2008
Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë
Nëntor 2008


Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë

Mënyra si reagojmë ndaj fatkeqësisë, mund të jetë një faktor madhor në atë se sa të lumtur dhe të suksesshëm do të jemi në jetë.

Pamja
Elder Joseph B. Wirthlin

Kur isha i ri, më pëlqente të luaja në sporte dhe kam shumë kujtime të dashura të atyre ditëve. Por jo të gjitha ato janë të pëlqyeshme. Më kujtohet një ditë, pasi skuadra ime e futbollit amerikan kishte humbur në një ndeshje të ashpër, unë erdha në shtëpi duke u ndjerë i shkurajuar. Nëna ime ishte aty. Ajo e dëgjoi historinë time të trishtuar. Ajo u mësoi fëmijëve të saj të kishin besim në vetvete dhe tek njëri-tjetri, të mos fajësonin të tjerët për fatkeqësitë e tyre dhe të bënin përpjekjet më të mira në çdo gjë që orvateshin të bënin.

Kur ne dështonim, ajo priste nga ne të ngriheshim moralisht dhe të ecnim përsëri. Kështu, këshilla që nëna ime më dha atëherë, nuk ishte e gjitha e papritur. Ajo ka qenë me mua gjatë gjithë jetës sime.

“Jozef,” thoshte ajo, “le të ndodhë ç’të ndodhë, duaje atë.”

Shpesh kam medituar mbi atë këshillë.

Mendoj që ajo mund të ketë nënkuptuar që çdo jetë njerëzore ka maja, dhe hije, dhe kohë kur duket se zogjtë s’këndojnë e kambanat nuk jehojnë. Përsëri, pavarësisht shkurajimit dhe vështirësisë, ata që janë më të lumturit duket se kanë një mënyrë të mësuari nga periudhat e vështira, duke u bërë si rrjedhim më të fortë, më të zgjuar dhe më të lumtur.

Disa mund të mendojnë që Autoritetet e Përgjithshme rrallë përjetojnë dhimbje, vuajtje ose shqetësim. Ah, sikur të ishte e vërtetë! Ndërsa çdo burrë dhe grua në këtë podium sot ka përjetuar me tepri një masë gëzimi, çdonjëri gjithashtu ka pirë thellësisht nga kupa e zhgënjimit, dhimbjes dhe humbjes. Zoti në urtësinë e Tij nuk mbron asnjë nga hidhërimi ose brenga.

Për mua, Zoti i ka hapur dritaret e qiellit dhe ka derdhur bekime mbi familjen time përtej aftësisë sime shprehëse. Përsëri, ashtu si çdokush tjetër, kam pasur në jetën time periudha kur dukej që rëndimi në zemrën time ishte më i madh se ç’mund të duroja. Gjatë atyre periudhave unë kthehem e mendoj për ato ditë të ëmbla të rinisë sime kur hidhërime të mëdha ishin humbja e një ndeshje futbolli amerikan.

Sa pak dija atëherë për atë që më priste në vitet e mëvonshme! Por kurdoherë që hapat e mi më çonin përmes stinëve të hidhërimit e brengës, fjalët e nënës sime shpesh më kujtoheshin: “Le të ndodhë ç’të ndodhë, duaje atë”.

Si mund t’i duam ditët që janë të mbushura me hidhërim? Ne nuk mundemi – të paktën jo në atë çast. Unë nuk mendoj që nëna ime po sugjeronte që të ndrydhim shkurajimin ose të mohojmë realitetin e dhimbjes. Unë nuk mendoj që ajo po sugjeronte që ne t’i mbulonim të vërtetat e pakëndshme nën një mantel lumturie të shtirur. Por unë vërtet besoj se mënyra si reagojmë ndaj fatkeqësisë, mund të jetë një faktor madhor në atë se sa të lumtur dhe të suksesshëm do të jemi në jetë.

