2009
Të Ecësh Një Milje Më Tepër [Të Bësh më Tepër se të Kërkohet]
Prill 2009


Të Ecësh Një Milje Më Tepër

Nganjëherë bërja e pak përpjekjeve jep rezultate të mëdha.

Kur Shtain Artur Anderseni ishte rreth 15 vjeç, ai nuk qe aktiv në Kishë. As familja e tij nuk ishte. Ata ishin shpërngulur disa herë në zona të ndryshme të Norvegjisë. Kësaj here ata po jetonin në Stavanger. Ky është qyteti i katërt për nga madhësia në vend dhe ndodhet në bregun jugperëndimor. Shtaini kishte qenë disa herë në kishë në Stavanger dhe kishte takuar disa nga të rinjtë e tjerë shenjtorë të ditëve të mëvonshme të zonës. Një i ri në veçanti i kishte bërë shumë përshtypje Shtainit — emri i tij ishte Tor Lase Bjerga.

Pikërisht gjatë njërës prej këtyre vizitave jo të shpeshta në kishë Shtaini takoi Tor Lasen. “Ai qe nja dy vjet më i madh se unë dhe vërtet më bëri përshtypje”, thotë Shtaini. “Ndjeja një gjendje shpirtërore të mirë kur isha pranë tij dhe mendova se ai qe djalë njësh.” Nëse nuk do t’i kishte bërë përshtypje Tor Laseja, Shtaini mbase nuk do të kishte qenë i gatshëm ta dëgjonte kur ai mori mundimin të udhëtonte deri në shtëpinë e Shtainit me një ftesë të veçantë.

Ajo ftesë mbërriti nga mesi i viteve 1970 kur u paraqit në Norvegji programi i seminarit dhe Tor Laseja u thirr si mësuesi i parë i seminarit. Meqenëse qe vetëm 18 vjeç në atë kohë, Tor Laseja ishte pak nervoz që po merrte një përgjegjësi të tillë kaq të madhe. “Unë u luta mjaft”, kujton ai. Një gjë që ai e dinte me siguri ishte se ai donte të mbërrinte tek të rinjtë në zonën e tij që ishin më pak aktivë. Tor Lase thotë: “Munda ta ndjeja menjëherë se duhet të shkoja të takoja Shtain Arturin.”

“Ndoshta unë isha një nga emrat në një listë”, thotë Shtaini. Por për Tor Lasen, Shtaini ishte shumë më tepër se thjesht një emër në një listë. Tor Laseja kujton që i bëri përshtypje inteligjenca e Shtainit dhe karakteri i tij i qetë e i vendosur. Kështu Tor Laseja vendosi të shkonte vetë për të ftuar Shtainin që të merrte pjesë në programin e ri të seminarit.

Tor Laseja mori paraprakisht në telefon dhe foli me prindërit e Shtainit që të sigurohej që ai do të qe në shtëpi në kohën kur do të shkonte atje. Për të arritur në shtëpinë e Shtainit, Tor Lases iu desh të bënte një udhëtim prej gati 35 minutash për të shkuar deri tek një traget. Pastaj ai bëri një udhëtim 45 minutash me traget. Së fundi, ai duhej të ecte në këmbë edhe 30 minuta të tjera. “Mendoj gjithmonë për këtë”, thotë Shtaini. “Ajo që bëri Tor Laseja ishte që vërtet bëri një milje më tepër.”

Që të dy burrat e kujtojnë mirë shpirtin që ndjenë gjatë atij takimi gati 35 vjet më parë. Ndërsa ishin ulur në dhomën e ngrënies, mendja e Shtainit shkonte tek të gjitha gjërat ku ishte përfshirë. “Isha shumë i zënë me futboll e skautizëm dhe duke i rënë trombës dhe po bëja gjithfarë gjërash. Isha shumë i angazhuar.”

