2008
Zemrat Tona Thuren si Një e Vetme
Nëntor 2008


Zemrat Tona Thuren si Një e Vetme

Shenjtorët mund të përmbushin çdo qëllim të Zotit kur janë të bashkuar plotësisht në drejtësi.

Pamja
President Henry B. Eyring

Të dashur vëllezër dhe motra, është një gëzim të mblidhemi me ju në këtë mëngjes Shabati. Ne jetojmë në mjedise shumë të ndryshme. Ne do të vijmë nga çdo komb dhe nga shumë origjina etnike në mbretërinë e Perëndisë. Dhe ky grumbullim i profetizuar do të përshpejtohet.

Ne shohim konfliktin e shtuar midis popujve në botën përreth nesh. Ato ndarje dhe ndryshime mund të na infektojnë. Prandaj mesazhi im i shpresës sot është që një ditë e madhe e unitetit po vjen. Zoti Jehova do të kthehet të jetojë me ata që janë bërë populli i Tij dhe do t’i gjejë ata të bashkuar, në një zemër, të bashkuar me Të dhe me Atin tonë Qiellor.

Ju e keni dëgjuar nga unë atë mesazh të unitetit më shumë se një herë. Ka mundësi që unë të flas për të përsëri në të ardhmen. Unë e kam dëgjuar atë nga çdo profet i Perëndisë gjatë jetës time. Një lutje për unitet ishte mesazhi i fundit që mbaj mend nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei. Profetët e Zotit kanë bërë gjithnjë thirrje për unitet. Nevoja për atë dhuratë që të na jepet dhe sfida për ta ruajtur atë, do të rriten më shumë në ditët që vijnë, kur ne do të jemi të përgatitur si popull për fatin tonë të lavdishëm.

Mesazhi im është që ne po veprojmë më mirë. Baballarë dhe nëna po luten për unitet në shtëpitë e tyre dhe ato lutje po marrin përgjigje. Familje po luten së bashku në mbrëmje dhe në mëngjes. Unë isha ftuar të gjunjëzohesha para se të flinim në një familje kur isha mik në shtëpinë e tyre. Fëmijës më të vogël i kërkuan të bënte lutjen. Ai u lut si një patriark për çdo person në familje, me emër. Unë hapa sytë për një çast që të shihja fytyrat e fëmijëve të tjerë dhe të prindërve. Unë mund të them se ata po bashkonin besimin dhe zemrat e tyre në atë lutje të djalit të vogël.

Disa motra të shoqatës së ndihmës kohët e fundit u lutën së bashku kur po përgatiteshin të vizitonin për herë të parë një vejushë të re, bashkëshorti i së cilës vdiq papritmas. Ato donin të dinin çfarë të bënin dhe si të punonin bashkë për të ndihmuar në përgatitjen e shtëpisë për familjen dhe miqtë që do të vinin në kohën e funeralit. Ato donin të dinin çfarë fjalësh ngushëllimi mund të thoshin për Zotin. Një përgjigje për lutjen e tyre erdhi. Kur ato arritën në shtëpi, secila motër filloi të plotësonte një detyrë. Shtëpia u përgatit aq shpejt sa disa motra ndien keqardhje që nuk kishin çfarë të bënin më shumë. Fjalët e ngushëllimit u thanë në mënyrë të përkryer. Ato i kishin shërbyer Zotit si një e vetme, me zemër të bashkuar.

Ju keni parë fakte, si edhe unë, që ne po përparojmë drejt bashkimit në një. Mrekullia e unitetit po na dhurohet ndërsa ne lutemi dhe punojmë për të në mënyrën e Zotit. Zemrat tona do të thuren së bashku në unitet. Perëndia e ka premtuar këtë bekim për shenjtorët e Tij besnikë, pavarësisht nga ndryshimet në origjinë dhe çfarëdo konflikti që shpërthen përreth tyre. Ai po lutej për ne si dhe dishepujt e Tij kur i kërkoi Atit, që ne të mund të jemi një.1

Arsyeja pse ne lutemi dhe e kërkojmë atë bekim është e njëjta arsye pse Ati e jep atë. Ne e dimë nga përvoja se gëzimi vjen kur ne jemi të bekuar me unitet. Ne jemi të etur, si fëmijë shpirtërorë të Atit Qiellor, për atë gëzim që ne e patëm njëherë me Të në jetën përpara kësaj. Dëshira e Tij është të na e plotësojë atë dëshirë të shenjtë për unitet nga dashuria e Tij për ne.

