2013
Vdekja dhe Jeta: Pikëpamje Pionierësh për Ringjalljen
Prill 2013


Vdekja dhe Jeta

Vdekja dhe Jeta: Pikëpamje Pionierësh për Ringjalljen

Ndërkohë që të kthyerit e hershëm në besim të Kishës udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara perëndimore për t’u bashkuar me shenjtorët, ata gjetën vdekjen, por morën përkrahje nga besimi i tyre i ri në ungjillin e rivendosur. Më poshtë janë pjesë të shkëputura nga rrëfime të pionierëve, të cilat tregojnë shpresën e shenjtorëve te Ringjallja, së bashku me mësime ngushëlluese nga pesë presidentët e parë të Kishës.

Historia e një babai shenjtor i ditëve të mëvonshme skandinav të papërmendur me emër, djali i të cilit vdiq gjatë udhëtimit nga Nju-Jorku për në Juta në 1866-ën:

“Me ndihmën e një miku, varri i vogël u gërmua dhe trupi u vendos brenda. Fëmija, i vdekur nga një sëmundje ngjitëse, nuk pati njerëz të mbledhur për të mbajtur zi, as ceremoni zyrtare, as kurora lulesh, as këngë shpirtërore, as fjalë lavdërimi. Por përpara se babai vajtues të largohej, ai shqiptoi një lutje të shkurtër dedikuese në gjuhën e tij mëmë (daneze), që vijon: …

‘Ati Qiellor: Ti ma dhe këtë thesar të vogël – këtë djalë të dashur dhe tani Ti e ke thirrur atë larg. A mund të bësh që eshtrat e tij të mund të qëndrojnë këtu të pashqetësuara deri në mëngjesin e ringjalljes. U bëftë vullneti Yt. Amen.’

Dhe duke u ngritur nga toka, fjalët e tij të lamtumirës ishin:

‘Lamtumirë, Hansi im i dashur, i vogël – biri im i bukur.’ Më pas, me kokën të varur dhe zemrën plot dhembje, ai me vendosmëri vazhdoi rrugën për në vendin e fushimit.”1

Presidenti Jozef Smith (1805–1844):

“Sa ngushëlluese është për ata që vajtojnë, kur ndahen nga një bashkëshort, bashkëshorte, atë, nënë, fëmijë, apo një i afërm i dashur, të dinë se ndonëse vendbanimi tokësor varroset dhe tretet, ata do të ngrihen përsëri që të banojnë në flakët e përjetshme në lavdinë e pavdekshme, që të mos hidhërohen, vuajnë apo vdesin më, por do të jenë trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin.”2

Jozef Uatson Jang (1828–1873), nipi i Brigam Jangut, i cili udhëtoi nga Anglia për në Shtetet e Bashkuara në 1853:

“Ishte një skenë e vajtueshme t’ia dorëzoje një krijesë njerëzore thellësisë së heshtur në orën e vdekur të natës, me vetëm pak dëshmitarë të vetmuar. … Ai nuk kishte të afërm në anije ose dikë në veçanti që të vajtonte për të, me përjashtim të një shërbëtori si ai. Këto janë shpresat më të dashura të natyrës njerëzore, të shuara në një çast. Ky i ri kishte braktisur gjithçka për të shkuar në Sion dhe zemra i digjte me parashikime të gjalla për të ardhmen, pa menduar aspak se ai do t’ia dorëzonte trupin e tij tokësor valëve të uritura. Megjithatë, ai vdiq, jo si ata që nuk kanë shpresë, sepse paqja e tij ishte vendosur me Perëndinë e tij dhe ai pati sigurinë e plotë të një ringjalljeje të lavdishme në mëngjesin e të drejtëve.”3

Presidenti Brigam Jang (1801–1877):

“Ç’luginë dhe ç’hije e errët është ajo që ne e quajmë vdekje! Të kalosh nga kjo gjendje e të jetuarit, përsa i përket trupit të vdekshëm, në një gjendje zbrazëtie, sa e habitshme është! Sa e errët është kjo luginë ! Sa e mistershme është kjo udhë dhe neve na duhet ta bëjmë të vetëm. Do të doja t’ju thoja, miqtë dhe vëllezërit e mi, nëse mund t’i shihnim gjërat siç janë, dhe ndërsa do t‘i shohim dhe kuptojmë ato, kjo hije dhe luginë e zymtë është kaq e papërfillshme sa ne do të kthehemi dhe do ta hedhim vështrimin mbi të dhe do të mendojmë, kur ta kemi kaluar atë, përse kjo është përparësia më e madhe e tërë ekzistencës sonë, sepse ne kemi kaluar nga një gjendje hidhërimi, pikëllimi, vajtimi, fatkeqësie, mjerimi, dhembjeje dhe zhgënjimi në një gjendje ekzistence, ku unë mund ta gëzoj jetën në shtrirjen më të madhe, për aq sa ajo mund të bëhet pa një trup.”4

