2008
Plotësimi i Qëllimit të Shoqatës së Ndihmës
Nëntor 2008


Plotësimi i Qëllimit të Shoqatës së Ndihmës

Shoqata e Ndihmës u themelua nga Zoti për të organizuar, mësuar dhe frymëzuar bijat e Tij për t’i përgatitur ato për bekimet e jetës së përjetshme.

Pamja
Julie B. Beck

Të dashura motra, ç’pamje e bukur që jeni dhe sa mirënjohëse jemi që ndodhemi me ju! Dashuria dhe vlerësimi ynë për ju janë të thella.

Si presidenci e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, këtë vitin e fundit kemi pasur mundësinë t’ju vizitojmë juve nëpër botë. Ne jemi këshilluar me ju në Gjermani, Danimarkë, Australi dhe Ganë. Ne jemi lutur bashkë me ju në Singapor, Hong Kong, Indi dhe Sri-Lankë. Ne jemi lartësuar dhe ngritur shpirtërisht bashkë me ju në Brazil, Kili, Porto Riko, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

Ne gëzohemi nga dija se ju po e përshkoni vendin duke bërë mirë, ashtu si Shpëtimtari. Ju po bëni një punë madhështore. Megjithatë, ne kemi përshtypjen të themi që duhet bërë më shumë. Ne kemi kërkuar frymëzim nga Zoti që të dimë se si të ndihmojmë priftërinë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë. Është koha për Shoqatën e Ndihmës që të plotësojë qëllimin e vet si kurrë më parë. Që të shkojmë përpara dhe të arrijmë atë që Zoti dëshiron, ne duhet të kuptojmë qartë qëllimin e Shoqatës së Ndihmës.

Unë do të filloj duke rishikuar pak nga historia e Shoqatës së Ndihmës në mënyrë që të shpjegoj se përse u themelua Shoqata e Ndihmës. Pastaj do të përvijoj tre përgjegjësi që ka secila motër e Shoqatës së Ndihmës. Së fundi, do të shpjegoj se si Zoti pret që ne të plotësojmë mandatin hyjnor që kemi marrë, si në nivel vetjak ashtu dhe në nivel organizate.

I. Përse u Themelua Shoqata e Ndihmës

Është e pamundur të kuptojmë se përse kemi një organizatë për gratë në Kishë pa pasur një kuptim të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Zoti, duke i ditur fatkeqësitë që do të ndodhnin në këto ditë të fundit, i foli shërbëtorit të Tij Jozef Smith, i Riu “dhe … i [dha atij] urdhërime …

që besimi …të mund të rritet në tokë;

Që besëlidhja [e Tij] e përjetshme të mund të themelohet;

Që plotësia e ungjillit [të Tij] të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës.”1

Puna e Zotit përmbushet kur ungjilli i Tij i “predikohet çdo kombi dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli”2 dhe kur besëlidhja e Tij e përjetshme vendoset nëpërmjet ordinancave të tempullit.

Ashtu si Shpëtimtari ftoi Marien dhe Martën të kohëve të Dhiatës së Re3 që të merrnin pjesë në punën e Tij, gratë e kësaj periudhe ungjillore kanë një mandat zyrtar për të marrë pjesë në punën e Zotit. Që nga ditët më të hershme të Rivendosjes, gratë qenë aktive në ndihmën për të ndërtuar Kishën duke mbështetur përpjekjet misionare, duke kontribuar në ndërtimin e tempujve dhe duke krijuar komunitete ku shenjtorët të mund të adhuronin së bashku. Organizimi i Shoqatës së Ndihmës në 1842 mobilizoi fuqinë kolektive të grave dhe detyrat e tyre të veçanta për të ndërtuar mbretërinë e Zotit, ashtu si organizimi i kuorumeve të priftërisë u dha burrave përgjegjësi të veçanta.

