2009
Mësimi dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme
Prill 2009


Mësimi dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme

Përvetësimi i dijes është një proces, një veprimtari gjithëjetësore dhe e shenjtë, e pëlqyeshme prej Atit në Qiell dhe e parapëlqyer nga shërbëtorët e Tij.

Ai që zapton fushën e dijes, duhet t’i afrohet asaj sikurse i shkoi Moisiu ferrishtes që digjej; ai ndodhet në tokë të shenjtë; ai do të mësonte gjëra të shenjta”, tha Presidenti J. Ruben Klark i Riu (1871–1961), anëtar i Presidencisë së Parë, ndërsa fliste në prezantimin e një presidenti të ri për Universitetin “Brigam Jang”. “Ne duhet të vijmë tek ky kërkim i së vërtetës — në të gjitha viset e njohurisë njerëzore cilado qofshin, jo vetëm me nderim, por me shpirt adhurimi.”1

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme ne besojmë tek arsimimi dhe kemi një filozofi se si dhe pse duhet ta ndjekim atë. Besimi ynë fetar mëson se ne duhet të kërkojmë të mësohemi me anë të Shpirtit dhe që të kemi një kujdestari për ta përdorur dijen tonë për dobinë e njerëzimit.

Kërkimi Ynë për të Vërtetën

“Feja [jonë] … [na] nxit të kërkojmë me zell që të zgjerojmë njohuritë”, mësonte Presidenti Brigam Jang (1801–1877). “Nuk ekziston popull tjetër më i etur për të parë, dëgjuar, mësuar dhe kuptuar të vërtetën.”2

Kërkimi ynë për të vërtetë duhet të jetë i gjerë sa veprimtaritë e jetës sonë dhe i thellë aq sa e lejojnë kushtet tona. Një shenjtor i ditur i ditëve të mëvonshme duhet të kërkojë të kuptojë probleme të rëndësishme fetare, fizike, shoqërore dhe politike të kohës. Sa më e shumtë dija që kemi për ligjet qiellore dhe gjërat tokësore, aq më i madh ndikimi që mund të ushtrojmë për mirë ndaj atyre rreth nesh dhe aq më të sigurt do të jemi nga ndikimet gojëprishura e të liga që mund të na hutojnë e të na shkatërrojnë.

Në kërkimin tonë për të vërtetë, na nevojitet ndihma e Atit tonë të dashur Qiellor. Shpirti i Tij mund t’i drejtojë e t’i shtojë përpjekjet tona për të mësuar dhe të zmadhojë aftësinë tonë për të përvetësuar të vërtetën. Kjo e mësuar me anë të Shpirtit nuk kufizohet te klasat apo tek përgatitja për provime shkollore. Ajo zbatohet tek gjithçka që bëjmë në jetë dhe kudo ku e zhvillojmë atë — në shtëpi, në punë dhe në kishë.

Ndërsa kërkojmë të marrim e të vëmë në zbatim udhëheqjen e Shpirtit në një botë të shtyrë prej tendencave dhe çështjeve të ditës, ballafaqohemi me një ortek informacioni shpesh të gabuar e të parëndësishëm, që serviret prej teknologjisë bashkëkohore. Rrezikojmë të bëhemi ata që një vëzhgues i quajti “‘njerëzit-petull’ — me shtrirje të gjerë e të cekët teksa përqasemi me atë rrjet të pafund informacioni që arrihet thjesht me një prekje butoni”.3

Bombardohemi edhe nga prezantues të njohur programesh me intervista, nga psikologë televizivë, revista mode dhe analistë mediash, vlerat e shtrembëruara dhe praktikat e dyshimta të të cilëve mund të ngasin opinionet tona e të ndikojnë sjelljen tonë. Për shembull, Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) tha: “Kurrë nuk ka pasur në botë një kohë kur roli i [grave dhe burrave] të ketë qenë ngatërruar më tepër”.4

Në këtë rrethanë ngatërresa, shkurajimi apo vetëdyshimi mund të fillojnë të gërryejnë besimin tonë dhe të na largojnë nga Shpëtimtari dhe nga ndërtimi i mbretërisë së Tij mbi tokë. Në qoftë se ne i përqendrojmë vendimet tona mbi tendenca dhe udhëzime të botës, do të jemi “të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit” (Efesianëve 4:14).

