2009
Mësimdhënia e Doktrinës së Vërtetë
Prill 2009


Mesazhi i Presidencisë së Parë

Mësimdhënia e Doktrinës së Vërtetë

Pamja
President Henry B. Eyring

Ka pasur një luftë ndërmjet dritës dhe errësirës, ndërmjet të mirës dhe të ligës, që para krijimit të tokës. Beteja akoma vazhdon me tërbim dhe viktimat duken në rritje. Të gjithë ne kemi anëtarë të familjes, të cilët i duam, që po goditen nga forcat e shkatërrimtarit, i cili do që t’i bëjë të gjithë fëmijët e Perëndisë të mjerë. Për shumë prej nesh ka pasur net pa gjumë. Ne jemi përpjekur t’i shtojmë me sa mundemi çdo forcë për mirë, forcave që tërbohen përreth njerëzve që janë në rrezik. Ne i kemi dashur. Ne kemi dhënë shembullin më të mirë të mundshëm. Ne jemi përgjëruar për ta në lutje. Një profet i urtë, shumë kohë më parë, na dha një këshillë për një tjetër forcë, të cilën nganjëherë mund ta nënvlerësojmë dhe si rrjedhim ta përdorim tepër pak.

Alma ishte udhëheqësi i një populli që u përball me shkatërrimin nga armiq mizorë. Përballë atij rreziku, ai nuk mund të bënte çdo gjë, kështu që iu desh të zgjidhte. Ai mund të kishte ndërtuar fortifikata, ose të kishte stërvitur ushtritë, ose të kishte prodhuar armatime. Por shpresa e tij e vetme për fitore, ishte të kishte ndihmën e Perëndisë dhe për këtë ai e dinte që njerëzit duhej të pendoheshin. Dhe kështu ai zgjodhi të provonte si fillim një gjë shpirtërore: “Dhe tani, pasi predikimi i fjalës kishte një prirje të madhe ta çonte popullin të bënte atë që ishte e drejtë — po, kishte pasur një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa shpata, ose çdo gjë tjetër që u kishte ngjarë atyre — prandaj Alma mendoi se ishte e nevojshme që ata të provonin virtytin e fjalës së Perëndisë” (Alma 31:5).

Hapja e Mendjeve dhe Zemrave

Fjala e Perëndisë është doktrina që na mësohet nga Jezu Krishti dhe profetët e Tij. Alma e dinte se fjalët e doktrinës kanë fuqi të madhe. Ato mund të hapin mendjet e njerëzve për të parë gjëra shpirtërore, të padukshme për syrin njerëzor. Dhe ato mund të hapin zemrat e njerëzve për ndjenjat e dashurisë së Perëndisë dhe dashurisë për të vërtetën. Shpëtimtari i përdori të dyja këto burime fuqie, për të hapur sytë tanë dhe për të hapur zemrat, në seksionin e 18të të Doktrina e Besëlidhje, kur Ai po u mësonte doktrinën e Tij atyre, të cilët Ai donte t’i shërbenin Atij si misionarë. Ndërsa dëgjoni, mendoni për atë të ri në familjen tuaj që tani po heziton të përgatitet për mision. Ja si i mësoi Mësuesi dy prej shërbëtorëve të Tij dhe si ju mund t’ua mësoni doktrinën e Tij të rinjve që i doni:

“Dhe tani, Oliver Cowdery, unë të flas ty dhe gjithashtu David Whitmer-it në formën e urdhërimit; sepse, vini re, unë i urdhëroj gjithë njerëzit kudo të pendohen dhe unë ju flas juve, sikurse Palit, apostullit tim, ngaqë ju jeni thirrur me të njëjtën thirrje që ai u thirr.

Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (DeB 18:9–10).

