2008
Presidenti Monson Njofton Tempuj të Rinj
Nëntor 2008


Presidenti Monson Njofton Tempuj të Rinj

Akoma më shumë anëtarë të Kishës do të marrin bekimet e tempullit pas përfundimit të pesë tempujve të rinj të njoftuar gjatë konferencës së përgjithshme. Presidenti Tomas S. Monson njoftoi plane për tempujt e rinj gjatë fjalës së tij të hapjes në sesionin e së shtunës në mëngjes më 4 tetor 2008.

Tempujt e rinj do të ndërtohen në Kalgari, Alberta, Kanada; Kordovë, Argjentinë; pranë Kanzas Sitit, Misuri, SHBA; Filadelfia, Pensilvani, SHBA; dhe Romë, Itali. Janë siguruar tashmë vendet e ndërtimit të tempujve të rinj.

“Sa ditë e lavdishme është për ne që dëshmojmë njoftimin për pesë tempuj të rinj nga profeti ynë i dashur,” tha Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencinë e Parë, në fjalimin e tij të konferencës pas njoftimit. “Sa ditë e mrekullueshme për të gjithë ne.”

Tempulli në Kalgari, Alberta, Kanada, do të ndërtohet në një tokë, pronë e Kishës, ngjitur me një shtëpi mbledhjesh ekzistuese në pjesën veriperëndimore të qytetit. Ai do të jetë tempulli i tetë në Kanada dhe tempulli i tretë në provincën e Albertës. Tempuj të tjerë në Kanada përfshijnë ata në Halifaks, Nova Skocia; Edmonton, Alberta; Kardston, Alberta; Rexhina Saskaçeuan; Toronto, Ontario; Montreal, Kebek; dhe Vankuver, British Kolumbia (tempulli në British Kolumbia është aktualisht në ndërtim).

Tempulli në Kordovë, Argjentinë, do të ngrihet në vendndodhjen e shtëpisë së mbledhjeve të Belgranos, pranë shtëpisë së tashme të misionit. Ai do të jetë tempulli i 34t në Amerikën Latine dhe tempulli i dytë në Argjentinë. Tempulli i parë në Argjentinë u përkushtua në vitin 1986 në kryeqytetin Buenos Aires.

Rritja e qëndrueshme e Kishës në Shtetet e Bashkuara pasqyrohet në njoftimin e planeve për një tempull në zonën pranë Kanzas Sitit, Misuri, dhe në Filadelfia, Pensilvani. Këta tempuj do t’u shtohen dhjetëra tempujve të tjerë në mbarë Shtetet e Bashkuara. Tempulli që do t’i shërbejë zonës pranë Kanzas Sitit do të ndërtohet në Kontenë Klei, Misuri, brenda kufijve të Kanzas Sitit në zonën e grupit të ndërtesave të reja të banimit të Shoul Krikut. Tempulli në Filadelfia do të ndërtohet në qendër të qytetit, ashtu si me tempuj të tjerë të ndërtuar në zona qytetëse të tilla si Manhatani dhe Hong Kongu.

Shenjtorët në zonën mesdhetare do të përfitojnë shumë nga planet e njoftuara për një tempull në Romë, Itali. Tempulli do të zërë pjesë të një vendi prej 6 ha në pronësi të Kishës pranë unazës në skaj të seksionit verilindor të Romës. Tempulli i njoftuar do të jetë i 12i në Europë. Anëtarët e Kishës në vendet përreth do të përfitojnë nga një kohë udhëtimi më e shkurtër si dhe shpenzime të zvogëluara për udhëtimin.

Tani ka 128 tempuj të përkushtuar në funksionim dhe 17 të tjerë të njoftuar ose në ndërtim e sipër, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tempujve të njoftuar ose në veprim në mbarë botën në 145.