2008
Tre Priftërinj të Lartë Kryesues
Maj 2008


Tre Priftërinj të Lartë Kryesues

Urtësia dhe forca do të vijnë tek ne kur e shohim Presidencinë e Parë si idealin tonë dhe modelin tonë të udhëheqjes.

Pamja
Elder William R. Walker

Çfarë bekimi dhe privilegji është për ne të mbështesim Presidentin Tomas S. Monson, Presidentin Henri B. Ajring dhe Presidentin Diter F. Uhtdorf si Presidencia e Parë e re e Kishës së Zotit.

Unë mësova për herë të parë mbi rëndësinë e Presidencisë së Parë kur isha një djalë që po rritesha në Kanadanë Perëndimore. Kur do të shkoja tek shtëpia e gjyshes dhe e gjyshit Uollker, unë u përshëndeta në hyrje nga një foto në kornizë e Presidencisë së Parë të Kishës. Unë e mbaj mend mirë atë. Dukej sikur ata qëndronin si roje, duke përshëndetur të gjithë ata që hynin.

Fotografia e mrekullueshme kishte Presidentin Xhorxh Albert Smith me këshilltarët e tij, Xh. Ruben Klark i Riu dhe Dejvid O. MekKei. Fotografia i tregonte ata në këmbë së bashku pranë një globi të madh të botës. Mua më pëlqeu fotografia. Ata ishin burra aq të hijshëm dhe me dinjitet; unë i njihja ata si profetin e Perëndisë dhe këshilltarët e tij.

Kjo fotografi vendosur në hollin e përparmë të shtëpisë së gjyshërve të mi pati një ndikim të fuqishëm mbi mua. Unë jetoja në qytetin e vogël të stepës Raimond, ku banonin gjyshërit e mi. Unë mund të shkoja më këmbë te shtëpia e tyre, kështu që i vizitoja shpesh. Unë mbaj mend që qëndroja shpesh qetë i vetëm në sallon, duke parë me nderim tek fotografia e Presidencisë së Parë. Më kujtohet që vrisja mendjen përse gjyshërit e mi kishin menduar se ishte aq e rëndësishme të nderonin Presidencinë e Parë dhe të kishin atë fotografi të ekspozuar dukshëm në shtëpinë e tyre. Të gjithë që hynin do mund ta shihnin atë. Ndoshta më e rëndësishmja, për fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre ajo përbënte një kujtesë të përhershme për çka ishte thellësisht e rëndësishme në zemrën dhe jetën e Gjyshes dhe të Gjyshit.

Vite më vonë unë arrita në përfundimin se ekspozimi i fotografisë së Presidencisë së Parë ishte baras me shprehjen e mrekullueshme të Jozueut: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni … Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit” (Jozueu 24:15).

Të gjithë ata që u futën në shtëpinë e Xhejms dhe Fani Uollkerit e dinin se në zemrat e tyre ishin shkruar këto fjalë: “Sa për ne dhe për shtëpinë tonë, ne do t’i shërbejmë Zotit.” Si nip i tyre, unë e dija këtë dhe nuk e kam harruar kurrë.

Kur isha djalë unë nuk e kuptoja aq mirë rëndësinë e pasjes së tre vetëve në Presidencinë e Parë në vend që të ishte një President. Sigurisht, unë e dija se Jezusi kishte përzgjedhur Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, jo vetëm Pjetrin. Unë e dija që babai im ishte një nga tre burrat në këshillin e peshkopit, që shërbente si këshilltar i Peshkopit Xh. O. Hiken. Unë e dija që gjyshi im ishte president i kunjit dhe që ai kishte dy këshilltarë që qëndronin krah tij (Presidenti Xhon Alen dhe Presidenti Lesli Palmer).

Në çdo rast – një presidenci – që nuk përbëhej thjesht nga një burrë si udhëheqës por nga tre që udhëhiqnin së bashku. Në Fillore unë kisha mësuar Nenet e Besimit dhe kisha arritur t’i doja ata. Nenet e Besimit i japin rinisë sonë qetësi dhe besim kur mësojnë doktrinat themelore të Kishës. E dija atëherë se “një njeri duhet të thirret nga Perëndia, me anë të profecisë dhe me anë të vënies së duarve prej atyre që janë në autoritet, për të predikuar Ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij” (Nenet e Besimit 1:5).

