2008
Krahët e Sigurisë
Nëntor 2008


Krahët e Sigurisë

Duke ardhur përulësisht dhe plotësisht të penduar në mbledhjen e sakramentit dhe duke e marrë denjësisht sakramentin, ne mund t’i ndiejmë ata krahë [të sigurisë] sërish e sërish.

Pamja
Elder Jay E. Jensen

Unë po flas këtë mbrëmje mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe lidhjen e saj me administrimin e sakramentit nga mbajtësit e Priftërisë Aarone, që na i mësoi kaq fuqishëm dhe kaq bukur Plaku Ouks këtë mëngjes. Do të përdor një frazë të shkurtër nga shkrimi i shenjtë, që më ndihmon të përfytyroj mëshirën e Shpëtimtarit. Është fraza “krahët e sigurisë” (shih Alma 34:16).

Të Sigurt në Krahët e Tij

Një familje po bënte fotografi në një pikë vëzhgimi të skajit verior të Kanionit të Madh. Ata dëgjuan britma, vrapuan dhe zbuluan se një vajzë dy-vjeçare kishte shkarë nëpërmjet një parmaku në një buzë shkëmbi rreth 11 metra më poshtë. E vogla përpiqej të ngjitej përsëri sipër, por lëvizjet e saj bënë që ajo të rrëshqste më tej, derisa shkoi rreth 1,5 metra larg një buze të rrezikshme 61 metra të lartë.

Një i ri 19 vjeçar që quhet Jan, e pa se ku ndodhej vajza dhe, duke përdorur stërvitjen për raste urgjente që kishte bërë, dinte si të vepronte në atë situatë. Këto janë fjalët e tij: “‘Më erdhi menjëherë në mendje gjithçka dhe e dija tamam se ç’duhej të bëja. Lashë përtokë aparatin fotografik dhe shkova tek parmaku ku nuk ishte dhe aq pjerrët, e kapërceva atë, u kacavora poshtë një grumbulli gurësh e nëpër kaçube dhe e gjeta atë.’ Duke e mbajtur në krahët e tij për një orë, Jani priti derisa grupet e shpëtimit mundën të hidhnin poshtë litarë” për t’i shpëtuar ata (“Save Her!” New Era, shtator 2007, f. 6). Fraza “duke e mbajtur në krahët e tij” më tërhoqi vëmendjen, sepse shkrimet e shenjta flasin për krahët – krahë dashurie, krahë mëshire dhe krahë sigurie (shih 2 Nefi 1:15; Mosia 16:12; Alma 5:33; DeB 6:20; 29:1).

Fraza e shkrimit të shenjtë “i rrethon me krahët e sigurisë” vjen nga mesazhi i Amulekut drejtuar zoramitëve mbi Shlyerjen e pafundme dhe të përjetshme. Ai u mësoi se sakrifica e Birit të Perëndisë e bëri të mundur që njeriu të ketë besim në Krisht që të na udhëheqë të pendohemi. “Dhe kështu mëshira mund të kënaqë kërkesat e drejtësisë dhe i rrethon me krahët e sigurisë” (Alma 34:16; shih gjithashtu vargjet 9–15).

Mësojuni Parimet Duke Përdorur Objekte Materiale

Për të kuptuar më mirë “krahët e sigurisë” është e rëndësishme të kujtojmë që Shpëtimtari përdori objekte materiale, të tilla si monedha, fara, dele, bukë, peshq dhe pjesë të trupit, për t’u mësuar parimet e ungjillit.

Krahët janë objekte konkrete dhe ne i përdorim për të shprehur dhembshuri dhe dashuri. Kur kthehem në shtëpi nga zyra, më rrethojnë krahët fizikë të bashkëshortes sime. Kam provuar krahë dashurie dhe sigurie gjatë gjithë shërbimit tim në Amerikën Latine me anë të përshëndetjes së zakonshme, un abrazo apo përqafim.

