2013
Mbështetja te Vetja
shtator 2013


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Shtator 2013

Mbështetja te Vetja

Studiojeni këtë material plot lutje dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni atë me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj. Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.

Pamja
Logoja e Shoqatës së Ndihmës

Besim, Familje, Ndihmë

Mbështetja te vetja është aftësia, zotimi dhe përpjekja për të siguruar të ardhura për mirëqenien shpirtërore dhe materiale të vetes dhe të familjeve tona.1

Kur i mësojmë dhe i zbatojmë parimet e mbështetjes te vetja në shtëpitë dhe komunitetet tona, ne kemi mundësi të kujdesemi për të varfrit e nevojtarët dhe t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen të mbështetur te vetja që të mund t’i durojnë kohët e fatkeqësisë.

Ne kemi privilegjin dhe detyrën që ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për t’u mbështetur te vetja shpirtërisht dhe materialisht. Duke folur për mbështetjen shpirtërore te vetja dhe për varësinë tonë nga Ati Qiellor, Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim: “Ne kthehemi në besim dhe bëhemi shpirtërisht të mbështetur te vetja kur i jetojmë me lutje besëlidhjet tona – nëpërmjet marrjes së sakramentit denjësisht, të qenit të denjë për një rekomandim tempulli dhe duke sakrifikuar për t’u shërbyer të tjerëve”2.

Plaku Hejls na këshilloi të bëhemi të mbështetur materialisht te vetja, “që përfshin shkollim shtesë ose profesional pas diplomimit në shkollën e mesme, të mësuarit për të punuar dhe të kursyerit. Duke e shmangur borxhin dhe duke ruajtur pará tani, ne përgatitemi për shërbim me kohë të plotë në Kishë në të ardhmen. Qëllimi i mbështetjes materiale dhe shpirtërore te vetja është që ta sigurojmë veten shpirtërisht dhe materialisht, në mënyrë që t’i ndihmojmë dhe të tjerët që janë në nevojë.”3

Nga Shkrimet e Shenjta

Mateu 25:1–13; 1 Timoteut 5:8; Alma 34:27–28; Doktrina e Besëlidhje 44:6; 58:26–29; 88:118

Nga Historia Jonë

Pasi shenjtorët e ditëve të mëvonshme u mblodhën në Luginën e Solt-Lejkut, që ishte një shkretëtirë e izoluar, Presidenti Brigam Jang dëshironte që ata të lulëzonin dhe të krijonin shtëpi të përhershme. Kjo do të thoshte se shenjtorët duhej të mësonin aftësi që do t’u lejonin atyre të bëheshin të mbështetur te vetja. Gjatë kësaj përpjekjeje, Presidenti Jang kishte mirëbesim të madh tek aftësitë, talentet, besnikëria dhe gatishmëria e grave dhe i nxiti ato për detyra të caktuara të kësaj bote. Ndërkohë që detyrat e posaçme të motrave të Shoqatës së Ndihmës janë shpesh të ndryshme sot, parimet qëndrojnë të pandryshueshme:

  1. Mësoni ta doni punën dhe shmangeni përtacinë.

  2. Fitoni një shpirt vetësakrifikimi.

  3. Pranojeni përgjegjësinë vetjake për forcë shpirtërore, shëndet, arsimim, punësim, financa, ushqim dhe nevoja të tjera që mbështesin jetën.

  4. Lutuni për besim dhe guxim që të përballeni me sfidat.

  5. Forcojini të tjerët që kanë nevojë për ndihmë.4

Shënime

  1. Shih Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 6.1.1.

  2. Robert D. Hejls, “Të Vijmë në Vete: Sakramenti, Tempulli dhe Sakrifica e Shërbimit”, Liahona dhe Ensign, maj 2012, f. 34.

  3. Robert D. Hejls, “Të Vijmë në Vete”, f. 36.

  4. Shih Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 51.

Çfarë Mund të Bëj Unë?

  1. Si po i ndihmoj motrat për të cilat kujdesem që të gjejnë zgjidhje për nevojat e tyre materiale dhe shpirtërore?

  2. A po e rris mbështetjen time shpirtërore te vetja nëpërmjet përgatitjes për sakramentin dhe sakrifikimin për të shërbyer?