Në vitin 1835 Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith rendin e duhur të presidencive në Kishë:

“Është e nevojshme të ketë presidentë ose drejtues kryesues… .

Nga Priftëria Melkizedeke, tre Priftërinj të Lartë Kryesues, të zgjedhur nga grupi, të caktuar e shuguruar në atë detyrë dhe të mbështetur nga mirëbesimi, besimi dhe lutja e kishës, përbëjnë një kuorum të Presidencisë së Kishës” (DeB 107:21–22).

“Një kuorum të tre presidentëve” (DeB 107:29) – jo një president dhe dy nënpresidentë – por tre priftërinj të lartë kryesues, një kuorum i tre presidentëve – Presidencia e Parë e Kishës së Zotit.

Bota nuk organizohet në këtë mënyrë, por kjo është mënyra se si Zoti e organizoi dhe e ndërtoi Kishën e Tij.

Kjo të sjell ndër mend shkrimin e shenjtë:

“‘Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia’, thotë Zoti.

‘Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja’” (Isaia 55:8–9).

Rreth kohës së datëlindjes time të shtatë, unë mësova pak mbi zëvendësimin në Presidenci kur Presidenti Xhorxh Albert Smith ndërroi jetë. Pak kohë më vonë fotografia në hollin e gjyshes dhe të gjyshit tim u zëvendësua me një fotografi të mrekullueshme të Presidentit Dejvid O. MekKei dhe të këshilltarëve Stefen L. Riçards dhe Xh. Ruben Klark, i Riu.

Si një djalë unë sigurisht nuk e kuptoja rëndësinë e thellë apo procesin e zëvendësimit në Presidenci – por unë e dija se profeti kishte vdekur dhe se ne udhëhiqeshim nga një profet i ri i Perëndisë, me dy këshilltarë në krahë.

Në moshën 13 vjeçare unë u thirra në zyrën e Peshkopit Murrei Holt dhe ai më ofroi një thirrje për të shërbyer si president në kuorumin e dhjakëve. Ai më tregoi se duhej të shkoja në shtëpi dhe të lutesha mbi atë se cilët duhet të ishin këshilltarët e mi. Ai më mësoi se Zoti do të më ndihmonte të vendosja. Ai e bëri. Unë pastaj mësova mbi këshilltarët dhe fillova të shoh përse Zoti e drejtonte Kishën e Tij nëpërmjet presidencive, jo thjesht nga presidentë. Unë i doja këshilltarët e mi në kuorumin e dhjakëve dhe ne luteshim e punonim shumë për të ndihmuar djemtë në kuorumin tonë. Peshkopi Holt më mësoi modelet e presidencive dhe se si duhet të punojë dhe të funksionojë një presidenci e Kishës së Zotit.

Kur unë më vonë shërbeva si president i kuorumeve të tjera, unë e dija tashmë rëndësinë e këshilltarëve dhe e dija se Zoti do të më ndihmonte t’i zgjidhja ata – pikërisht siç më kishte mësuar peshkopi im.

Si president i kuorumit të dhjakëve dhe më vonë si peshkop dhe president kunji, unë e dija se sido që të ishte urtësia, kuptimi apo kapaciteti që kisha, ai do të rritej konsiderueshëm kur të përfshija këshilltarët në çfarëdo vendimi që duhej marrë. Unë mësova se përfitimet e shërbimit së bashku si presidenci ishin të mrekullueshme dhe lartësuese.

Unë arrita të kuptoj pse Zoti vendosi që Kisha e Tij duhet të udhëhiqet nga tre priftërinj të lartë kryesues dhe pse kjo formë udhëheqjeje do të caktohej për shumicën e strukturave të Kishës.

Zoti tha: “Unë do t’ju jap një model në gjithçka, që ju të mos mashtroheni” (DeB 52:14). Ai na ka dhënë modelin e udhëheqjes. Presidenti Gordon B. Hinkli na mësoi: “Çdo organizatë në Kishë drejtohet nga një presidenci prej tre vetësh, me përjashtim të të Shtatëdhjetëve [dhe të Dymbëdhjetëve]” (Teachings of Gordon B. Hinckley [1997], 94). Edhe shoqatat e ndihmës në të gjitha nivelet udhëhiqen nga një presidente dhe dy këshilltare. Të gjitha bekimet dhe përfitimet e shërbimit së bashku si presidenci zbatohen tek shoqatat e ndihmës, si dhe te kuorumet e priftërisë.