Ndërsa kam medituar se si t’ua mësoj me efikasitet Shlyerjen të tjerëve, fraza “krahët e sigurisë” ka qenë e dobishme. Kur u pagëzuam dhe morëm Frymën e Shenjtë, nëpërmjet vënies së duarve, ne morëm dy ordinanca që na fusin në krahët e sigurisë. Duke ardhur përulësisht dhe plotësisht të penduar në mbledhjen e sakramentit dhe duke e marrë denjësisht sakramentin, ne mund t’i ndiejmë ata krahë sërish e sërish.

Përqasja e Mbledhjes së Sakramentit me Kohën Tonë

Kreu i seksionit 110 të Doktrina e Besëlidhjes na jep kontekstin e një prej vargjeve më me vend për sa i përket shijimit të krahëve të sigurisë. Një ditë Shabati gjatë përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit, Profeti Jozef Smith shpjegoi se ai dhe mbajtës të tjerë të priftërisë i kishin administruar sakramentin Kishës.

Pas kësaj ordinance të shenjtë, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudri u tërhoqën që të luteshin privatisht. Pas lutjes, Shpëtimtari iu shfaq këtyre dy burrave dhe u tha: “Vini re, mëkatet tuaja ju janë falur; ju jeni të pastër përpara meje; si rrjedhim, ngrini kokat tuaja dhe gëzohuni” (DeB 110:5).

Rendi i ngjarjeve në Tempullin e Kirtlandit, në vitin 1836, ngjan me kohën tonë dhe përqaset me ne. Shabat pas Shabati, ju mbajtës të rinj të priftërisë u administroni sakramentin shenjtorëve, që vijnë në mbledhjen e sakramentit plot lutje, të etur për shërim shpirtëror, duke shpresuar, duke u lutur të dëgjojnë në mendje dhe zemra këto fjalë: “Vini re, mëkatet tuaja ju janë falur; ju jeni të pastër përpara meje; si rrjedhim, ngrini kokat tuaja dhe gëzohuni” (DeB 110:5).

Plaku Dallin H. Ouks ka dëshmuar se me sakramentin shoqërohet një pastrim apo shërim shpirtëror: “Sakramenti i Darkës së Zotit është një përtëritje e besëlidhjeve dhe bekimeve të pagëzimit. Ne jemi urdhëruar të pendohemi për mëkatet tona dhe të vijmë tek Zoti me një zemër të thyer e një shpirt të penduar dhe të marrim sakramentin. Kur marrim bukën, ne dëshmojmë se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe që gjithmonë ta kujtojmë Atë e të mbajmë urdhërimet e Tij. Kur ne e mbajmë këtë besëlidhje, Zoti përtërin efektin pastrues të pagëzimit tonë. Ne bëhemi të pastër dhe mund ta kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne” (“Special Witnesses of Christ,” Liahona, prill 2001, f. 14).

Nënkuptimi për Mbajtësit e Priftërisë Aarone

Për të ndihmuar anëtarët që të marrin më plotësisht atë pastrim, apo krahët e sigurisë, ata që mbajnë çelësat për të autorizuar dhe ata që administrojnë sakramentin duhet të sigurojnë që të plotësohen udhëzimet e përgjithshme të manualeve të Kishës në lidhje me përgatitjen, bekimin dhe shpërndarjen e sakramentit. Çdo mbajtës priftërie duhet të kujtojë se ai po vepron në emër të Zotit dhe të jetë nderues dhe me dinjitet. Duke folur në përgjithësi, të rinjtë tanë janë shembullorë. Megjithatë, gjatë administrimit të sakramentit, me raste ne shohim një prirje shqetësuese drejt një veshjeje dhe paraqitjeje tepër rastësore dhe jozyrtare.

Të rinj, përpara se të shkoni në kishë, ju lutem a do të qëndroni edhe një herë para pasqyrës dhe të pyesni veten nëse çdo aspekt i paraqitjes tuaj është në rregull? Më mirë akoma, ftoni dikë që e doni, si për shembull një prind, t’ju shohë edhe një herë dhe nëse diçka është pa vend, mos u bezdisni nga këshilla e tyre.

