2008
Ngrini Atje Ku Ndodheni
Nëntor 2008


Ngrini Atje Ku Ndodheni

Çdo mbajtës priftërie qëndron në një post unik dhe ka një detyrë të rëndësishme që vetëm ai mund ta kryejë.

Pamja
President Dieter F. Uchtdorf

Të dashur vëllezër, jam i nderuar të jem me ju në këtë mbledhje mbarëbotërore të priftërisë. Bashkë me ju, jam kaq mirënjohës që jam në praninë e profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson, dhe Presidentit Ajring. Vëllezër, ne ju falënderojmë për besnikërinë dhe forcën tuaj morale. Është vërtet një privilegj dhe gëzim të jesh pjesë e kësaj vëllazërie të madhërishme.

Ngrini Atje Ku Ndodheni

Disa vite përpara, në shtëpinë tonë të mbledhjeve në Darmshtad, në Gjermani, një grupi vëllezërish iu kërkua të zhvendosnin një piano të madhe nga kisha tek salla kulturore fqinj, ku nevojitej për një aktivitet muzikor. Asnjë nuk ishte transportues profesionist dhe detyra e lëvizjes së këtij instrumenti të dashur por të rëndënëpër kishë për në sallën kulturore dukej gati e pamundur. Kushdo e dinte se kjo detyrë kërkonte jo vetëm forcë fizike por gjithashtu bashkërendim të kujdesshëm. Kishte plot ide, por asnjë nuk mund ta mbante saktësisht të drejtpeshuar pianon. Ata i rivendosnin vëllezërit sipas forcës, gjatësisë dhe moshës përsëri dhe përsëri – por asgjë nuk jepte rezultat.

Kur ata po qëndronin rreth pianos, të pasigurtë se çfarë duhej bërë më tej, një mik i mirë imi, Vëllai Hano Lushin, foli. Ai tha: “Vëllezër, qëndroni së bashku pranë dhe ngrijeni aty ku jeni.”

Kjo dukej shumë e thjeshtë. Sidoqoftë, secili e ngriti atje ku ishte dhe pianoja u ngrit nga toka e lëvizi drejt sallës kulturore si të ishte me forcën e vet. Kjo ishte përgjigja ndaj sfidës. Ata thjesht kishin nevojë të qëndronin pranë së bashku dhe të ngrinin atje ku ishin.

Unë shpesh kam menduar për idenë e thjeshtë të Vëllait Lushin dhe më ka bërë përshtypje vërtetësia e saj e thellë. Sonte unë do të dëshiroja të zgjerohem mbi këtë koncept të thjeshtë: “Ngrini atje ku ndodheni”.

Disa Duan të Udhëheqin, të Tjerë Duan të Fshihen

Megjithëse mund të duket e thjeshtë, të ngresh aty ku ndodhesh është një parim force. Shumë nga mbajtësit e priftërisë që njoh e kuptojnë dhe jetojnë me këtë parim. Ata janë të dëshiruar të përveshin mëngët dhe të shkojnë të punojnë, sido që mund të jetë ajo punë. Ata kryejnë besnikërisht detyrat e tyre të priftërisë. Ata i lartësojnë thirrjet e tyre. Ata i shërbejnë Zotit duke u shërbyer të tjerëve. Ata qëndrojnë pranë së bashku dhe ngrenë atje ku janë.

Sidoqoftë, ka nga ata që ndonjëherë bien ndesh me këtë koncept. Dhe kur e bëjnë këtë, ata duket të bien në një nga dy kampet: ose kërkojnë të udhëheqin, ose kërkojnë të fshihen. Ata lakmojnë ose një kurorë, ose një guvë.

Ata Që Kërkojnë të Udhëheqin

Ata që kërkojnë të udhëheqin mund të ndiejnë se janë të aftë të bëjnë më shumë se sa u është kërkuar aktualisht të bëjnë. Disa mund të mendojnë: “Vetëm të isha peshkop, pa do të mund ta bëja ndryshe.” Ata besojnë se aftësitë e tyre i tejkalojnë shumë thirrjet që kanë. Ndoshta nëse do të ishin në një pozitë të rëndësishme udhëheqëse, ata do të punonin shumë për të bërë një ndryshim. Por ata mendojnë: “Çfarë ndikimi të mundshëm mund të kem thjesht si një mësues shtëpie ose si një këshilltar në kuorumin e presidencisë?”

