2008
Të Ecim në Dritë
Maj 2008


Të Ecim në Dritë

Ju bëni zgjedhje çdo ditë dhe thuajse çdo orë, që ju mbajnë në ecjen në dritë ose ju çojnë larg drejt errësirës.

Pamja
President Henry B. Eyring

Për secilin prej nesh, jeta është një udhëtim. Ati Qiellor e hartoi atë nga dashuria për ne. Secili prej nesh ka përvoja dhe karakteristika unike, por udhëtimi ynë filloi në të njëjtin vend para se të lindeshim në këtë botë.

Të gjithë ne morëm mësim nga Elohimi, Ati i shpirtit tonë. Ne e donim Atë, dëshironim të ishim si Ai dhe të ishim me Të përgjithmonë. Ai na e tregoi qartë se çfarë duhej që ne të kishim atë gëzim. Do të na duhej të merrnim një trup fizik, me të gjithë sprovat që sillte kjo. Do të ishim subjekt i sëmundjeve dhe brenda trupit tonë do të kishim procese që do të çonin përfundimisht në vdekje. Dhe në trupin tonë do të kishim dëshira të fuqishme për kënaqësi fizike.

Ati Qiellor na shpjegoi se çfarë do të kërkohej për të kryer udhëtimin nga vendi ku ishim derisa të ishim bashkë me Të përgjithmonë dhe të jetonim jetën që jeton Ai. Do ta kryenim udhëtimin e jetës pa kujtimet e kohës kur ishim me Të në botën shpirtërore. Dhe e vetmja udhë për t’u kthyer tek Ai do të ishte nëpërmjet kapërcimit të vdekjes fizike dhe pasojave të mëkatit të cilat do të vinin nga shkelja e urdhërimeve prej nesh. Ai na tha se ne nuk do të mund të kapërcenim vetë pasojat qoftë të vdekjes apo të mëkatit – pa patur një Shpëtimtar që do të këpuste lidhjet e vdekjes dhe që do të na siguronte një mënyrë që ne të pastroheshim nga mëkati që do ta kryenim me siguri.

Ju e dini nga shkrimet e shenjta të zbuluara nga Perëndia nëpërmjet profetëve se në botën e shpirtrave pati një rebelim kur na u ofrua plani për udhëtimin tonë. Ata që u rebeluan nuk donin të pranonin dhe të vareshin nga një Shpëtimtar dhe as të rrezikonin që të mund të mos ktheheshin përsëri tek Ati Qiellor. Secili prej jush qe midis trimave, besnikëve dhe të vërtetëve në atë konflikt . Ju pranuat Shpëtimtarin dhe planin për këtë udhëtim, për t’u kthyer tek gëzimi i pranisë së Atit tonë Qiellor.

Ju jeni të shquar, madje dhe midis atyre që zgjodhën të drejtën në përleshjen në botën shpirtërore. Ju u kualifikuat të vini në vdekshmëri dhe ta bëni këtë udhëtim në një kohë kur ungjilli i Jezu Krishtit ishte në tokë. Dhe midis miliarda fëmijëve të Atit Qiellor që jetojnë tani, ju patët privilegjin të gjeni ungjillin e Jezu Krishtit dhe Kishën e Tij të vërtetë. Akoma më shumë sesa kjo, fakti që ju po dëgjoni sonte do të thotë se ju keni zgjedhur ta kryeni udhëtimin e jetës duke ecur në dritë.

Secilit fëmijë të Atit Qiellor të lindur në botë i jepet në lindje, si dhuratë falas, Drita e Krishtit. Ju e keni ndierë atë. Është ndjesia se çfarë është e drejtë e çfarë e gabuar, çfarë është e vërtetë e çfarë e rreme. Ajo ka qenë me ju që kur filloi udhëtimi juaj në jetë. Fakti se ju u pagëzuat dhe morët dhuratën e Frymës së Shenjtë, është provë se ju zgjodhët të ecni në Dritën e Krishtit.

Kur u konfirmuat anëtare të Kishës, juve ju dha e drejta që të keni Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tuaj. Fryma e Shenjtë është një burim i fuqishëm drite për të njohur të vërtetën, për të ndjekur dhe dashur Zotin Jezu Krisht dhe për të gjetur rrugën e kthimit tek Perëndia pas kësaj jete.

