2011
Libri i Mormonit – Gurthemeli i Besimit Tonë
Tetor 2011


Libri i Mormonit – Gurthemeli i Besimit Tonë

Ezra Taft Benson u bë Presidenti i 13-të i Kishës më 10 nëntor 1985. Ai kujtohet për dëshminë e tij të fortë për fuqinë e Librit të Mormonit dhe theksimin që i bënte rëndësisë së tij në studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta, punën misionare dhe mësimdhënien e ungjillit. Ky vit shënon përvjetorin e 25-të të kësaj bisede të konferencës së përgjithshme të tetorit të 1986-ës.

Pamja
President Ezra Taft Benson

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, sot unë do të doja të flisja rreth një prej dhuratave më të rëndësishme që i është dhënë botës në kohët moderne. Dhurata për të cilën po mendoj, është më e rëndësishme se çfarëdo shpikje që ka dalë nga revolucionet industriale dhe teknologjike. Kjo është një dhuratë me vlerë më të madhe për njerëzimin sesa madje shumë përparime të mrekullueshme që kemi parë në mjekësinë moderne. Ajo është e një vlere më të madhe për njerëzimin sesa përparimi i fluturimit apo udhëtimi hapësinor. Unë flas për dhuratën e Librit të Mormonit, dhënë njerëzimit 156 vite përpara.

Kjo dhuratë qe përgatitur nga dora e Zotit për një periudhë prej më shumë se një mijë vjet, atëherë e fshehur nga Ai në mënyrë që ajo të ruhej në pastërtinë e saj për brezin tonë. Ndoshta nuk ka asgjë që dëshmon më qartë për rëndësinë e këtij libri modern të shkrimeve të shenjta sesa ajo që Zoti Vetë ka thënë rreth tij.

Nga goja e Tij Ai ka dhënë dëshmi 1) që ai është i vërtetë (DeB 17:6), 2) që ai përmban të vërtetën dhe fjalët e Tij (DeB 19:26), 3) që ai qe përkthyer nga fuqia qiellore (DeB 20:8), 4) që ai përmban plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit (DeB 20:9; 42:12), 5) që ai ishte dhënë nëpërmjet frymëzimit dhe pohuar nga shërbesa e engjëjve (DeB 20:10), 6) që ai jep prova se shkrimet e shenjta hyjnore janë të vërteta (DeB 20:11) dhe 7) që ata që e marrin atë me besim do të marrin jetë të përjetshme (DeB 20:14).

Një dëshmi e dytë e fuqishme për rëndësinë e Librit të Mormonit është të vëresh se ku e vendosi Zoti daljen e tij në programin e Rivendosjes që shpalosej. E vetmja gjë që e parapriu qe Vegimi i Parë. Në atë shfaqje të mrekullueshme, Profeti Jozef Smith mësoi natyrën e vërtetë të Perëndisë dhe që Perëndia pati një punë që ai ta kryente. Dalja e Librit të Mormonit qe gjëja e dytë që do të pasonte.

Mendoni për të në termat e asaj që përfshin. Dalja e Librit të Mormonit parapriu rivendosjen e priftërisë. Ai u botua vetëm disa ditë përpara se Kisha të organizohej. Shenjtorëve u qe dhënë Libri i Mormonit që ta lexonin pëpara se t’u qenë dhënë zbulesat që përvijonin doktrina të tilla madhështore si tre shkallët e lavdisë, martesa çelestiale apo puna për të vdekurit. Ai erdhi përpara organizimit të kuorumeve të priftërisë dhe të Kishës. A nuk na tregon kjo diçka rreth mënyrës se si Zoti e sheh këtë punë të shenjtë?

Kur kuptojmë se si Zoti ndihet rreth këtij libri, nuk do të na befasojë fakti që Ai gjithashtu na jep paralajmërime solemne rreth mënyrës se si e marrim atë. Pasi tregon se ata që e marrin Librin e Mormonit me besim dhe punojnë me drejtësi, do të marrin një kurorë të lavdisë së përjetshme (shih DeB 20:14), Zoti vijon me këtë paralajmërim: “Por ata që i forcojnë zemrat e tyre në mosbesim dhe e mohojnë atë, ajo do të kthehet për mallkimin e tyre” (DeB 20:15).

Në 1829-ën, Zoti i paralajmëroi shenjtorët se ata nuk duhet të luajnë me gjëra të shenjta (shih DeB 6:12). Sigurisht Libri i Mormonit është një gjë e shenjtë, dhe përsëri shumë luajnë me të, ose me fjalë të tjera, e marrin lehtë atë, e trajtojnë si të ishte me pak rëndësi.