Që nga organizimi i saj, Shoqata e Ndihmës është përhapur në mbarë botën dhe është quajtur “më e madhja dhe, nga çdo anë, organizata më e mrekullueshme e grave në botë”4. Ne e dimë nëpërmjet Profetit Jozef Smith se Shoqata e Ndihmës ishte një pjesë zyrtare e Rivendosjes dhe se një organizim i ngjashëm për gratë ekzistonte në Kishë në kohët e lashta5. Presidenti Jozef F. Smith u mësoi se Shoqata e Ndihmës ishte “bërë hyjnisht, autorizuar hyjnisht, krijuar hyjnisht, shuguruar hyjnisht prej Perëndisë”6, “sipas ligjit të qiellit”7, për të ndihmuar Zotin “të bëj të ndodhë … jeta e përjetshme e njeriut”8.

Nëpërmjet Shoqatës së Ndihmës, gratë kanë një rol zyrtar në Kishë me përgjegjësi të mëdha, “përfshirë punën në tempull dhe mësimdhënien e ungjillit”9. Më tej, Shoqata e Ndihmës është që të ndihmojë gratë “të mbjellin dhe të rritin … një dëshmi për [Jezu] Krishtin dhe për Ungjillin,”10 “të forcojnë familjen dhe shtëpinë,”11 dhe “të ndjekin të gjitha detyrat familjare”12. Ajo ka përgjegjësinë të kujdeset për “nevojat e të varfrit, të sëmurit dhe nevojtarit,” por Presidenti Jozef F. Smith tha se pjesa më e madhe e punës së saj është “të kujdeset për mirëqenien shpirtërore dhe shpëtimin … e të gjithë anëtareve femra të Kishës”13.

Për ta përmbledhur, qëllimi i Shoqatës së Ndihmës, siç është vendosur nga Zoti, është të organizojë, të mësojë dhe të frymëzojë bijat e Tij për t’i përgatitur ato për bekimet e jetës së përjetshme. Do të doja ta thoja përsëri këtë. Qëllimi i Shoqatës së Ndihmës, siç është vendosur nga Zoti, është të organizojë, të mësojë dhe të frymëzojë bijat e Tij për t’i përgatitur ato për bekimet e jetës së përjetshme.

II. Përgjegjësitë Tona

Për të plotësuar qëllimin e Shoqatës së Ndihmës, Zoti e ka ngarkuar secilën motër të Shoqatës së Ndihmës si dhe organizatën si të tërë, për:

  1. t’u rritur në besim dhe drejtësi vetjake.

  2. të forcuar familjet dhe shtëpitë.

  3. t’i shërbyer Zotit dhe fëmijëve të Tij.

Secila prej këtyre përgjegjësive mbështet dhe përforcon dy të tjerat. Kur rritim besimin tonë, rezultati i asaj përpjekjeje forcon familjen tonë. Kur i shërbejmë Zotit dhe fëmijëve të Tij, rriten besimi ynë dhe aftësia për drejtësi. Të tre përgjegjësitë janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Le të fillojmë me përgjegjësinë e parë.

1. Të Rritemi në besim dhe drejtësi vetjake. Për të bërë pjesën tonë sipas planit të Zotit, ne duhet të rritim besimin tonë dhe drejtësinë vetjake. Anëtarësia në Kishë kërkon besim, të cilin e ushqejmë gjatë tërë jetës sonë me anë “të zellit… dhe të durimit, dhe të durueshmërisë”14 së madhe. Në trashëgiminë e përbashkët që ndajmë, ne kemi shembuj të shquar të besimit tek gratë në kohët e para të Kishës. Gratë e para pioniere i dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe i përndoqën për shkak të besimit të tyre. Të tjera i mbijetuan zjarreve dhe përmbytjeve. Ato kapërcyen oqeane dhe ecën mijëra milje, duke duruar baltën, sëmundjet dhe gati vdekjen nga të pangrënët për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Zotit në tokë. Shumë prej tyre varrosën bashkëshortët, fëmijët, prindërit dhe motrat e vëllezërit përgjatë rrugës. Pse e bënë ato këtë? Ato e bënë sepse zjarri i besimit të tyre u digjej në shpirt. Këto gra të shquara nuk po kërkonin rroba të shkëlqyera, rehati më të madhe, shtëpi të mëdha tokësore, apo më shumë zotërime. Ashtu si ju, ato kishin bindje dhe dëshmi se ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit ishte i vërtetë dhe se Zotit i duheshin ato për të bërë pjesën e tyre për vendosjen e mbretërisë së Tij në tokë. Kërkimi i tyre për drejtësi vetjake ishte një përpjekje e përditshme që të bëheshin më tepër si Shpëtimtari nëpërmjet pendimit, studimit të shkrimit të shenjtë, lutjes, bindjes ndaj urdhërimeve dhe nëpërmjet kërkimit të çdo gjëje “të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar”15.