Secili prej nesh, që shërben në presidencitë kudo në Kishë, duhet ta shohë Presidencinë e Parë si modelin dhe shembullin tonë, që ne përpiqemi ta ndjekim gjatë plotësimit të thirrjes tonë. Ne duhet të përpiqemi të jemi si ata dhe të punojmë së bashku me dashuri dhe harmoni siç bëjnë ata.

Presidenti Gordon B. Hinkli shpesh foli për rëndësinë e këshilltarëve. Ai tha: “Zoti i caktoi ata [këshilltarët] atje për një qëllim” (Teachings of Gordon B. Hinckley, faqe 94).

Presidenti Hinkli na udhëzoi më tej: “Çdo mëngjes përveç së hënës, Presidencia e Parë mblidhet, kur jemi në qytet. Unë e ftoj Presidentin Faust të flasë për punën e tij dhe ne diskutojmë për të dhe marrim një vendim. Pastaj unë ftoj Presidentin Monson të flasë për punën e tij dhe ne diskutojmë për të dhe marrim një vendim. Pastaj unë paraqes çështjet që dua të flas dhe ne diskutojmë për to dhe marrim një vendim. Ne punojmë së bashku… . Ju nuk mund të punoni vetëm në një presidenci. Këshilltarët – sa gjë e mrekullueshme janë këshilltarët. Ata ju mbrojnë ju nga veprimet e gabuara, ata ju ndihmojnë ju të bëni gjërat e duhura” (Teachings of Gordon B. Hinckley, faqe 95; shih gjithashtu “In … Counsellors There Is Safety,” Ensign, nëntor 1990, f. 48–51).

Një këshilltar i Presidentit Jozef F. Smith përshkroi një herë se si diskutoi Presidencia e Parë: “Kur një çështje i paraqitej [Presidentit të Kishës] për ta gjykuar, ai dhe këshilltarët e tij do të bisedonin rreth saj dhe jepnin për të mendimet e tyre të matura gjersa arrinin në të njëjtin përfundim” (Anthon H. Lund në Conference Report, qershor 1919, f. 19; theksimi i shtuar).

Ky duhet të jetë modeli ynë i presidencisë.

Zbulesat na mësojnë të marrim vendimet tona në kuorume dhe në presidenci “gjithë drejtësi, shenjtëri e përulësi të zemrës, butësi e durim, dhe besim, dhe virtyt, dhe dituri, vetëkontroll, qëndresë, perëndishmëri, mirësi vëllazërore dhe dashuri hyjnore” (DeB 107:30).

Zoti na e ka dhënë modelin.

Ne mbështetëm sot Presidencinë e Parë të re të Kishës. Ata do të na mësojnë dhe do të na tregojnë ne modelin që duhet të ndjekim. Urtësia dhe forca do të vijnë tek ne ndërsa shohim Presidencinë e Parë si idealin dhe modelin tonë të udhëheqjes.

Bekime të mëdha do të vijnë në familjet tona ndërsa mësojmë fëmijët dhe nipërit tanë të duan dhe të mbështesin udhëheqësit e Kishës. Kur isha djalë i ri që qëndroja në shtëpinë e gjyshërve të mi, unë e dija se ne udhëhiqeshim nga burra të Perëndisë, të cilët Zoti i kishte vendosur atje për të na drejtuar.

Dhe unë e di këtë tani. Unë dëshmoj se kjo është puna e Zotit Jezu Krishti dhe se ne udhëhiqemi nga apostujt dhe profetët e Tij. Unë dëshmoj se apostulli kryesor, Presidenti Tomas S. Monson, është thirrur nga Perëndia dhe se me dy këshilltarët e tij fisnikë në krahë të tij, ata do të na udhëheqin në përputhje me mendimin dhe vullnetin e Zotit, Kisha e të cilit është kjo. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.