2012
Seminari në Xhunglat e Ekuadorit
Prill 2012


Seminari në Xhunglat e Ekuadorit

Në një xhungël të largët, seminari po bën një ndryshim të madh për këta të rinj.

Terreni ndryshon shpejt në xhunglën e Amazonës në Kuiton Lindore të Ekuadorit, përtej vullkaneve dhe maleve të Andeve. Atje do të gjeni pyje të dendur, lumenj të bollshëm, majmunë, tukanë e madje edhe delfinë rozë.

Ju do të gjeni edhe një qytet të quajtur Puerto-Fransisko de Orelana. Ai është shumë ndryshe nga, epo mirë, nga gjithçka tjetër në Ekuador. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, kishte relativisht pak njerëz në zonë. Por zbulimi i naftës solli industrinë, njerëz që kërkonin punë, dhe anëtarë të Kishës.

Seminari në një Degë të Vogël

Pak prej të rinjve, si Oskar R., ishin tashmë anëtarë kur u krijua dega, por pjesa më e madhe janë të kthyer në besim prej pak kohësh. Dhe ata janë entuziastë dhe të emocionuar rreth Kishës. “Ne jemi të fortë”, thotë Oskari.

Në shtator të 2010–ës, vetëm një vit pasi qe krijuar, dega filloi një program seminari. “Kur ne nisëm të mblidheshim në fillim disa vite më parë”, tha Oskari “kishte shumë pak prej nesh. Unë isha i riu i vetëm. Por ne vazhduam të shtoheshim. Shpejt ne patëm 6, pastaj 10 dhe tani akoma më shumë të rinj.”

Duke qenë se disa nga të rinjtë shkojnë në shkollë në mëngjes dhe të tjerët pasdite, ata kanë organizuar dy orare për klasën e seminarit – një në mëngjes nga ora 8:00 deri në orën 9:00 dhe një pasdite nga ora 16:30 deri në orën 17:30.

Mund të mos ketë shumë të rinj në program, por për ata të rinj që marrin pjesë, seminari u ka ndryshuar jetën.

Përse të Shkoni?

“Seminari është një bekim i madh për mua”, thotë Luis V., një i kthyer i ri në besim. “Ai më ndihmon mua të bëhem një misionar i mirë. Unë kam përballuar shumë sfida dhe tundime që kur jam bashkuar me Kishën, por kam qenë në gjendje të mbaj veten të fortë sepse unë e di se po bëj atë që është e drejtë.”

Dhe nuk është vetëm Luisi që ndihet në atë mënyrë. “Unë kam qenë anëtare e kishës për shumë pak kohë”, thotë Ariana J., “por unë kam marrë pjesë në seminar që kur jam pagëzuar. Jam e lumtur që e ndjek, sepse po mësoj shumë gjëra të vërteta lidhur me ungjillin e Jezu Krishtit që e mbushin zemrën time me shpresë dhe mendjen time me kuptim.”

Pjesëmarrja në seminar e ka ndihmuar Arianën të vendosë një themel të fortë në ungjill. “Për mua, është një bekim të jem pjesë e këtyre orëve mësimore”, thotë Ariana. “Ato më forcojnë shpirtin dhe më ndihmojnë të përgatitem në mënyrë që një ditë të mund të jem bashkëshorte, nënë dhe udhëheqëse e mirë në Kishë dhe ndoshta një misionare me kohë të plotë.”

Vëllai i Arianës, Xherardo, ndihet njësoj. “Unë jam mirënjohës që seminari është bërë një pjesë e rëndësishme e jetës sime”, thotë ai. “Ai po më përgatit që të shërbej në një mision një ditë. Atje unë kam mësuar rreth plani të shpëtimit që Perëndia ka përgatitur për mua. Çdo orë mësimore që ndjek, më jep shpresë që unë mund të trashëgoj mbretërinë çelestiale dhe më jep siguri se unë e kam marrë ungjillin e Jezu Krishtit.”

Xherardo është shumë i lodhur ndonjëherë gjatë orës mësimore. Atij i duhet të çojë së pari vëllanë e tij të vogël në shkollë e më pas të kthehet në shtëpi shpejt për të marrë motrën në mënyrë që të mund të shkojnë në seminar. Por ai nuk e ka problem.

“E gjitha kjo është diçka shumë e re për mua, por unë jam plot me lumturi”, thotë Xherardo. “Unë e di se jam në shtegun e duhur që do të më japë mundësinë të shoh përsëri Atin tim Qiellor. Shpirti i Shenjtë ma jep këtë siguri. Unë thjesht duhet të bëj një përpjekje dhe të ngulmoj deri në fund.”

S’ka Pse të Jemi në Siklet

Për Uollter A., seminari ishte fillimisht pak frikësues. “Unë isha në siklet herën e parë që shkova”, thotë ai. “Por kur hyra në klasë, u ndieva i veçantë sepse e ndieva dashurinë që ndihet kur studion shkrimet e shenjta. Dhe kur u largova, u ndieva i forcuar me lumturi në zemrën time për atë që kisha mësuar. Një nga bekimet më të mëdha që Ati Qiellor ka për të rinjtë, është seminari.”

“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ka ndryshuar jetën time”, thotë Abel A., i cili po përgatitet gjithashtu për të shkuar në mision. “Unë po mësoj rreth mësimeve të profetëve. E dua Jozef Smithin. Ai u tregua trim kur bëri të ndodhë Rivendosja e Kishës së vërtetë pavarësisht nga gjithë problemet që kjo i shkaktoi atij. Unë dua të bëhem trim siç qe ai.”

Shumë të rinjve u duhet të bëjnë sakrifica që të marrin pjesë në seminar. Nuk është gjithmonë e lehtë, por për të rinjtë në Puerto-Fransisko de Orelana në Ekuador, ia vlen përpjekja.

“Kur mendoj rreth të vazhduarit përpara, siç thuhet në shkrimet e shenjta”, shpjegon Abeli, “unë mendoj se kjo do të thotë që të vendosim përparësitë tona për jetën. Seminari është një prej tyre. Ashtu siç ma ka ndryshuar mua jetën, ai mund të bëjë të njëjtën gjë për të rinj të tjerë.”

Edhe në vendet më të largëta të një xhungle në Ekuador, Kisha e Jezu Krishtit dhe programi i saj i seminarit të të rinjve po ua lulëzon dhe ndryshon jetën atyre që zgjedhin t’ia lejojnë këtë.

Seminari i forcon të rinjtë njësoj si këta të rinj në Ekuador, shumë prej të cilëve janë të kthyer në besim kohët e fundit.

Fotografitë nga Joshua J. Perkey