Ai fillon duke thënë se sa shumë besim ka tek ata. Pastaj Ai i afron zemrat e tyre tek Vetja, duke u thënë se sa shumë Ati i Tij dhe Ai e duan çdo shpirt. Më pas kalon tek themeli i doktrinës së Tij. Ai përshkruan se sa shumë arsye kemi për ta dashur Atë:

“Sepse, vini re, Zoti, Shëlbuesi juaj vuajti vdekjen në mish; prandaj ai vuajti dhembjen e gjithë njerëzve, që gjithë njerëzit të mund të pendohen e të vijnë tek ai.

Dhe ai është ngritur së vdekuri, që të mund t’i sjellë gjithë njerëzit te vetja, me kushtin e pendimit.

Dhe sa i madh është gëzimi i tij për shpirtin që pendohet!” (DeB 18:11–13).

Pasi u ka dhënë doktrinën e misionit të Tij për të hapur zemrat e tyre, Ai u jep atyre urdhrin e Tij: “Prandaj, ju jeni thirrur t’u shpallni pendim këtyre njerëzve” (DeB 18:14).

Së fundi, Ai hap sytë e tyre për të parë përtej velit. Ai i çon ata dhe neve drejt një jete të re, e përshkruar në planin e madh të shpëtimit, ku ne mund të jemi akoma. Ai na tregon rreth shoqërive të mrekullueshme, për të gëzuar të cilat ia vlen të japim gjithçka tonën:

“Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!

Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!” (DeB 18:15–16).

Në ato pak fragmente, Ai na mëson doktrinën e hapjes së zemrave tona ndaj dashurisë së Tij. Dhe ai na mëson doktrinën e hapjes së syve tanë për të parë të vërteta shpirtërore, të padukshme për çdo mendje të pandriçuar nga Shpirti i së Vërtetës.

Si Duhet të Japim Mësim

Nevoja për të hapur sytë e zemrat na tregon si duhet t’u mësojmë doktrinën. Doktrina e fiton fuqinë e saj, kur Fryma e Shenjtë konfirmon që është e vërtetë. Ne i përgatisim ata që u mësojmë, sa më mirë të mundemi, për të marrë nxitjet e qeta të zërit të vogël, të qetë. Kjo kërkon të paktën ca besim në Jezu Krisht. Kërkon të paktën ca përulësi, ca gatishmëri për t’iu nënshtruar vullnetit të Shpëtimtarit për ne. Personi që ju doni të ndihmoni mund të ketë pak nga secila, por ju mund ta shtyni që ai ose ajo të dëshirojë të besojë. Për më tepër, ju mund të merrni siguri nga një tjetër prej fuqive të doktrinës. E vërteta mund ta përgatisë vetë rrugën e saj [të pranimit]. Thjesht dëgjimi i fjalëve të doktrinës mund të mbjellë farën e besimit në zemër. Madje edhe një farë e vockël e besimit në Jezu Krisht fton Shpirtin.

Ne kemi më tepër kontroll mbi vetë përgatitjen tonë. Ne ushqehemi me fjalën e Perëndisë në shkrimet e shenjta dhe studiojmë fjalët e profetëve të gjallë. Ne agjërojmë dhe lutemi për të ftuar Shpirtin për veten tonë e për personin që duam ta mësojmë.

Meqenëse kemi nevojë për Frymën e Shenjtë, ne duhet të jemi të matur e të kujdesshëm për të mos shkuar përtej mësimdhënies të doktrinës së vërtetë. Fryma e Shenjtë është Shpirti i të Vërtetës. Konfirmimin e Tij e ftojmë duke shmangur spekulimin apo interpretimin vetjak. Kjo mund të jetë e vështirë për t’u realizuar. Ju e doni personin tek i cili po përpiqeni të ndikoni. Ai apo ajo mund të mos e ketë pranuar doktrinën e dëgjuar më parë. Është tunduese të provosh diçka të re apo të bujshme. Por ne e ftojmë Frymën e Shenjtë si shoqëruesen tonë kur jemi të kujdesshëm për t’u mësuar vetëm doktrinën e vërtetë.

