2013
Java e Pashkës
Prill 2013


Java e Pashkës

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, e përmbushi Shlyerjen – që përfshiu vuajtjen e Tij në Gjetsemani, Kryqëzimin e Tij në Golgota dhe Ringjalljen e Tij nga varri – gjatë javës së fundit të jetës së Tij.

Në Këshillin e Qiellit, përpara se të krijohej toka, Ati Qiellor paraqiti planin e Tij për ne, fëmijët e Tij. Ne thirrëm me gëzim kur Ati Qiellor zgjodhi Jezu Krishtin për të zbatuar planin e shpëtimit (shih Jobit 38:7 dhe Abraham 3:27). I lindur nga Maria në Bethlehem, Jezusi jetoi një jetë pa mëkat. Për shkak të Shlyerjes së Tij, ne mund të kthehemi për të jetuar me Atin tonë Qiellor dhe për të marrë jetë të përjetshme. Jezu Krishti do të vijë përsëri me fuqi dhe lavdi për të banuar në tokë gjatë Mijëvjeçarit dhe Ai do të qëndrojë si Gjykatës i të gjithë njerëzve në ditën e fundit.

Në vijim janë disa fotografi nga videot e Biblës që përshkruajnë javën e fundit të jetës së Shpëtimtarit. Merreni në konsideratë leximin e vargjeve të shkrimeve të shenjta për secilën fotografi. Për një kronologji të plotë të ngjarjeve, drejtojuni harmonizimit të katër Ungjijve në Fjalorin e Biblës ose në Udhëzuesin e Shkrimeve të Shenjta. Videot e Biblës mund t’i gjeni në biblevideos.lds.org.

Pamja

Në ditën e pestë para Pashkës, Jezusi hyri në Jerusalem mbi një gomare, sikurse u profetizua. Njerëzit e njohën Atë si Mbretin e tyre, duke thirrur “Hosana” dhe i vendosën mantelet e tyre dhe degët e palmave në tokë përpara gomares. (Shih Mateu 21:1–11; Marku 11:1–11; Zakaria 9:9.)

Fotografitë © IRI

Pamja

Për herë të dytë gjatë shërbesës së Tij të vdekshme, Jezusi pastroi oborret e tempullit. “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje, por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh”, u tha Ai këmbyesve të parave (Mateu 21:13). Më pas shumë të verbër dhe të çalë erdhën tek Ai në tempull dhe Ai i shëroi. Por kur kryepriftërinjtë dhe skribët panë mrekullitë e Tij, ata u egërsuan dhe kërkuan një mënyrë për ta shkatërruar Atë. (Shih Mateu 21:12–17; Marku 11:15–19.)

Fotografitë © IRI

Pamja

Jezu Krishti, Biri i Vetëmlindur i Atit, denjoi të vinte në tokë për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit nga Rënia. (Shih 1 Nefi 11:16–22, 26–33; Alma 7:10–13.)

Fotografitë © IRI

Pamja

Gjatë gjithë javës, Shpëtimtari mbajti disa nga predikimet e Tij më të paharrueshme, duke përfshirë mësimet e tij rreth parasë së të vesë. (Shih Marku 12:41–44; Lluka 21:1–4.)

Fotografitë © IRI

Pamja

Në Kopshtin e Gjetsemanit, Shpëtimtari ra në gjunjë dhe u lut, agonia e Tij për mëkatet e botës duke e bërë Atë “të dridhe[t] për shkak të dhembjes e [t’i] dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj[ë] si në trup e në shpirt” (DeB 19:18). Shpejt Juda Iskarioti dhe një turmë burrash të armatosur arrestuan Jezusin dhe gjithë dishepujt e braktisën Zotin dhe u larguan. (Shih Mateu 26:36–56; Marku 14:32–50; Lluka 22:39–53.)

Fotografitë © IRI

Pamja

Gjatë darkës së Tij të fundit, Jezusi u premtoi apostujve të Tij se ata do të merrnin Ngushëlluesin, ose Frymën e Shenjtë, kur Ai të ishte larguar. Ai i mësoi ta kujtonin Atë nëpërmjet marrjes së sakramentit. Në fund të mbrëmjes, Jezusi bëri Lutjen Ndërmjetësuese, ku Ai u lut që dishepujt të mund të bëheshin një në unitet. (Shih Mateu 26:17–30; Marku 14:12–26; Lluka 22:14–32; Gjoni 13–17.)

Fotografitë © IRI

Pamja

Pas një gjyqi të paligjshëm dhe fshikullimit të egër, Jezu Krishti i lejoi ta kryqëzonin, duke përmbushur “flijimin e madh dhe të fundit”, i cili e bëri të mundur shpëtimin për gjithë fëmijët e Perëndisë (shih Alma 34:14–15). Përpara se të binte nata, pasuesit e Jezusit e larguan trupin e Tij nga kryqi, e mbuluan Atë me të linjta dhe erëza dhe e vendosën në një varr. (Shih Mateu 27; Lluka 23; Marku 15; Gjoni 19.)

Fotografitë © IRI

Pamja

Mëngjesi i së dielës agoi dhe Maria Magdalena dhe gra të tjera besimtare arritën te varri për ta vajosur më shumë trupin e Jezusit. Ato e gjetën gurin e varrit të lëvizur dhe dy engjëj që shpallën lajmet e gëzueshme: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall” (Mateu 28:6). Shpëtimtari i ringjallur e kishte mposhtur vdekjen fizike dhe bëri të mundur që secili nga ne të jetojë përsëri: “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin” (1 Korintasve 15:22). (Shih Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20).

Fotografitë © IRI