2012
Hiri i Mahnitshëm
Prill 2012


Ne Flasim për Krishtin

Hiri Mahnitshëm

Unë varem nga hiri i Jezu Krishtit çdo ditë.

“Në mbledhjet tona të Kishës, ne nuk flasim shpesh për hirin”, tha mësuesi im i fesë në Universitetin “Brigam Jang”, “por ne, meqënëse jemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, vërtet besojmë në hirin.”

Në të vërtetë, mua nuk më kujtohej ndonjë mësim i Të Rejave ose i Shkollës të së Dielës mbi hirin, por m’u kujtua kori i shkollës time të mesme duke kënduar “Amazing Grace” [“Hiri i Mahnitshëm”].

Hiri i mahnitshëm! (Sa i ëmbël tingulli!)

Ai shpëtoi një qyqar si unë!

Dikur i humbur isha, por tani jo më;

I verbër isha, por tani shoh.1

“Hiri është fuqia e Perëndisë nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, shpjegoi mësuesi im. “Unë e ndaj hirin në katër fuqi: ringjallje, shëlbim, shërim dhe forcim.” Ai vazhdoi të shpjegonte secilën fuqi, por mendja ime u kthye sërish te kujtimet e mia.

Dikur, i njëjti kor i shkollës së mesme udhëtoi për në Kaliforni të SHBA-së për të konkurruar në një konkurs muzikor. Vetëm pak para nisjes unë u sëmura dhe dhembja e grykës paracaktoi se unë nuk do isha në gjendje të këndoja me korin tim në konkurs – ose, nëse do të këndoja, unë do të kisha kënduar keq e me dhembje. Unë i kërkova atit tim një bekim priftërie dhe e kalova ditën vijuese duke u lutur për shërim.

Ndërsa këndova “Hiri i Mahnitshëm” me fytin plotësisht të shëruar në konkurs, mbase unë nuk kuptova plotësisht në atë kohë, se po këndoja pikërisht për atë fuqi që më shëroi vetëm një ditë më parë. Shlyerja e Shpëtimtarit më kishte bekuar atë ditë; hiri i Tij ishte burimi i shërimit tim.

“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij” (Alma 7:11).

Pas shkollës së mesme, sikurse shumë studentë të vitit të parë, unë isha e hutuar nga lëndët e universitetit dhe sfidat e të jetuarit njëkohësisht larg nga shtëpia por edhe me pesë shoqe dhome.

Kjo ndodhi kur unë mësova të kuptoja fuqinë forcuese dhe ndihmuese të hirit të Krishtit. I kaloja ditët duke punuar dhe studiuar, por varesha nga lutjet e përditshme në të cilat i lutesha Atit Qiellor për aftësi që të përmbushja detyrat e nevojshme. Ndërsa viti shkollor vazhdonte, unë zbulova për çudinë time se me fuqinë forcuese dhe ndihmuese të Shlyerjes së Krishtit, unë jo vetëm që mund të punoja mirë, por pa vështirësi.

“Unë mund të bëjë gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).

Edhe pse më ka mbetur t’i provoj dy aspektet e tjera të hirit të Tij – ringjalljen dhe plotësinë e shëlbimit – unë ende çdo ditë varem nga Shlyerja e Jezu Krishtit. Hiri, fuqia e Perëndisë nga Shlyerja e Jezu Krishtit, më ka shëruar dhe forcuar. Ndërkohë që përpiqem t’u bindem urdhërimeve të Perëndisë dhe të ndjek vullnetin e Tij, unë marr ndihmë qiellore të jashtëzakonshme që tejkalon vetë aftësinë time.

“Ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23).

Shënim

  1. John Newton, “Amazing Grace”, Olney Hymns (1779), nr. 41.

Fotoilustrim nga Ash Ram