Nëse ne i afrohemi me mençuri fatkeqësive, periudhat tona më të vështira mund të jenë periudhat me vlerë më të madhe, të cilat, më pas si rezultat, mund të na çojnë drejt periudhave të lumturisë më të madhe.

Përgjatë viteve kam mësuar disa gjëra që më kanë ndihmuar përmes periudhave të vënies në provë dhe të provimit. Do të doja t’i ndaja ato me ju.

Mësoni të qeshni

Gjëja e parë që ne mund të bëjmë është të mësojmë të qeshim. A keni parë ndonjëherë një shofer të zemëruar i cili, kur dikush tjetër bën një gabim, kundërpërgjigjet sikur personi t’i ketë ofenduar nderin, familjen, qenin apo paraardhësit e tij që nga Adami? Ose a ju ka ndodhur ndonjë përplasje me një kanat të pjesës së dalë të bufesë lënë hapur në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar, i cili u sha, u mallkua dhe iu mor haku nga viktima kokëvrarë?

Ka një kundërhelm për kohë të tilla: mësoni të qeshni.

Më kujtohet që i hipa fëmijët në makinën me portobagazh dhe e ngava atë për në Los Anxhelos. Ishim të paktën nëntë vetë në makinë dhe ne pa asnjë dyshim humbëm. Në vend që të zemëroheshim, ne qeshëm. Sa herë që merrnim kthesën e gabuar, ne qeshnim akoma më fort.

Të humbnim rrugën nuk ishte diçka e pazakontë për ne. Njëherë, ndërsa ishim drejtuar për në jug të qytetit Sidër, Juta, ne morëm kthesën e gabuar dhe nuk arritëm ta kuptonim këtë deri dy orë më vonë kur pamë tabelat “Mirëserdhët në Nevada”. Ne nuk u zemëruam. Ne qeshnim dhe, si pasojë, rrallë u pushtuam nga zemërimi dhe mëria. Qeshja jonë krijoi kujtime fort të dashura për ne.

Më kujtohet kur një nga vajzat tona doli në një takim me dikë që nuk e njihte. Ajo ishte e tëra e pispillosur duke pritur burrin që do të takonte, kur ra zilja e derës. Brenda hyri një burrë që dukej paksa i moshuar, por ajo u përpoq të ishte e sjellshme. Ajo e prezantoi atë me mua e gruan time dhe fëmijët e tjerë, pastaj veshi pallton dhe doli nga dera. Ne vështruam ndërsa hipte në makinë, por makina nuk lëvizte vendit. Përfundimisht, vajza jonë doli nga makina, dhe, me fytyrë të skuqur, u fut prapë në shtëpi. Burri që ajo mendoi se ishte ai që do të takonte, faktikisht kishte ardhur të merrte një tjetër nga vajzat, e cila kishte rënë dakord të ishte dadoja në familjen e tij.

Ne të gjithë qeshëm fort me këtë. Në fakt, nuk mbanim dot të qeshurin. Më vonë, kur burri i takimit erdhi me të vërtetë, mua nuk më bëhej të dilja ta takoja ngaqë ndodhesha akoma në kuzhinë duke qeshur. Tani e kuptoj që vajza jonë mund të jetë ndier e turpëruar dhe në siklet. Por ajo qeshi bashkë me ne dhe, si rrjedhojë, ne akoma sot qeshim rreth kësaj.

Herën tjetër që tundoheni të ofshani, në vend të kësaj ju mund të përpiqeni që të qeshni. Do të zgjasë jetën tuaj dhe do ta bëjë jetën e të gjithë atyre përreth jush më të gëzueshme.

Kërkoni të Përjetshmen

Gjëja e dytë që ne mund të bëjmë është të kërkojmë të përjetshmen. Ju mund të ndiheni të vetmuar kur fatkeqësitë hyjnë në jetën tuaj. Ju tundni kokën dhe pyesni veten: “Përse mua?”