2. Të forcojmë familjet dhe shtëpitë. Përgjegjësia jonë e dytë është të forcojmë familjet dhe shtëpitë. Familjet në të gjithë botën po sulmohen dhe dobësohen nga praktika të korruptuara dhe mësime të rreme. Prandaj, qoftë nëse jemi të martuara apo beqare, të moshuara apo të reja, ne kemi detyrë të mbrojmë dhe zbatojmë të vërtetat që gjenden tek “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”.

Presidencia e Parë ka këshilluar: “Sado të denja dhe të përshtatshme qofshin kërkesat ose aktivitetet e tjera, ato nuk duhet të lejohen të zëvendësojnë detyrat e caktuara hyjnisht që vetëm prindërit dhe familjet mund t’i kryejnë ashtu si duhet.”16 Fëmijët që po lindin tani po rriten në një botë me gjithmonë e më shumë mëkate. Shtëpitë tona duhet të jenë strehimi i tyre nga ndeshjet e përditshme që kanë me të ligën.

Shoqata e Ndihmës duhet të organizohet, rreshtohet dhe mobilizohet për të forcuar familjet dhe ndihmuar shtëpitë tona të jenë shenjtërore të shenjta nga bota. E mësova këtë vite më parë kur isha e sapo martuar. Prindërit e mi, që kishin qenë fqinjët e mi, njoftuan se do të zhvendoseshin në një pjesë tjetër të botës. Isha mbështetur në shembullin ushqyes, të mençur dhe nxitës të nënës time. Tani ajo do të largohej për një kohë të gjatë. Kjo ndodhi përpara ekzistencës së postës elektronike, makinave të faksit, telefonave celularë dhe kamerave në rrjetin e internetit, dhe shpërndarja e postës ishte mjaft e ngadalshme. Një ditë përpara se ajo të largohej, po qëndroja duke qarë me të dhe e pyeta: “Cila do të jetë nëna ime?” Mamaja u mendua me kujdes dhe, me Shpirtin dhe fuqinë e zbulesës që u vjen grave të këtij lloji, më tha: “Nëse nuk do të kthehem më kurrë, nëse ti nuk do të më shohësh më, nëse nuk do të jem më në gjendje të të mësoj ndonjë gjë tjetër, ti lidhu me Shoqatën e Ndihmës. Shoqata e Ndihmës do të jetë nëna jote.”

Nëna e dinte që, nëse do të isha sëmurë, motrat do të kujdeseshin për mua dhe kur të lindja foshnjat e mija, ato do të më ndihmonin. Por shpresa më e madhe e nënës time ishte që motrat në Shoqatën e Ndihmës do të ishin udhëheqëse të fuqishme, shpirtërore për mua. Që nga ajo kohë unë fillova të mësoj me tepri prej grave me arritje dhe besim.

Tri gra të ndryshme mbajtën thirrjen e presidentes të Shoqatës së Ndihmës në lagjet e mia gjatë viteve që prindërit e mi ishin larg. Alta Çembërlen më ftoi të jepja mësim mbi menaxhimin e kohës dhe organizimin e shtëpisë për motrat e tjera, ndoshta sepse ajo e pa që unë kisha nevojë të përmirësoja ato aftësi. Zhanë Horn më nxiti të përfundoja studimin tim të parë vetjak e serioz të Librit të Mormonit. Norma Hejli më dha detyrat e mija të para në konservimin e ushqimeve dhe më mësoi shumë për shërbimin. Këto gra të mrekullueshme e kuptuan qëllimin e Shoqatës së Ndihmës.