Pa u ndikuar nga opinioni popullor, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mëson parime. Dallimi është i thellë. Tendencat, moda dhe ideologjia populiste janë fluturake dhe jetëshkurtra. Parimet shërbejnë si spiranca sigurie, drejtimi dhe të vërtete. Nëse i ngulitim idealet dhe drejtimin tonë mbi doktrinën dhe parimet, si besimi tek Zoti Jezu Krishti dhe ndjekja e profetit, ne do të kemi një udhëheqje plotësisht të besueshme e të pandryshueshme për vendimet e jetës sonë.5

Nuk duhet të frikësohemi. Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencinë e Parë, mësoi: “Zoti di qoftë atë që Atij i duhet ta bëni ju, qoftë atë që ju nevojitet të dini. Ai është dashamirës dhe është i gjithëdijshëm. Prandaj, me bindje ju mund të shpresoni se Ai i ka përgatitur mundësitë që ju të mësoni si përgatitje për shërbesën që do të jepni. Ju nuk do t’i kuptoni në mënyrë të përkryer ato mundësi.… Por, kur gjërat shpirtërore i vini të parat në jetën tuaj, ju do të bekoheni që të ndiheni të udhëhequr drejt një mësimi të caktuar dhe ju do të jeni të motivuar për të punuar më fort.6

Denjësia Vetjake

Përpjekjet tona për të mësuar duhen ndërthurur me denjësinë vetjake që ne të marrim udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Duhet të shmangim papastërtinë seksuale, pornografinë dhe varësitë si edhe ndjenjat negative kundrejt të tjerëve apo vetvetes. Mëkati e përzë Shpirtin e Zotit dhe, kur kjo ndodh, ka ikur ndriçimi i veçantë i Shpirtit dhe llamba e të mësuarit regëtin.

Në zbulesën bashkëkohore kemi një premtim që, nëse syri ynë është i drejtuar tek lavdia e Perëndisë, gjë e cila e përfshin denjësinë vetjake, “tërë [trupi ynë] do të [mbushet] me dritë dhe nuk do të ketë errësirë në [ne]; dhe ai trup që mbushet me dritë, kupton gjithçka” (DeB 88:67).

Ne mund ta vërtetojmë këtë parim të përjetshëm nëpërmjet përvojës së afërt vetjake. Sillni ndër mend një herë kur ishit në mëri, kundërshtues apo grindavecë. A mundeshit të studionit me efektshmëri? Morët ndonjë ndriçim të mendjes gjatë asaj periudhe?

Mëkati dhe zemërimi e errësojnë mendjen. Ata krijojnë një gjendje të kundërt me dritën e të vërtetën që e karakterizojnë inteligjencën, e cila është lavdia e Perëndisë (shih DeB 93:36). Pendimi, i cili mund të na pastrojë nga mëkati përmes sakrificës shlyese të Jezu Krishtit, është, pra, një hap i domosdoshëm përgjatë shtegut të të mësuarit, për të gjithë ata që kërkojnë dritë dhe të vërtetë përmes fuqisë mësimdhënëse të Frymës së Shenjtë.

Ne jemi qenie të papërkryera, por secili prej nesh mund të përpiqet të jetë më i denjë për shoqërinë e Shpirtit, e cila do të shtojë aftësinë tonë vetjake të të dalluarit dhe do të na përgatisë për ta mbrojtur më mirë të vërtetën, për t’u qëndruar trysnive shoqërore dhe për të bëre kontribute pozitive.

Arsimimi

Me zgjedhjet tona arsimuese duhet të përgatitemi të mbështesim veten dhe ata që mund të vihen nën varësinë tonë. Është e nevojshme të kemi zotësi që vlejnë në treg. Arsimimi është i detyrueshëm për sigurinë dhe mirëqenien vetjake.

Ati ynë Qiellor pret që ne të përdorim lirinë tonë të zgjedhjes dhe frymëzim për të shqyrtuar veten dhe aftësitë tona dhe të vendosim drejtimin arsimor që duhet të ndjekim. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të rinjtë të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme dhe shërbimin misionar dhe tani janë përballë vendimeve për shkollim dhe punësim të mëtejshëm. Meqë zgjedhjet përballë burrave e grave mund të jenë mjaft të ndryshme, po fillojmë duke parë tek përvojat tona shumë të ndryshme, duke besuar që ato janë tipike për shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme.

