2013
Misioni dhe Shërbesa e Jezu Krishtit
Prill 2013


Misioni dhe Shërbesa e Jezu Krishtit

Nga një fjalim në një mbrëmje shpirtërore dhënë më 18 gusht 1998 në Universitetin “Brigam Jang”. Për tekstin e plotë në anglisht, shkoni te speeches.byu.edu.

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

Prova më e mirë e adhurimit tonë për Jezusin është përngjasimi ynë me Të.

Si njëri nga “dëshmitarët e veçantë të emrit të Krishtit në gjithë botën” (DeB 107:23), unë besoj se shërbej më mirë nëse i mësoj njerëzit dhe dëshmoj për Të. Së pari, unë mund të bëj të njëjtat pyetje që Ai u bëri dikur farisejve: “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?” Mateu 22:42.

Këto pyetje më vijnë në mendje shpesh, kur takohem me udhëheqës të qeverive dhe të grupeve të ndryshme fetare. Disa e pranojnë se “Jezusi ishte një mësues i madh”. Të tjerë thonë: “Ishte një profet”. Të tjerët thjesht nuk e njohin Atë aspak. Ne nuk duhet të habitemi shumë. Në fund të fundit, krahasimisht pak njerëz i kanë të vërtetat e rivendosura të ungjillit që kemi ne. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë veç një pakicë e vogël mes atyre që shpallin se janë të krishterë.

Rrethanat tona të sotme u parashikuan shekuj më parë nga Nefi:

“Dhe ndodhi që unë vura re kishën e Qengjit të Perëndisë dhe numrat e saj ishin të pakta … ; megjithatë unë vura re se kisha e Qengjit, që ishin shenjtorët e Perëndisë, ishte gjithashtu mbi të gjithë faqen e tokës; dhe sundimet e saj mbi faqen e tokës ishin të vogla. …

Dhe ndodhi që unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe” (1 Nefi 14:12, 14).

Ajo drejtësi, ajo fuqi dhe ajo lavdi – në të vërtetë, të gjitha bekimet tona të shumta – rrjedhin nga dituria jonë për Zotin Jezu Krisht, nga bindja jonë ndaj Tij dhe nga mirënjohja dhe dashuria jonë për Të.

Gjatë qëndrimit të Tij krahasimisht të shkurtër në vdekshmëri, Shpëtimtari plotësoi dy objektiva mbizotërues. Njëri ishte “vepra dhe lavdia [e Tij] – të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Tjetrin Ai e përcaktoi thjesht: “Unë, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju” (Gjoni 13:15).

Objektivin e Tij të parë ne e njohim si Shlyerja. Ky ishte misioni i Tij i madhërishëm në vdekshmëri. Njerëzve të Amerikës së lashtë, Zoti i ringjallur u dha deklaratën e misionit të Tij:

“Unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim, sepse Ati im më dërgoi.

Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë” (3 Nefi 27:13–14).

Në vazhdimin e predikimit të Tij, Ai zbuloi objektivin e Tij të dytë – të jetë shembulli ynë: “Ju i dini gjërat që duhet të bëni … ; pasi veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju” (3 Nefi 27:21).

Objektivin e Tij të parë e kam përkufizuar si misioni i Tij. Objektivin e Tij të dytë do të doja ta përcaktoja si shërbesa e Tij. Le t’i rishikojmë këto dy pjesë përbërëse të jetës së Tij – misionin e Tij dhe shërbesën e Tij.

Misioni i Jezu Krishtit – Shlyerja

Misioni i Tij ishte Shlyerja. Ai mision ishte vetëm dhe vetëm i Tij. I lindur nga një nënë e vdekshme dhe nga një Atë i pavdekshëm, Ai i vetmi që vullnetarisht mund ta linte jetën e Tij dhe ta merrte atë përsëri (shih Gjoni 10:14–18). Pasojat e lavdishme të Shlyerjes së Tij ishin të pafundme dhe të përjetshme. Ai i hoqi thumbin vdekjes dhe e bëri të përkohshëm hidhërimin e varrit (shih 1 Korintasve 15:54–55). Përgjegjësia e Tij për Shlyerjen dihej edhe përpara Krijimit dhe Rënies. Jo vetëm që do të siguronte ringjalljen dhe pavdekësinë e gjithë njerëzimit, por do të na jepte gjithashtu mundësinë që të faleshim për mëkatet tona – sipas kushteve të përcaktuara prej Tij. Kështu Shlyerja e Tij hapi udhën nëpërmjet së cilës ne mund të bashkoheshim me Të dhe me familjet tona përjetësisht. Këtë mundësi ne e vlerësojmë si jetë të përjetshme – më e madhja dhuratë e Perëndisë për njeriun (shih DeB 14:7).

