2013
Këshilla për Misionarin Ngurrues
shkurt 2013


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shkurt 2013

Këshilla për Misionarin Ngurrues

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

Dishepujt e Jezu Krishtit kanë pasur gjithnjë përgjegjësinë për t’ia çuar botës ungjillin e Tij (shih Marku 16:15–16). Megjithatë, ndonjëherë është e vështirë ta hapim gojën dhe t’u flasim për besimin tonë atyre që na rrethojnë. Ndërkohë që disa anëtarë të Kishës kanë një talent natyral për t’u folur të tjerëve rreth fesë, të tjerë janë pak ngurrues ose mund të ndihen të ngathët, të ndrojtur ose madje edhe të frikësuar nga bërja e kësaj.

Për këtë arsye, më lejoni t’ju sugjeroj katër gjëra që çdokush mund të bëjë për të ndjekur porosinë e Shpëtimtarit për t’ia predikuar ungjillin “çdo krijese” (DeB 58:64).

Jini Dritë

Një thënie e preferuar e imja që shpesh i atribuohet Shën Françeskut të Asisit thotë: “Predikojeni ungjillin gjithmonë [me sjellje] dhe, nëse është e nevojshme, përdorni fjalët”.1 Në këtë thënie nënkuptohet se shpesh predikimet më të fuqishme janë ato pa fjalë.

Kur kemi integritet moral dhe jetojmë në përputhje me standardet tona, njerëzit e vënë re. Kur ne rrezatojmë gëzim e lumturi, ata e vënë re akoma më tepër.

Gjithsecili dëshiron të jetë i lumtur. Kur ne anëtarët e Kishës e rrezatojmë dritën e ungjillit, njerëzit mund ta shohin lumturinë tonë dhe të ndjejnë dashurinë e Perëndisë që mbush dhe vërshon në jetën tonë. Ata duan të dinë arsyen. Ata dëshirojnë të kuptojnë mënyrën si e kemi arritur atë.

Kjo i bën ata të bëjnë pyetje të tilla si: “Përse je kaq i lumtur?” ose: “Përse ke gjithnjë një qëndrim kaq pozitiv?” Përgjigjet e këtyre pyetjeve, sigurisht, të çojnë përsosmërisht drejt një bisede rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

Jini të Gatshëm për të Biseduar

Hapja e temës së fesë – veçanërisht para miqve dhe njerëzve tanë të dashur – mund të duket frikësuese dhe sfiduese. Nuk ka pse të jetë e tillë. Përmendja e përvojave shpirtërore apo të folurit rreth aktiviteteve ose ngjarjeve të Kishës në biseda të zakonshme mund të jetë e lehtë dhe e këndshme nëse përdorim pak guxim dhe mendim praktik.

Bashkëshortja ime, Herieta, është një shembull i mrekullueshëm i kësaj. Kur jetonim në Gjermani, ajo do të gjente një mënyrë për t’i përmendur çështje të lidhura me Kishën në bisedat e saj me miq e të njohur. Për shembull, kur dikush e pyeste për fundjavën e saj, ajo thoshte: “Këtë të diel ne patëm një përvojë mbresëlënëse në kishën tonë! Një i ri 16-vjeçar mbajti një bisedë të bukur para 200 njerëzve në bashkësinë tonë rreth të jetuarit të një jete të pastër.” Ose: “Unë mësova rreth një gruaje 90-vjeçare që thuri më shumë se 500 batanije dhe ia dha programit humanitar të Kishës sonë që t’u dërgohen njerëve në nevojë në mbarë botën”.

Në pjesën më të shumë të rasteve, njerëzit që e dëgjonin këtë, dëshironin të dinin më tepër. Ata bënin pyetje. Dhe kjo të çonte në mundësi për të folur rreth ungjillit në një mënyrë të natyrshme, mirëbesuese, jo fyese ndaj të tjerëve.

Me shpikjen e internetit dhe medias shoqërore, është më e lehtë sot për të folur rreth këtyre gjërave në një mënyrë bisedore sesa kurrë më parë. Ajo që na duhet, është thjesht guximi për ta bërë këtë.

Jini Plot Hir

Fatkeqësisht, është shumë e lehtë të kesh mosmarrëveshje. Ndodh shumë shpesh që ne grindemi, nënvleftësojmë dhe dënojmë. Kur zemërohemi, bëhemi të pasjellshëm apo lëndues ndaj njerëzve, gjëja e fundit që ata dëshirojnë, është të mësojnë më shumë rreth nesh. Është e pamundur të dish sa njerëz janë larguar nga Kisha ose nuk janë bashkuar kurrë me të për shkak se dikush tha diçka që i lëndoi apo i fyu.