Në 1832-shin, kur disa misionarë të hershëm u kthyen nga fushat e tyre të punës, Zoti i qortoi ata se po e trajtonin me lehtësi Librin e Mormonit. Si rezultat i atij qëndrimi, ai tha, mendjet e tyre qenë errësuar. Jo vetëm trajtimi i këtij libri të shenjtë me lehtësi solli një humbje të dritës tek vetja e tyre, ai gjithashtu solli gjithë Kishën në ndëshkim, madje të gjithë fëmijët e Sionit. Dhe atëherë Zoti tha: “Dhe ata do të mbeten nën këtë dënim derisa të pendohen dhe të kujtojnë besëlidhjen e re, madje Librin e Mormonit” (DeB 84:54–57).

A ka bërë fakti që e kemi pasur Librin e Mormonit për më shumë se një shekull e gjysmë me ne që të na duket më pak i rëndësishëm sot? A e kujtojmë ne besëlidhjen e re, madje Librin e Mormonit? Në Bibël ne kemi Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re. Fjala dhiatë/testament është paraqitja në anglisht e një fjale greke që mundet gjithashtu të përkthehet besëlidhje. A është kjo ajo çka Zoti donte të thoshte kur Ai e quajti Librin e Mormonit “besëlidhje e re”? Ai është vërtet një besëlidhje apo dëshmi tjetër e Jezusit. Kjo është një nga shkaqet përse ne kemi shtuar kohët e fundit fjalët “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit” te titulli i Librit të Mormonit.

Nëse shenjtorët e hershëm qenë qortuar për trajtim me lehtësi të Librit të Mormonit, a jemi ne nën çfarëdo ndëshkimi më të vogël nëse veprojmë po ashtu? Zoti Vetë jep dëshmi se ai është me rëndësi të përjetshme. A mundet që një numër i vogël prej nesh ta sjellë gjithë Kishën nën ndëshkim sepse ne i marrim me lehtësi gjërat e shenjta? Çfarë do të themi ne në Gjykim kur të qëndrojmë përpara Tij dhe të ndeshim vështrimin e Tij zhbirues nëse jemi midis atyre që përshkruhen se kanë harruar besëlidhjen e re?

Ka tri arsye të mëdha përse shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet ta bëjnë studimin e Librit të Mormonit një aktivitet për të gjithë jetën.

E para është se Libri i Mormonit është guri i themelit i besimit tonë. Kjo qe deklarata e Profetit Jozef Smith. Ai dëshmoi se “Libri i Mormonit qe më i drejti se çfarëdo libri mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë”1. Një gurthemel është guri qendror në një qemer. Ai i mban të gjithë gurët e tjerë në vend, dhe nëse hiqet, qemeri shembet.

Ka tri mënyra në të cilat Libri i Mormonit është gurthemeli i fesë sonë. Ai është gurthemeli i dëshmimit tonë për Krishtin. Ai është gurthemeli i doktrinës sonë. Ai është gurthemeli i dëshmisë sonë.

Libri i Mormonit është gurthemeli në dëshminë që japim për Jezu Krishtin, i cili është Vetë gurthemeli i çdo gjëje që bëjmë. Ai dëshmon për realitetin e Tij me fuqi dhe qartësi. Ndryshe nga Bibla, që kaloi nëpër breza kopistësh, përkthyesish dhe fetarësh të korruptuar, që futën duart në tekst, Libri i Mormonit erdhi nga shkrimtari te lexuesi me vetëm një hap të frymëzuar përkthimi. Prandaj, dëshmia e tij për Mësuesin është e qartë, e pa tretur dhe me plot forcë. Por ai bën edhe më shumë. Shumë nga bota e krishterë sot e kundërshton hyjninë e Shpëtimtarit. Ata vënë në dyshim lindjen e Tij si mrekulli, jetën e Tij të përkryer dhe realitetin e Ringjalljes së Tij të lavdishme. Libri i Mormonit na mëson me fjalë të qarta dhe të pagabueshme rreth së vërtetës së të gjithë atyre. Ai gjithashtu jep shpjegimin më të plotë të doktrinës së Shlyerjes. Vërtet, ky libër i frymëzuar hyjnisht është një gurthemel për t’i dhënë dëshmi botës që Jezusi është Krishti.2