Ai nuk mund të na e dhurojë atë si individë. Gëzimi i unitetit që Ai dëshiron kaq shumë të na japë nuk është vetëm për individë. Ne duhet ta kërkojmë atë dhe të kualifikohemi për të bashkë me të tjerë. Nuk është e papritur atëherë që Perëndia na nxit të mblidhemi që Ati të mund të na bekojë. Ai na do të mblidhemi në familje. Ai ka krijuar klasa, lagje e degë dhe na ka urdhëruar të takohemi shpesh bashkë. Në ato mbledhje, që Perëndia i ka programuar për ne, gjendet mundësia jonë e madhe. Ne mund të lutemi dhe të punojmë për unitetin që do të na sjellë gëzim dhe do të shumëfishojë forcën tonë për të shërbyer.

Shpëtimtari u premtoi Tre Nefitëve gëzim në unitet me Të si shpërblim të fundit pas shërbimit të tyre besnik. Ai tha: “Ju do të keni gëzim të plotë; dhe ju do të uleni në mbretërinë e Atit tim; po, gëzimi juaj do të jetë i plotë, madje, ashtu sikurse Ati më dha mua plotësi gëzimi; dhe ju do të jeni madje, ashtu sikurse jam unë dhe unë jam madje si Ati; dhe Ati dhe unë jemi një.”2

Zoti na ka dhënë drejtime për të ditur çfarë të bëjmë për të marrë bekimin dhe gëzimin e unitetit që forcohet gjithnjë. Libri i Mormonit tregon për një kohë suksesi. Ishte në kohët e Almës në Ujërat e Mormonit. Ajo që bënë njerëzit në ato rrethana të vështira dhe të rrezikshme na jep neve edhe drejtim edhe kurajo.

Çdo gjë që ishin frymëzuar të bënin Alma dhe populli i tij ishte përqendruar në ndihmën që njerëzit të vendosnin të ndryshonin zemrat e tyre nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Kjo është e vetmja mënyrë që Perëndia mund të japë bekimin e të qenit në një zemër.

Te Mosia lexojmë:

“Dhe që atëherë e tutje ata u quajtën kisha e Perëndisë ose kisha e Krishtit. Dhe ndodhi që kushdo që u pagëzua me anën e fuqisë dhe autoritetit të Perëndisë iu shtua kishës së tij. …

Dhe ai i urdhëroi ata t’u mësonin të tjerëve vetëm gjërat që ai u kishte mësuar dhe që ishin folur nga goja e profetëve të shenjtë.

Po, madje ai i urdhëroi ata, që nuk duhet të predikonin asgjë tjetër përveç pendimit dhe besimit në Zotin që e kishte shëlbuar popullin e tij.

Dhe ai i urdhëroi ata që të mos kishin grindje me njëri-tjetrin, por që të shikonin përpara me një qëllim të vetëm, duke pasur një besim dhe një pagëzim, duke pasur zemrat e tyre të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri-tjetrit.

Dhe kështu ai urdhëroi ata që të predikonin. Dhe kështu ata u bënë fëmijët e Perëndisë.”3

Kjo është pse Alma urdhëroi njerëzit të jepnin mësim për besimin dhe pendimin. Kjo është pse fëmijët e mi presin në çdo mësim në mbrëmje familjare që unë të gjej një mënyrë për të nxitur dikë të dëshmojë për Shpëtimtarin dhe misionin e Tij. Ndonjëherë kjo u bë nga prindërit. Në mbrëmjet tona më të mira ne gjetëm mënyrën të nxitim fëmijët ta bënin atë, qoftë duke dhënë një mësim apo duke iu përgjigjur pyetjeve. Kur dëshmia mbi Shpëtimtarin vinte, Fryma e Shenjtë e vërtetonte atë. Në ato netë ne ndiem zemrat tona të bashkohen.

Përveç ordinancave janë edhe parimet që ne ndjekim si popull, që na çojnë në një unitet edhe më të madh.

Një nga ato parime është zbulesa. Zbulesa është e vetmja mënyrë që të mund të dimë se si të ndjekim së bashku vullnetin e Zotit. Ajo kërkon dritë nga lart. Fryma e Shenjtë do të dëshmojë në zemrat tona dhe zemrat e atyre të mbledhur përreth me ne, atë që Ai kërkon të bëjmë. Dhe është nëpërmjet mbajtjes së urdhërimeve të Tij që ne mund të bashkojmë zemrat tona në një.

