2009
Pa Ndenjur Vonë Natën për të Punuar
Prill 2009


Pa Ndenjur Vonë Natën për të Punuar

Kur erdhi koha të diplomohesha nga shkolla e mesme, zbulova se parimet e ungjillit kishin bekuar jetën time jofetare – po ashtu si atë shpirtërore.

Që kur isha te të rejat, shumica e thirrjeve të mia në Kishë përfshinin t’i jepja mësim fëmijëve të Fillores dhe kjo ndikoi vendimin tim për të vazhduar shkollën për arsimin fillor. Por zgjedhja e fushës kryesore të arsimimit nuk ishte mënyra e vetme se si mësimet e Kishës ndikuan në edukimin tim. Kjo u bë shumë e qartë kur përgatitesha për t’u diplomuar.

Projekti i fundit që duhej të përmbushja ishte një punim përfundimtar që unë duhet ta mbroja në një provim gojor përpara tre vlerësuesve. Vlerësuesit ishin disa nga mësuesit që më kishin dhënë mësim.

Pasi e përfundova punimin me kujdes, unë e kalova një pjesë të mbrëmjes përpara provimit gojor me familjen e të dashurit tim. Kur u largova për të shkuar në shtëpi, nëna e tij tha se shpresonte që gjithçka do të shkonte mirë dhe citoi: “nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni” (DeB 38:30).

Erdhi dita tjetër. Dhjetëra kujtime më kaluan në mendje. Kujtova se si vendosa të lija qytetin ku u rrita që ta çoja më tej arsimimin tim; kujtova gjithë sakrificat që bëri familja ime për ta financuar atë. Nuk mund t’i zhgënjeja ata. Provimi im i fundit duhet të ishte i suksesshëm.

Edhe shokët e mi të klasës po pritnin të jepnin provimin. Të gjithë ishim të shqetësuar për pyetjet që mund të na bënin vlerësuesit, por unë ndjehesha e sigurt, sepse isha lutur për ndihmë dhe sepse e dija që Perëndia e dinte përpjekjen që kisha bërë për ta organizuar, për të bërë kërkime dhe për ta shkruar punimin tim.

Erdhi radha ime. Pasi ia shpjegova punimin tim panelit, fillova t’u përgjigjesha pyetjeve. Pasi kishte bërë disa pyetje mbi temën që kisha trajtuar, një nga vlerësuesit pyeti: “Sa përpjekje ke bërë për këtë punim?”

“Shumë”, u përgjigja. “Iu përkushtova plotësisht sepse doja të sillja ide të reja.”

“Ndenje vonë natën për të punuar?”

“Jo, zakonisht nuk rri vonë natën duke bërë detyrat e shkollës”, i thashë. “Unë e organizoj ditën që ta kryej punën time.”

Fytyrat e vlerësuesve shfaqën hapur habi. I njëjti vlerësues vërejti: “Më duket e çuditshme që duhet të pohosh se nuk ke ndenjur vonë natën. E dimë se shokët e tu të klasës kanë ndenjur, për shumë net.”

Një nga vlerësuesit e tjerë tha: “Më lejo të të flas për këtë studente. Ajo ka kohë për të gjitha. Mund ta them këtë sepse e njoh. Ajo ka kohë për studimet e saj, miqtë e saj, familjen e saj dhe madje shkon dhe në kishë.”

“Vërtet?” u habit përsëri vlerësuesi tjetër. “Në cilën kishë shkon?”

“Unë jam anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”

“Oh po, e di se cila kishë është ajo”, tha njëri.

“Dhe na mësojnë të shkojmë herët në shtrat që të mund të fuqizohemi për ditën tjetër.”

U ndjeva e qetë dhe e sigurt kur flisja për ungjillin, edhe pse isha e habitur që po më pyesnin për fenë gjatë një provimi profesional.

“Punimi yt ishte shkruar me shumë ndjenjë. Është i shkëlqyer. Supozoj se kjo i detyrohet edhe zakoneve që të ka rrënjosur kisha jote.”

“Po”, u thashë. “Më kanë mësuar në kishë si t’u jap mësim fëmijëve dhe kjo vërtet më ndihmoi për diplomën time.”

“Ndjeheshe me këtë temë si peshku në ujë”, bëri shaka një nga vlerësuesit. “Shpresojmë se nuk do të pushosh së shkuari në kishë, sepse u detyrohesh shumë vlerave që ke fituar atje.”

Shpejt më lejuan të dal nga dhoma që vlerësuesit të mund të merrnin vendimin. Dy minuta më vonë më thirrën që të hyja përsëri.

“Nuk qe e vështirë për ne që të binim dakord. Duke pasur parasysh sjelljen tënde shembullore, notat e tua të shkëlqyera dhe punimin që mbrojte sot, vendimi ynë është unanim në favor të diplomimit, me lavdërime. Përgëzime!”

Kur i tregova familjes sime, ata qanë nga gëzimi.

Unë dëshmoj se kur Ati Qiellor na urdhëroi që të “[shkojmë] në shtrat herët, që të mos [jemi] të lodhur; [të ngrihemi] herët, që trupat [tanë] dhe mendjet [tona] të mund të fuqizohen” (DeB 88:124), Ai e bëri këtë me qëllim që të na bekojë. I jam mirënjohëse Atij që lejon që ungjilli të na sjellë lumturi në të gjitha fushat e jetës sonë.

Ilustrim me foto nga Christina Smith.