Libri i Mormonit është gjithashtu gurthemeli i doktrinës së Ringjalljes. Siç u përmend më sipër, Zoti Vetë ka thënë se Libri i Mormonit përmban “plotësi[n]ë e ungjillit të Jezu Krishtit” (DeB 20:9). Ajo nuk do të thotë se ai përmban çdo mësimdhënie, çdo doktrinë të zbuluar ndonjëherë. Më shumë, ajo do të thotë se në Librin e Mormonit ne do të gjejmë plotësinë e atyre doktrinave që kërkohen për shpëtimin tonë. Dhe ato mësohen qartësisht dhe thjesht në mënyrë që madje edhe fëmijët të mund të mësojnë mënyrat e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Libri i Mormonit ofron aq shumë, saqë zgjeron kuptimin tonë të doktrinave të shpëtimit. Pa të, shumë nga ajo që jepet mësim në shkrime të tjera të shenjta nuk do të jetë aq e qartë dhe e çmuar.

Më në fund, Libri i Mormonit është guri i themelit i dëshmisë. Pikërisht ashtu si qemeri shembet nëse guri i themelit hiqet, kështu ndodh me të gjithë Kishën, qëndron ose bie me vërtetësinë e Librit të Mormonit. Armiqtë e Kishës e kuptojnë qartësisht këtë. Kjo është arsyeja përse ata shkojnë aq larg për t’u përpjekur të rrëzojnë Librin e Mormonit, sepse nëse ai mund të diskreditohet, Profeti Jozef Smith shkon me të. Kështu ndodh me pretendimin tonë për çelësat e priftërisë dhe zbulesën dhe Kishën e rivendosur. Por po kështu, nëse Libri i Mormonit është i vërtetë – dhe miliona kanë dëshmuar tani se ata kanë dëshminë e Shpirtit që ai është realisht i vërtetë – atëherë njeriu duhet të pranojë pretendimet e Rivendosjes dhe të gjitha ato që e shoqërojnë atë.

Po, të dashur vëllezër dhe motra të mia, Libri i Mormonit është gurthemeli i besimit tonë – gurthemeli i dëshmisë sonë, gurthemeli i doktrinës sonë dhe gurthemeli në dëshmimin tonë për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë.

Arsyeja e dytë e madhe përse ne duhet ta bëjmë Librin e Mormonit një epiqendër të studimit është se ai është shkruar për kohën tonë. Nefitët kurrë nuk e patën librin; as lamanitët e kohëve të lashta. Ai ishte për ne. Mormoni shkroi afër fundit të qytetërimit nefit. Nën frymëzimin e Perëndisë, që shikon të gjitha gjërat që nga fillimi, ai përmblodhi shekuj shënimesh, duke zgjedhur histori, fjalime dhe ngjarje që do të ishin më të dobishme për ne.

Secili nga shkrimtarët kryesorë të Librit të Mormonit dëshmoi se ai shkroi për brezat e ardhshëm. Nefi tha: “Zoti Perëndi më ka premtuar, se këto gjëra që unë po shkruaj, do të mbahen dhe ruhen dhe do t’i kalohen farës sime nga brezi në brez” (2 Nefi 25:21). Vëllai i tij Jakobi, që e pasoi atë, shkroi fjalë të ngjashme: “Pasi, ai tha se historia e popullit të tij duhet të gdhendet mbi fletët e tjera të tij dhe se unë duhet t’i ruaj këto fletë dhe t’ia kaloj farës sime nga brezi në brez” (Jakobi 1:3). Enosi dhe Jaromi të dy treguan se ata gjithashtu po shkruanin jo për njerëzit e tyre por për breza të ardhshëm (shih Enosi 1:15–16; Jaromi 1:2).

Mormoni vetë tha: “Po, unë ju flas juve, mbetjes së shtëpisë së Izraelit” (Mormoni 7:1). Dhe Moroni, i fundit nga shkrimtarët e frymëzuar, në të vërtet pa ditën dhe kohën tonë. “Vini re”, tha ai, “Zoti më ka treguar gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme në lidhje me atë që do të vërtetohet së shpejti, në atë ditë kur këto gjëra të dalin në dritë mes jush.

Vini re, unë ju flas sikur të ishit të pranishëm, por megjithatë nuk jeni akoma. Por vini re, Jezu Krishti ju ka paraqitur tek unë dhe unë i di veprimet tuaja” (Mormoni 8:34–35).