Një nga mënyrat më të sigurta për t’iu shmangur madje edhe afrimit pranë doktrinës së rremë është të zgjedhim të jemi të thjeshtë në mësimdhënien tonë. Siguri fitohet nga kjo thjeshtësi dhe pak humbet. Ne e dimë atë sepse Shpëtimtari na ka thënë t’u mësojmë fëmijëve të vegjël doktrinën më të rëndësishme. Dëgjoni urdhrin e Tij: “Dhe përsëri, për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion ose në ndonjë nga kunjat e tij që organizohen, të cilët nuk i mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, kur janë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e prindërve” (DeB 68:25).

Ne mund t’i mësojmë madje edhe një fëmije që të kuptojë doktrinën e Jezu Krishtit. Si rrjedhim është e mundur, me ndihmën e Perëndisë, t’ua mësojmë doktrinën e shpëtimit thjeshtësisht.

Filloni Herët

Ne kemi shans më të madh më të riun/të renë. Koha më e mirë për t’i mësuar është herët, ndërsa fëmijët janë akoma të imunizuar prej tundimeve të armikut të tyre vdekjeprurës dhe shumë më përpara se fjalët e të vërtetës të jenë më të vështira për t’u dëgjuar prej tyre në mes betejave të tyre vetjake.

Një prind i zgjuar asnjëherë nuk do të humbiste mundësinë për t’i mbledhur fëmijët së bashku që të mësonin për doktrinën e Jezu Krishtit. Çaste të tilla janë kaq të rralla krahasuar me përpjekjet e armikut. Për çdo orë që fuqia e doktrinës futet në jetën e një fëmije, mund të ketë qindra orë mesazhesh dhe pamjesh që mohojnë ose injorojnë të vërtetat shpëtuese.

Pyetja nuk duhet të jetë nëse jemi tepër të lodhur që të përgatitemi për t’ua mësuar doktrinën, apo a do të ishte më mirë ta afronim më pranë një fëmijë thjesht duke u argëtuar, apo a ka filluar fëmija të mendojë se predikojmë ca si tepër. Pyetja duhet të jetë: “Me kaq pak kohë dhe kaq pak mundësi, cilat fjalë të doktrinës, nga unë, do t’i forconin ata kundër sulmeve ndaj besimit të tyre, të cilat me siguri do vijnë?” Fjalët që thoni sot mund të jenë po ato që ata do kujtojnë. Dhe e sotmja shpejt do iki.

Vitet kalojnë, ne ua mësojmë doktrinën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe përsëri disa akoma nuk përgjigjen. Ka dhimbje në këtë. Por ka shpresë në pjesët e shkrimeve të shenjta për familjet. Mendoni për Alma të Riun dhe Enosin. Në çastet e tyre të krizës, ata kujtuan fjalët e etërve të tyre, fjalët e doktrinës së Jezu Krishtit (shih Enosi 1:1–4; Alma 36:16–19). Kjo i shpëtoi ata. Mësimdhënia juaj për atë doktrinë të shenjtë do të mbahet mend.

Efektet Afatgjata të Mësimdhënies

Dy dyshime mund të hyjnë vjedhurazi në mendjen tuaj. Ju mund të pyesni veten nëse e dini doktrinën mjaftueshëm mirë për të dhënë mësime mbi të. Dhe nëse jeni përpjekur tashmë për ta dhënë mësim, ju mund të pyesni veten përse nuk mund të shihni dhe aq rezultate të mira.

Në vetë familjen time kemi një histori të një të reje që pati kurajën të fillonte të jepte mësim mbi doktrinën kur ishte vetëm një e sapokthyer në besim me pak arsimim. Fakti që rezultatet e mësimdhënies së saj nuk kanë mbaruar, më jep durimin të pres për frytet e vetë përpjekjeve të mia.