Por në fakt, radha në rrotën e vuajtjeve i bie secilit prej nesh. Në një kohë apo tjetër, secili duhet të përjetojë hidhërim. Asnjë nuk është i përjashtuar.

Unë i dua shkrimet e shenjta, sepse ato tregojnë shembuj të burrave e grave të mëdhenj e fisnikë si Abrahami, Sara, Enoku, Moisiu, Jozefi, Ema dhe Brigami. Secili prej tyre përjetoi fatkeqësi dhe hidhërim që i vuri në provë, i forcoi dhe u përmirësoi karakterin.

Të mësosh të durosh periudhat e zhgënjimit, vuajtjes dhe hidhërimit, është pjesë e punës sonë stërvitore. Këto përvoja, ndërsa janë shpesh të vështira të durohen në atë kohë, janë pikërisht lloji i përvojave që zgjerojnë kuptimin tonë, ndërtojnë karakterin tonë dhe rrisin dhembshurinë tonë për të tjerët.

Për shkak se Jezu Krishti vuajti së tepërmi, Ai i kupton vuajtjet tona. Ai e kupton brengën tonë. Ne përjetojmë gjëra të vështira në mënyrë që edhe ne të mund të kemi një dhembshuri dhe mirëkuptim më të madh për të tjerët.

Kujtoni fjalët sublime të Shpëtimtarit drejtuar Profetit Jozef Smith kur ai vuajti me shokët e tij në errësirën mbytëse të burgut Liberti: “Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;

[Dhe] atëherë, në qoftë i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart; ti do të triumfosh mbi gjithë armiqtë e tu.”1

Me atë këndvështrim të përjetshëm Jozefi u ngushëllua nga këto fjalë, po kështu edhe ne mundemi. Ndonjëherë, pikërisht momentet që duken se na mposhtin me vuajtje, janë ato që në fund do të na lejojnë t’i mposhtim.

Parimi i Kompensimit

Gjëja e tretë që mund të bëjmë është të kuptojmë parimin e kompensimit. Zoti i kompenson besnikët për çdo humbje. Ajo që u është marrë atyre që e duan Zotin, do t’u shtohet atyre sipas vetë mënyrës së Tij. Ndonëse mund të mos vijë atëherë kur dëshirojmë ne, besnikët do ta dinë se çdo lot i sotëm do të kthehet përfundimisht njëqindfish me lot gëzimi dhe mirënjohjeje.

Një prej bekimeve të ungjillit është dija se, kur perdja e vdekjes shënon fundin e jetës sonë të vdekshme, jeta do të vazhdojë në anën tjetër të velit. Mundësi të reja do të jepen. Madje as vdekja nuk mund të na marrë bekimet e përjetshme të premtuara nga një Atë Qiellor i dashur.

Meqenëse Ati Qiellor është i mëshirshëm, parimi i kompensimit triumfon. E kam parë këtë në vetë jetën time. Nipi im, Jozefi, ka autizëm. Ka qenë diçka zemërthyese për nënën e babain e tij të përballeshin me ndërlikimet e kësaj vuajtjeje.

Ata e dinin se Jozefi nuk do të ishte ndoshta kurrë si fëmijët e tjerë. Ata e kuptuan çdo të thoshte kjo jo vetëm për Jozefin, por gjithashtu edhe për familjen. Por ç’gëzim ka qenë ai për ne! Fëmijët autikë shpesh kanë vështirësi të tregojnë emocionet, por sa herë që jam me të, Jozefi më jep një përqafim të fortë. Megjithëse ka pasur vështirësi, ai ka mbushur jetën tonë me gëzim.

Prindërit e tij e kanë nxitur të marrë pjesë në sporte. Kur filloi të luante bejsboll për herë të parë, ai ishte në një fushë të panjohur për të. Por nuk mendoj se ai e kuptoi nevojën për të vrapuar pas topave të hedhur andej-këtej. Ai mendoi ta luante lojën në një mënyrë shumë më frytdhënëse. Kur një top goditej në drejtim të tij, Jozefi e shikonte të kalonte aty pranë dhe atëherë merrte një tjetër top bejsbolli nga xhepi i tij dhe ia hidhte atë flakësit të topave.