Ka shumë mungesë qytetarie në botë sot. Për shkak se njerëzit mund të shkruajnë në internet pa e marrë vesh të tjerët se kush e shkroi, është më e lehtë se kurrë që të thuash gjëra shpotitëse ose të pakëndshme kur je në linjë. A nuk duhet që ne, dishepujt shpresëdhënës të Krishtit tonë fisnik, të kemi një standard më të lartë, më mirëbërës? Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit” (Kolosianëve 4:6).

Më pëlqen ideja që fjalët tona të jenë aq të qarta sa qielli me diell dhe plot hir. A mund ta përfytyroni se si do të ishin familjet, lagjet, kombet, madje edhe bota nëse do ta përvetësonim këtë parim të thjeshtë?

Jini të Mbushur me Besim

Ndonjëherë ne marrim mbi vete shumë merita ose shumë faje kur bëhet fjalë për pranimin e ungjillit nga të tjerët. Është e rëndësishme të mbani mend se Zoti nuk pret që ta bëjmë ne kthimin në besim.

Kthimi në besim nuk vjen nëpërmjet fjalëve tona, por nëpërmjet shërbesave qiellore të Shpirtit të Shenjtë. Ndonjëherë gjithçka që duhet, është një frazë e vetme e dëshmisë sonë ose rreth një përvoje për të shkaktuar zbutjen e një zemre ose hapjen e një dere që mund t’i bëjë të tjerët të përjetojnë të vërteta madhështore nëpërmjet nxitjeve të Shpirtit.

Presidenti Brigam Jang (1801–1877) tha se ai e dinte që ungjilli ishte i vërtetë kur “pa një njeri pa gojëtari apo talente për të folurën në publik, i cili mund të thoshte vetëm: ‘Unë e di, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, se Libri i Mormonit është i vërtetë, se Jozef Smithi është një profet i Zotit’”. Presidenti Jang tha kur dëgjoi atë dëshmi të përulur: “Fryma e Shenjtë që buronte nga ai person, ndriço[i] kuptueshmërinë time, dhe unë kupto[va] dritën, lavdinë dhe pavdekësinë”.2

Vëllezër e motra, kini besim. Zoti mund t’i lartësojë fjalët që thoni dhe t’i bëjë ato të mëdha. Perëndia nuk ju kërkon juve të ktheni në besim, por përkundrazi të hapni gojën. Detyra e kthimit në besim nuk është e juaja – ajo i përket njeriut që dëgjon dhe Shpirtit të Shenjtë.

Çdo Anëtar një Misionar

Miqtë e mi të dashur, sot ka më shumë mënyra se kurrë që ne ta hapim gojën dhe ta ndajmë me të tjerët lajmin e gëzueshëm të ungjillit të Jezu Krishtit. Ka një mënyrë për gjithsecilin – madje edhe për misionarin ngurrues – që të marrë pjesë në këtë punë të mrekullueshme. Secili prej nesh mund të gjejë një mënyrë për t’i përdorur talentet dhe interesat e veta të veçanta në mbështetje të punës së mrekullueshme të mbushjes së botës me dritë dhe të vërtetë. Ndërsa e bëjmë këtë, ne do të gjejmë gëzimin që u vjen atyre që janë besnikë dhe të guximshëm mjaftueshëm që “të qëndro[jnë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat” (Mosia 18:9).

Shënime

  1. St. Francis of Assisi, në William Fay and Linda Evans Shepherd, Share Jesus without Fear (1999), f. 22.

  2. Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 67.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Një mënyrë e efektshme për të dhënë mësim është që t’i “inkurajoni ata të cilëve u jepni mësim që të vendosin … synime që mund t’i ndihmojnë ata ta jetojnë parimin që ju keni dhënë mësim” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 159). Mbani parasysh që t’i ftoni ata të cilëve u jepni mësim që të vendosin një synim plot lutje për ta ndarë ungjillin me një ose me më shumë njerëz këtë muaj. Prindërit mund të diskutojnë rreth mënyrave në të cilat fëmijët më të vegjël mund të ndihmojnë. Ju mund t’i ndihmoni gjithashtu pjesëtarët e familjes që të përmbledhin ose të interpretojnë në role mënyra për të përmendur ungjillin në biseda të zakonshme dhe të mendojnë për aktivitetet e ardhshme të Kishës në të cilat mund të ftojnë një mik.