2013
Shenjtorë në të Gjitha Stinët
shtator 2013


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shtator 2013

Shenjtorë në të Gjitha Stinët

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

Kam kujtime nga fëmijëria të një pjese të botës që mund të shërbejnë si një kartolinë me figura për stinët e ndryshme të vitit. Çdo muaj që kalonte ishte i lavdishëm dhe i mrekullueshëm. Gjatë një dite të përsosur dimri, bora e pacenuar mbulonte malet dhe rrugët e qytetit. Pranvera solli shira pastrues dhe lulëzimin e një jete të veshur me të gjelbër. Qielli i qetë i verës shërbente si një tablo e këndshme blu për shkëlqimin e diellit të shndritshëm. Dhe vjeshta madhështore e shndërronte natyrën në nuanca të ndritshme portokalli, të verdha e të kuqe. Kur isha fëmijë, më pëlqente shumë çdo stinë dhe madje edhe sot, më pëlqen shumë lloji dhe pashoqshmëria e secilës.

Ne kemi stinë edhe në jetën tonë. Disa janë të ngrohta e të kënaqshme. Disa nuk janë. Disa nga ditët e jetës sonë janë aq të bukura sa fotografitë në një kalendar. Por prapëseprapë, ka ditë dhe rrethana që shkaktojnë dhembje zemre dhe mund të sjellin në jetën tonë ndjenja të thella dëshpërimi, mërie dhe hidhësie.

Jam i sigurt se në një kohë apo një tjetër, të gjithë kemi menduar se do të ishte mirë të banonim në një vend të mbushur vetëm me ditë stinësh si në fotografitë e përsosura dhe t’i shmangnim periudhat e pakëndshme midis tyre.

Por kjo nuk është e mundur. Dhe as e dëshirueshme.

Teksa shoh në vetë jetën time, është e dukshme që shumë prej periudhave të rritjes më të madhe më kanë ardhur ndërkohë që kam kaluar përmes stinësh të stuhishme.

Ati ynë Qiellor i gjithëditur e dinte se, që fëmijët e Tij të rriteshin për t’u bërë qeniet që qenë përcaktuar të bëheshin, atyre do t’u duhej të përjetonin stinë fatkeqësish gjatë udhëtimit të tyre në vdekshmëri. Profeti i Librit të Mormonit, Lehi, tha se pa kundërshtim, “drejtësi nuk mund të kishte” (2 Nefi 2:11). Në të vërtetë, është hidhësia e jetës që na lejon ta njohim, ta krahasojmë dhe ta vlerësojmë ëmbëlsinë e saj (shih DeB 29:39; Moisiu 6:55).

Presidenti Brigam Jang e shprehu në këtë mënyrë këtë: “Të gjitha qeniet inteligjente që janë kurorëzuar me kurorë lavdie, pavdekshmërie dhe jete të përjetshme, duhet të kalojnë përmes çdo prove të rëndë të caktuar për t’u kaluar nga qeniet inteligjente, që të marrin lavdinë dhe ekzaltimin e tyre. Njerëzit do të vuajnë çdo gjëmë që mund t’u shkaktohet qenieve inteligjente … që të përgatiten për të gëzuar praninë e Zotit. … Çdo sprovë dhe përvojë që keni kaluar, është e nevojshme për shpëtimin tuaj.”1

Çështja nuk është nëse do të përjetojmë stinë fatkeqësish, por si do t’i përballojmë stuhitë. Mundësia jonë e madhe, gjatë stinëve përherë të ndryshueshme të jetës, është të mbahemi fort pas fjalës besnike të Perëndisë, sepse këshilla e Tij është hartuar jo vetëm që të na ndihmojë t’i përballojmë stuhitë e jetës, por edhe që të na udhërrëfejë për t’i kaluar. Ati ynë Qiellor na e ka dhënë fjalën e Tij nëpërmjet profetëve të Tij – njohurinë e çmuar të hartuar për të na udhëhequr përmes sfidave të stinëve të vështira drejt gëzimit të papërshkrueshëm dhe dritës së shkëlqyeshme të jetës së përjetshme. Është një pjesë e rëndësishme e përvojës së jetës sonë që të zhvillojmë forcën, guximin dhe integritetin moral për t’u mbajtur fort pas së vërtetës dhe drejtësisë, pavarësisht shuplakave që mund të përjetojmë.

Ata që kanë hyrë në ujërat e pagëzimit dhe kanë marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, i kanë vendosur këmbët në shtegun e dishepullimit dhe janë ngarkuar që t’i ndjekin me qëndrueshmëri dhe besnikëri gjurmët e hapave të Shpëtimtarit tonë.

Shpëtimtari dha mësim se dielli ngrihet “mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe … shi[u] [bie] mbi të drejtët dhe të padrejtët” (Mateu 5:45). Ndonjëherë nuk mund ta kuptojmë përse ndodhin gjëra të vështira, madje të padrejta në jetë. Por si pasues të Krishtit, ne mirëbesojmë se nëse “kërko[jmë] me zell, lut[emi] gjithmonë e j[emi] besimtarë … gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën t[onë], në qoftë se [ne] ec[im] drejt” (DeB 90:24; kursivet shtuar).

Si anëtarë të Kishës së Tij, si shenjtorë, ne shërbejmë me gëzim dhe gatishmëri në të gjitha llojet e motit dhe në të gjitha stinët. Dhe teksa e bëjmë këtë, zemrat tona mbushen me besim të shenjtëruar, shpresë shëruese dhe dashuri hyjnore prej qiellit.

Prapëseprapë, do të na duhet të kalojmë nëpër të gjitha stinët – edhe të këndshme edhe të dhimbshme. Por pavarësisht stinës, si pasues të Jezu Krishtit, ne do ta mbështesim shpresën tonë tek Ai, teksa ecim drejt dritës së Tij.

Me pak fjalë, ne jemi shenjtorë të Perëndisë, të vendosur për të mësuar prej Tij, për ta dashur Atë dhe për t’i dashur bashkëqeniet tona. Ne jemi pelegrinë në rrugën e bekuar të dishepullimit dhe do të ecim pa lëkundje drej synimit tonë hyjnor.

Prandaj, qofshim ne shenjtorë në pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër. Qofshim ne shenjtorë në të gjitha stinët.

Shënim

  1. Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 261–262.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Presidenca e Parë ka dhënë mësim: “Disa prej predikimeve më të mëdha janë dhënë duke kënduar himne” (Hymns, f. ix). Teksa diskutoni për këtë mesazh, merrni parasysh të këndoni me ata të cilëve u jepni mësim një nga këto himne ose një këngë tjetër rreth durimit të fatkeqësisë: “Sa i Fortë një Themel” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve f. 6); “The Lord Is My Shepherd” [“Zoti ësht’ Bariu Im”] (nr. 108); ose “Punës Le t’i Vihemi”, (Himne dhe Këngë të Fëmijëve f. 10). Nëse ndiheni të nxitur, tregoni për një kohë kur një stinë e stuhishme në jetën tuaj doli se ishte një bekim.