2008
Sepse Im Atë Lexoi Librin e Mormonit
Nëntor 2008


Sepse Im Atë Lexoi Librin e Mormonit

Unë i ftoj të gjithë që më dëgjojnë sot, të lexojnë Librin e Mormonit dhe të zbatojnë premtimin që përmban ai. Ata që e bëjnë këtë, do ta dinë se libri është i vërtetë.

Pamja
Elder Marcos A. Aidukaitis

Mirëmëngjesi, të dashur vëllezër dhe motra. Ndiej një gëzim dhe nder të thellë ndërsa ju flas sot. Unë lutem që Perëndia të mund të drejtojë fjalët e mia dhe që Shpirti i Tij të mund të jetë me ne në mënyrë që “ai që predikon dhe ai që pranon, [të mund të]… kuptojnë njëri-tjetrin dhe që të dy të lartësohen e gëzohen së bashku” (DeB 50:22).

Unë mendoj se data 2 qershor 1940 është një ditë shumë e rëndësishme në historinë e familjes time. Në këtë ditë im atë u pagëzua në këtë Kishë.

Plaku Xhek Mek-Donald, një nga misionarët që pagëzoi tim atë, në letrën drejtuar babait të tij, e përshkruante ditën me këto fjalë:

“E diela e fundit ishte një ditë veçanërisht e bukur. Ne misionarët dolëm në një vend të veçuar buzë lumit, jashtë në krahinë, dhe aty Plaku Xhons dhe unë [Plaku Mek-Donald] bëmë pagëzimin tonë të parë. Antoni Aidukaitis hyri në ujërat e akullta dhe u bë anëtar i Kishës … Gjithçka ishte e përsosur. Qielli aq blu, fshati aq i qetë, aq i gjelbër dhe aq i bukur saqë asnjëri prej nesh nuk mund të mos ndiente praninë e një lloj ndikimi të madh.

[Ndërsa po ecnim] me anëtarin tonë të ri, ai tha se ai thjesht nuk mund ta shpjegonte sesa e mrekullueshme kishte qenë ajo ditë për të; sesi ai ndjehej në të vërtetë si një njeri i ri. … Ai ishte pagëzimi ynë i parë – jo nga përpjekjet e mia apo të dikujt tjetër. Ai vetë e ktheu veten e tij në besim.”

Kjo ngjarje ndryshoi historinë e jetës sime. Unë nuk jam i sigurt nëse im atë ishte në gjendje të parashihte urtësinë e veprimit të tij, por unë e dua atë për çfarë ai bëri atë ditë. Ai ndërroi jetë mbi 30 vjet më parë, por unë do ta nderoj dhe bekoj emrin e tij përgjithmonë.

Im atë ishte bir lituanezësh, por ai u lind në Skoci. Ai u zhvendos në Brazil ndërsa ishte akoma i ri. Aftësia e tij për të folur anglisht e lehtësoi kthimin e tij në besim, meqenëse ai mund ta lexonte Librin e Mormonit në anglisht ndërsa nuk kishte akoma një përkthim të besueshëm në portugalisht. Ky problem me gjuhën e pengoi mamanë time të bashkohej me Kishën për disa vite, por kur ajo u bashkua me të, ajo u bë një shembull i fuqishëm i përkushtimit ndaj të tjerëve dhe i dashurisë për Perëndinë në familjen tonë. Tashmë ajo është 92 vjeçe dhe është këtu sot. Më sjell gëzim të madh të them që unë e dua atë për besnikërinë e saj të madhe. Unë gjithashtu do ta nderoj dhe bekoj emrin e saj përgjithmonë.

Unë e admiroj kurajën e atit tim për t’u pagëzuar në Kishë, pavarësisht rrethanave që ai ndeshi në atë kohë. Nuk ishte e lehtë për të. Bashkëshortja e tij nuk u pagëzua me të. Veset e pirjes së alkoolit dhe duhanit ishin tundime të mëdha për të. Ai ishte i varfër. Nëna e tij ishte kundër bashkimit të tij me Kishën dhe i tha se nëse pagëzohej, ajo nuk do ta konsideronte më djalin e saj. Me më pak se 300 anëtarë në Brazil, Kisha nuk kishte as edhe një sallë të vetme sakramenti atje. Unë me të vërtetë jam i habitur nga vendosmëria dhe kuraja e atit tim.

Si mund të ndërmerrte një vendim të këtillë përballë kaq shumë rrethanash të papërshtatshme? Përgjigjja është e thjeshtë: ndodhi sepse im atë lexoi Librin e Mormonit. Kur ai e lexoi atë, ai arriti të mësonte vërtetësinë e mesazhit të Rivendosjes. Libri i Mormonit është një provë që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë. “Predikoni Ungjillin Tim” na mëson që “Libri i Mormonit, i ndërthurur me Shpirtin, është burimi … më i fuqishëm në procesin e kthimit në besim” ([2004], f. 108).

Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli: “Ata që kanë lexuar [Librin e Mormonit] plot lutje, qofshin ata të pasur apo të varfër, të arsimuar ose jo, janë rritur nën fuqinë e tij. …

… Pa asnjë rezervë unë ju premtoj se, në qoftë se ju do ta lexoni plot lutje Librin e Mormonit, pavarësisht se sa herë e keni lexuar atë më parë, në zemrat tuaja do të vijë … Shpirti i Perëndisë. Do të vijë një vendim i përforcuar për t’ju bindur urdhërimeve të tij dhe një dëshmi më e fortë për realitetin e gjallë të Birit të Perëndisë” (“Predikoni Ungjillin Tim”, artikulli 36617 101, f. 112; “The Power of the Book of Mormon,” Ensign, qershor 1988, f. 6; shih gjithashtu “The Book of Mormon,” Tambuli, tetor 1988, f. 7).