Mari Bomeli ishte stërgjyshja ime. Nuk e kam takuar kurrë atë. Mbesa e saj e dëgjoi t’i tregonte historinë e vet dhe e shkroi atë.

Maria u lind më 1830. Misionarët e mësuan familjen e saj në Zvicër, kur ishte 24 vjeçe. Ajo akoma jetonte në shtëpi, duke thurur e shitur cohë për të ndihmuar në mbajtjen e familjes së saj në fermën e tyre të vogël. Kur familja dëgjoi doktrinën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, ata e dinin që ajo ishte e vërtetë. Ata u pagëzuan. Vëllezërit e Maries u thirrën në misione, të shkonin pa trastë apo para. Pjesa e mbetur e familjes shitën pronat e tyre që të shkonin në Amerikë për t’u bashkuar me shenjtorët.

Nuk kishte mjaftueshëm para që të shkonin të gjithë. Maria doli vullnetare të qëndronte për më vonë sepse ndiente që mund të fitonte mjaftueshëm prej thurjes për të mbajtur vetveten dhe për të kursyer për udhëtimin e saj. Ajo ia doli të shkonte në Berlin dhe në shtëpinë e një gruaje që e punësoi të thurte copë për veshmbathjen e familjes. Ajo jetoi në një dhomë shërbëtoreje dhe e ndërtoi tezgjahun e saj në pjesën e banueshme të shtëpisë.

Atëherë, në Berlin, ishte në kundërshtim me ligjin t’u mësoje doktrinën e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Por Maria nuk mund t’i mbante për vete lajmet e mira. Gruaja e shtëpisë dhe miqtë e saj do të mblidheshin rreth tezgjahut që të dëgjonin vajzën zvicerane të jepte mësim. Ajo fliste për shfaqjen e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, Jozef Smithit, për vizitën e engjëjve dhe për Librin e Mormonit. Kur arriti tek përmbledhja e Almës, ajo u mësoi doktrinën e Ringjalljes.

Kjo shkaktoi disa probleme me punën e saj të thurjes. Në ato ditë shumë fëmijë vdisnin në moshë shumë të vogël. Gratë përreth tezgjahut kishin humbur fëmijë nga vdekja, ca prej tyre disa fëmijë. Kur Maria u mësoi të vërtetën se fëmijët e vegjël ishin trashëgimtarë të mbretërisë çelestiale dhe se ato gra mund të ishin përsëri me ta dhe me Shpëtimtarin e Atin Qiellor, lot rrodhën në faqet e grave. Maria gjithashtu qau. Gjithë ata lot që ranë e lagën rrobën që Maria kishte thurur.

Mësimdhënia e Maries shkaktoi një problem më serioz. Megjithëse Maria iu lut grave të mos flisnin për atë që u kishte treguar, ato folën. Ato e ndanë doktrinën e lumturisë me miqtë e tyre. Kështu që një natë, pati një trokitje në derë. Ishte policia. Ata e çuan Marien në burg. Rrugës ajo e pyeti policin për emrin e gjykatësit para të cilit do të dilte mëngjesin tjetër. Ajo e pyeti nëse kishte familje. Ajo e pyeti nëse ishte një baba i mirë e një bashkëshort i mirë. Polici qeshi ndërsa e përshkroi gjykatësin si një burrë të dhënë pas gjërave tokësore.

Në burg, Maria kërkoi një laps e ca letër. Ajo i shkroi një letër gjykatësit. Ajo i shkroi për Ringjalljen e Jezu Krishtit siç përshkruhet në Librin e Mormonit, për botën e shpirtrave dhe rreth asaj se sa gjatë gjykatësit i duhej të mendonte dhe gjykonte jetën e tij para daljes përballë gjykimit final. Ajo i shkroi se e dinte që ai kishte shumë gjëra për t’u penduar, të cilat do t’i thyenin zemrën familjes së tij e do t’i sillnin atij dhimbje të madhe. Ajo shkroi gjithë natën. Në mëngjes i kërkoi policit t’ia çonte letrën e saj gjykatësit. Ai e çoi.

