2008
Kthim tek Virtyti
Nëntor 2008


Kthim tek Virtyti

Tani është koha që secila prej nesh të ngrihet e t’i shpalosë botës një flamur, duke bërë thirrje për kthim tek virtyti.

Pamja
Elaine S. Dalton

Konferencën e shkuar të përgjithshme, unë u thirra nga Presidenti Monson që të jem presidentja e re e përgjithshme e Të Rejave. Ndërsa qëndroja në prani të një profeti të Perëndisë dhe më jepej kjo detyrë e shenjtë, u zotova se do të shërbeja me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën time. Përpara kësaj thirrjeje, unë kisha një pllakë të vogël ku ishte gdhendur motoja që thoshte: “Unë mund të bëj gjëra të vështira.” Ajo pllakë e vogël që mbartte atë moto të thjeshtë më dha kurajo. Por tani, nëse do të mund ta ndryshoja atë moto, ajo do të lexonte: “Në fuqinë e Zotit, unë mund të bëj të gjitha gjërat.”1 Në atë fuqi mbështetem sot ndërsa qëndroj në këtë podium të shenjtë.

Prillin e shkuar, dy ditë pas konferencës së përgjithshme, ne patëm mbledhjen tonë të parë si presidenci e sapombështetur. Ne marshuam deri në majë të Insajn Pik-ut dhe, ndërsa po shihnim luginën poshtë nesh, pamë tempullin me engjëllin Moroni që shkëlqente në diell. Për secilën prej nesh ishte e qartë. Qëllimi i presidencisë tonë ishte tempulli. Dhe përgjegjësia jonë qe gjithashtu e qartë. Ne duhet “të ndihmojmë çdo të re të përgatitet që të jetë e denjë për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet e shenjta dhe për të marrë ordinancat e tempullit”2.

Tempulli është arsyeja për gjithçka bëjmë në Kishë.3 Tempulli ishte arsyeja pse paraardhësit tanë pionierë lanë shtëpitë e tyre të ngritura dhe erdhën në perëndim. Ishte arsyeja pse ata vuajtën mungesa materiale dhe madje edhe vdekje. Besëlidhjet e tempullit ishin arsyeja që, ndonëse foshnja u varrosën përgjatë rrugës, ata pionierë mund të këndonin:

Shenjtor’ nga puna

ju mos kini frik’

ju ecni me gëzim.4

Disa humbën gjithçka, por erdhën në luginë me gjithçka, vërtet – ordinancat e tempullit, besëlidhjet e shenjta dhe premtimin e jetës së përjetshme së bashku si familje.

Tamam dy ditë pasi shenjtorët mbërritën në Luginën e Solt Lejkut, Brigam Jangu dhe shoqëruesit e tij u ngjitën në majë të Insajn Pik-ut. Në majë të tij ata shpalosën një flamur – një copë katrore të verdhë të lidhur në një bastun, që simbolizonte një shenjë apo flamur për kombet5. Shenjtorët duhet të ishin drita, flamuri. Prillin e shkuar, në majë të Insajn Pikut, ne, tre gra, gjithashtu shpalosëm një flamur që e bëmë me një bastun dhe një shall peruan ngjyrë floriri. Ishte shenja jonë, standardi ynë për kombet – flamuri ynë që bënte thirrje për kthim tek virtyti.

Virtyti është një kusht paraprak për të hyrë në tempujt e shenjtë të Zotit dhe për të marrë udhërrëfim nga Shpirti. Virtyti “është një formë e mendimit dhe e sjelljes e bazuar në standarde të larta morale”6. Ai përfshin dëlirësinë dhe pastërtinë morale. Virtyti fillon në zemër dhe në mendje. Ai ushqehet në shtëpi. Është grumbullimi i mijëra vendimeve e veprimeve të vogla. Virtyti është një fjalë që nuk e dëgjojmë shpesh në shoqërinë e sotme, por fjala latine nga e ka prejardhjen, virtus, do të thotë forcë. Gra dhe burra të virtytshëm zotërojnë një dinjitet të qetë dhe forcë të brendshme. Ata kanë besim në vete sepse janë të denjë për të marrë e për t’u udhëhequr nga Fryma e Shenjtë. Presidenti Monson ka këshilluar: “Ju, bëhuni ai që mbështet të drejtën, edhe nëse ju duhet ta bëni këtë vetëm. Kini kurajon morale të jeni një dritë që të tjerët duhet ta ndjekin. Nuk ka shoqëri më të çmuar sesa ndërgjegjja juaj e pastër, pastërtia juaj morale – dhe sa ndjenjë e lavdishme është të dish se qëndron i pastër në vendin tënd të caktuar dhe me bindjen se je i denjë të veprosh kështu.”7