Ata Që Kërkojnë të Fshihen

Ata që kërkojnë të fshihen mund të ndiejnë se janë tepër të zënë për të shërbyer në Kishë. Kur kisha duhet të pastrohet, kur familja Mendez ka nevojë për ndihmë gjatë transferimit, kur peshkopi i thërret ata të japin mësim në një klasë, ata gjithnjë duket të kenë gati një justifikim.

Njëzet vite më parë, Presidenti Ezra Taft Benson njoftoi për disa informacione nga peshkopë dhe presidentë kunjash se disa anëtarë “nuk po pranojnë thirrje për të shërbyer duke pretenduar se janë ‘tepër të zënë’ ose se ‘nuk kanë kohë’. Të tjerë, i pranojnë thirrje të tilla, por kundërshtojnë t’i lartësojnë ato thirrje”.

Presidenti Benson vijoi duke thënë: “Zoti pret nga secili prej nesh të ketë një thirrje në Kishën e Tij, kështu që të tjerët të mund të bekohen nga talentet dhe ndikimi ynë.”1

Është mjaft e çuditshme që shpesh shkaku kryesor i të dy këtyre prirjeve – të kërkuarit të udhëheqësh dhe të kërkuarit të fshihesh – mund të jetë e njëjta gjë: egoizmi.

Një Mënyrë më e Mirë

Ka një mënyrë më të mirë, të cilën na e ka mësuar Vetë Shpëtimtari: “Dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.”2

Kur kërkojmë t’u shërbejmë të tjerëve, ne motivohemi jo nga egoizmi por nga dashuria. Kjo është mënyra se si e jetoi jetën e Tij Krishti dhe mënyra që një mbajtës i priftërisë duhet ta jetojë të tijën. Shpëtimtari nuk bëhej merak për nderimet e njerëzve; Satani i ofroi atij të gjitha mbretëritë e lavdinë e botës dhe Jezusi e kundërshtoi menjëherë dhe plotësisht ofertën.3 Gjatë gjithë jetës së Tij Shpëtimtari duhet të jetë ndier shpesh i lodhur dhe nën presion, me shumë pak çaste për Veten e tij; megjithatë Ai gjithnjë gjeti kohë për të sëmurët, të dëshpëruarit dhe të shpërfillurit.

Megjithëkëtë shembull të shkëlqyer, ne me tepër lehtësi dhe tepër shpesh mbërthehemi në kërkim të ndereve nga njerëzit më shumë se sa t’i shërbejmë Zotit me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.

Vëllezër, kur të jemi përpara Zotit që të gjykohemi, a do të konsiderojë Ai pozitat që ne kemi mbajtur në botë ose madje në Kishë? A mendoni se titujt e tjerë që kemi pasur, përveç “bashkëshort”, “baba”, apo “mbajtës i priftërisë” do të kenë shumë rëndësi për Të? A mendoni se do të shqetësohet Ai se sa i ngjeshur ishte programi ynë ose se në sa mbledhje të rëndësishme morëm pjesë? A mendoni se suksesi ynë në mbushjen e ditëve tona me takime do të shërbejë si një justifikim për mos kushtimin e kohës për bashkëshorten dhe familjen tonë?

Zoti arsyeton kaq shumë ndryshe nga mënyra jonë e arsyetimit. Ai është i kënaqur me shërbëtorin fisnik, jo me fisnikun që i shërben vetes.

Ata që janë të përulur në këtë jetë do të mbajnë kurora lavdie në tjetrën. Jezusi u mësoi njerëzve Vetë këtë doktrinë kur Ai tregoi historinë e njeriut të pasur që vishte rroba të purpurta luksoze dhe hante çdo ditë ushqime të shtrenjta, ndërsa lypësi Llazar kishte mall thjesht të shijonte thërrimet e tavolinës së të pasurit. Në jetën tjetër, Llazari u shfaq në lavdi në gji të Abrahamit, ndërsa i pasuri ishte hedhur në ferr, ku ai ngrinte sytë lart në mundim.4

Shembulli i Xhon Roui Mojlit

Ky vit shënon 200 vjetorin e lindjes së Xhon Roui Mojlit. Xhoni ishte një i kthyer në Kishë që la shtëpinë e tij në Angli dhe udhëtoi për në Luginën e Solt Lejkut si pjesë e kompanisë së karrocave të dorës. Ai ndërtoi një shtëpi për familjen e tij në një qytet të vogël, një luginë larg Solt Lejk Sitit. Xhoni ishte një gurskalitës i zoti dhe për shkak të kësaj aftësie i ishte kërkuar të punonte në Tempullin e Solt Lejkut.