Plaku Ouks: Ashtu si ato të shumicës prej djemve të rinj, kërkimet e mia për arsimim zyrtar ishin të zellshme, të vazhdueshme e të motivuara nga kërkesa që të aftësohesha për mbështetjen e një familjeje. Kolegji u pasua nga arsimimi universitar. Kjo paguhej me punë me kohë të pjesshme dhe me huamarrje të cilat duheshin shlyer nga mundësia për pagë të rritur që arrihej prej arsimimit. Në udhë e sipër unë u martova dhe filluam të kishim fëmijë. Mbështetja e një bashkëshorteje dhe përgjegjësia për një familje që rritej i shtuan rezultatet e mia në shkollë dhe më dhanë motiv të fuqishëm për t’u diplomuar dhe për të bërë përpara me punën time të jetës. Me përfundimin e arsimimit tim zyrtar, i kushtova ca hapësirë të porsagjetur kohe të lirë vazhdimit të shkollimit në profesionin tim dhe leximeve plotësuese në lëme të dëshiruar gjatë mbi historinë e Kishës dhe arsimin e përgjithshëm.

Motra Ouks: Shtigjet dhe përvojat arsimuese të grave shpesh janë shumë të ndryshme nga të burrave. U rrita në një kohë kur gratë dukej se kishin vetëm dy zgjedhje për vetëmbështetjen e tyre: mësimdhënien dhe infermierinë. “Problemi” im ishte se unë nuk mora ndonjëherë parasysh asnjë prej tyre. Vetëmbështetja me të ardhura ishte diçka që nuk e quaja të mundshme ose të nevojshme. Më pëlqente të mësoja dhe dija si të punoja; në fakt, më pëlqente të punoja. Kisha shumë punë të sezonit veror dhe më ecte mbarë me shkollën. Kur u zgjova ndaj faktit se duhej të siguroja vetëmbështetje të plotë, u frikësova, thuajse u shtanga, nga sfidat e paparashikuara që sikur po zmadhoheshin në udhën para meje. Nuk kisha ndonjë mjeshtëri të vërtetë pune. Studimet e mia në lëndët filologjike më kishin mbushur në shpirt, por tani më duhej të mbushja kuletën.

Ndoqa studime pasuniversitare që të mësoja aftësi për vetëmbështetje. Më pëlqente çdo minutë mësimi dhe jo vetëm ndesha ide të reja, por zbulova edhe aftësitë që kisha në vetvete. Aty ku isha ndier e druajtur dhe disi e cënueshme, tani ndihesha e aftë dhe e zonja për ta përballuar vetë jetën.

Udhëkryqet

Ne e dimë se asgjë nuk është më turbulluese, sesa të mos dish ç’të bësh me të ardhmen tënde, por asgjë nuk është më shpërblyese personalisht, sesa zbulimi i afësive tuaja vetjake. Lexoni bekimin tuaj patriarkal, mendoni prirjet dhe talentet tuaja të natyrshme dhe shkoni përpara. Hidhni hapin e parë dhe dyert do të hapen. Për shembull, kur Motra Ouks nisi studime për letërsi anglisht, nuk ëndërronte aspak se kjo do ta çonte drejt një shtëpie botuese në Boston. Kur Plaku Ouks studionte kontabilitetin, asnjëherë nuk mendonte se kjo do ta çonte tek arsimimi ligjor, tek Universiteti “Brigam Jang” dhe më pas tek Gjykata e Lartë e Jutas. Për Zotin “të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të [mirën tonë] (Romakëve 8:28), dhe arsimi që marrim vjen me hapa ngritjeje, teksa jeta na shpaloset përpara.

Duhet të zgjedhim me kujdes të mësuarit tonë, sepse të mësuarit ka një afat përdorimi të përjetshëm dhe çfarëdo dijeje ose urtësie të dobishme apo “parimi inteligjence” që fitojmë në këtë jetë, “do të ngrihet me ne në ringjallje” (DeB 130:18).