A është e mundur që dalëngadalë jemi më të pandjeshëm dhe po mendojmë se standardet e larta morale janë jashtë mode dhe pa vend apo të parëndësishme në shoqërinë e sotme? Ashtu siç sapo na kujtoi Plaku Hejls, Lehonti në Librin e Mormonit ishte i pozicionuar mirë në majën e malit. Ai dhe ata që ai udhëhiqte “kishin caktuar në mendjen e tyre një vendim të prerë” që nuk do të zbrisnin nga mali. Amalikiasit mashtrues iu deshën vetëm katër përpjekje, secila më e guximshme se e mëparshmja, që ta bënte Lehontin “të zbriste nga mali”8. Dhe pasi kishte përqafuar premtimet e rrema të Amalikias, Lehontit i dhanë “pak nga pak helm”9 derisa vdiq. Jo thjesht e helmuan, por “pak nga pak”. A mos po ndodh po kjo gjë sot? A mos po ndodh që ne së pari e lejojmë, pastaj e pranojmë dhe përfundimisht e përqafojmë vesin që na rrethon?10 A mos po ndodh që po mashtrohemi nga modele rolesh të rreme dhe mesazhe shtytës mediatikë që na bëjnë të harrojmë identitetin tonë hyjnor? A po helmohemi edhe ne pak nga pak? Çfarë mund të ishte më mashtruese se të joshësh rininë e këtij brezi fisnik që të mos bëjë asgjë, apo të jetë e zënë duke bërë përherë mesazhe me celular, por duke mos arritur kurrë tek një dijeni e të vërtetave që përmbahen në një libër që u shkrua për ju dhe kohën tuaj nga profetët e Perëndisë – në Librin e Mormonit? Çfarë do të ishte më mashtruese sesa të joshësh gratë, të reja e të moshuara, ju dhe mua, që të jemi kaq të zëna me veten, pamjen tonë, veshjen tonë, formën e përmasat e trupit tonë, sa të harrojmë identitetin tonë hyjnor dhe aftësinë tonë për të ndryshuar botën nëpërmjet ndikimit tonë të virtytshëm? Çfarë do të ishte më mashtruese sesa të joshësh burrat – të rinj e të moshuar, që mbajnë priftërinë e shenjtë të Perëndisë – të shohin pornografi ndjellëse dhe kështu të përqendrohen tek mishi në vend të besimit, të jenë konsumues të vesit në vend që të jenë rojtarë të virtytit? Libri i Mormonit rrëfen historinë e 2.000 heronjve të rinj, virtyti dhe pastërtia e të cilëve iu dha atyre forcë për të mbrojtur besëlidhjet e prindërve të tyre dhe besimin e familjeve të tyre. Virtyti dhe zotimi i tyre që të ishin “të vërtetë në të gjitha kohërat” ndryshoi botën!11

Unë vërtet besoj se një e re apo i ri i virtytshëm, i udhëhequr nga Shpirti, mund të ndryshojë botën, por me qëllim që ta bëjmë këtë, duhet të kthehemi tek virtyti. Duhet të bëjmë stërvitje të rreptë. Ashtu si tha atleti i maratonës Juma Ikangaa, pasi fitoi në maratonën e Nju Jorkut: “Vullneti për të fituar s’është asgjë pa vullnetin për t’u përgatitur.”12 Tani është koha të përgatitemi duke ushtruar më tepër vetëdisiplinim. Tani është koha të bëhemi “më të përshtatshëm për mbretërinë”13. Tani është koha ta vendosim drejtimin tonë dhe të përqendrohemi tek vendmbërritja. Një kthim tek virtyti duhet të fillojë veçan në zemrat tona dhe në shtëpitë tona.

Çfarë mund të bëjë secili prej nesh për të filluar kthimin tonë tek virtyti? Kursi dhe programi i stërvitjes do të jetë unik për secilin prej nesh. Unë e kam përftuar programin tim vetjak të stërvitjes nga udhëzime që gjenden në shkrimet e shenjta: “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim.”14 “Kapu tek besëlidhjet e tua.”15 “[Qëndro] në vende të shenjta.”16 “[Lëri] mënjanë gjërat e kësaj bote.”17 “Besoni se ju duhet të pendoheni.”18 “Gjithmonë [kujtoje] Atë e [zbato] urdhërimet e Tij.”19 Dhe: “Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, … i kërkojmë këto gjëra.”20 Tani më shumë se kurrë më parë, është koha t’i përgjigjemi thirrjes së Moronit që të “[zgjohemi] dhe [të ngrihemi]” dhe të “[marrim] çdo dhuratë të mirë dhe të mos [prekim] dhuratën e ligë, as gjënë e papastër”21.