Një parim i dytë udhëheqës për përparimin tonë për t’u bërë një, është të jemi të përulur. Krenaria është armiku i madh i unitetit. Ju keni parë dhe ndier efektet e saj të tmerrshme. Pikërisht disa ditë përpara unë pashë se si dy njerëz – njerëz të mirë – filluan me një mosmarrëveshje të lehtë. Ajo filloi si diskutim se si ishte e vërteta, por u bë një grindje se kush kishte të drejtë. Zërat u bënë gradualisht më të lartë. Fytyrat u bënë pak më të skuqura. Në vend që të bisedohej për çështjen, njerëzit filluan të flisnin për veten, duke dhënë fakte përse pikëpamja e tyre, duke patur parasysh përgatitjen dhe aftësinë e tyre të madhe, kishte më shumë gjasa të ishte e drejtë.

Ju do të ishit ndier të alarmuar ashtu si edhe unë. Ne kemi parë efektet jetëshkatërruese të konflikteve të tilla tragjike. Ju dhe unë njohim njerëz që kanë lënë shoqërinë e shenjtorëve për shkak të krenarisë së plagosur.

Lumturisht unë po shoh gjithnjë e më shumë paqebërës të aftë që qetësojnë ujërat e trazuara përpara se të bëhet dëmi. Ju mund të jeni një nga ata paqebërës, qoftë kur jeni në konflikt apo një vëzhgues.

Një mënyrë se si unë e kam parë të arrihet kjo, është të kërkohet diçka mbi të cilën jemi dakord. Që të jeni ai paqebërës, ju keni nevojë të keni një besim të thjeshtë që, si fëmijë të Perëndisë, me gjithë ndryshimet tona, ka të ngjarë që në një opinion të fortë që shprehim, të ketë elementë të së vërtetës. Paqebërësi i madh, rivendosësi i unitetit, është ai që gjen mënyrën të ndihmojë njerëzit të shohin të vërtetën që ata ndajnë. Ajo e vërtetë që ata ndajnë është gjithnjë më e madhe dhe më e rëndësishme për ta se sa ndryshimet. Ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët që të shohin atë të përbashkët nëse kërkoni ndihmë nga Perëndia dhe pastaj veproni. Ai do t’i përgjigjet lutjes tuaj për të ndihmuar në rivendosjen e paqes, ashtu siç i është përgjigjur lutjes time.

Po ai parim zbatohet kur ne ndërtojmë unitetin me njerëz që janë me origjina tepër të ndryshme. Fëmijët e Perëndisë kanë më shumë gjëra të përbashkëta se sa ndryshime. Dhe edhe ndryshimet mund të shihen si një mundësi. Perëndia do të na ndihmojë të shohim një ndryshim tek dikush tjetër jo si një burim acarimi, por si një kontribut. Zoti mund t’ju ndihmojë të shihni dhe të vlerësoni atë që sjell një person tjetër, që juve ju mungon. Më shumë se një herë Zoti më ka ndihmuar të shoh bujarinë e Tij duke më dhënë shoqëri me dikë ndryshimi i të cilit nga unë ishte pikërisht ndihma që më nevojitej. Kjo ka qenë mënyra e Zotit për të shtuar diçka që nuk e kisha, për t’i shërbyer Atij më mirë.

Ajo çon në një tjetër parim të unitetit. Ai është të folurit mirë për njëri-tjetrin. Mendoni për herën e fundit kur ju pyetën se çfarë mendoni mbi atë se si po vepronte dikush në familjen tuaj ose në Kishë. Mua më ka ndodhur më shumë se një herë gjatë javës së kaluar. Tani, ka kohëra që ne duhet të gjykojmë të tjerët. Ndonjëherë neve na kërkohet të shprehim të tilla gjykime. Por më shpesh ne mund të bëjmë një zgjedhje. Për shembull, supozoni se dikush ju pyet se çfarë mendoni për peshkopin e ri.

Ndërsa përmirësohemi gjithnjë e më shumë në farkëtimin e unitetit, ne do të mendojmë për një shkrim të shenjtë kur e dëgjojmë atë pyetje: “Dhe tani, vëllezër të mi, meqë ju e njihni dritën, nëpërmjet së cilës mund të gjykoni, dritë e cila është drita e Krishtit, shikoni të mos gjykoni gabim; pasi me të njëjtin gjykim që gjykoni ashtu do të gjykoheni.”4

Kuptimi se ju i shihni të tjerët në një dritë jo të përkryer, ka gjasa që t’ju bëjë pak më shumë zemërgjerë në atë që thoni. Përveç këtij shkrimi të shenjtë, ju mund të kujtoni nënën tuaj duke thënë, e imja e bënte: “Nëse nuk mund të thuash ndonjë gjë të mirë për një person, atëherë mos thuaj asgjë.”