Është shqetësuese që aq shumë vetë, veçanërisht gra, kanë vetëdyshime dhe dyshojnë në aftësinë e tyre për t’ia dalë mbanë. Në fjalën drejtuar vajzave studente për matematikë, shkenca dhe inxhinieri, në mars të 2005-ës, presidenti i UBJ, Plaku Sisël O. Semuelson i Riu, i të Shtatëdhjetëve, tha: “Një nga profesorët tuaj më ka shprehur… se disa prej jush kanë pak siguri në aftësitë dhe në projektet tuaja tuaj, nga ç’kanë shokët tuaj, edhe kur faktet mund të sugjerojnë se kjo nuk justifikohet. E keni të domosdoshme të njihni talentet, aftësitë, prirjet dhe forcat tuaja e të mos hutoheni lidhur me dhuratat që Perëndia ju ka dhënë.”7

Gratë në veçanti mund të marrin përshtypje negative, kur aspirojnë punëra profesionale. Një motër e re, duke hyrë në të njëzetat e saj të vona, dhe përballë nevojës për vetëmbështetje, shkroi për të marrë këshillë. Në mirëbesim ajo tha se i ishte drejtuar një autoriteti kishtar lidhur me studimet mbi ligjin dhe ai e kishte shkurajuar për këtë. Ne nuk i njohim aftësitë apo kufizimet e saj; këshilla që ajo mori mund të ketë qenë e bazuar mbi to ose mbi frymëzimin e posaçëm ndaj rrethanave të saj. Por përmes faqeve të letrës mund të ndihej vendosmëria e saj dhe ishte e qartë se asaj duhej t’i jepej këshilla të arrinte nivelin e plotë të aftësive së saj.

Presidenti Tomas S. Monson, si pjesë të mesazhit të tij tek mbledhja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës e mbajtur më 29 shtator 2007, u tha grave: “Të mos luteni për detyra të barabarta me aftësitë tuaja, por lutuni për aftësi të barabarta me detyrat tuaja. Atëherë kryerja e detyrave tuaja nuk do të jetë asnjë mrekulli, por do të jeni ju mrekullia.”8

Ne ju paralajmërojmë se, bashkë me nevojën e përfundimit të shkollës dhe të vendosjes së sigurisë për të ardhurat, burrat dhe gratë mund të tundohen t’i japin martesës një përparësi të ulët. Është përjetësisht dritëshkurtër të ndjekësh një udhë profesionale që e bën dikë të padisponueshëm për martesën, një vlerë e përjetshme, vetëm sepse ajo nuk i përshtatet planifikimit profesional, një vlerë e botës.

Një mike shoqëroi të bijën që ajo të shihte shkollat pasuniversitare në perëndim të Shteteve të Bashkuara. E bija, tepër e motivuar dhe e talentuar, e dinte që, duke ndjekur shkollën që zinte për të vendin e parë, do të shkaktonte borxhe të pamasa për arsimimin e saj. Shpesh arsimin më të mirë ia vlen ta paguash, por, në këtë rast, e bija u lut dhe ndjeu që, edhe pse një nivel i lartë borxhi nuk e pengonte të martohej, përfundimisht ai mund ta pengonte të ndërpriste punën, me qëllim që të qëndronte në shtëpi me fëmijët e saj. Jini të matur. Secili nga ne është i ndryshëm. Në qoftë se i kërkoni këshillë, Zoti do t’ju lejojë të dini se ç’është më e mira për ju.

Etja për të Mësuar

Plaku Xhei E. Xhensen, i Presidencisë së të Shtatëdhjetëve, na ka mësuar se neve përherë na duhet “të mbajmë një teh të të mësuarit e të rritjes”.9 Ai teh duhet të mprehet me dëshirën për të mësuar e për t’u udhëhequr nga përparësitë e përjetshme.

Përtej rritjes së kualifikimeve tona profesionale, duhet të dëshirojmë të mësojmë si të bëhemi më të plotë emocionalisht, më të zotë në marrëdhëniet tona personale si dhe prindër e qytetarë më të mirë. Ka pak gjëra më realizuese dhe më argëtuese, sesa të mësuarit e diçkaje te re. Lumturi e madhe, kënaqësi e madhe dhe shpërblime financiare vijnë nga kjo. Arsimi nuk kufizohet me studimin formal. Të mësuarit gjithë jetës, mund ta shtojë aftësinë për të vlerësuar dhe shijuar zhvillimet dhe bukurinë e botës rreth nesh. Ky lloj të mësuari shkon mjaft më tej sesa librat apo një përdorim i zgjedhur i teknologjive të reja, sikurse interneti. Ai përfshin përpjekje me natyrë artistike. Përmban gjithashtu përvoja me njerëz dhe vende: biseda me miq, vizita në muze dhe koncerte si dhe mundësi për shërbim. Ne duhet të zgjerohemi dhe të shijojmë udhëtimin.

