2008
Ne Nuk do të Dorëzohemi, Ne Nuk Mund të Dorëzohemi
Maj 2008


Ne Nuk do të Dorëzohemi, Ne Nuk Mund të Dorëzohemi

Jetoni sipas standardeve tuaja. Mbroni atë që besoni.

Pamja
Elder W. Craig Zwick

Bashkë me secilin prej jush, me mirënjohje mbështes vullnetin e Perëndisë për njerëzit e Tij. Faleminderit, President Monson, për pastërtinë e zemrës tënde.

Kur djaloshi Jozef Smith tregoi të vërtetën për përvojën e tij të shenjtë në korije, atë e përndoqën dhe e keqtrajtuan. Kundërshtari përdori talljen si një armë kundër tij. “Unë isha një djalë i panjohur, … përsëri njerëz të pozitave të larta do të më kushtonin rëndësi të mjaftueshme për të nxitur mendjen e publikut kundër meje dhe të krijonin një përndjekje të hidhur… .”1

Jozefi u rrit në durim, në maturi dhe besim, pavarësisht pranisë së armiqve në çdo front. Me vetë fjalët e Jozefit: “Njerëz të ligj e të caktuar janë bashkuar për të shkatërruar të pafajshmin … megjithatë Ungjilli i lavdishëm, në plotësinë e tij, po përhapet.”2 “Asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e punës.”3

Edhe sot ka nga ata që keqkuptojnë doktrinën tonë dhe sfidojnë vlerat e pandryshuara sipas të cilave jemi ftuar të jetojmë.

Etani, një miku im djalosh, iu afrua të ëmës me një pyetje serioze. Si shumica e adoleshentëve, Etani dëshiron të jetë i pavarur, me vetëbesim dhe i rrethuar nga miq të mirë. Ai po përpiqet të bëjë vetë zgjedhje të mira. Ai është jashtëzakonisht trim, punon shumë me mësimet dhe i studion përditë shkrimet e shenjta. Si të gjithë të rinjtë, Etani përballet me tundim të pamasë. Tundimi vjen në sallat e shkollës së tij, në internet, në filma dhe në muzikë. Ai mund të dëgjohet në të folurin vulgar dhe të shihet në veshjen provokuese. Ajo që është e gabuar shpesh bëhet që të duket e drejtë. Ankthi dhe frika e përjashtimit janë të zakonshme midis adoleshentëve. Presioni i shokëve shpesh është mbytës. Etani po ndihej i bombarduar nga vlera të kundërta me të tijat.

Kjo është pyetja që ai i bëri nënës së tij: “Mami, a duhet t’i ul standardet e mia që të mbaj shokët?”

Kjo është një pyetje e thellë për t’u menduar nga secili prej nesh, në të gjithë periudhat e jetës. A po i ulim standardet tona që të përshtatemi me fqinjët tanë? A po i ndryshojmë vlerat tona që t’i përshtatemi situatës në vendin e punës apo që të jemi tërheqës në shkollë?

Nëna e dashur e Etanit iu përgjigj atij me një jo kumbuese.

Edhe unë, qartë përgjigjem: “Mos e bëj atë, Etan. Mos harro kurrë se ti je një bir i Perëndisë. Ai të do. Jeto sipas standardeve të tua. Qëndro për atë që beson. Nganjëherë nuk është e lehtë dhe ti mund jesh vetëm për pak kohë. Kërko shokë me ndershmëri dhe karakter, pastaj shko tek ata dhe shprehu vlerësim për shembullin e tyre. Madje mund të gjesh dikë që është ndier po aq i vetmuar sa dhe ti. Lutu për udhërrëfim dhe mbrojtje prej Zotit. Ai do të të mbështesë. Ai do të bëhet një shok i besuar dhe ti do të zbulosh se shembulli yt do të tërheqë shumë shokë që do të marrin kurajo nga forca e karakterit tënd.”

