2013
Të Tërhequr drejt Tempullit
Prill 2013


Të Tërhequr drejt Tempullit

Pamja
Plaku Zhairo Mazagardi

Për shumë njerëz të mirë, tempulli frymëzon ndjenja që mund ta përshkojnë menjëherë zemrën.

Përpara se të thirresha anëtar i Kuorumit të Dytë të Të Shtatëdhjetëve, bashkëshortja ime dhe unë kaluam disa vite duke shërbyer në tempujt e Kampinas dhe San-Paolos, në Brazil. Në të dy tempujt, unë shpesh u mahnita që njerëzit, të cilët udhëtonin pranë tempullit, tërhiqeshin kaq shumë nga ai sa ndalonin, hynin dhe pyesnin rreth tij.

Kur hynin, ne i vinim ata në dijeni se nuk mund të shkonin më tej pa përgatitjen e duhur. Ne atëherë u shpjegonim qëllimin e tempullit, ndanim disa nga doktrinat bazë të ungjillit dhe i ftonim të takoheshin me misionarët. Për shumë njerëz të mirë, tempulli vetë është një misionar i jashtëzakonshëm, sepse frymëzon ndjenja që mund ta përshkojnë menjëherë zemrën.

Gruaja ime, Elisabeta dhe unë e njohim drejtpërdrejt fuqinë e ndjenjave të tilla. Rreth 40 vjet më parë, një mik i mirë dhe koleg, një anëtar i Kishës, filloi të fliste me ne për ungjillin në biseda të rastësishme. Në disa raste, ai dërgoi misionarët të na vizitonin. Neve na pëlqyen misionarët dhe ramë dakord që t’i merrnim diskutimet, por nuk ishim vërtet të interesuar rreth asaj që ata kishin për të na mësuar.

Ajo ndryshoi në tetor 1978, kur kolegu im ftoi disa miq, përfshirë ne, në shtëpinë e hapur të tempullit të San-Paolos, në Brazil. Ai mori disa autobusa me qira, me shpenzimet e tij, me qëllim që miqtë e tij të mund të takoheshin me të tek tempulli, rreth 80 km larg.

Kur Elisabeta hyri në pagëzore, ajo ndieu diçka që nuk e kishte përjetuar kurrë më parë, diçka që ajo më vonë e njohu si Fryma e Shenjtë. Ndjenja ishte një gëzim i madh në zemrën e saj. Ajo e diti në atë çast se Kisha ishte e vërtetë dhe se ajo ishte Kisha me të cilën donte të bashkohej.

Një ndjenjë e ngjashme më erdhi mua në fund të shtëpisë së hapur, kur ne u shoqëruam për në dhomën e vulosjes dhe mësuam doktrinën e familjeve të përjetshme. Ajo doktrinë më preku. Isha i suksesshëm në profesionin tim, por prej kohësh ndieja zbrazëti në shpirtin tim. Nuk e dija se çfarë mund ta mbushte atë boshllëk, por e ndieja se ishte diçka që kishte të bënte me familjen. Atje, në dhomën e vulosjes, gjërat filluan të vendosen në vendin e duhur në mendjen dhe zemrën time.

Pak ditë më vonë, misionarët u lidhën me ne përsëri. Këtë herë ne ishim shumë të interesuar që ta dëgjonim mesazhin e tyre.

Pleqtë [elderat] na nxitën të luteshim nga thellësia e zemrës për të vërtetën. Vendosa se kjo ishte e vetmja mënyrë se si mund të lutesha. E dija se nuk mund të merrja zotim për t’u bashkuar me Kishën pa pasur një dëshmi të vërtetë. Isha i shqetësuar që t’i drejtohesha Atit Qiellor për të kërkuar miratim prej Tij, por në të njëjtën kohë, isha i sigurt se Ai do të më përgjigjej. I tregova Atij dëshirat e thella të zemrës sime dhe i kërkova Atij të më jepte një përgjigje që do të më siguronte se bashkimi me Kishën ishte shtegu i duhur.

Javën që pasoi, në Shkollën e së Dielës, miku ynë, i cili na kishte ftuar për të shkuar në shtëpinë e hapur të tempullit, u ul pranë meje. Ai u përkul drejt meje dhe filloi të më fliste. Fjalët që ai tha, iu përgjigjën saktësisht asaj për të cilën isha lutur të dija. Nuk pata asnjë dyshim se Ati Qiellor po më fliste nëpërmjet tij. Në atë kohë, unë isha një burrë i rreptë, i ashpër, por zemra ime u tret dhe fillova të qaj. Kur miku im kishte mbaruar, ai e ftoi bashkëshorten time dhe mua të pagëzoheshim. Ne pranuam.

Më 31 tetor 1978, më pak se një muaj pas përvojës sonë në tempullin e San-Paolos, ne u pagëzuam dhe u konfirmuam. Të nesërmen, ne morëm pjesë në sesionin e dytë përkushtues të tempullit të San-Paolos, Brazil. Një vit më vonë, u kthyem në tempull me dy djemtë tanë për t’u vulosur si familje. Që të tre rastet ishin përvoja të bukura, mbresëlënëse. Ne kemi vazhduar t’i përjetësojmë ato ndjenja me adhurimin e rregullt në tempull gjatë viteve.

Në të njëjtën ditë, njëzet e tetë vjet mbas ditës së pagëzimit tonë, gruaja ime dhe unë qëndruam në tempullin e San-Paolos, Brazil. Sapo isha thirrur si president tempulli. Ishte një përvojë prekëse për ne që të ecnim nëpër korridoret e shtëpisë së Zotit dhe të ndienim përsëri ndjenjat prekëse që kishin qenë katalizatori i kthimit tonë në besim.

Tempulli vazhdon të na sjellë gruas sime dhe mua lumturi të madhe. Kur shohim një çift të ri duke hyrë në tempull për t’u vulosur si familje e përjetshme, ne ndiejmë shpresë të madhe.

Shumë njerëz nëpër botë janë të përgatitur ta dëgjojnë mesazhin e ungjillit. Ata ndjejnë një etje të ngjashme me atë që ndieva unë më shumë se 30 vjet më parë. Tempulli dhe ordinancat e tij janë të fuqishme, aq sa të mjaftojnë për ta shuar atë etje dhe për t’i mbushur zbrazëtitë.

Fotografi nga Laureni Fochetto