2012
Të Mësojmë më Shumë nga Konferenca e Përgjithshme
Prill 2012


Të Mësojmë më Shumë nga Konferenca e Përgjithshme

Edhe pse themi “amen” në mbarim të sesionit të fundit të konferencës së përgjithshme, ushqimi shpirtëror me bollëk nuk ka pse të përfundojë atje. Ai mund të vazhdojë për sa kohë që i studiojmë dhe i zbatojmë mësimet nga ajo konferencë. Përgjatë viteve, profetët na kanë nxitur të bëjmë pikërisht atë. Për shembull, në 1946-ën, Presidenti Harold B. Li (1899–1973) u bëri thirrje anëtarëve që t’i lejonin bisedat e konferencës “të ishin udhëzuese për mënyrën se si ata do të vepronin dhe do të flisnin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm”. Ai shpjegoi: “Këto janë çështjet e rëndësishme që Zoti vendos t’ia zbulojë këtij populli në këtë ditë”1.

Në vitin 1988, Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) përsëri shprehu atë këshillë kur dha mësim: “Për gjashtë muajt e ardhshëm, botimin e konferencës tuaj të Ensign-it duhet ta vendosni pranë veprave tuaja standarde dhe t’i drejtoheni shpesh”2.

Në mbyllje të konferencës së përgjithshme të tetorit 2008, Presidenti Tomas S. Monson ripohoi rëndësinë e studimit të bisedave të konferencës. Ai tha: “E mbajtshim mend për shumë kohë atë që kemi dëgjuar gjatë kësaj konference të përgjithshme. Mesazhet që u dhanë do të shtypen në numrat e muajit të ardhshëm të revistave Ensign dhe Liahona. Unë ju nxis t’i studioni ato dhe të meditoni për mësimet e tyre.”3

Ndërsa i studioni dhe meditoni për mesazhet e konferencës, çfarë mund të bëni ju për t’i bërë ato më kuptimplote në jetën tuaj? Këtu janë disa sugjerime për t’ju ndihmuar që të përgatiteni, t’i merrni dhe të veproni sipas fjalëve të frymëzuara:

Përgatituni për të marrë frymëzim. Qoftë nëse i shihni, i dëgjoni, ose i lexoni bisedat e konferencës, ju duhet ta hapni zemrën dhe mendjen tuaj ndaj frymëzimit hyjnor. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se, nuk ka rëndësi se sa efektivisht një folës mund të japë mësim, “përmbajtja e një mesazhi dhe dëshmia e Frymës së Shenjtë depërtojnë në zemër vetëm nëse një marrës i lejon ato të hyjnë”. Ai shpjegoi se marrja e frymëzimit “kërkon përpjekje shpirtërore, mendore e fizike dhe jo thjesht marrjen e çfarëdolloj gjëje që ndodh të vijë tek ju”4.

Idetë në vijim mund t’ju ndihmojnë të përgatiteni për të marrë mësim me anë të Shpirtit:

  1. Gjeni kohë dhe krijoni një mjedis ku mos të ketë gjëra që ju hutojnë, në të cilin ju mund të merrni nxitje shpirtërore.

  2. Kërkoni udhëheqje hyjnore përmes lutjes.

  3. Rendisni pyetjet ose shqetësimet vetjake për të cilat jeni duke kërkuar përgjigje.

Kuptoni mesazhet. Profetët dhe apostujt e gjallë japin mësim, sqarojnë, këshillojnë, paralajmërojnë dhe dëshmojnë. Hedhja e një vështrimi më të afërt në bisedat e tyre do t’ju ndihmojë t’i kuptoni më plotësisht mesazhet e tyre. Më poshtë janë disa metoda të efektshme studimi:

  • Bëni pyetje. Për shembull: Çfarë dëshiron Zoti që unë të mësoj nga ky mesazh? Si e zgjeron kjo bisedë kuptimin tim për një parim të ungjillit ose një varg të shkrimit të shenjtë? Çfarë historish janë përdorur për të ilustruar parimet e ungjillit dhe çfarë mësoj prej tyre?

  • Bëni një skicë orientuese. Kushtojini vëmendje asaj që duket të jetë skica orientuese e folësit. Ndajini bisedat në paragrafe dhe shkruani një përmbledhje që shpjegon idenë kryesore të paraqitur në çdo paragraf.

  • Përcaktoni elementë të ndryshëm brenda bisedës. Vini re gjëra të tilla si: doktrina, shkrime të shenjta, histori, paralajmërime, lista, dëshmi, ftesa për të vepruar dhe bekime të premtuara për bindje ndaj këshillës.

  • Studiojeni bisedën më shumë se një herë. Është e domosdoshme t’i studioni të vërtetat e ungjillit më shumë se një herë për të kapur kuptimin dhe domethënien e tyre të plotë. Sa herë që studioni, mbajini shënim njohuritë e reja që merrni.

Veproni sipas asaj që mësoni. Nëse i studioni bisedat plot lutje, ju do të shihni se si zbatohen mesazhet në jetën tuaj. Ju mund të mësoni se si të bëni ndryshime kuptimplote duke bërë pyetje si: Çfarë dëshiron Zoti që unë të bëj me atë që mësoj? Dhe: Çfarë kam mësuar që do të më ndihmojë në familje, në punë ose në thirrjen time në Kishë? Shkruajini përshtypjet në mënyrë që të mos i harroni. Nëse e bëni këtë, ju do të jeni të frymëzuar për t’i vënë në jetë mësimet dhe do të merrni bekimet e premtuara.

Konferenca e përgjithshme është koha kur Zoti ju zbulon vullnetin e Tij nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dha mësim mbi bisedat e konferencave: “Asnjë libër përveç veprave standarde të Kishës nuk duhet të ketë një vend të tillë të rëndësishëm në raftet e bibliotekës tuaj personale – jo për cilësinë dhe bindshmërinë e shkrimit, por për konceptet që tregojnë rrugën drejt jetës së përjetshme”5.

Shënime

  1. Harold B. Lee, në Conference Report, prill 1946, f. 68.

  2. Ezra Taft Benson, “Come unto Christ, and Be Perfected in Him”, Ensign, maj 1988, f. 84.

  3. Tomas S. Monson, “Derisa Të Takohemi Përsëri”, Liahona, nëntor 2008, 106.

  4. David A. Bednar, “Seek Learning by Faith”, Liahona, shtator 2007, f. 17, 20.

  5. Spencer W. Kimball, In the World but Not of It, Brigham Young University Speeches of the Year (14 maj 1968), f. 3.