Den Xhons (1811–1862), i kthyer në besim nga Uellsi që, me zj. Uilliams dhe anëtarë të tjerë të Kishës, lundroi për në Shtetet e Bashkuara në 1849:

“Zj. Uilliams, nga Ynysybont pranë Tregaronit [Uells], po keqësohet shpejt dhe shenjat janë që nuk do të jetojë gjatë. … Ajo tha se nderi më i madh që kishte marrë, ishte që mundi të bëhej anëtare e kishës së vërtetë të Birit të Perëndisë, se nuk kishte frikë në kraharorin e saj lidhur me jetën tjetër dhe se feja e saj tashmë e vërtetoi forcën e saj më shumë se ndonjëherë më parë. … Ajo me solemnitet i këshilloi bijtë e saj të vazhdonin plot besim deri në vdekje, me qëllim që ata të merrnin me të një ringjallje më të mirë. … Ajo vazhdoi me kthjelltësi gjatë natës dhe në katër e një çerek të mëngjesit pasues shpirti i saj u largua në paqe, duke lënë një buzëqeshje mbi buzët e saj.”5

Presidenti Xhon Tejlor (1808–1887):

“Sa ngushëlluese është për ata që thirren të vajtojnë humbjen e miqve të tyre të dashur në vdekje, të dinë se ne do të shoqërohemi me ta përsëri! Sa kurajë u jep të gjithëve që jetojnë sipas parimeve të zbuluara të së vërtetës, ndoshta më veçanërisht atyre, jeta e të cilëve pothuajse po mbaron, që e kanë duruar nxehtësinë dhe barrën e ditës, të dinë se pa kaluar shumë kohë ne do të shpërthejmë pengesat e varrit dhe do të vijmë si qenie të gjalla dhe të pavdekshme, për të gëzuar shoqërinë e miqve tanë të sprovuar dhe të besuar, për të mos vuajtur më me farat e vdekjes dhe për të mbaruar veprën që Ati na ka dhënë për të bërë!”6

Endrju Xhenson (1850–1941), një emigrant danez që udhëtoi me kompaninë e karrocave Endrju H. Skot nga Nebraska, SHBA, deri në Juta më 1866:

“Kur dëshmuam kufomat tokësore të [bashkudhëtarëve tanë] të vendosura në tokën mëmë, në vendin e shkretë, ne të gjithë vajtuam ose u ndiem gati për të vajtuar; sepse mendimi i varrosjes së të dashurve në këtë mënyrë, kur miqtë dhe të afërmit duhej menjëherë të largoheshin me të shpejtë, pa shpresën se ndonjëherë do t’i vizitonin vendet e prehjes së të vdekurve të tyre përsëri, ishim me të vërtetë i trishtuar dhe sprovues. … Por varret e tyre do të gjenden kur Gabrieli t’i bjerë borisë së tij në mëngjesin e ringjalljes së parë. Këta të larguar, pra, i shtrinë trupat e tyre, ndërsa marshonin drejt Sionit. Zoti i thirri në shtëpi përpara se të arrinin vendmbërritjen e tyre; ata nuk u lejuan ta shihnin Sionin sa ishin gjallë; por do të marrin lavdi dhe do të gëzohen më pas; ata vdiqën ndërsa përpiqeshin t’i bindeshin Perëndisë dhe t’i mbanin urdhërimet e tij, dhe të bekuar janë ata që vdesin në [Zotin].”7

Presidenti Uillford Udraf (1807–1898):

“Pa ungjillin e Krishtit ndarja nga vdekja është një nga temat më të zymta që është e mundur të mendohet; por sapo marrim ungjillin dhe mësojmë parimin e ringjalljes, zymtia, hidhërimi dhe vuajtja që shkaktohen nga vdekja, largohen në një shkallë të madhe. … Ringjallja e të vdekurve paraqitet përpara mendjes së ndriçuar të njeriut dhe ai ka një themel mbi të cilin të prehet shpirti i tij. Ky është qëndrimi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme sot. Ne vetë e dimë, ne nuk jemi në errësirë lidhur me këtë çështje; Perëndia na e ka zbuluar dhe ne e kuptojmë parimin e ringjalljes së të vdekurve dhe se ungjilli nxjerr në pah jetën dhe pavdekësinë.”8