Shërbëtorët e vërtetë të Jezu Krishtit paraqiten dhe vishen siç duhet, duke pasqyruar gjithmonë standardet e Tij dhe jo prirjet e botës për veshje rastësore. Duke i kushtuar me kujdes vëmendje çdo hollësie sigurohet prania e Shpirtit të Zotit. Veshja apo paraqitja e atyre që administrojnë sakramentin nuk duhet t’u tërheqë vëmendjen atyre që me zell po kërkojnë bekimet e Shlyerjes së pafundme.

Një motiv që gjendet në mesazhet e Presidentit Monson drejtuar neve, mbajtësve të priftërisë, është që të mbash priftërinë është një privilegj: “Kjo është një detyrë për të shërbyer, një privilegj për të lartësuar moralisht dhe një mundësi për të bekuar jetën e të tjerëve” (“Our Sacred Priesthood Trust,” Liahona, maj 2006, f. 57). Unë dëshmoj se kjo zbatohet për administrimin e sakramentit.

Përjetimi i Krahëve të Sigurisë

Ndërsa shërbeja si peshkop, kam dëshmuar bekimet e Shlyerjes në jetën e anëtarëve të Kishës që kishin kryer shkelje serioze. Si një gjykatës në Izrael, unë kam dëgjuar rrëfimet e tyre dhe, kur ka qenë e nevojshme, u kam vendosur kufizime, të tilla si të mos marrin sakramentin për një farë kohe.

Një i ri beqar në moshë madhore në lagjen tonë po dilte në takime njohjeje me një të re. Ai dhe shoqja e tij i lejuan ndjenjat t’u dilnin jashtë kontrollit. Ai mu drejtua mua për këshillë dhe ndihmë. Bazuar në atë që u rrëfye dhe në përshtypjet që pata nga Shpirti, midis të tjerave, ai nuk u lejua të merrte sakramentin për një farë kohe. Ne u takuam rregullisht për të siguruar që u bë pendimi dhe, pas kohës së duhur, unë e autorizova atë që të merrte sërish sakramentin.

Ndërsa qëndroja në panel në atë mbledhje sakramenti, sytë e mi shkuan drejt tij, ndërsa tani e merrte sakramentin denjësisht. Unë dëshmova krahët e mëshirës, dashurisë dhe sigurisë që e rrethonin atë, ndërkohë që shërimi i Shlyerjes i ngrohu shpirtin dhe e hoqi barrën e tij, duke dhënë si rezultat faljen, paqen dhe lumturinë e premtuar.

Shlyerja – një Fuqi Gjithmonë e Pranishme

Unë e kam provuar dhe kam një dëshmi për të vërtetën që na mësoi Presidenti Paker: “Për ndonjë arsye, ne mendojmë që Shlyerja e Krishtit zbatohet vetëm në fund të jetës së vdekshme për shëlbimin nga Rënia, nga vdekja shpirtërore. Ajo është shumë më tepër se kaq. Ajo është një fuqi gjithmonë e pranishme që ta përdorim në jetën e përditshme. Kur ne mundohemi, ose lëndohemi, ose brengosemi nga faji apo rëndohemi nga pikëllimi, Ai mund të na shërojë. Ndërsa nuk e kuptojmë plotësisht se si u bë Shlyerja e Krishtit, ne mund të provojmë ‘paqen e Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie’” (“The Touch of the Master’s Hand,” Liahona, korrik 2001, f. 26).

Unë edua Atin tim Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Unë e vendos besimin tim, dashurinë time, besnikërinë time dhe përkushtimin tim tek Ata. Unë dëshmoj se Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe ne jemi fëmijët e Tij. Unë jap dëshmi se Shlyerja është e vërtetë dhe se ka fuqi në jetën tonë. Unë dëshmoj se ungjilli i rivendosur është i vërtetë. Këto të vërteta gjenden në shkrimet e shenjta, veçanërisht në Librin e Mormonit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.