Këto premtime u vërtetuan për atin tim dhe për familjen time. Në përputhje me atë çfarë na është mësuar, ne i lexojmë shkrimet e shenjta familjarisht çdo ditë. Ne kemi vepruar në këtë mënyrë për shumë vite. Ne e kemi lexuar Librin e Mormonit disa herë në shtëpinë tonë dhe ne do të vazhdojmë të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Siç është premtuar, Shpirti i Zotit ka ardhur në zemrat e anëtarëve të familjes sonë dhe ne kemi ndierë një vendim të përforcuar për të ecur me bindje ndaj urdhërimeve të Tij dhe një dëshmi më të fortë të realitetit të gjallë të Birit të Perëndisë.

Kur ju e dini që Libri i Mormonit është i vërtetë, ju e dini që Jozef Smithi u thirr nga Perëndia për t’i rivendosur botës Kishën e Jezu Krishtit. Ju e dini që Jozef Smithi pa Atin dhe Birin. Ju e dini që ka një besim të vetëm dhe një pagëzim të vetëm. Ju e dini se një profet i Perëndisë jeton në tokë sot dhe që ai ka të gjitha çelësat e priftërisë dhe të drejtën për t’i ushtruar ato, siç bëri Pjetri dikur. Ju e dini se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, emri i vetëm me anë të cilit mund t’ju vijë shpëtimi. Ju e dini që Perëndia, Ati, jeton dhe se Ai na do. Ju e dini që plani i Tij i shpëtimit është i përsosur dhe ju keni dëshira të kryeni ordinancat, të jetoni urdhërimet dhe të duroni deri në fund.

Unë ndjehem i trishtuar kur dikush të cilit i është dhënë Libri i Mormonit dhe i janë shpjeguar këto gjëra, akoma refuzon ta lexojë atë. Unë ndjehem i trishtuar që disa njerëz e lejojnë veten e tyre të ndikohen nga të tjerët, nuk pranojnë të hetojnë librin dhe e lënë mënjanë si diçka pa vlerë, pa marrë kurrë pjesë në banketin shpirtëror që ofron ai. Për mua kjo është e pakuptueshme. Është sikur një bir ose bijë e ndarë nga një at i dashur, nuk pranon të lexojë një letër prej tij, madje as të hapë zarfin. Ata që bëjnë një zgjedhje të këtillë janë si fëmijët e pabindur që nuk pranojnë as ta provojnë ushqimin e përgatitur për ta nga nëna e tyre e dashur.

Perëndia e zbulon të vërtetën e Tij kur njerëzit ndjekin porosinë e Moronit tek Moroni 10:3–5. “Predikoni Ungjillin Tim” përmbledh udhëzimin e Moronit si vijon:

  • Një, “[lexoni] Librin e Mormonit dhe [meditoni] mesazhin e tij në lidhje me Jezu Krishtin”.

  • Dy, “[lutiuni] Perëndisë me besim në Jezu Krisht për të marrë një dëshmi se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe se Jozef Smithi është profeti i Rivendosjes”.

  • Tre, “[lutuni] sinqerisht dhe të [keni] një qëllim të vërtetë, që do të thotë … qëllim të [veproni] sipas përgjigjes që [merrni] nga Perëndia” (f. 115).

Për ata që mund të mos pranojnë se ne mund t’i dimë këto gjëra, unë u dëshmoj se ne mundemi, kur ne jemi mjaftueshëm të përulur për të bërë si Perëndia na ka udhëzuar nëpërmjet profetëve të Tij mbi këtë tokë. Të besosh të kundërtën do të thotë të pranosh idenë e pakuptimtë se Perëndia nuk e di se ku mund të gjendet e vërteta ose nuk ka fuqinë për të na e treguar neve. Vetëm sepse dikush nuk ka vepruar sipas premtimit të këtij libri nuk do të thotë që të tjerë nuk kanë vepruar ashtu.

Përse e dua dhe e nderoj emrin e atit tim? Sepse im atë e lexoi dhe veproi sipas premtimit të Librit të Mormonit. Përse e dua dhe e nderoj emrin e atit tim? Sepse ai nuk u zmbraps nga përgjigja që mori, madje edhe ndërsa përballej me vështirësi të mëdha. Përse e dua dhe e nderoj emrin e atit tim? Sepse ai bekoi jetën time, që para se të lindesha, duke pasur kurajën për të bërë atë që Perëndia priste që ai të bënte.

Unë i ftoj të gjithë që më dëgjojnë sot, të lexojnë Librin e Mormonit dhe të zbatojnë premtimin që përmban ai. Ata që e bëjnë këtë, do ta dinë se libri është i vërtetë.

Unë jap dëshminë time se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Për këtë arsye, unë e di që Jozef Smithi është një profet i Perëndisë. Unë e di se ai nuk e shkroi Librin e Mormonit por e përktheu atë me anë të fuqisë së Perëndisë. Unë e di që Tomas S. Monsoni është profet i Perëndisë mbi tokë sot, i vetmi njeri mbi tokë që mban të gjitha çelësat e priftërisë dhe ka të drejtën për t’i ushtruar ato. Unë e di se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe se Ai jeton. Unë e di se Perëndia jeton dhe na do. Në emër të Jezu Krishtit, amen.