Nëse ata panë ditën tonë dhe zgjodhën ato gjëra që do të jenë me vlerën më të madhe për ne, a nuk është kjo se si ne duhet ta studiojmë Librin e Mormonit? Ne duhet vazhdimisht të pyesim veten: “Përse Zoti e frymëzoi Mormonin (ose Moronin apo Almën) që ta përfshijë atë në shënimet e tij? Çfarë mësimi mundem unë të nxjerr nga ajo që të më ndihmojë të jetoj në këtë ditë dhe epokë?”

Dhe atje ka shembull pas shembulli se si asaj pyetjeje mund t’i jepet përgjigje. Për shembull, në Librin e Mormonit ne gjejmë një model për përgatitjen për Ardhjen e Dytë. Një pjesë kryesore e librit përqendrohet në pak dekada pikërisht para ardhjes së Krishtit në Amerikë. Me studim të kujdesshëm të asaj periudhe kohore, ne mund të përcaktojmë përse disa qenë shkatërruar në gjykimet e tmerrshme që paraprinë ardhjen e Tij dhe çfarë i solli të tjerët që të qëndrojnë në tempull në tokën e Bauntifullit dhe të vinin duart e tyre në plagët e duarve dhe këmbëve të Tij.

Nga Libri i Mormonit ne mësojmë se si dishepujt e Krishtit jetojnë në kohë lufte. Nga Libri i Mormonit ne shohim ligësitë e lidhjeve të fshehta të portretizuara në grafikë dhe në një realitet tmerrues. Në Librin e Mormonit ne gjejmë mësime për t’u marrë me përndjekjen dhe braktisjen. Ne mësojmë shumë rreth mënyrës se si të bëjmë punë misionare. Dhe më shumë se kudo gjetkë, ne shohim në Librin e Mormonit rreziqet e materializmit dhe të vendosjes së zemrave tona te gjërat e botës. A mundet ndokush të dyshojë se ky libër qe caktuar për ne dhe se në të ne gjejmë forcë të madhe, ngushëllim të madh dhe mbrojtje të madhe?

Arsyeja e tretë përse Libri i Mormonit është i një vlere të tillë për shenjtorët e ditëve të mëvonshme jepet në të njëjtën deklaratë nga Profeti Jozef Smith cituar më sipër. Ai tha: “Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”. Ajo është arsyeja e tretë për studimin e librit. Ai na ndihmon ne të afrohemi më shumë te Perëndia. A nuk ka diçka thellë në zemrat tona që dëshiron të afrohet më shumë te Perëndia, të jetë më shumë si Ai në ecurinë tonë të përditshme, të ndiejë praninë e Tij me ne vazhdimisht? Nëse është kështu, atëherë Libri i Mormonit do të na ndihmojë të veprojmë kështu më shumë se cilido libër tjetër.

Nuk është thjesht se Libri i Mormonit na mëson neve të vërtetën, edhe pse ai vërtet e bën këtë. Nuk është vetëm se Libri i Mormonit dëshmon për Krishtin, edhe pse vërtet e bën atë, gjithashtu. Por atje ka diçka më shumë. Ka një fuqi te libri që do të fillojë të vërshojë në jetën tuaj në çastin që filloni një studim serioz të tij. Ju do të gjeni një forcë më të madhe për t’i rezistuar tundimit. Ju do të gjeni forcë të shmangni mashtrimin. Ju do të gjeni forcën të qëndroni në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar. Shkrimet e shenjta quhen “fjalët e jetës” (shih DeB 84:85) dhe askund nuk është ajo më e vërtetë sesa te Libri i Mormonit. Kur filloni të keni uri dhe etje për ato fjalë, ju do ta gjeni jetën në begati gjithnjë e më të madhe.

Vëllai ynë i dashur, Presidenti Marion G. Romnei … dëshmoi për bekimet që mund të vijnë në jetën e atyre që do të lexojnë dhe studiojnë Librin e Mormonit. Ai tha:

“Unë ndihem i sigurt se nëse, në shtëpitë tona, prindërit do të lexojnë nga Libri i Mormonit plot lutje dhe rregullisht, edhe vetë edhe me fëmijët e tyre, shpirti i atij libri të mrekullueshëm do të vijë të përhapet në shtëpitë tona dhe te të gjithë ata që banojnë atje. Shpirti i nderimit do të rritet; respekti dhe konsiderata e ndërsjelltë për njëri-tjetrin do të rritet. Shpirti i grindjes do të largohet. Prindërit do të këshillojnë fëmijët e tyre me dashuri dhe urtësi më të madhe. Fëmijët do të jenë më përgjegjës dhe të bindur ndaj këshillës së prindërve të tyre. Drejtësia do të rritet. Besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore – dashuria e pastër e Krishtit – do të gëlojnë në shtëpitë dhe jetën tonë, duke sjellë në zgjimin e tyre paqe, gëzim dhe lumturi.”3