Uilliam Drajvër (1837–1920), pionier që udhëtoi nga Anglia për në Nju-Jork, ShBA, më 1866:

“Uilli, fëmija im më i dashur, ishte shumë i sëmurë gjithë natën deri në 7:30 të mëngjesit, kur ai u çlirua nga vuajtjet e tij. Perëndia e bekoftë shpirtin e tij të dashur. Sa shumë vuajti. Ai e provoi vdekjen për shkak të thyerjes së karrocës së zj. Poulltër në kodrën e Shën-Anës, Uondsuërth, Suri, Angli. O, sa e vajtoj këtë fatkeqësi të madhe. O Zot, ndihmomë nëpërmjet fuqisë Tënde për ta duruar atë, sepse është vullneti Yt, dhe më nxit për të të shërbyer Ty më me fisnikëri dhe me më shumë besim, dhe le të jetoj për t’u takuar me të në një botë më të lumtur dhe më të mirë me motrën e tij të dashur, Elizabet Marianën, dhe në ringjalljen e të drejtëve, qofsha atje për t’i takuar ata.”9

Presidenti Lorenco Snou (1814–1901):

“Në jetën që vjen, ne do t’i kemi trupat tanë të përlëvduar dhe të lirë nga sëmundja dhe vdekja. Asgjë nuk është aq e bukur sa një njeri në gjendjen e tij të ringjallur dhe të përlëvduar. Nuk ka asgjë më të dashur se të jemi në këtë gjendje dhe t’i kemi bashkëshortet e fëmijët dhe miqtë tanë me vete.”10

Shënime

  1. Robert Aveson, “Leaves from the Journal of a Boy Emigrant”, Deseret News, mars 12, 1921, 4:7; në dispozicion në lds.org/churchhistory/library/pioneercompanysearch.

  2. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 55.

  3. Joseph W. Young, Journal, 6 mars 1853, Church History Library, Salt Lake City, Utah; në dispozicion në internet tek mormonmigration.lib.byu.edu.

  4. Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 273.

  5. “A Letter from Capt. D. Jones to the Editor of Udgorn Seion”, në Ronald D. Dennis, The Call of Zion: The Story of the First Welsh Mormon Emigration, vëll. 2 (1987), f. 164–165; në dispozicion te mormonmigration.lib.byu.edu.

  6. Teachings of Presidents of the Church: John Taylor (2001), f. 50–51.

  7. Andrew Jenson, Journal, 20 gusht 1866, në Journal History of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 8 tetor 1866, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk Siti, Juta, f. 6; në dispozicion tek lds.org/churchhistory/library/pioneercompanysearch.

  8. Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff(2004), f. 82–83.

  9. Frank Driver Reeve, red., London to Salt Lake City in 1866: The Diary of William Driver (1942), f. 42; në dispozicion tek mormonmigration.lib.byu.edu.

  10. Lorenzo Snow, në Conference Report, tetor 1900, f. 63.

Ilustrimet nga Michael T. Malm DHE SFONDI NGA WELDEN C. ANDERSEN

Majtas: Presidenti Brigam Jang. Lart: Jozef Uatson Jang.

Djathtas: Presidenti Xhon Tejlor. Lart: Den Xhons.

Në kuadrat: Brigam Jang, nga John Willard Clawson; fotografi e Joseph Watson Young, mirësi e Bibliotekës Historike të Kishës; fotografi e Dan Jones © IRI; Xhon Tejlor, nga A. Westwood, mirësi e Muzeumit Historik të Kishës

Majtas: Presidenti Uillford Udraf. Lart: Endriu Xhenson.

Djathtas: Presidenti Lorenco Snou. Lart: Uilliam Drajvër.

Në kuadrat: Uillford Udraf, nga H. E. Peterson © IRI; fotografi e Andrew Jenson, nga Harold Howell Jenson, mirësi e Bibliotekës Historike të Kishës; fotografi e William Driver, mirësi e Bibliotekës Historike të Kishës; Lorenco Snou, nga Lewis Ramsey, mirësi e Muzeumit Historik të Kishës © IRI