Çdo të hënë Xhoni linte shtëpinë në orën dy të mëngjesit dhe udhëtonte gjashtë orë për të arritur në kohë në vendin e punës. Të premten ai do ta linte punën në orën pesë në mbrëmje dhe ecte gati deri në mesnatë për të arritur në shtëpi. Ai e bëri këtë vit pas viti.

Një ditë, kur po bënte punët e përditshme në shtëpi, një lopë e goditi në këmbë duke i shkaktuar një thyerje të shumëfishtë. Me mundësi të pakta mjekësore, e vetmja mundësi ishte të priste këmbën e thyer. Kështu, familja e Xhonit dhe miqtë e lidhën mbi një derë dhe, me një sharrë druri, ia prenë këmbën pak centimetra poshtë gjurit.

Me gjithë kirurgjinë e vrazhdë, këmba filloi të shërohet. Me t’u ngritur ndenjur në shtrat, Xhoni filloi të gdhendte një këmbë druri, me një nyje të punuar hollë, që shërbeu si kyç për një këmbë artificiale. Ecja me këtë pajisje ishte e dhimbshme në kulm, por Xhoni nuk u dorëzua, duke formuar durimin e tij deri sa mundi të bënte mbi 35 kilometra udhëtim çdo javë për në Tempullin e Solt Lejkut, ku ai vazhdoi punën e tij.5

Duart e tij skalitën fjalët: “Shenjtëri Zotit”, që qëndrojnë sot si një shenjë e artë për të gjithë ata që vizitojnë Tempullin e Solt Lejkut.

Xhoni nuk e bëri këtë për të marrë lëvdatat e njerëzve. As u shmang ai nga detyra e tij, megjithëse kishte të gjitha arsyet ta bënte këtë. Ai e dinte çfarë priste Zoti që ai të bënte.

Vite më vonë, nipi i Xhonit Henri D. Mojl u thirr si anëtar i Kuorumit të të Dymbëdhjetëve dhe, më në fund, shërbeu në Presidencinë e Parë të Kishës. Shërbimi i Presidentit Mojl në këto thirrje meritonte nderim, por shërbimi i gjyshit të tij Xhon, edhe pse më pak i njohur, është po aq i pëlqyeshëm për Zotin. Karakteri i Xhonit, trashëgimia e tij e sakrificës, shërben si një flamur i besnikërisë dhe një simbol detyre për familjen e tij dhe për Kishën. Xhon Roui Mojl e kapi kuptimin e “ngrini aty ku ndodheni”.

Shembulli i 2,000 Luftëtarëve të Helamanit

Njohja personale rrallë është një tregues i vlerës së shërbimit tonë. Ne nuk i dimë emrat, për shembull, të 2.000 bijve të Helamanit. Si individë, atyre nuk u përmenden emrat. Si grup, gjithsesi, emri i tyre do të kujtohet gjithmonë për ndershmërinë, kurajën dhe gatishmërinë për të shërbyer. Ata përmbushën së bashku atë që askush prej tyre nuk do ta kishte përmbushur dot i vetëm.

Ky është një mësim për ne, vëllezër të priftërisë. Kur ne qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe ngremë aty ku ndodhemi, kur ne kujdesemi më shumë për lavdinë e mbretërisë së Perëndisë se sa për prestigjin apo kënaqësinë tonë, ne mund të përmbushim shumë e shumë më tepër.

Çdo Thirrje Është një Mundësi për të Shërbyer dhe për t’u Rritur

Asnjë thirrje nuk qëndron poshtë nesh. Çdo thirrje jep një mundësi për të shërbyer dhe për t’u rritur. Zoti e organizoi Kishën në një mënyrë që i ofron çdo anëtari një mundësi për shërbim, që, në kthim, çon në rritje shpirtërore vetjake. Cilado qoftë thirrja juaj, unë ju nxit ta shihni atë si një mundësi jo vetëm për të forcuar dhe bekuar të tjerët, por gjithashtu që të bëheni ashtu siç do Ati Qiellor të bëheni.

Kur udhëtoj nëpër kunjat e Sionit me qëllim riorganizimin e ndonjë presidencie kunji, unë jam befasuar ndonjëherë kur, gjatë një interviste, një vëlla do të më thoshte se ai kishte një përshtypje që do të ishte në presidencinë e radhës.

Kur e dëgjova për herë të parë këtë, nuk isha i sigurt se si të sillesha.