Më vonë, polici u thirr në zyrë nga gjykatësi. Letra që Maria kishte shkruar ishte një provë e pamohueshme se ajo po u mësonte ungjillin dhe kështu po shkelte ligjin. Pavarësisht kësaj, nuk kaloi shumë kohë derisa polici u kthye tek qelia e Maries. Ai i tha asaj se të gjitha akuzat ishin tërhequr dhe se ishte e lirë të shkonte. Mësimdhënia e saj mbi doktrinën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit kishte hapur sytë dhe zemrat mjaftueshëm sa për ta hedhur atë në burg. Dhe shpallja hapur prej saj e doktrinës së pendimit te gjykatësi, e nxori nga burgu.1

Ndikimi mbi Pasardhësit Tuaj

Mësimdhënia e Mari Bomelit ndikoi më shumë se sa ato gra rreth tezgjahut dhe gjykatësin. Babai im, nipi i saj, më foli mua në netët kur po i afrohej vdekjes. Ai foli për ribashkime të lumtura që do të ndodhnin së shpejti në botën e shpirtrave. Unë pothuaj mund ta shihja dritën e shndritshme të diellit dhe buzëqeshjet në atë vend parajse, ndërsa fliste rreth saj me aq siguri.

Në një pikë, e pyeta nëse i duhej të bënte ndonjë pendim. Ai buzëqeshi. Ai nënqeshi ëmbël ndërsa tha: “Jo, Hal, jam penduar kur duhej përgjatë rrugës.” Doktrina e parajsës që Mari Bomeli u mësoi atyre grave ishte e vërtetë për nipin e saj. Madje, edhe doktrina që Maria i mësoi gjykatësit kishte ndikuar për mirë në jetën e babait tim. Ky nuk do të jetë fundi i mësimeve të Mari Bomelit. Anali i fjalëve të saj do t’ia dërgojë doktrinën e vërtetë brezave të familjes së saj, që akoma nuk kanë lindur. Meqenëse ajo besoi se edhe një i sapokthyer në besim dinte mjaftueshëm doktrinë për t’ua mësuar atë, mendjet dhe zemrat e pasardhësve të saj do të hapen dhe ata do të forcohen në betejë.

Pasardhësit tuaj do t’ua mësojnë doktrinën njëri-tjetrit sepse ju ua mësuat atë. Doktrina mund të bëjë më shumë sesa të hapë mendjet ndaj gjërave shpirtërore dhe zemrat ndaj dashurisë së Perëndisë. Kur ajo doktrinë sjell gëzim dhe paqe, ajo ka gjithashtu fuqinë për të hapur gojën. Si ato gra në Berlin, pasardhësit tuaj nuk do të jenë në gjendje t’i mbajnë për vete lajmet e mira.

Unë jam mirënjohës që jetoj në një kohë kur ne dhe familjet tona kemi plotësinë e ungjillit të rivendosur. Unë jam mirënjohës për misionin e dashurisë së Shpëtimtarit për ne dhe për fjalët e jetës, të cilat Ai na i ka dhënë. Unë lutem që ne t’i ndajmë ato fjalë me ata që duam. Unë dëshmoj se Perëndia, Ati ynë jeton dhe i do gjithë fëmijët e Tij. Jezu Krishti është Biri i Tij i Vetëmlindur në mish dhe Shpëtimtari ynë. Unë e di se Ai është ngritur dhe unë e di se ne mund të pastrohemi nëpërmjet bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit.

Shënim

  1. Shih Theresa Snow Hill, Life and Times of Henry Eyring and Mary Bommeli (1997), f. 15–22.

Ilustrimet nga Michael T. Malm

Foto nga Christina Smith