Por shpirti që udhëhoqi rebelimin në botën paratokësore, ende e kundërshton planin dhe dëshiron që ju të jeni të mjera. Ai do që ju të mos e gjeni më kurrë rrugën tuaj të kthimit në shtëpi. Ai armik i shpirtit tuaj ju njeh ju dhe mirësinë tuaj. Ai e di që, nëse mund t’ju heqë nga ecja në dritë, ai mundet edhe t’ju pushtojë edhe t’ju ndalojë të ndihmoni të tjerët gjatë udhëtimit. Ai e di sa të mira jeni ju dhe e njeh fuqinë tuaj për të mësuar dhe ndikuar qindra fëmijë të Atit Qiellor në këtë jetë – dhe mijëra të tjerë në brezat që do të ndjekin shtegun tuaj. Nëse ai arrin t’ju shmangë larg nga drita në udhëtimin tuaj, ai mund të dëmtojë dhe të bëjë të mjerë shumë vetë.

Fakti që ju po dëgjoni tani, është provë se Perëndia e njeh rëndësinë tuaj të madhe dhe se ju keni zgjedhur të ecni në dritën që Ai ju ofron. Nuk është e lehtë që zgjedhje të tilla të shihen gjithmonë qartë. Ju bëni zgjedhje çdo ditë dhe gati çdo orë që ju bëjnë të vazhdoni të ecni në dritë ose ju largojnë drejt errësirës. Disa nga zgjedhjet më të rëndësishme janë mbi atë ku vendosni zemrën.

Ka kaq shumë gjëra që mund t’i konsideroni të dëshirueshme. Për shembull, të gjithë ne dëshirojmë, në një farë shkalle, miratimin e njerëzve të tjerë. Të gjithë ne ndiejmë nevojën për miq. Të gjithë kërkojmë disa prova se jemi persona me vlerë. Ne bëjmë zgjedhje bazuar në këto dëshira. Disa mund të na çojnë larg dritës që Perëndia na ofron si udhërrëfyese. Disa mund ta gjallërojnë atë dritë me anë të së cilës mund të gjejmë udhën tonë.

Ndërsa shoh pas, e kuptoj se isha i pandërgjegjshëm për rëndësinë e disa prej këtyre dëshirave dhe zgjedhjeve. Doja të përzgjidhesha për disa skuadra atletike. Doja të shkoja mirë në shkollë. Doja të gjeja miq të mirë e të vërtetë. Dhe kur bëja zgjedhje që rridhnin nga këto dëshira, më shumë nga sa e kuptoja, unë po lëvizja ose larg nga drita, ose drejt saj.

Disa nga arritjet e mija dhe disa nga miqtë e mi ishin faktorë të rëndësishëm në ndjesinë time të dritës. Të tjerë, më shumë nga sa e kuptoja atë kohë, po më lëviznin ngadalë larg dritës. Në mënyra të rëndësishme dhe që vazhdonin gjatë, zgjedhjet që bëra për të kënaqur dëshirat e mija për shoqëri dhe një ndjenjë fame po më çonin ose drejt ose larg dritës që më rrëfente shtegun tim.

Kohë më parë, Ati Qiellor, nëpërmjet profetëve të Tij, na dha një mënyrë për të ditur se cilat zgjedhje janë më të rëndësishme dhe përse – dhe si t’i bëjmë ato.

Përmbledhja më e mirë që njoh është në fjalët e Moronit kur ai citon babanë e tij, Mormonin. Do të kisha dashur që t’i kisha kuptuar më mirë kur isha në moshën tuaj dhe lutem që Zoti t’i përcjellë ato në zemrën tuaj sonte

“Por vini re, ajo që është e Perëndisë fton dhe nxit për të bërë mirë përherë; prandaj çdo gjë që fton dhe nxit për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij, është frymëzuar nga Perëndia

Prandaj, kini kujdes, … të mos gjykoni atë që është e ligë të jetë e Perëndisë ose atë që është e mirë dhe e Perëndisë, të jetë e djallit.

Pasi vini re, vëllezër të mi, ju është dhënë juve të gjykoni, kështu që mund të dini të mirën nga e liga; dhe mënyra për të gjykuar, që të mund të dini me njohuri të përkryer, është aq e qartë, sa është të dallosh dritën e ditës nga errësira e natës.”1

Shkrimet e shenjta na tregojnë burimin dhe pushtetin e dritës.

“Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën sesi të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia.

