2013
Dalloni, Kujtoni dhe Jepni Falënderime
gusht 2013


Mesazhi i Presidencës së Parë, Gusht 2013

Dalloni, Kujtoni dhe Jepni Falënderime

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Perëndia kërkon që ne t’i japim falënderime për çfarëdo bekimesh që marrim prej Tij. Është e lehtë që ne të bëhemi mekanikë në lutjet tona të mirënjohjes, duke përsëritur shpesh të njëjtat fjalë por pa synimin që të japim falënderime si një dhuratë nga zemra për Perëndinë. Ne duhet të “[japim] falënderime … në Shpirt” (DeB 46:32) që të mund të ndiejmë mirënjohje të vërtetë për atë që Perëndia na ka dhënë.

Si mund të kujtojmë qoftë edhe një pjesë të gjithçkaje që Perëndia ka bërë për ne? Apostulli Gjoni shënoi atë që Shpëtimtari na mësoi rreth dhuratës së të kujtuarit që vjen përmes dhuratës së Frymës së Shenjtë: “Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26).

Fryma e Shenjtë risjell kujtime të atyre që Perëndia na ka mësuar. Dhe një nga mënyrat me të cilat Perëndia na mëson është me bekimet e Tij; dhe prandaj, nëse zgjedhim të ushtrojmë besim, Fryma e Shenjtë do të sjellë në kujtesën tonë mirësitë e Perëndisë.

Ju mund ta vini në provë këtë gjatë lutjes sot. Ju mund të zbatoni urdhrin: “Falënderoje Zotin, Perëndinë tënd, në gjithçka” (DeB 59:7).

Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) sugjeroi se lutja e krijon kohën për ta bërë atë. Ai tha: “Profeti Jozef tha në një rast se një prej mëkateve më të mëdha për të cilat shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të gjendeshin fajtorë, është mëkati i mosmirënjohjes. E marr me mend se shumica prej nesh nuk e kanë menduar atë si një mëkat të madh. Ka një prirje të madhe te ne, në lutjet dhe përgjërimet tona ndaj Zotit, që të kërkojmë bekime të tjera. Por ndonjëherë, ndiej se duhet t’ia përkushtojmë më shumë prej lutjeve tona, shprehjes së mirënjohjes dhe dhënies së falënderimeve për bekimet që kemi marrë tashmë. Ne gëzojmë kaq shumë gjëra.”1

Ju mund ta keni një përvojë të tillë me dhuratën e Frymës së Shenjtë sot. Ju mund ta filloni një lutje vetjake me falënderime. Ju mund ta filloni duke i numëruar bekimet tuaja dhe më pas duke u ndalur për një çast. Nëse ushtroni besim, me dhuratën e Frymës së Shenjtë, ju do të zbuloni se kujtime të bekimeve të tjera do të vërshojnë në mendjen tuaj. Nëse filloni të shprehni mirënjohje për secilat prej tyre, lutja juaj mund të jetë më e gjatë se zakonisht. Do të vijë kujtesa, po ashtu edhe mirënjohja.

Ju mund ta provoni të njëjtën gjë, kur shkruani diçka të re në ditarin tuaj. Fryma e Shenjtë i ka ndihmuar njerëzit me atë gjë që nga fillimi i kohëve. Ju e mbani mend se libri i Moisiut thotë: “Dhe një libër kujtimesh u mbajt, në të cilin u shënua, në gjuhën e Adamit, sepse iu dha të gjithë atyre që i thirrën Perëndisë, të shkruanin me anë të shpirtit të frymëzimit” (Moisiu 6:5).

Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) e përshkroi atë proces të të shkruarit të frymëzuar: “Ata që mbajnë një libër kujtimesh kanë më shumë gjasa ta mbajnë Zotin në kujtesë në jetën e tyre të përditshme. Ditarët janë një mënyrë për të numëruar bekimet tona dhe për të lënë një inventar të këtyre bekimeve për pasardhësit tanë.”2

Teksa filloni të shkruani, ju mund ta pyesni veten: “Si më ka bekuar Perëndia mua dhe ata që dua sot?” Nëse e bëni atë mjaftueshëm shpesh dhe me besim, do ta gjeni veten duke i kujtuar bekimet. Dhe ndonjëherë do t’ju sillen dhurata në mendjen tuaj që nuk arritët t’i vini re gjatë ditës, por që atëherë do ta dini se ishte ndikimi i dorës së Perëndisë në jetën tuaj.

Lutem që ne të mund të bëjmë një përpjekje të vazhdueshme me besim për të dalluar, kujtuar dhe dhënë falënderime për ato që Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë kanë bërë dhe po bëjnë për të na e hapur rrugën e kthimit për tek Ata.

Shënime

  1. Ezra Taft Benson, God, Family, Country: Our Three Great Loyalties (1974), f. 199.

  2. Spencer W. Kimball, “Listen to the Prophets”, Ensign, maj 1978, f. 77.

Mësimdhënia nga ky Mesazh

Në mesazhin e tij, Presidenti Ajring na fton t’i kujtojmë në lutjet tona mirësitë e Atit Qiellor. Diskutoni me ata të cilëve u jepni mësim, rreth mënyrës se si lutja me mirënjohje mund të na ndihmojë ta dallojmë dorën e Perëndisë në jetën tonë. Merrni parasysh të gjunjëzoheni për t’u lutur me ata të cilëve u jepni mësim, dhe sugjerojini cilitdo që do të bëjë lutjen që ai ose ajo të shprehë vetëm falënderime.

Ju mund të studioni edhe rëndësinë e mirënjohjes duke i lexuar këto vargje përveç vargjeve që përmendi Presidenti Ajring: Psalmeve100; Mosia 2:19–22; Alma 26:8; 34:38; Doktrina e Besëlidhje 59:21; 78:19; 136:28.