Kjo do t’ju ndihmojë të kërkoni atë që është më e mira te puna dhe karakteri i peshkopit. Shpëtimtari, si gjykatësi juaj i dashur, me siguri do ta bëjë këtë kur Ai gjykon punën tuaj dhe timen. Shkrimi i shenjtë dhe ajo që dëgjuat nga nëna juaj mund t’ju çojë mirë në përshkrimin e asaj që është më e mira në punën e peshkopit dhe synimin e tij të mirë. Unë mund t’ju premtoj një ndjenjë paqeje dhe gëzimi kur ju flisni me zemërgjerësi për të tjerët në Dritën e Krishtit. Ju do të ndieni, për shembull, unitet me atë peshkop dhe me personin që ju kërkoi mendimin, jo sepse peshkopi është i përkryer, apo sepse personi që ju pyeti ka po ashtu vlerësimin tuaj bujar. Kjo do të jetë sepse Zoti do t’ju lejojë të ndieni vlerësimin e Tij për zgjedhjen që të largoheni nga mundësia e mbjelljes së farës së përçarjes.

Ne duhet të ndjekim po atë parim kur Zoti mbledh shumë e më shumë njerëz që nuk janë si ne. Ajo që do të bëhet më e dukshme për ne është se Shlyerja sjell të njëjtat ndryshime tek të gjithë ne. Ne bëhemi dishepuj që jemi të butë, të dashur, të lehtë për t’u mësuar dhe në të njëjtën kohë të patrembur dhe besnikë në të gjitha gjërat. Përveç këtyre, ne jetojmë në vende të ndryshme, por ne vijmë në Kishë nëpërmjet një procesi që na ndryshon. Ne bëhemi me anë të dhuratës së Shpirtit ajo që Apostulli Pal pa:

“Sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme.

Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë.”5

Me unitetin që unë e shoh të rritet, Zoti do të jetë në gjendje të kryejë atë që botës do t’i duket si një mrekulli. Shenjtorët mund të përmbushin çdo qëllim të Zotit kur janë të bashkuar plotësisht në drejtësi.

Presidentë vendesh, qeveritarë dhe udhëheqës organizatash bamirëse nga mbarë bota na kanë vlerësuar neve, në praninë time, me fjalë si këto: “Kisha juaj u gjend e para në vend për të ndihmuar kur ndodhi shkatërrimi. Qindra nga njerëzit tuaj arritën, të cilët sollën çdo gjë me vete për nevojat e të mbijetuarve. Ata sollën madje edhe çadrat dhe furnizimet e tyre. Ata ishin të palodhur dhe të gëzueshëm. Ata dukej se dinin ku dhe kur të shkonin.” Pastaj është një rresht ku thuhet zakonisht pak a shumë kështu: “Kisha juaj di si të organizojë dhe t’i bëjë gjërat.”

Unë i falënderoj ata pa thënë se mrekullia qëndron jo vetëm në organizimin, por në zemrat e njerëzve. Shenjtorët erdhën në emër të Zotit për të dhënë ndihmën që do të jepte Ai. Ata erdhën të dëgjonin drejtimin e udhëheqësve të zgjedhur nga Zoti. Ngaqë zemrat e tyre ishin të bashkuara, ata u rritën në fuqinë e tyre.

Unë ju sjell dëshminë time solemne që uniteti që po përjetojmë tani do të rritet. Perëndia Ati jeton. Ai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona me dashuri. Shpëtimtari Jezu Krisht, i ringjallur dhe i lavdishëm, jeton dhe na ndihmon neve me mëshirë. Kjo është Kisha e Tij e vërtetë. Presidenti Monson është profeti i gjallë i Perëndisë. Nëse ne jemi të bashkuar në mbështetjen e tij me të gjithë zemrat tona, me bindje të vullnetshme që të bëjmë atë që Perëndia do që ne të bëjmë, ne do të kemi së bashku fuqinë të shkojmë kudo që Perëndia na kërkon të shkojmë dhe të bëhemi ashtu siç Ai do të bëhemi.

Unë ju lë bekimin tim që ju të gëzoni unitet në shtëpitë tuaja dhe në Kishë. Dhe unë ju lë premtimin e Zotit që ju do të keni dëshirën e drejtë në zemrën tuaj për atë gëzim në unitet. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Gjoni 17:21; shih gjithashtu DeB 58:43; 93:3.

  2. 3 Nefi 28:10.

  3. Mosia 18:17, 19–22.

  4. Moroni 7:18.

  5. Efesianëve 2:18–19.