“Tor Laseja më vështroi ndërsa po fliste për seminarin dhe tha: ‘Shtain Artur, a do të regjistrohesh në programin e seminarit dhe të fillosh të studiosh shkrimet e shenjta me ne?’ Unë isha ulur pranë oxhakut dhe pranova. Sipas gjithë arsyetimit me logjikë, unë duhet të mos kisha pranuar sepse nuk kisha kohë. Por unë thashë po. Dhe këtu filloi gjithçka.”

“Gjithçka” përfshinte që të ngrihej çdo mëngjes për të studiuar vetë shkrimet e shenjta dhe mësimet e tij të seminarit në shtëpi. Pastaj grupi i vogël prej katër apo pesë studentësh do të mblidhej bashkë çdo javë. “Pak nga pak nisa të ndjej Shpirtin ato mëngjese herët, duke lexuar vetë dhe ngrihesha çdo mëngjes”, thotë Shtaini. “Pas pak e ndjeja që dita nuk do të ishte ajo që do të mund të ishte nëse nuk studioja në mënges. Dhe fillova të fitoj një dëshmi pa e kuptuar fare se po e fitoja.”

Shtaini shpjegon se “pas pak unë e kuptova se çfarë qenë ato ndjenja. U ndjeva mirë për ato që po mësoja dhe ndjeva Shpirtin. E ndjeva se kjo ishte e drejtë. Dhe e dija se kjo ishte diçka mbi të cilën dëshiroja të ndërtoja jetën time.”

Por përse Shtaini pranoi kur e ndiente që ishte aq i angazhuar? “Mendoj se mbi mua veproi ndikimi i Frymës së Shenjtë”, thotë ai. “Duhet të kem qenë i përgatitur disi. Kështu që kur Tor Laseja erdhi me besim, ai bëri miljen më tepër dhe unë isha gati për ta pranuar ftesën e tij. Kjo është mënyra si vepron Zoti.”

Rreth një vit a pak më shumë, më vonë, Tor Laseja vendosi të shkonte në një mision dhe u thirr për të shërbyer në Norvegji. Gjatë asaj kohe Shtaini vazhdoi ta forconte dëshminë e vet për ungjillin. “Kur Tori u kthye nga misioni i tij, kjo vërtet më bëri të mendoj për një mision gjithashtu”, thotë Shtaini. “Mbërrita në përfundimin se duhet të shkoja sepse dëshiroja t’i shërbeja Zotit dhe mendova se po të mos shkoja, mund të ndieja keqardhje për gjithë pjesën tjetër të jetës sime.”

Shtainit i kujtohet se, pasi foli me udhëheqësit e tij të priftërisë për të shkuar në mision, u ndje sikur po fluturonte kur po kthehej në shtëpi. Përpara se të nisej për misionin e tij (gjithashtu në Norvegji), Shtaini takoi gruan e tij të ardhshme, Hildën, në një konferencë rinie në Oslo. Ata i shkruan njëri-tjetrit gjatë misionit të tij dhe pasi ai u kthye, ata u martuan. Tani ata kanë katër fëmijë: dy djem, që të dy të martuar në tempull, dhe dy vajza më të vogla, që janë ende në shtëpi dhe janë aktive në seminar.

“Ajo natë kur Tor Laseja erdhi në shtëpinë tonë — ajo në thelb ndryshoi gjithë jetën time”, thotë Shtaini. Ajo vizitë e futi atë në shtegun ku takoi gruan e tij, shërbeu një mision dhe krijoi familje, gjithçka me këmbët mbështetur fort në truallin e ungjillit. “Unë kam qenë president dege, president distrikti, peshkop — gjithçka sepse Tor Laseja erdhi në shtëpinë tonë dhe unë fillova programin e seminarit.” Gjithçka sepse Tor Laseja qe i gatshëm të bënte miljen më tepër.

Ilustrimet nga Gregg Thorkelson

Fotografia nga Paul VanDenBerghe

Ida Andersen (djathtas) me motrën e saj, Ane, dhe prindërit e saj, Hilde dhe Shtain.