U desh një farë kohë para se Fryma e Shenjtë të më jepte kuptimin. Unë besoj se Zoti ka një thirrje të caktuar për secilin. Ndonjëherë Ai jep shtyrje shpirtërore duke na treguar se ne jemi të denjë të marrim thirrje të caktuara. Ky është një bekim shpirtëror, një mirëkuptim zemërmirë nga Perëndia.

Por ndonjëherë ne nuk dëgjojmë pjesën tjetër të asaj që Zoti po na thotë. “Edhe pse ju jeni i denjë të shërbeni në këtë pozitë,” mund të na thotë Ai, “kjo nuk është thirrja ime për ty. Dëshira ime, në vend të kësaj, është që ti të ngresh aty ku je.” Zoti e di cila është më e mira për ne.

Një Detyrë që Vetëm Ju Mund ta Kryeni

Çdo mbajtës priftërie qëndron në një post unik dhe ka një detyrë të rëndësishme që vetëm ai mund ta kryejë.

Ne të gjithë kemi dëgjuar histori se si Presidenti Monson viziton dhe bekon të moshuarit dhe të sëmurët, duke qëndruar gjithnjë pranë nevojave të tyre dhe duke u sjellë atyre inkurajim, ngushëllim dhe dashuri. Presidenti Monson ka një mënyrë të natyrshme sjelljeje që i bën njerëzit të ndihen më mirë me veten e tyre. A nuk do të ishte e mrekullueshme nëse Presidenti Monson do të vizitonte dhe do të mbronte çdo familje në Kishë?

Do të ishte. Por, sigurisht, ai nuk mundet – dhe ai nuk duhet ta bëjë këtë. Zoti nuk i ka kërkuar ta bëjë këtë. Zoti na ka kërkuar neve, si mësues shtëpie, të duam dhe të mbrojmë familjet që na janë caktuar. Zoti nuk i ka kërkuar Presidentit Monson të organizojë dhe të drejtojë mbrëmjen tonë familjare. Ai do që ne, si etër, ta bëjmë këtë.

Ju mund të ndieni se atje ka të tjerë që janë më të aftë ose më me përvojë, që mund të plotësojnë më mirë se ju thirrjet dhe detyrat tuaja, por Zoti ju ka dhënë juve përgjegjësitë tuaja për një arsye. Mund të ketë njerëz dhe zemra që vetëm ju mund t’u afroheni dhe t’i prekni. Ndoshta askush tjetër nuk do të mund ta bëjë atë pikërisht në të njëjtën mënyrë.

Ati ynë Qiellor kërkon që ne ta përfaqësojmë Atë në punën fisnike të ndihmës dhe bekimit të jetës së fëmijëve të Tij. Ai na kërkon të qëndrojmë fort me fuqinë e priftërisë në zemrën dhe shpirtin tonë dhe t’i kushtojmë thirrjes që kemi aktualisht përpjekjet më të mira.

Vëllezër, sado të fortë të jeni, ju nuk mund dhe ju nuk duhet ta ngrini një piano të vetëm. Po njëlloj, asnjë prej nesh nuk mundet, ose nuk duhet, ta çojë përpara punën e Zotit i vetëm. Por nëse ne të gjithë qëndrojmë pranë së bashku në vendin ku Zoti na ka caktuar dhe ngremë aty ku qëndrojmë, asgjë nuk mund ta pengojë këtë punë hyjnore që të rritet dhe të ecë përpara.

Vëllezër, le të pushojmë së aspiruari për poste dhe të pushojmë së tërhequri nga shërbimi për të tjerët.

Le ta kujtojmë gjithnjë këtë mësim të thellë që ne jemi flamurmbajtës të Zotit Jezu Krisht, të ngritur nga Fryma e Shenjtë e Perëndisë, besnikë dhe të vërtetë deri në fund, secili i përkushtuar të japë gjithçka për kauzën e Sionit dhe i lidhur në besëlidhjen për të qëndruar pranë së bashku dhe për të ngritur aty ku ndodhemi.

Për këtë unë lutem dhe ju lë bekimin dhe dashurinë time, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 451–52; shih gjithashtu Ensign, “Provo Tabernacle Rededicated,” dhjetor 1986, f. 70.

  2. Mateu 20:27.

  3. Shih Mateu 4:8–10.

  4. Shih Lluka 16:19–31.

  5. Në Gene A. Sessions, red., “Biographies and Reminiscences from the James Henry Moyle Collection,” daktilografim, Church Archives, The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, f. 203.