2013
Pusho dhe Fashitu
mars 2013


Mesazhi i Presidencës së Parë, Mars 2013

Pusho dhe Fashitu

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Një ditë, disa vite më parë, pasi u mora me disa punë në zyrë, ndieva një nxitje të fortë për të vizituar një vejushë të moshuar që ishte paciente në qendrën e përkujdesjes për të moshuarit në Solt-Lejk-Siti. Shkova menjëherë me makinë atje.

Kur shkova në dhomën e saj, e gjeta të zbrazët. Pyeta një kujdestare se ku mund të ishte dhe ajo më drejtoi për nga salla e pritjes. Atje e gjeta këtë vejushë të ëmbël duke folur me të motrën dhe një mike tjetër. Ne bëmë një bisedë të këndshme së bashku.

Ndërsa ishim duke folur, një burrë hyri nga dera e sallës për të marrë një kanaçe me pije freskuese nga makineria automatike e shitjes. Ai më hodhi një shikim të shpejtë dhe tha: “Ou, ju jeni Tom Monson”.

“Po”, iu përgjigja. “Ndërsa ju dukeni si një Heminguej.”

Ai e pranoi se ishte Stefën Hemingueji, i biri i Alfred Juxhin Heminguejit, i cili pati shërbyer si këshilltari im kur isha peshkop shumë vite më parë dhe të cilin e thërrisja Xhini. Stefëni më tregoi se i ati ndodhej në po atë ndërtesë dhe qe pranë vdekjes. Xhini më kishte kërkuar dhe familja dëshironte të lidhej me mua, por nuk kishin mundur të gjenin numrin tim të telefonit.

E përshëndeta menjëherë vejushën dhe u ngjita me Stefënin në dhomën e këshilltarit tim të mëparshëm ku qenë mbledhur edhe fëmijët e tij të tjerë, ndërsa e shoqja kishte ndërruar jetë disa vite më parë. Pjesëtarët e familjes e quajtën takimin tim me Stefënin në sallën e pritjes si një përgjigje nga Ati ynë Qiellor ndaj dëshirës së madhe të tyre që unë ta shihja të atin përpara se të vdiste dhe t’i përgjigjesha thirrjes së tij. Edhe unë e ndieva se ishte kështu, pasi po të mos kishte hyrë Stefëni në sallën në të cilën isha unë pikërisht në kohën që hyri, nuk do ta kisha ditur kurrë që Xhini ishte në atë ndërtesë.

Ne i dhamë atij një bekim. Mbizotëroi një shpirt paqeje. Ne bëmë një bisedë të këndshme, pas së cilës u largova.

Mëngjesin vijues mësova përmes një telefonate se Xhini Hemingueji kishte ndërruar jetë – vetëm 20 minuta pasi kishte marrë bekimin nga i biri dhe nga unë.

Bëra një lutje falënderimi në heshtje ndaj Atit Qiellor për ndikimin e Tij udhërrëfyes, që më nxiti për vizitën te qendra e përkujdesjes dhe më udhëhoqi për te miku im i shtrenjtë Alfred Juxhin Hemingueji.

Më pëlqen të mendoj se mendimet e Xhini Heminguejit atë mbrëmje – teksa ngroheshim në zjarrminë e Shpirtit, morëm pjesë në lutjen e përulur dhe shqiptuam një bekim priftërie – u bënë jehonë fjalëve të përmendura te himni “Master, the Tempest is Raging” [“Mësu’s, Furtuna po Nxitet”]:

Rri k’tu, Shëlbues i bekuar!

Vetëm të mos qëndroj,

Dhe në port do të arrij plot me gëzim,

në breg me hare t’pushoj.

Ende më pëlqen shumë ai himn dhe dëshmoj për ngushëllimin që të jep:

Zem’rimi i detit plot stuhi,

As djajt’ as njer’zit, as çfar’do që të vij’,

S’ka uj’ të gëlltis’ anijen ku rri

Zoti i detit, tokës dhe qiellit.

të gjith’ ëmbëlsisht të binden ty:

“Paq’, qetsi!”1

Përmes lotëve e sprovave, përmes frikës e hidhërimeve, përmes zemërkëputjes e vetmisë së humbjes së njerëzve të dashur, ka një siguri se jeta është e përjetshme. Zoti dhe Shpëtimtari ynë është dëshmia e gjallë që kjo është e vërtetë.2 Fjalët e Tij në shkrimet e shenjta janë të mjaftueshme: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” (Psalmeve 46:10). Unë dëshmoj për këtë të vërtetë.

Shënime

  1. “Master, the Tempest Is Raging”, Hymns, nr. 105.

  2. Shih Richard L. Evans, “So Let Us Live to Live Forever”, New Era, korrik 1971, f. 18.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Ky mesazh mund t’i ngushëllojë ata që kanë humbur një njeri të dashur prej vdekjes, ose ata që po rropaten me një sprovë. Përveç mesazhit të Presidentit Monson, merrni parasysh që të lexoni një nga shkrimet e shenjta vijuese bazuar mbi nevojat e atyre të cilëve u jepni mësim: Jobi 19:25–26; 1 Korintasve 15:19–22; Mosia 24:13–15; Doktrina e Besëlidhje 122:7–9. Nëse ndieni nxitje, ju mund të dëshmoni për paqen që Shpëtimtari ju ka dhënë gjatë sprovave tuaja.