Kohët e fundit mora pjesë në bekimin e mbesës sonë më të vogël të sapolindur. Ishte një pamje e shenjtë për mua, ndërkohë që bashkëshorti im dhe bijtë tanë, bashkë me shumë njerëz të tjerë të dashur, e rrethuan këtë foshnje të vogël. Ajo qe aq elegante e veshur e gjitha me të bardha – dhe nuk prishte aspak punë se i vunë emrin e dy gjysheve të saj! Por gjëja që më preku më shumë qe bekimi që i dha i ati i saj, biri ynë Zaku. Ai e bekoi Anabel Elenën e vogël që ajo të mund të kuptonte identitetin e saj si një bijë e Perëndisë, që ajo të mund të ndiqte shembujt e nënës, gjysheve dhe motrës së saj dhe që ajo të mund të gjente gëzim të madh ndërsa do të jetonte një jetë të virtytshme e do të përgatitej për të bërë e mbajtur besëlidhjet e shenjta të tempullit. Në atë çast të shenjtë, u luta që çdo e re të mund të rrethohej, forcohej e mbrohej nga fuqia e drejtë e priftërisë, jo vetëm në kohën e lindjes e të bekimit por gjatë gjithë jetës.

Gjatë mbledhjes solemne në konferencën e fundit kur Presidenti Uhtdorf bëri thirrje për të mbështetur profetin dhe Presidencinë tonë të Parë të re, unë pashë gjithë kongregacionin e vëllezërve të priftërisë të ngrihej në këmbë e të qëndronte. Unë ndjeva forcën tuaj dhe fuqinë tuaj të priftërisë. Ju jeni rojtarët e virtytit. Më pas mua më mposhti emocioni kur ai tha: “Ju lutem të ngrihen të rejat.” Nga vendi im, unë ju pashë të gjitha ju të ngriheni në këmbë e të qëndroni së bashku. Sot nuk mund të ketë një forcë më të fuqishme për virtytin në botë. Asnjëherë nuk duhet ta nënvlerësoni fuqinë e ndikimit tuaj të drejtë.

Unë dëshmoj se është i mundur një kthim tek virtyti, për shkak të shembullit të Shpëtimtarit dhe “virtytit të pafundmë të sakrificës së Tij të madhërishme e shlyese”22. Unë dëshmoj se ne do të aftësohemi e forcohemi jo vetëm që të bëjmë gjëra të vështira, por që të bëjmë të gjitha gjërat. Tani është koha që secila prej nesh të ngrihet e t’i shpalosë botës një flamur, duke bërë thirrje për kthim tek virtyti. Jetofshim në atë mënyrë që të mund të jemi vegla për të përgatitur tokën për Ardhjen e Tij të Dytë, “që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai … madje ashtu si ai është i pastër”23. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Alma 20:4.

  2. First Presidency letter, 25 shtator 1996.

  3. Shih Russell M. Nelson, “Personal Preparation for Temple Blessings,”Liahona, korrik 2001, f. 37.

  4. “Eni Shenjtorë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 2.

  5. Shih Gordon B. Hinckley, “An Ensign to the Nations,” Ensign, nëntor 1989, f. 52; Boyd K. Packer, “A Defense and a Refuge,” Liahona, nëntor 2006, f. 85.

  6. Predikoni Ungjillin Tim (2004), f. 122.

  7. Tomas S. Monson, “Shembuj Drejtësie”, Liahona, maj 2008, paragrafi 8.

  8. Shih Alma 47:4–12.

  9. Alma 47:18.

  10. Shih Alexander Pope, An Essay on Man, letra 2, vargjet 217–220.

  11. Alma 53:20; shih gjithashtu Alma 56.

  12. Juma Ikangaa, cituar në Michael Sandrock, Running with the Legends: Training and Racing Insights from 21 Great Runners (1966), f. 415.

  13. “More Holiness Give Me,” Hymns, nr. 131.

  14. DeB 121:45.

  15. Shih DeB 25:13.

  16. DeB 25:10.

  17. DeB 45:32.

  18. Mosia 4:10.

  19. DeB 20:77.

  20. Nenet e Besimit 1:13; shih gjithashtu Romakëve 8:16; 1 Korintasve 3:16; 1 Thesalonikasve 5:22; Jakobi 4:6 [LiM]; Alma 37:36; Moroni 10:32.

  21. Moroni 10:30–31.

  22. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Liahona, prill 2000, f. 2.

  23. Moroni 7:48; theksimi i shtuar.