2011
Ëndrra e Lehit: Duke u Mbajtur me Vendosmëri te Shufra
Tetor 2011


Ëndrra e Lehit

Duke u Mbajtur me Vendosmëri te Shufra

Tema mbizotëruese e Librit të Mormonit – ftesa ndaj të gjithëve për të ardhur te Krishti – është më e rëndësishmja në vegimin e Lehit.

Pamja
Elder David A. Bednar

Unë e dua Librin e Mormonit. Disa nga kujtimet e mia më të hershme të ungjillit janë kur nëna ime më lexonte nga Book of Mormon Stories for Young Latter-day Saints [Tregime nga Libri i Mormonit Për Shenjtorët e Vegjël të Ditëve të Mëvonshme], nga Ema Mar Petersen. Në ato përvoja të fëmijërisë dhe gjatë një jete me studim e lutje të pandalura vetjake, Fryma e Shenjtë vazhdimisht i ka dëshmuar shpirtit tim se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë.

Unë dëshmoj se Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Unë e di se Profeti Jozef Smith e përktheu Librin e Mormonit me dhe me anë të fuqisë së Perëndisë. Dhe unë qëndroj si dëshmitar se Libri i Mormonit është “libri më i saktë nga çdo libër tjetër mbi tokë e gurthemeli i besimit tonë dhe një njeri [do të] afrohet më pranë Perëndisë duke iu bindur udhëzimeve të tij, sesa nga ndonjë libër tjetër”1.

Simbole Kyçe në Ëndrrën e Lehit

Rëndësia e leximit, studimit, hetimit dhe meditimit të shkrimeve të shenjta në përgjithësi dhe Librit të Mormonit në veçanti, është nënvizuar në shumë elementë të vegimit të Lehit për pemën e jetës (shih 1 Nefi 8).

Tipari qendror i ëndrrës së Lehit është pema e jetës – një përfaqësim i “dashurisë së Perëndisë” (shih 1 Nefi 11:21–22). “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Kështu, lindja, jeta dhe sakrifica shlyese e Zotit Jezu Krisht, janë shfaqja më e madhe e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij. Siç dëshmoi Nefi, kjo dashuri është “më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat” dhe siç shpalli engjëlli në vegimin e tij: “Më e gëzueshmja për shpirtin” (1 Nefi 11:22–23; shih edhe 1 Nefi 8:12, 15). Kapitulli 11 i 1 Nefit përmban një përshkrim të hollësishëm të pemës së jetës si simbol për jetën, shërbesën dhe sakrificën e Shpëtimtarit – “denjimin e Perëndisë” (1 Nefi 11:16).

Fruti i pemës përfaqëson bekimet që marrim për shkak të Shlyerjes. Ngrënia e frutit të pemës përfaqëson marrjen e ordinancave dhe bekimeve nëpërmjet të cilave Shlyerja mund të bëhet plotësisht e efektshme në jetën tonë. Fruti përshkruhet si “i dëshirueshëm për ta bërë dikë të lumtur” (1 Nefi 8:10) dhe shkakton gëzim të madh si dhe dëshirën për ta ndarë atë gëzim me të tjerët.

Në mënyrë të konsiderueshme, tema mbizotëruese e Librit të Mormonit – ftesa ndaj të gjithëve për të ardhur te Krishti – është më e rëndësishmja në vegimin e Lehit. Interes të veçantë përbën shufra e hekurit që të çon për tek pema (shih 1 Nefi 8:19). Shufra e hekurit është fjala e Perëndisë.

Kapja Kundrejt Mbajtjes Vazhdimisht me Vendosmëri pas Shufrës

Baba Lehi pa katër grupe njerëzish në vegimin e tij. Tre nga grupet po shtyheshin përpara në shtegun e ngushtë e të ngushtuar duke u përpjekur të arrinin pemën dhe frutin e saj. Një grup i katërt nuk po shkonte drejt pemës, duke dëshiruar në vend të saj ndërtesën e gjerë e të madhe si vendqëndrimin e tyre përfundimtar (shih 1 Nefi 8:31–33).

Tek 1 Nefi 8:21–23 ne mësojmë për grupin e parë të njerëzve që shtyheshin përpara dhe hynë në shtegun që të çonte drejt pemës së jetës. Sidoqoftë, njerëzit sapo hasën mjegullën e errësirës që përfaqëson “tundimet e djallit” (1 Nefi 12:17), ata humbën rrugën, nuk e dinin se ku ishin dhe humbën.

Vini re se shufra e hekurit nuk përmendet fare në këto vargje. Ata që e shpërfillin ose e marrin lehtë fjalën e Perëndisë nuk do të kenë mundësi ta përdorin atë busull hyjnore që tregon rrugën për te Shpëtimtari. Mbani parasysh se ky grup hyri në shteg dhe shkoi përpara, duke ushtruar një masë besimi në Krisht dhe bindje shpirtërore, por ata u hutuan nga tundimet e djallit dhe humbën.

Tek 1 Nefi 8:24–28 ne lexojmë për grupin e dytë të njerëzve që hynë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar, që të çonte për te pema e jetës. Njerëzit e këtij grupi “shkuan përpara përmes mjegullës së errësirës, duke u mbajtur fort pas shufrës së hekurit, madje derisa arritën dhe hëngrën nga fruti i pemës” (vargu 24). Sidoqoftë, ndërsa ata që qëndronin në ndërtesën e gjerë dhe të madhe u tallën me këtë grup të dytë, “ata u turpëruan” dhe “ata u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën” (vargu 28). Lutemi të vini re që ky grup përshkruhet si ai që “kapet pas shufrës së hekurit” (1 Nefi 8:24; theksim i shtuar).

