pagëzimin ne bëhemi pjesë e trupit të Krishtit (shih 1 Korintasve 12:11–13); secili prej nesh ka një rol, secili prej nesh është i rëndësishëm, por që të mund të kemi sukses ne duhet të bëhemi një tek Shpëtimtari ynë. Së katërti, duhet të ndajmë ungjillin me të tjerët. Premtimet e sjelljes edhe qoftë të një shpirti tek Zoti janë të thella dhe të përjetshme (shih DeB 18:15). Për më tepër, ungjilli rrënjoset më thellë tek ata që e ndajnë shpesh. Së fundi, duhet gjithmonë të mbajmë besim dhe shpresë tek Krishti për të duruar deri në fund dhe midis shumë mënyrave që e bëjmë këtë janë lutja, agjërimi dhe leximi i shkrimeve të shenjta. Këto praktika do të na forcojnë kundër planeve të stërholluara dhe shigjetave të flakta të kundërshtarit.

E dua ungjillin e Jezu Krishtit, sepse ai përcakton udhën si mund të hamë nga frytet e ungjillit, si të provojmë “gëzim jashtëzakonisht të madh” (1 Nefi 8:12) që vetëm ai mund të sjellë dhe të durojmë deri në fund përmes gjithë sfidave të jetës në vdekshmëri. Ungjilli na mëson gjithçka duhet të dimë që të kthehemi për të jetuar me Atin tonë në Qiell si qenie të ringjallura e të përlëvduara. Mbajtshim të gjithë ne në mendje përfytyrimin e jetës së përjetshme. Qofshim të zellshëm në zbatimin e recetës së jetës së përjetshme që është ungjilli i Jezu Krishtit. Durofshim deri në fund. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.