Askush tjetër nuk mund ta kryente Shlyerjen. Askush tjetër, madje me pasurinë dhe fuqinë më të madhe, nuk mund të shpëtojë një shpirt – as vetë shpirtin e tij (shih Mateu 19:24–26). Dhe asnjë njeriu tjetër nuk i kërkohet apo i lejohet të derdhë gjak për shpëtimin e përjetshëm të një qenieje tjetër njerëzore. Jezusi e bëri “një herë për të gjithë” (Hebrenjve 10:10).

Edhe pse Shlyerja ndodhi gjatë kohës së Dhiatës së Re, ngjarje të kohës së Dhiatës së Vjetër shpesh e parathanë rëndësinë e saj. Adami dhe Eva u urdhëruan të ofronin flijime “në ngjashmëri me flijimin e të Vetëmlindurit të Atit” (Moisiu 5:7). Në ç’mënyrë? Me anë të derdhjes së gjakut. Nga vetë përvoja e tyre ata vërtetuan shkrimin e shenjtë që “jeta e mishit është në gjak” (Levitiku 17:11).

Mjekët e dinë se kur në një organ gjaku ndalon së rrjedhuri, fillojnë probleme. Nëse nuk shkon më gjak në një këmbë, mund të fillojë gangrena. Nëse ndalohet rrjedhja në tru, mund të ndodhë një goditje. Nëse gjaku nuk ia del të kalojë normalisht nëpër një arterie të zemrës, mund të zhvillohet një infarkt. Dhe nëse hemoragjia nuk mbahet nën kontroll, më pas vjen vdekja.

Adami, Eva dhe brezat që pasuan, mësuan se, sa herë që derdhnin gjak nga një kafshë, jeta e saj ndërpritej. Për ritin e tyre flijues, nuk mund të përdorej thjesht një kafshë çfarëdo. Duhej të ishte një i parëlindur i tufës dhe pa të meta (shih, për shembull, Eksodi 12:5). Këto kërkesa të nevojshme ishin gjithashtu simbolike për flijimin përfundimtar të Qengjit të panjollë të Perëndisë.

Adamit dhe Evës iu dha një urdhërim: “Si rrjedhim, ti do të bësh gjithçka që bën, në emër të Birit dhe do të pendohesh e do t’i thërrasësh Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë” (Moisiu 5:8). Nga ajo ditë deri në meridianin e kohës, flijimi i kafshëve vazhdoi të ishte një lloj dhe një hije e Shlyerjes përfundimtare të Birit të Perëndisë.

Kur Shlyerja u plotësua, ai flijim i madh dhe i fundit përmbushi ligjin e Moisiut (shih Alma 34:13–14) dhe i dha fund praktikës së flijimit të kafshëve, që i kishte mësuar se “jeta e mishit [ishte] në gjak” (Levitiku 17:11). Jezusi shpjegoi se si pjesët përbërëse të flijimit të lashtë u përfshinë nga Shlyerja dhe përkujtohen në mënyrë simbolike nga sakramenti. Vërini re përsëri përmendjet e jetës, mishit dhe gjakut:

“Prandaj Jezusi u tha atyre: ‘Në të vërtetë, në të vërtetë, po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj.

Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit’” (Gjoni 6:53–54).

Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi – të gjithë ata që dëshirojnë – do të shëlbehen. Shpëtimtari e filloi derdhjen e gjakut të Tij për gjithë njerëzimin jo në kryq, por në Kopshtin e Gjetsemanit. Atje Ai mori mbi Vete peshën e mëkateve të të gjithë atyre që do të vinin në jetë. Nën atë barrë të rëndë, Atij i doli gjak nga çdo por (shih DeB 19:18). Agonia e Shlyerjes u plotësua në kryq në Kalvari.