Por, çdo gjë që i bind njerëzit të bëjnë keq dhe të mos besojnë në Krisht, dhe ta mohojnë atë, dhe të mos i shërbejnë Perëndisë, atëherë ju mund ta dini me një njohuri të përsosur se ajo është e djallit; pasi sipas kësaj mënyre punon djalli, pasi ai nuk bind asnjë njeri të bëjë mirë, jo, asnjë; ashtu edhe engjëjt e tij; ashtu edhe ata që i nënshtrohen atij.”2

Mund ta shoh tani, më mirë sesa mundja kur isha djalosh, si mund ta kisha përdorur atë udhëheqje. Ka patur skuadra sporti që kishin lojtarë dhe trainierë që më ndikuan të bëj mirë. Pati disa që nuk e bënë. Kishte miq, disa prej të cilëve jo anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, që me shembullin e tyre më ndikuan të bëj mirë dhe të kujtoj Shpëtimtarin.

Kishte shokë shkolle dhe mësues, miratimin dhe miqësinë e të cilëve e kërkova, që në një farë mënyre më bënë të dëshiroja të bëj mirë dhe i rritën ndjenjat e mija për Shpëtimtarin. U bekova që ta gjeja udhën time. Por do të kisha bërë edhe më mirë nëse do të kisha kuptuar si rëndësinë e zgjedhjeve të mija ashtu edhe të mënyrës së zgjedhjes.

Mormoni e dinte atë. Po t’i kisha lexuar më me kujdes fjalët e tij në Librin e Mormonit dhe të të tjerëve si ata, do të kisha qenë edhe më i bekuar e më i mbrojtur. Këtu janë fjalët e Mormonit:

“Meqë ju e njihni dritën, nëpërmjet së cilës mund të gjykoni, dritë e cila është drita e Krishtit, shikoni të mos gjykoni gabim; pasi me të njëjtin gjykim që gjykoni ashtu do të gjykoheni.

Prandaj, … ju të kërkoni me zell në dritën e Krishtit, që të mund të njihni të mirën nga e keqja; dhe në qoftë se do të mbështeteni në çdo gjë të mirë dhe të mos e dënoni, me siguri ju do të jeni një fëmijë i Krishtit.

Dhe tani, … si është e mundur që ju mund të mbështeteni në çdo gjë të mirë?”3

Me anë të besimit ju mund të mbështeteni në çdo gjë të mirë. Lutem me të gjithë zemrën time që t’ju rritet besimi se ju jeni një bijë e një Perëndie të dashur. Ju dëshmoj se ju keni qenë një nga guximtaret që keni mbërritur pikën ku jeni tani në këtë udhëtim të jetës. Ashtu siç ju ka shënuar si një objektiv armiku i drejtësisë, ashtu ju ka mbrojtur dhe vëzhguar Ati juaj Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht. Ata ju njohin. Ata njohin të gjitha forcat dhe individët që ndodhen rreth jush. Ata e dinë se çfarë ju pret. Kështu Ata e dinë se cila nga zgjedhjet që bëni, cila nga dëshirat që vendosni të kënaqni dhe cila nga rrethanat përreth jush do të sjellë ndryshimin më të madh për të vazhduar që të ecni në dritë. Unë dëshmoj se me anë të Shpirtit të Krishtit dhe me anë të Frymës së Shenjtë, ju mund të ecni të sigurta pavarësisht nga vështirësitë që mund t’ju dalin. Meqenëse jeni kaq me vlerë, disa nga sprovat tuaja mund të jenë të rrepta. Asnjëherë nuk duhet të shkurajoheni apo të frikësoheni. Udha përmes vështirësive ka qenë gjithmonë e përgatitur për ju dhe ju do ta gjeni nëse ushtroni besim.

Duhet të keni besim që të luteni. Duhet të keni besim që të meditoni fjalën e Perëndisë. Duhet të keni besim që t’i bëni ato gjëra dhe të shkoni në ato vende që ftojnë Shpirtin e Krishtit dhe Frymën e Shenjtë.

Ju premtoj se brenda pak ditëve të ardhshme do të ndjeni ndriçimin e Shpirtit të Krishtit dhe Frymën e Shenjtë në jetën tuaj të përditshme. Kur të ecni në dritë, do të ndjeni në atë çast pak nga ngrohtësia dhe lumturia që përfundimisht do të jetë e juaja kur të mirëpriteni sërish në shtëpi bashkë me qindra e ndoshta mijëra të tjerë që do të sillni me vete dhe që kanë ecur në dritë sepse ju e bëtë.

Kjo është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit. Ka një profet të gjallë, Tomas S. Monson. Dhe ka edhe shërbëtorë e engjëj të vërtetë që t’ju ndihmojnë përgjatë shtegut të ndriçuar. Dëshmoj kështu në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Moroni 7:13–15.

  2. Moroni 7:16–17.

  3. Moroni 7:18–20.