3. T’i Shërbejmë Zotit dhe fëmijëve të Tij. Një përgjegjësi e tretë e të gjitha grave të Kishës është t’i shërbejmë Zotit dhe fëmijëve të Tij. Është interesante për mua që gjatë viteve kur nëna ime qe larg, unë shërbeva si presidente e Fillores në lagje dhe më vonë si presidente e Të Rejave të lagjes. Unë qeshë anëtare e këshillit të lagjes, që punoja nën drejtimin e këshillit të peshkopit. Presidenti Bojd K. Paker na mësoi se “ashtu si [shërbimi i shumë vëllezërve në Priftërinë Aarone] forcon Priftërinë më të Lartë, … të japësh këtë shërbim me bujari [tek Të Rejat dhe Fillorja] është të tregosh përkushtim ndaj Shoqatës së Ndihmës”17. Kur shërbejmë në një tjetër shoqatë ndihmëse, ne nuk lirohemi nga lidhja prej motrash në Shoqatën e Ndihmës. Meqenëse nuk hyjmë apo dalim nga Shoqata e Ndihmës, ne jemi gjithmonë të lidhura me qëllimin dhe përgjegjësitë e Shoqatës së Ndihmës dhe bekohemi nga gjithë mundësitë për të qenë shembuj dhe baresha të mbushura me besim të fëmijëve të Atit tonë.

Shoqata e Ndihmës ka brenda mandatit të saj disa nga mundësitë më të shquara për shërbim në tokë, të cilat janë të disponueshme për të gjitha motrat. Në udhëtimet e mija nëpër botë, kam parë se mijëra e mijëra nga ju që nuk kanë tani ndonjë bashkëshort apo fëmijë, janë një rezervuar i pabesueshëm besimi, talenti dhe përkushtimi. Asnjë nuk është në pozicion më të mirë sesa ju për të punuar në tempuj, për të shërbyer misione, për të mësuar brezin e ri dhe për të ndihmuar ata që janë të shtypur. Zoti ka nevojë për ju.

Gjithashtu jam mrekulluar nga rinia dhe energjia e juve që sapo keni mbërritur në Shoqatën e Ndihmës nga programi i Të Rejave. E kam parë se si zemra juaj është e etur të sjellë ndryshim për mirë në botë. Unë shpesh përfytyroj efektin e asaj që mund të ndodhë në punën e historisë familjare, për shembull, nëse ju ndani aftësitë tuaja teknike me motra më të mëdha në moshë (si unë!). Ne thjesht nuk mund të lejojmë të çojmë dëm fuqinë tuaj rinore dhe energjike duke ju sugjeruar të qëndroni mënjanë, duke vështruar gra më të moshuara dhe me më shumë përvojë të bëjnë gjithë planifikimin, organizimin dhe punën e Shoqatës së Ndihmës.

III. Plotësimi i Qëllimit

Ne mund të bëjmë punën e Zotit sipas mënyrës së Tij kur kërkojmë, marrim dhe veprojmë sipas zbulesës vetjake. Pa zbulesë vetjake, ne nuk mund të kemi sukses. Nëse ia vëmë veshin zbulesës vetjake, ne nuk mund të dështojmë. Profeti Nefi na udhëzon se Fryma e Shenjtë do të na tregojë “të gjitha gjërat që [ne] duhet të [bëjmë]”18. Është profetizuar se në ditët e mëvonshme Zoti do të derdhte Shpirtin e Tij mbi shërbëtorët e shërbëtoret e Tij19. Kjo do të ndodhë ndërsa ne i lejojmë vetes të jemi mjaftueshëm të qetë e mjaftueshëm të pazhurmshëm sa të dëgjojmë zërin e Shpirtit. Plaku Nil A. Maksuell na mësoi se marrja e zbulesës për thirrjen tonë dhe në jetën tonë vetjake “kërkon përpjekje serioze mendore nga ana jonë…. Zbulesa nuk është një çështje që të shtypim butona, por që të shtyjmë veten, shpesh të ndihmuar nga agjërimi, studimi i shkrimit të shenjtë dhe meditimi vetjak.