Mund të na duhet të mundohemi për të arritur qëllimet tona, por mundi ynë mund të prodhojë po aq rritje sa të mësuarit. Fuqitë që zhvillojmë me kapërcimin e sfidave, do të qëndrojnë bashkë me ne në përjetësitë që vijnë. Nuk duhet të kemi lakmi për ata të cilëve burimet financiare dhe intelektuale ua bëjnë të lehtë. Kauza e rritjes nuk ka konsistuar ndonjëherë në lehtësi, dhe njerëzit të cilët e kanë të lehtë, do t’u duhet ta përjetojnë rritjen me sakrifica të tjera ose të heqin dorë nga përparimi i cili është qëllimi i jetës.

Ç’është më e rëndësishmja, ne kemi detyrimin të vazhdojmë arsimimin tonë shpirtëror me anë të studimit të shkrimeve të shenjta e të literaturës së Kishës dhe duke frekuentuar kishën dhe tempullin. Ushqimi me bollëk me fjalët e jetës do të na pasurojë, do të rrisë aftësinë për të mësuar ata që i duam dhe do të na përgatisë për jetë të përjetshme.

Qëllimi final i një arsimi është të na bëjë prindër dhe shërbestarë më të mirë në mbretëri. Në fund të fundit, është zhvillimi, dija dhe urtësia që arrijmë ne, ajo që zgjeron shpirtin tonë dhe na përgatit për përjetësinë, jo notat në dokumentet e kolegjit. Gjërat e Shpirtit janë gjëra të përjetshme dhe marrëdhëniet tona familjare, të vulosura me anë të fuqisë së priftërisë, janë frytet përfundimtare të Shpirtit. Arsimimi është një dhuratë nga Perëndia; ai është guri i qoshes i fesë sonë, kur ne e përdorim në dobi të të tjerëve.

Shënime

  1. J. Reuben Clark Jr., “Charge to President Howard S. McDonald”, Improvement Era, janar 1946, f. 15.

  2. Brigham Young, “Remarks by President Brigham Young”, Deseret News, 14 mars 1860, f. 11.

  3. Richard Foreman, cituar në Nicholas Carr, “Is Google Making Us Stupid?” Atlantic Monthly, korrik/gusht 2008, f. 63.

  4. Spencer W. Kimball, Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (Melchizedek Priesthood and Relief Society course of study, 2006), f. 222.

  5. Lënda e këtij paragrafi dhe e disa paragrafëve të tjerë më pas në këtë artikull, është marrë nga Kristen M. Oaks, A Single Voice (2008).

  6. Henry B. Eyring, “Education for Real Life”, Ensign, tetor 2002, f. 18–19.

  7. Cecil O. Samuelson Jr., “What Will Be Relevant”, bisedë e pabotuar.

  8. Thomas S. Monson, “Three Goals to Guide You”, Liahona dhe Ensign, nëntor 2007, f. 120.

  9. Letter from Jay E. Jensen to Dallin H. Oaks, e datës 23 prill 2008.

Majtas: Foto nga Craig Dimond; djathtas: ilustrime fotografike nga John Luke, Matthew Reier dhe Christina Smith

Ilustrime fotografike nga Robert Casey, Marina Lukach dhe Craig Dimond

Ilustrime fotografike nga Matthew Reier, Craig Dimond dhe Christina Smith

Kjo e mësuar me anë të Shpirtit nuk kufizohet te klasat apo tek përgatitja për provime shkollore. Ajo zbatohet tek gjithçka që bëjmë në jetë dhe kudo ku e zhvillojmë atë – në shtëpi, në punë dhe në kishë.

Arsimi nuk kufizohet me studimin formal. Të mësuarit gjithë jetës, mund ta shtojë aftësinë për të vlerësuar dhe shijuar zhvillimet dhe bukurinë e botës rreth nesh.