2011
Çfarë Mëson Libri i Mormonit mbi Dashurinë e Perëndisë
Tetor 2011


Çfarë Mëson Libri i Mormonit mbi Dashurinë e Perëndisë

Disa nga shembujt më madhështorë të dashurisë së Zotit janë shënuar në Librin e Mormonit.

Pamja
Elder Russell M. Nelson

Shumica e të krishterëve janë njohur me tiparet e Jezu Krishtit siç tregohen në Bibël. Ata mahniten me dashurinë që Ai tregoi për të varfrin, të sëmurin dhe të munduarin. Ata që e konsiderojnë veten dishepujt e Tij, gjithashtu përpiqen fort të marrin shembullin e Tij dhe të ndjekin nxitjen e Apostullit të Tij të dashur: “Le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. … Sepse Perëndia është dashuri” (1 Gjoni 4:7–8).

Ky koncept qartësohet nga Libri i Mormonit. Ai përshkruan se si lindet njeriu nga Perëndia dhe se si fiton njeriu fuqinë që të dojë ashtu si Ai do. Ai dallon tre parime thelbësore që sjellin fuqinë e dashurisë së Perëndisë në jetën tonë.

Së pari, Libri i Mormonit na mëson se, ushtrimi i besimit në Krisht dhe hyrja në një besëlidhje me Të për të mbajtur urdhërimet e Tij, është çelësi për të rilindur shpirtërisht. Njerëzve të Librit të Mormonit, të cilët e bënë një besëlidhje të tillë, Mbreti Beniamin u përmendi: “Dhe tani, për shkak të besëlidhjes që keni bërë, ju do të quheni fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij; pasi vini re, në këtë ditë ai ju ka lindur juve shpirtërisht; meqë ju thoni se zemrat tuaja janë ndryshuar nëpërmjet besimit në emrin e tij; prandaj, ju keni lindur prej tij dhe jeni bërë bijtë e tij dhe bijat e tij” (Mosia 5:7).

Së dyti, Vetë Shpëtimtari jep mësim se fuqia për t’u bërë më tepër si Ai vjen nëpërmjet marrjes së ordinancave të ungjillit: “Tani, ky është urdhërimi: Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit” (3 Nefi 27:20).

Së treti, Ai na këshillon të ndjekim shembullin e Tij: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Pyet Ai në mënyrë retorike. Përgjigjja e Tij: “Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27). Vërtet, Ai dëshiron që ne të bëhemi më shumë si Ai.

Disa nga shembujt më madhështorë të dashurisë së Tij janë shënuar në Librin e Mormonit. Këta shembuj mund të zbatohen në jetën tonë ndërsa përpiqemi fort të bëhemi më shumë si Zoti.

Ishte dashuria e Tij për Lehin dhe familjen e Lehit – dhe dashuria e tyre për Të – që i solli ata në Amerikë, toka e tyre e premtuar, ku ata u begatuan.1

Ishte dashuria e Perëndisë për ne që e nxiti Atë shekuj më parë që t’i urdhëronte profetët nefitë për të mbajtur një anal të shenjtë të popullit të tyre. Mësimet nga ai anal kanë të bëjnë me shpëtimin dhe ekzaltimin tonë. Këto mësime janë të disponueshme tani në Librin e Mormonit. Ky tekst i shenjtë qëndron si provë e prekshme e dashurisë së Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij në mbarë botën.2

Ishte dashuria e Krishtit për “delet e tjera” të Tij që e solli Atë te Bota e Re.3 Nga Libri i Mormonit mësojmë se, në Botën e Re pas vdekjes së Zotit në Botën e Vjetër, ndodhën fatkeqësi të mëdha natyrore dhe tre ditë errësire. Pastaj, Zoti i përlëvduar dhe i ringjallur, zbriti nga qielli dhe shërbeu mes njerëzve të Botës së Re.

“Unë jam drita dhe jeta e botës”, u tha Ai atyre, “dhe unë kam pirë nga ajo kupë e hidhur që Ati më dha dhe kam lartësuar Atin, duke marrë përsipër mëkatet e botës” (3 Nefi 11:11).

Pastaj, Ai u dha një nga përvojat më të afërta që ndokush mund të kishte me Të. Ai i ftoi të ndienin plagën në anën e Tij dhe gjurmët e gozhdëve në duart e këmbët e Tij, që ata ta dinin me siguri se Ai është “Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës dhe se [ishte vrarë] për mëkatet e botës” (3 Nefi 11:14).

Jezusi u dha pastaj dishepujve të Tij autoritetin për të pagëzuar, për të dhënë dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për të administruar sakramentin. Ai u dha atyre fuqinë për të krijuar Kishën e Tij mes tyre, udhëhequr nga dymbëdhjetë dishepuj.

Ai u dha atyre disa nga mësimet themelore që u kishte dhënë dishepujve të Tij në Botën e Vjetër. Ai shëroi të sëmurët e tyre. Ai u gjunjëzua dhe iu lut Atit me fjalë kaq të fuqishme e të shenjta, saqë nuk mund të shkruheshin. Kaq e fuqishme qe lutja e Tij, saqë ata që e dëgjuan Atë u pushtuan nga gëzimi. I pushtuar nga dashuria e Tij për ta dhe nga besimi i tyre tek Ai, Jezusi Vetë qau. Ai profetizoi për punën e Perëndisë në shekujt që do të çojnë tek mbërritja e premtuar e Ardhjes së Tij të Dytë.4

Pastaj Ai u kërkoi të sillnin fëmijët e tyre tek Ai.

“Dhe ai i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta.

Dhe pasi e bëri këtë gjë, ai qau përsëri;

Dhe i foli turmës dhe u tha atyre: Vini re të vegjlit tuaj.

Dhe si u kthyen të shikonin, ata hodhën sytë drejt qiellit dhe panë qiejt të hapen; dhe panë engjëj që po zbritnin nga qielli sikur të ishin në mes të një zjarri; dhe ata zbritën dhe rrethuan të vegjlit e tyre, … dhe engjëjt u shërbyen atyre” (3 Nefi 17:21–24).

E tillë është dëlirësia dhe fuqia e dashurisë së Perëndisë, siç zbulohet në Librin e Mormonit.

Në këto ditë të mëvonshme, ne që kemi privilegjin të kemi Librin e Mormonit, të jemi anëtarë të Kishës së Zotit, të kemi ungjillin e Tij dhe të mbajmë urdhërimet e Tij, dimë diçka për dashurinë e pafund të Perëndisë. Ne dimë se si ta bëjmë tonën dashurinë e Tij. Kur bëhemi dishepujt e Tij të vërtetë, fitojmë fuqinë të duam ashtu si Ai do. Kur i mbajmë urdhërimet e Tij, ne bëhemi më shumë si Ai. Ne zgjerojmë qarkun tonë personal të dashurisë duke iu drejtuar njerëzve të çdo kombi, fisi dhe gjuhe.

Me mirënjohje të thellë për jetën e Tij shembullore, ne mund ta bëjmë standardin tonë këtë shkrim të shenjtë: “Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë [dhe bijat] e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është” (Moroni 7:48).5

Shfaqja e Krishtit në Hemisferën Perëndimore, nga Arnold Friberg © 1995 IRI

Alma duke Pagëzuar në Ujërat e Mormonit, nga Arnold Friberg

Jezu Krishti Viziton Amerikat, nga John Scott