Mbi të gjitha, zbulesa kërkon që të kemi një shkallë të mjaftueshme të drejtësisë vetjake, kështu që me raste zbulesa të mund të vijë tek i drejti, pa e kërkuar.”20

IV. Përfundim

Presidenti Spenser W. Kimball deklaroi disa vite më parë se “ka një fuqi në këtë organizatë që nuk është ushtruar ende plotësisht për të forcuar shtëpitë e Sionit dhe për të ndërtuar Mbretërinë e Perëndisë – dhe as nuk do të ushtrohet derisa edhe motrat edhe priftëria të rrokin vizionin e Shoqatës së Ndihmës”21. Shoqata e Ndihmës u themelua nga Zoti për të organizuar, mësuar dhe frymëzuar bijat e Tij të përgatiten për bekimet e jetës së përjetshme. Qëllimi ynë është t’i mbështetim gratë e Kishës në përgjegjësitë e tyre vetjake duke siguruar që çdo mbledhje, çdo mësim dhe çdo aktivitet që ndërmarrim t’i ndihmojë ato të rritin besimin dhe denjësinë vetjake, të forcojnë familjet e tyre e shtëpitë e tyre dhe t’i shërbejnë Zotit dhe fëmijëve të Tij.

E vetmja mënyrë si mund ta përmbushim këtë është duke kërkuar, marrë dhe vepruar sipas zbulesës vetjake. Fuqia e vërtetë në këtë lidhje të mrekullueshme motrash të mbarë botës gjendet brenda çdo gruaje. Ndonëse ne mund ta konsiderojmë veten si të dobët dhe të thjeshtë, ne të gjitha ndajmë një trashëgimi fisnike dhe mund të zhvillojmë një besim që të jetë i barabartë me atë të grave të shquara e besnike që kanë ecur para nesh. Ne kemi për të luajtur një rol jetësor në dhënien e ndihmës për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë dhe në përgatitjen për ardhjen e Zotit. Në fakt, Zoti nuk mund ta përmbushë veprën e Tij pa ndihmën e bijave të Tij. Për shkak të kësaj, Zoti pret që ne ta rrisim përpjekjen tonë. Ai pret nga ne të përmbushim qëllimin e Shoqatës së Ndihmës si kurrë më parë. Unë jam mirënjohëse që dëshmoj për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit dhe për një profet të gjallë sot që udhëheq punën e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. DeB 1:17, 21–23.

  2. DeB 133:37.

  3. Shih Lluka 10:38–42.

  4. Boyd K. Packer, “The Circle of Sisters,” Ensign, nëntor 1980, f. 109.

  5. Shih Eliza R. Snow, “Female Relief Society,” Deseret News, 22 prill 1868, f. 1.

  6. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (Melchizedek Priesthood and Relief Society course of study, 1998), f. 184.

  7. DeB 102:4.

  8. Moisiu 1:39.

  9. Dallin H. Oaks, “The Priesthood and the Auxiliaries,” Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, f. 17.

  10. The First Presidency, “Memorandum of Suggestions,” 29 mars 1940, f. 2.

  11. Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, f. 17.

  12. DeB 20:47; shih gjithashtu v. 51.

  13. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 185.

  14. Alma 32:43.

  15. Nenet e Besimit 1:13.

  16. Letër e Presidencisë së Parë e datës 11 shkurt 1999.

  17. Ensign, nëntor 1980, f. 110.

  18. 2 Nefi 32:5.

  19. Shih Joeli 2:29.

  20. Neal A. Maxwell, “Revelation,” First Worldwide Leadership Training Meeting, 11 janar 2003, f. 5.

  21. Spencer W. Kimball, “Relief Society— Its Promise and Potential,” Ensign, mars 1976, f. 4.