Rëndësia e Shlyerjes u përmblodh nga Profeti Jozef Smith. Ai tha: “Parimet themelore të fesë sonë janë dëshmia e apostujve dhe e profetëve lidhur me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros dhe u ngrit përsëri në ditën e tretë, dhe u ngjit në qiell; dhe të gjitha gjërat e tjera që lidhen me fenë tonë janë vetëm shtesa të kësaj”1.

Me atë autoritet dhe me mirënjohjen më të thellë, unë ju mësoj dhe dëshmoj për Të.

Shërbesa e Jezu Krishtit – Shembulli

Objektivi i dytë i Zotit, me rëndësi të madhe në vdek shmëri, ishte të shërbente si shembull për ne. Jeta e Tij shembullore përbënte shërbesën e Tij të vdekshme. Ajo përfshiu mësimet, shëmbëlltyrat dhe predikimet e Tij. Përfshiu mrekullitë, dashurinë e përzemërt dhe shpirtmirësinë e Tij ndaj fëmijëve të njerëzve (shih 1 Nefi 19:9). Përfshiu përdorimin e Tij plot dhembshuri të autoritetit të priftërisë. Përfshiu zemërimin e Tij të drejtë, kur Ai dënoi mëkatin (shih Romakëve 8:3) dhe kur përmbysi tryezat e këmbyesve të parave (shih Mateu 21:12). Gjithashtu përfshiu pikëllimet e Tij. Ai u përqesh, u fshikullua dhe u mohua nga vetë populli i Tij (shih Mosia 15:5) – madje u tradhtua nga një dishepull dhe u mohua nga një tjetër (shih Gjoni 18:2–3, 25–27).

Edhe pse ishin të mrekullueshme veprat e Tij shërbestare, ato nuk ishin dhe ende nuk janë vetëm të Tijat. Nuk ka kufi të numrit të njerëzve që mund ta ndjekin shembullin e Jezusit. Vepra të ngjashme janë bërë nga profetët dhe apostujt e Tij dhe të tjerë mes shërbëtorëve të autorizuar të Tij. Shumë kanë duruar përndjekje për hir të Tij (shih Mateu 5:10; 3 Nefi 12:10). Në vetë kohën tonë, ju njihni vëllezër dhe motra që me zell janë përpjekur – madje edhe me një çmim të tmerrshëm – për të përngjasuar shembullin e Zotit.

Ajo është ashtu siç duhet të jetë. Ajo është shpresa e Tij për ne. Zoti na ka kërkuar të ndjekim shembullin e Tij. Kërkesat e Tij janë krejtësisht të qarta:

  • “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? … Madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27; shih gjithashtu 3 Nefi 12:48).

  • “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19).

  • “Ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju” (Gjoni 13:15; shih gjithashtu Gjoni 14:6).

Këto dhe shkrime të tjera të shenjta, të ngjashme, nuk u shkruan si sugjerime. Ato janë porosi hyjnore! Ne duhet të ndjekim shembullin e Tij!

Që ta bëjmë më të lehtë dëshirën tonë për ta ndjekur Atë, ndoshta ne mund të marrim parasysh pesë aspekte të jetës së Tij, të cilave mund t’i përngjasojmë.

Dashuria

Nëse do të pyesja cilën karakteristikë të jetës së Tij do të përcaktoni fillimisht, mendoj se ju mund të thoni cilësinë e Tij të dashurisë. Ajo do të përfshinte dhembshurinë, mirësinë, dashurinë hyjnore, përkushtimin, faljen, mëshirën, drejtësinë dhe të tjera. Jezusi e deshi Atin e Tij dhe nënën e Tij (shih Gjoni 19:25–27). Ai i deshi familjen e Tij dhe shenjtorët (shih Gjoni 13:1; 2 Thesalonikasve 2:16). Ai e deshi mëkatarin pa e justifikuar mëkatin (shih Mateu 9:2; DeB 24:2). Dhe Ai na mësoi se si mund ta tregojmë dashurinë tonë për Të. Ai tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Më pas, për të nënvizuar se dashuria e Tij nuk ishte pa kushte, Ai shtoi: “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij” (Gjoni 15:10; shih gjithashtu DeB 95:12; 124:87).