Çfarëdo rezervash që mund të ketë pasur familja e tij në rritjen e Jozefit, çfarëdo sakrificash që ata mund të kenë bërë, janë kompensuar njëqindfish. Për shkak të këtij shpirti të zgjedhur, nëna dhe ati i tij kanë mësuar shumë për fëmijët me paaftësi. Ata kanë përjetuar drejtpërsëdrejti bujarinë dhe dhembshurinë e familjes, të fqinjëve dhe të miqve. Ata janë gëzuar së bashku ndërsa Jozefi përparonte. Ata janë mrekulluar me mirësinë e tij.

Vendoseni besimin në Atin dhe Birin

Gjëja e katërt që ne mund të bëjmë është ta vendosim besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin.”2 Zoti Jezu Krisht është partneri, ndihmuesi dhe avokati ynë. Ai do që ne të jemi të lumtur. Ai do që ne të jemi të suksesshëm. Nëse ne bëjmë pjesën tonë, Ai do të na ndihmojë.

Ai që iu nënshtrua të gjitha gjërave, do të na vijë në ndihmë. Ai do të na ngushëllojë dhe do të na mbështesë. Ai do të na forcojë në dobësinë tonë dhe do të na fortifikojë në shqetësimin tonë. Ai do t’i bëjë gjërat e dobëta të bëhen të forta në ju.3

Një prej bijave tona, pasi lindi një foshnjë, u sëmur rëndë. Ne u lutëm për të, administruam bekim për të dhe e mbështetëm me sa mundëm. Ne shpresonim që ajo do merrte bekimin e shërimit, por ditët u kthyen në muaj dhe muajt në vite. Në një pikë të caktuar, i thashë asaj se kjo e keqe mund të ishte diçka me të cilën ajo do të duhej të luftonte për gjithë jetën.

Një mëngjes, më kujtohet që tërhoqa një letër të vogël dhe e vendosa tek makina ime e shkrimit. Mes fjalëve që shkrova për të, ishin këto: “E fshehta e thjeshtë është kjo: Vëre besimin tënd te Zoti, bëj më të mirën, pastaj lërja pjesën tjetër Atij.”

Ajo vërtet e vendosi besimin tek Perëndia. Por e keqja nuk u zhduk. Për vite ajo vuajti, por me kohë, Zoti e bekoi atë dhe përfundimisht ajo u bë e shëndetshme.

Duke e njohur këtë bijë, besoj se edhe sikur ajo të mos kishte gjetur kurrë shërim, përsëri ajo do ta kishte vendosur besimin e saj tek Ati Qiellor dhe do t’ia “[linte] pjesën tjetër Atij”.

Përfundim

Megjithëse nëna ime ka shumë kohë që ka marrë shpërblimin e saj të përjetshëm, fjalët e saj janë gjithmonë me mua. Unë akoma e kujtoj këshillën e saj në atë ditë, shumë kohë më parë kur skuadra ime humbi një ndeshje futbolli amerikan: “Le të ndodhë ç’të ndodhë, duaje atë.”

Unë e di përse duhet të ketë kundërshtim në të gjitha gjërat. Fatkeqësia, nëse merret siç duhet, mund të jetë një bekim në jetën tonë. Ne mund të mësojmë ta duam atë.

Ndërsa kërkojmë të qeshim, synojmë të ardhmen e përjetshme, kuptojmë parimin e kompensimit dhe i afrohemi Atit tonë Qiellor, ne mund t’i durojmë vështirësitë dhe sprovat. Ne mund të themi ashtu si tha nëna ime: “Le të ndodhë ç’të ndodhë, duaje atë.” Dëshmoj për këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. DeB 121:7–8.

  2. Gjoni 3:16.

  3. Shih Ethëri 12:27.