2011
Një Dëshmi, një Besëlidhje dhe një Dëshmitar
Tetor 2011


Një Dëshmi, një Besëlidhje dhe një Dëshmitar

Unë dëshmoj se Libri i Mormonit është një besëlidhje e re, një testament i ri nga Bota e Re për të gjithë botën.

Pamja
Elder Jeffrey R. Holland

Pohimet hyjnore që kam pasur lidhur me Shpëtimtarin dhe Kishën e Tij të rivendosur erdhën për herë të parë tek unë si i ri kur lexova Librin e Mormonit. Ishte kur po lexoja këtë anal të shenjtë, që ndjeva – përsëri dhe përsëri – pëshpëritjen e pamohueshme të Frymës së Shenjtë që i deklaronte shpirtit tim të vërtetën e tij.

Leximi i librit ishte fillimi i dritës sime. Ai ishte burimi i sigurisë sime të parë shpirtërore që Perëndia jeton, që Ai është Ati im Qiellor dhe që plani i lumturisë ishte përvijuar në përjetësi për mua. Ai më bëri mua që ta dua Biblën e Shenjtë dhe vepra të tjera standarde të Kishës. Ai më mësoi mua ta dua Zotin Jezu Krisht, ta shoh dhembshurinë e Tij mëshirëplotë dhe të mbaj parasysh hirin dhe madhështinë e sakrificës shlyese të Tij.

Ngaqë unë mësova vetë se Libri i Mormonit është një dëshmi e vërtetë – një dëshmi tjetër dhe një besëlidhje e re – që Jezusi është Krishti, unë mësova gjithashtu se Jozef Smithi ishte dhe është një profet i Perëndisë. Siç stër-stër-stërgjyshi im thoshte në ditët e hershme të Rivendosjes: “Asnjë burrë i lig nuk do të mund të shkruante një libër të tillë si ky; dhe asnjë burrë i mirë nuk do ta shkruante atë, po të mos ishte i vërtetë dhe ai të mos ishte urdhëruar nga Perëndia që ta bënte këtë”1.

Bindjeve të mia të para u janë shtuar të gjitha çastet e tjera përshpejtuese dhe shfaqjet shenjtëruese, që sot u japin përmbajtjen më të thellë ditëve të mia, qëllimit të jetës sime dhe një themel të fortë dëshmisë sime.

Tani, unë nuk lundrova me vëllanë e Jaredit. Unë nuk e dëgjova Mbretin Beniamin të thoshte predikimin e tij engjëllor. Unë nuk isha midis turmës nefite që preku plagët e Zotit të ringjallur, as qava me Mormonin dhe me Moronin për shkatërrimin e një qytetërimi. Por dëshmia ime për këtë anal dhe paqja që ajo sjell te zemra njerëzore – që më është dhënë nëpërmjet pëshpërimës së Frymës së Shenjtë, ashtu siç është dhënë tek ju – është po aq angazhuese dhe e qartë sa edhe ajo e atyre. Dëshmoj për këtë libër me aq siguri sa, sikur bashkë me të Tre Dëshmitarët, të kisha parë engjëllin Moroni apo, me të Tetë Dëshmitarët, t’i kisha prekur fletët prej ari.

Unë më tej dëshmoj se asnjë prej nesh nuk mund të vijë në besim të plotë te kjo vepër e ditëve të mëvonshme dhe kështu të gjejë masën më të plotë të paqes dhe ngushëllimit në kohët tona, gjersa ai apo ajo të përqafojë hyjninë e Librit të Mormonit dhe Zotin Jezu Krisht, për të cilin ai dëshmon. Siç i tha Mormoni Moronit në një nga kohët e tyre më të vështira, kështu unë them në kohët tona të vështira: “Ji besnik në Krisht… Dhe qoftë e qëndroftë përherë me ty hiri i Perëndisë, Atit, froni i të cilit është lart në qiej dhe Zoti ynë Jezu Krisht, i cili ulet në krahun e djathtë të pushtetit të tij (Moroni 9:25–26).

Libri i Mormonit është shprehja hyjnore e besëlidhjes së fundit të madhe të Krishtit me njerëzimin. Ai është një besëlidhje e re, një testament i ri nga Bota e Re për të gjithë botën. Drita me të cilën unë eci është drita e Tij. Mëshira dhe shkëlqimi i Tij më udhëheqin mua – dhe ju – në dëshminë tonë për Të në botë.

Shënim

  1. George Cannon, cituar në “The Twelve Apostles”, në botimin e Andrew Jenson, The Historical Record, 6:175.

Bibla dhe Libri i Mormonit Dëshmojnë për Krishtin, nga Greg K. Olsen