Nefi na mësoi një parim të thjeshtë e të fuqishëm kur na tregoi ëndrrën e atit të tij për pemën e jetës. Ai përshkroi një shteg të ngushtë dhe të ngushtuar që të çonte tek një pemë dhe një ndërtesë e gjerë dhe e madhe. Kjo ndërtesë ishte e mbushur me njerëz të veshur jashtëzakonisht mirë e sipas modës. Ata të gjithë ishin duke u tallur dhe duke treguar me gisht drejt atyre që po hanin frutin. Ata po përpiqeshin t’i nxirrnin njerëzit nga shtegu, që të hynin në ndërtesë. Nga gjithçka që dukej, njerëzit aty brenda dukej se po zbaviteshin shumë. Çfarë imazhi i pashlyeshëm tundimi. Sipas fjalëve të Plakut Nil A. Maksuell, “Përqeshja e botës është vetëm zhurma e njerëzve të vetmuar që përpiqen të sigurojnë veten.”4

“Dhe e madhe qe turma që hyri në atë ndërtesë të çuditshme… . [Ata] na përqeshnin dhe na tregonin me gisht, mua dhe gjithashtu të tjerë që po hanin nga fruti; por ne nuk ua vumë veshin.”5

Atje në fund të vargut është parimi i fuqishëm i Nefit, një përgjigje ndaj presionit të padëshiruar të shokëve: “Por ne nuk ua vumë veshin.”

Presidenti Bojd K. Paker e ka theksuar kohët e fundit këtë parim udhërrëfyes: “Pavarësisht se sa jashtë mode mund të dukemi, pavarësisht sa shumë vihen në lojë standardet, pavarësisht sa dorëzohen të tjerët, ne nuk do të dorëzohemi, ne nuk mund të dorëzohemi.”6

A e njohim tundimin kur ai maskohet kaq mirë?

A jemi të gatshëm të bëjmë një betejë pa popullaritet?

Pali paralajmëroi qartë që të mos jemi “si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por [të jemi] si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë me zemër.”7

Ka ardhur koha kur ne duhet të mbajmë një qëndrim të paepur. Ne duhet të forcojmë themelet tona shpirtërore, të dëgjojmë profetët e Perëndisë dhe të ndjekim këshillën e tyre.

Pali i tha Timoteut: “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie. Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë.”8

Duhet kurajo që të bësh zgjedhje të mira, aq më tepër kur të tjerët rreth teje zgjedhin ndryshe. Kur bëjmë zgjedhje të drejta çdo ditë në gjërat e vogla, Zoti do të na forcojë dhe ndihmojë të zgjedhim të drejtën gjatë kohëve më të vështira.

Mësimet dhe vlerat që duam më shumë, nuk përqafohen nga bota laike. Që të mbajmë një pozicion të vendosur për veten dhe fëmijët tanë, mesazhi i ungjillit të rivendosur duhet të ngulet fort në zemrën tonë dhe të mësohet në shtëpitë tona.

Abinadi, një profet nefit, siç shënohet në vetëm pak faqe të fuqishme tek Mosia, na mëson mësime të përjetshme që i përgjigjen përsosmërisht sfidave të shekullit të 21-të.

Abinadi ishte njeri me kurajo të patundur, që qëndroi për të vërtetën kur nuk ishte popullore ta bëje atë. Kur ai me kurajo u thirri njerëzve për pendim, ai e dinte se jeta e vet ishte në rrezik. Me sytë e mendjes suaj, ju mund të shihni skenën shtangëse të Abinadit, të cilit sapo i kishin dhënë dënimin me vdekje. Ai kishte mundësi ta shpëtonte veten duke mohuar besimin dhe dëshminë e tij, por në vend të kësaj ai, pa frikë, shpalli: “Unë po të them se nuk i tërheq fjalët të cilat unë jua kam thënë në lidhje me këtë popull, pasi ato janë të vërteta.”9

Ndoshta nuk do të na duhet të japim jetën për të mbrojtur të vërtetën, por ne mundemi, tamam si Abinadi, të kemi besim dhe me zemër dhe energji të plotë të shpallim trimërisht se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Ai ishte dhe është Biri i të Plotfuqishmit. Ai jeton dhe Ai na do.

Kur e ndjekim Atë, do të jemi në gjenjde të bëjmë sakrifica dhe të mbajmë besëlidhjet tona të shenjta. Zoti na ka thënë: “Prandaj, mos ki frikë, tufë e vogël; bëni mirë; le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë… . Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.”10

Ne duhet të forcohemi. Ai forcim i sigurt shpirtëror gjendet në dy fjalë – Jezu Krishti. Për Atë unë dëshmoj me përulësi. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit. Amen.

Shënime

  1. Joseph Smith—Historia 1:22.

  2. History of the Church, 2:22.

  3. History of the Church, 4:540.

  4. “Cleanse Us from All Unrighteousness,” Ensign, shkurt 1986, 19.

  5. 1 Nefi 8:33.

  6. “The Standard of Truth Has Been Erected,” Liahona, nëntor 2003, 26.

  7. Efesianëve 6:6.

  8. 2 Timoteut 1:7–8.

  9. Mosia 17:9.

  10. DeB 6:34, 36.