Një shprehje tjetër e dashurisë së Shpëtimtarit tonë ishte shërbimi i Tij. Ai i shërbeu Atit të Tij dhe u shërbeu njerëzve me të cilët jetoi dhe punoi. Në të dyja mënyrat, ne duhet ta ndjekim shembullin e Tij. Ne duhet t’i shërbejmë Perëndisë, “të ecim në tërë rrugët e tij dhe ta duam” (Ligji i Përtërirë 10:12; shih gjithashtu 11:13; Jozueu 22:5; DeB 20:31; 59:5). Dhe ne duhet t’i duam fqinjët tanë nëpërmjet shërbimit ndaj tyre (shih Galatasve 5:13; Mosia 4:15–16). Ne fillojmë me familjet tona. Dashuria e thellë që i lidh prindërit me fëmijët e tyre, farkëtohet me anë të shërbimit ndaj tyre gjatë gjithë kohës së varësisë së plotë të tyre. Më vonë gjatë jetës, fëmijët, të cilët e kanë ndjenjën e detyrës, mund të kenë mundësi për t’ua kthyer atë dashuri, kur u shërbejnë prindërve të tyre të moshuar.

Ordinancat

Një aspekt i dytë i jetës shembullore të Shpëtimtarit ishte theksimi i Tij lidhur me ordinancat e shenjta. Gjatë shërbesës së Tij të vdekshme, Ai tregoi rëndësinë e ordinancave të shpëtimit. Jezusi u pagëzua nga Gjoni në lumin Jordan. Edhe Gjoni pyeti: “Pse?”

Jezusi shpjegoi: “Sepse në këtë mënyrë ne përmbushim çdo drejtësi” (Mateu 3:15; theksimi i shtuar). Jo vetëm që ishte ordinanca thelbësore, por edhe shembulli i caktuar nga Jezusi dhe Gjoni ishte gjithashtu thelbësor.

Më vonë Zoti krijoi ordinancën e sakramentit. Ai shpjegoi simbolikën e sakramentit dhe ua administroi emblemat e tij të shenjta dishepujve të Tij (shih Mateu 26:26–28; Marku 14:22–24; Lluka 24:30).

Ati ynë Qiellor gjithashtu dha udhëzime lidhur me ordinancat. Ai tha: “Ju do të lindeni përsëri në mbretërinë e qiellit, prej ujit dhe prej Shpirtit, dhe të pastroheni me anë të gjakut, madje gjakut të të Vetëmlindurit tim; që ju të mund të shenjtëroheni nga gjithë mëkati dhe të gëzoni fjalët e jetës së përjetshme në këtë botë dhe jetën e përjetshme në botën që vjen, madje lavdi të pavdekshme” (Moisiu 6:59).

Gjatë shërbesës së Zotit pas vdekjes, ordinancat më të larta të ekzaltimit u zbuluan (DeB 124:40–42). Ai i ka siguruar këto ordinanca në tempujt e Tij të shenjtë. Në kohën tonë, larjet, vajosjet dhe indaumentet u jepen individëve që përgatiten siç duhet (shih DeB 105:12, 18, 33; 110:9; 124:39). Në tempull, një individ mund të vuloset me bashkëshortin ose bashkëshorten, me paraardhësit dhe me pasardhësit (shih DeB 132:19). Zoti ynë është një Perëndi i ligjit dhe i rregullit (shih DeB 132:18). Përqendrimi i Tij te ordinancat është një pjesë e fuqishme e shembullit të Tij për ne.

Lutja

Një aspekt i tretë i shërbesës shembullore të Zotit është lutja. Jezusi iu lut Atit të Tij në Qiell dhe gjithashtu na mësoi se si të lutemi. Ne duhet t’i lutemi Perëndisë, Atit të Përjetshëm, në emër të Birit të Tij, Jezu Krishtit, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë (shih Mateu 6:9–13; 3 Nefi 13:9–13; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:9–15). Më pëlqen shumë Lutja e madhe Ndërmjetësuese e bërë nga Zoti, e shënuar te Gjoni, kapitulli 17. Në të Biri komunikon lirisht me Atin e Tij në emër të dishepujve të Tij, të cilët Ai i do. Ajo është model i lutjes së efektshme dhe plot dhembshuri.