Është me rëndësi që grupi i dytë shkoi përpara me besim e zotim. Ata gjithashtu patën besimin e mëtejshëm të shufrës së hekurit e po kapeshin tek ajo! Megjithatë, kur ata u përballën me përndjekjen dhe kundërshtimin, ata u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën. Madje edhe me besim, zotim dhe fjalën e Zotit, ky grup në fund humbi – sepse ata lexuan ose studiuan ose i hetuan shkrimet vetëm me periudha. Kapja te shufra e hekurit më sjell ndër mend “vrulle” rastësore studimi ose kredhje të parregullt në vend të zhytjes së përhershme në fjalën e Perëndisë.

Te vargu 30 ne lexojmë për një grup të tretë njerëzish që shkuan përpara “duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit, derisa arritën dhe ranë dhe hëngrën nga fruti i pemës”. Fraza kyç në këtë varg është duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit.

Edhe grupi i tretë shkoi përpara me besim e bindje; megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë që ata të mos dinin ku ishin, të largoheshin nëpër shtigje të ndaluara apo të humbisnin. Ndofta ky grup i tretë njerëzish lexoi dhe studioi e hetoi shkrimet e shenjta vazhdimisht. Ndoshta ishte zelli dhe përkushtimi një “[gjë] e vogël dhe e thjeshtë” (Alma 37:6) që e shpëtoi këtë grup nga shkatërrimi. Ndoshta ishte “njohuria e Zotit” dhe “njohuria e së vërtetës” (Alma 23:5, 6) e përftuar përmes studimit besnik të shkrimeve të shenjta që prodhuan dhuratën shpirtërore të përulësisë – saqë njerëzit e këtij grupi “ranë dhe hëngrën nga fruti i pemës” (1 Nefi 8:30; theksim i shtuar). Ndofta ishte ushqyerja shpirtërore dhe forca e siguruar “duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit” vazhdimisht (2 Nefi 31:20) që i mundësoi këtij grupi të mos ia vinte veshin përqeshjeve dhe talljeve të njerëzve në ndërtesën e madhe e të gjerë (shih 1 Nefi 8:33). Ky është grupi me të cilin unë dhe ju duhet të rrekemi të bashkohemi.

Vëllezërit e Nefit pyetën: “Ç’do të thotë shufra e hekurit që ati ynë pa në një ëndërr, që të çonte te pema?

Dhe [Nefi] u tha atyre se ajo ishte fjala e Perëndisë; dhe të gjithë që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, ata nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin ata në verbëri, t’i çojnë ata në shkatërrim” (1 Nefi 15:23–24; theksim i shtuar).

Cili është atëherë ndryshimi mes kapjes dhe mbajtjes me vendosmëri te shufra e hekurit? Më lini t’ju sugjeroj se mbajtja me vendosmëri pas shufrës së hekurit sjell, në masë të gjerë, përdorimin plot lutje, të qëndrueshëm dhe të sinqertë të shkrimeve të shenjta si një burim i sigurt i të vërtetës së zbuluar dhe si një udhërrëfyes i besueshëm për udhëtimin në shtegun e ngushtë e të ngushtuar për te pema e jetës – madje për te Zoti Jezu Krisht.

“Dhe ndodhi që unë vura re që shufra prej hekuri që ati im kishte parë, ishte fjala e Perëndisë, që të çonte te burimi i ujërave të gjalla, ose te pema e jetës” (1 Nefi 11:25).

Libri i Mormonit Është për Ne Sot

Libri i Mormonit i çon përpara të vërtetat që janë të përshtatshme e thelbësore në kohën tonë dhe për rrethanat tona. Përshtatja shpirtërore dhe praktike e Librit të Mormonit në jetën tonë është nënvizuar nga Moroni: “Vini re, unë ju flas sikur të ishit të pranishëm, por megjithatë nuk jeni akoma”. Por vini re, Jezu Krishti ju ka paraqitur tek unë dhe unë i di veprimet tuaja” (Mormoni 8:35). Pasi e kishte parë kohën dhe rrethanat tona nëpërmjet njohurisë paraprake të Perëndisë, autorët kryesorë të Librit të Mormonit i përfshinë posaçërisht temat dhe shembujt me rëndësi më të madhe për banorët e tokës në ditët e mëvonshme.

Unë ju ftoj ta mbani parasysh me kujdes dhe plot lutje pyetjen vijuese: Çfarë mësimesh mund dhe duhet të mësoj unë nga vegimi i Lehit për pemën e jetës dhe nga parimi i mbajtjes me vendosmëri vazhdimisht pas shufrës së hekurit që do të më mundësojë të qëndroj shpirtërisht i fortë në botën ku jetojmë sot?

Ndërsa punoni me zell dhe kërkoni frymëzim për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje të rëndësishme, ju do të arrini të kuptoni më plotësisht me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, edhe në zemrën edhe në mendjen tuaj, rëndësinë e mbajtjes me vendosmëri vazhdimisht pas shufrës së hekurit. Dhe ju do të jeni të bekuar që t’i zbatoni ato mësime me besim dhe zell në jetën tuaj vetjake dhe në shtëpinë tuaj.

Paçim të gjithë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar mësimet e mëtejshme nga vegimi i Lehit që do të na ndihmojnë të “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20).

Shënim

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2007), f. 64.

LËndrra e Lehit, nga Greg Olsen, nuk lejohet kopjimi

Fotoilustrim nga David Stoker

Fotoilustrim nga Matthew Reier