Këto premtime – dashuri dhe harmoni më të madhe në shtëpi, respekt më të madh midis prindit dhe fëmijës, shpirtshmëri dhe drejtësi më të madhe – nuk janë premtime bosh, por saktësisht ajo që Profeti Jozef Smith kishte parasysh kur tha se Libri i Mormonit do të na ndihmojë të afrohemi më shumë te Perëndia.

Vëllezër dhe motra, unë ju përgjërohem me gjithë zemër që ta shihni me solemnitet të madh rëndësinë e Librit të Mormonit për ju personalisht dhe për Kishën kolektivisht.

Mbi 10 vite përpara unë bëra deklaratën e mëposhtme lidhur me Librin e Mormonit.

“A ka pasoja të përjetshme mbi përgjigjen tonë ndaj këtij libri? Po, qoftë mbi bekimin tonë apo ndëshkimin tonë.

Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme duhet ta bëjë studimin e këtij libri një kërkim gjatë gjithë jetës. Ndryshe ai po e vendos shpirtin e tij në rrezik dhe duke shpërfillur atë që do t’i jepte unitet shpirtëror dhe intelektual gjithë jetës së tij. Ka një dallim midis një të kthyeri që është ngritur mbi shkëmbin e Krishtit nëpërmjet Librit të Mormonit dhe qëndron i kapur pas asaj shufre të hekurt dhe një tjetri që nuk është.”4

Unë ripohoj ato fjalë për ju në këtë ditë. Le të mos qëndrojmë në ndëshkim, me kamzhikun dhe gjykimin e tij, duke e trajtuar me lehtësi këtë dhuratë madhështore dhe të mrekullueshme që Zoti na e ka dhënë neve. Më mirë, le të fitojmë premtimet që shoqërohen me ruajtjen e tij si thesar në zemrën tonë.

Te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 84, vargjet 54 deri 58, ne lexojmë:

“Dhe mendjet tuaja në të shkuarën janë errësuar për shkak të mosbesimit dhe ngaqë i keni trajtuar me lehtësi gjërat që keni marrë –

Kotësi dhe mosbesim të cilat e kanë sjellë tërë kishën nën dënim.

Dhe ky dënim qëndron mbi fëmijët e Sionit, madje të gjithë.

Dhe ata do të mbeten nën këtë dënim derisa të pendohen dhe të kujtojnë besëlidhjen e re, madje Librin e Mormonit dhe urdhërimet e mëparshme që iu kam dhënë, jo vetëm për t’i thënë, por për të vepruar sipas asaj që kam shkruar—

Që ata të mund të sjellin fryte të përshtatshme për mbretërinë e Atit të tyre; përndryshe aty ngelet një ndëshkim dhe gjykim për t’u derdhur mbi fëmijët e Sionit.”

Që nga konferenca e fundit e përgjithshme, unë kam marrë shumë letra nga shenjtorë, edhe të rinj edhe të vjetër, nga e gjithë bota, që pranuan ftesën për ta lexuar dhe studiuar Librin e Mormonit.

Unë jam ngazëllyer nga tregimet e tyre se si jeta e tyre ka ndryshuar dhe se si ata janë afruar më shumë te Zoti si rezultat i zotimit të tyre. Këto dëshmi të lavdishme kanë ripohuar në shpirtin tim fjalët e Profetit Jozef Smith se Libri i Mormonit është vërtetësisht “gurthemeli i besimit tonë” dhe se një burrë dhe një grua do t’i “afrohen më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”.

Kjo është lutja ime, që Libri i Mormonit të mund të bëhet gurthemeli i jetës sonë.

Shënime

  1. Një Shpjegim i Shkurtër mbi Librin e Mormonit.

  2. Shih faqen e titullit të Librit të Mormonit

  3. Marion G. Romney, “The Book of Mormon”, Ensign, maj 1980, f. 67.

  4. Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, maj 1975, f. 65.

Foto ilustrim nga David Stocker; në të djathtë: Fotografi nga Welden C. Andersen; fotografi e Presidentit Benson nga Busath Photography