Dituria

Një aspekti i katërt i shembullit të Zotit është përdorimi i diturisë së Tij hyjnore. Siç u përmend më parë, shumë njerëz jo të krishterë e pranojnë se Jezusi ishte një mësues i madh. Me të vërtetë, Ai ishte. Por çfarë i dallonte me të vërtetë mësimet e Tij? A ishte Ai një instruktor i aftë në inxhinieri, matematikë apo shkencë? Si Krijuesi i kësaj bote dhe i botëve të tjera (shih Moisiu 1:33), Ai me siguri mund të kishte qenë. Ose, si Autori i shkrimit të shenjtë, Ai mund të kishte dhënë shumë mirë mësim për krijimtarinë letrare.

Tipari që e dalloi mësimdhënien e Tij mbi atë të gjithë mësuesve të tjerë, ishte se ai na mësoi të vërteta me rëndësi të së përjetshme. Vetëm Ai mund ta kishte zbuluar qëllimin tonë në jetë. Vetëm nëpërmjet Tij ne mund të mësojmë për ekzistencën tonë para vdekjes dhe për mundësinë tonë pas vdekjes.

Në një rast, Mësuesi Mjeshtër u tha dëgjuesve të Tij mosbesues se ata kishin tre dëshmitarë të Tij:

  • Gjon Pagëzorin.

  • Veprat që Jezusi kishte kryer.

  • Fjalën e Perëndisë, Atit të Përjetshëm (shih Gjoni 5:33–37).

Ai më pas ofroi një dëshmitar të katër: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua” (Gjoni 5:39).

Fjala mendoni në atë frazë në fillim mund të duket se nuk është në vendin e duhur. Por kjo është jetësore për kuptimin që Jezusi po përpiqej të përçonte. Ai e dinte se shumë prej dëgjuesve të Tij në të vërtetë mendonin vërtet se jeta e përjetshme ishte në shkrimet e shenjta. Por ata e kishin gabim. Vetëm shkrimet e shenjta nuk mund të japin jetë të përjetshme. Sigurisht ka fuqi në shkrimin e shenjtë, por ajo fuqi vjen nga Jezusi Vetë. Ai është Fjala: Shenja dalluese. Fuqia e jetës së përjetshme është në Të, i cili “në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1; shih gjithashtu 2 Nefi 31:20; 32:3). Më pas, për shkak të qendrimit kokëfortë të skeptikëve të Tij, Jezusi vazhdoi t’i qortonte ata: “Ju nuk doni që të vini tek unë që të keni jetën [e përjetshme]” (Gjoni 5:40).

Mësuesi mund të na kishte mbizotëruar me diturinë e Tij hyjnore, por Ai s’e bën këtë. Ai e respekton lirinë tonë të zgjedhjes. Ai na lejon gëzimin e zbulimit. Ai na nxit të pendohemi për mëkatet tona. Ai na lejon ta përjetojmë lirinë që vjen nga bindja e vullnetshme ndaj ligjit të Tij hyjnor. Po, mënyra se si Ai e përdor diturinë e Tij, jep një shembull të madh për ne.

Durimi

Një aspekt i pestë i shërbesës së Zotit është zotimi i Tij për të duruar deri në fund. Ai nuk u tërhoq kurrë nga detyra e Tij. Edhe pse përjetoi vuajtje përtej të kuptuarit tonë, Ai nuk u dorëzua. Përmes sprovave gjithnjë e më të mëdha, Ai duroi deri në fund të detyrës së Tij: që të shlyente për mëkatet e gjithë njerëzimit. Fjalët e Tij përfundimtare, ndërsa ishte i varur në kryq, ishin: “U krye” (Gjoni 19:30).

Zbatimi në Jetën Tonë

Këto pesë aspekte të shërbesës së Tij mund të zbatohen në vetë jetën tonë. Sigurisht prova më e mirë e adhurimit tonë për Jezusin është përngjasimi ynë me Të.

Kur fillojmë ta kuptojmë se kush është Jezusi dhe se çfarë ka bërë për ne, ne mund të kuptojmë, në një farë shkalle, logjikën e urdhërimit të parë dhe të madh: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde” (Marku 12:30). Me fjalë të tjera, gjithçka që ne mendojmë, bëjmë dhe themi do të zhytet në dashurinë tonë për Të dhe Atin e Tij.

Bëjini vetes pyetjen: “A ka ndonjë që e dua më shumë se Zotin?” Më pas krahasojeni përgjigjen tuaj me këto standarde të caktuara nga Zoti:

  • “Ai që e do të atin ose nënën më shumë se [mua], nuk është i denjë për mua.”

  • “Ai që e do birin ose bijën më shumë se [mua], nuk është i denjë për mua” (Mateu 10:37).

Dashuria për familjen dhe miqtë, edhe pse mund të jetë e madhe, është shumë më e thellë kur bazohet në dashurinë e Jezu Krishtit. Dashuria prindërore për fëmijët ka më shumë kuptim këtu dhe në jetën më pas për shkak të Tij. Të gjitha marrëdhëniet e dashurisë lartësohen në Të. Dashuria e Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit siguron ndriçim, frymëzim dhe arsye për t’i dashur të tjerët në një mënyrë më të mirë.

Ordinancat sigurojnë një përqendrim për shërbim me një vlerë të përjetshme. Prindërit duhet të marrin parasysh se cila ordinancë nevojitet më pas për secilin fëmijë. Mësuesit e shtëpisë duhet të mendojnë një ordinancë të përshtatshme, që i nevojitet më pas secilës familje që ata i shërbejnë.

Shembulli i Shpëtimtarit për lutjen na kujton se lutja vetjake, lutja familjare dhe ndjekja plot lutje e detyrave tona në Kishë duhet të bëhen pjesë e jetës tonë. Njohja dhe bërja e vullnetit të Atit na sigurojnë forcë dhe vetëbesim të madh shpirtëror (shih DeB 121:45). Vendi ku duam të jemi është në anën e Zotit.

Dituria “për gjërat ashtu siç janë në të vërtetë dhe për gjërat ashtu siç do të jenë në të vërtetë” (Jakobi 4:13) na lejon të veprojmë në bazë të parimeve dhe doktrinës së vërtetë. Ajo dituri do ta ngrejë nivelin tonë të sjelljes. Veprime që përndryshe do të nxiteshin nga dëshira dhe emocioni, do të zëvendësohen nga veprime të formuara nga arsyeja dhe e drejta.

Një zotim për të duruar deri në fund do të thotë se ne nuk do të kërkojmë lirim nga një thirrje për të shërbyer. Do të thotë se ne do të këmbëngulim në ndjekjen e një qëllimi të denjë. Do të thotë se ne kurrë nuk do ta humbasim shpresën për një njeri të dashur që ka dalë nga udha. Dhe do të thotë se ne gjithmonë do t’i dëshirojmë marrëdhëniet tona të përjetshme familjare, edhe përmes ditëve të vështira të sëmundjes, paaftësisë ose vdekjes.

Me gjithë zemrën time lutem që ndikimi ndryshues i Zotit mund të bëjë një ndryshim të thellë në jetën tonë. Misioni i Tij dhe shërbesa e Tij mund ta bekojnë secilin prej nesh tani dhe përgjithmonë.

Shënim

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 52.

Jezusi Shkon në Betani në Mbrëmje, nga James Tissot

Grua, Shih Birin Tënd (Stabat Mater), nga James Tissot © Muzeumi i Bruklinit, Bruklin, Nju-Jork; shto: Detaj nga Në Kopshtin e Gjetsemanit, nga Carl Heinrich Bloch

Predikimi në Mal, nga James Tissot; shto: detaj nga Krishti dhe Sunduesi i Ri i Pasur, nga Heinrich Hofmann, mirësi e C. Harrison Conroy Co.

I Gjithë Qyteti u Mblodh së Bashku, nga James Tissot