2013
Përshpejtimi i Punës për Shpëtim
Tetor 2013


Përshpejtimi i Punës për Shpëtim

Teksa i ftojmë, i duam dhe u shërbejmë të tjerëve, ne bëhemi dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit dhe ndihmojmë që të përshpejtojmë punën për shpëtim.

Pamja
Two families interacting together.

Edhe pse ka entuziazëm për misionarët kohëplotë që punojnë në internet dhe që udhëheqin vizita në shtëpitë e mbledhjeve, këto ndryshime janë vetëm një pjesë e vockël e figurës së madhe të punës për shpëtim. Shumë më e rëndësishme është çështja se si ne si anëtarë përshtatemi në figurën më të madhe të përshpejtimit të punës për shpëtim. Nuk po na kërkohet që të përfshihemi në një program të ri. Thjesht po na jepet nxitje të jemi dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit. Roli ynë është të zhytemi në dashurinë dhe shërbimin për njerëzit rreth nesh – duke ngushëlluar një koleg pune në nevojë, duke ftuar miqtë tanë në një pagëzim, duke ndihmuar një fqinj të moshuar për punën e tij në kopsht, duke ftuar një anëtar më pak aktiv për një vakt ushqimor, ose duke ndihmuar një fqinjë për historinë e familjes së saj. Të gjitha këto janë mënyra të natyrshme e të gëzueshme për të ftuar anëtarë më pak aktivë dhe njerëz jo të besimit tonë në jetën tonë dhe, si pasojë, në dritën e ungjillit. Ndarja me ta e momenteve zbavitëse dhe atyre të shenjta në jetën tonë, mund të jetë në të vërtetë mënyra më efikase se si secili prej nesh mund të “pun[ojë] në vreshtin e [Jezu Krishtit] për shpëtimin e shpirtrave të [burrave dhe grave]” (DeB 138:56).

Çfarë Është Puna për Shpëtim?

Puna për shpëtim është puna e Atit Qiellor që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Kjo punë e rëndësishme përfshin punën misionare të anëtarit, mbajtjen e të kthyerve në besim, aktivizimin e anëtarëve më pak aktivë, punën në tempull e për historinë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit.1 Tepër shpesh, ne mendojmë se këto aspekte të ungjillit janë të palidhura. Por te The Work of Salvation: Worldwide Leadership Broadcast [Puna për Shpëtim: Transmetim Mbarëbotëror për Udhëheqjen] më 23 qershor 2013, Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se “puna në të vërtetë është e padukshme. Këto përpjekje nuk janë të ndara; ato janë të gjitha pjesë e punës për shpëtim.”2

Fraza “Përshpejtimi i Punës për Shpëtim” – emërtimi i faqes në internet që shoqëron transmetimin, (hasteningthework.lds.org) – i referohet premtimit të Zotit: “Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë” (DeB 88:73).

Ordinancat thelbësore të priftërisë – pagëzimi, konfirmimi, shugurimi në priftëri për burrat dhe ordinancat e tempullit – qëndrojnë si gurë kilometrazhi përgjatë shtegut tonë për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor. Ndërsa marrim pjesë në punën për shpëtim, ne ndjekim dhe frymëzojmë të tjerët të ndjekin këtë shteg besëlidhjeje.

Anëtarët dhe Misionarët Punojnë së Bashku nën Çelësat e Priftërisë

Ka ardhur koha për t’u ripërqendruar te parimi themelor se anëtarësia në Kishën e Zotit do të thotë të jesh thirrur për të qenë plotësisht i përfshirë në punën e Tij për shpëtim. Presidentët e kunjeve dhe peshkopët mbajnë çelësat e priftërisë të punës misionare në njësitë e tyre të Kishës3 dhe i ndihmojnë anëtarët të bëjnë atë çfarë bëjnë dishepujt e vërtetë të Krishtit – të ndajnë dritën e ungjillit. Presidentët e misioneve mbajnë çelësat e priftërisë që i mundësojnë ata të drejtojnë punën e misionarëve që udhëheqin.4 Misionarë kohëplotë janë stërvitur për t’u dhënë mësim atyre që janë përgatitur për ta marrë ungjillin. Ata ndihmojnë anëtarët për punën misionare të anëtarëve, jo e anasjellta. Misionarët kohëplotë dhe misionarët anëtarë janë kështu partnerë në sjelljen e ungjillit në jetën e atyre që Zoti i ka përgatitur për ta marrë atë.

Gjatë transmetimit, Presidenti Tomas S. Monson tha: “Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të bashkohen së bashku, të punojnë së bashku, të mundohen së bashku në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij. Ai ka përgatitur mjetet që ne ta ndajmë ungjillin në një mori mënyrash dhe Ai do të na ndihmojë në punët tona nëse ne do të veprojmë me besim për ta përmbushur punën e Tij.”5

Pamja
Elder missionaries teaching and contacting in Atlanta, Georgia.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për rëndësinë e dashurisë. Ai tha: “Ne punojmë së bashku në besim dhe unitet – besim se Zoti do të na udhëheqë hapat dhe unitet me njëri-tjetrin e me misionarët, gjithmonë të shtyrë nga dashuria jonë për [Jezu Krishtin], dashuria jonë për njëri-tjetrin dhe dashuria jonë për ata të cilëve u shërbejmë”6.

Këshillat e Lagjeve Udhëheqin, Udhëheqësit e Misionit të Lagjeve Bashkërendojnë

Nën drejtimin e peshkopit, këshilli i lagjes lehtëson, mbështet dhe bashkërendon përpjekjet e anëtarëve të lagjes duke planifikuar dhe udhëhequr punën për shpëtim për lagjen.7

Si anëtar i këshillit të lagjes, udhëheqësi i misionit të lagjes “bashkërendon përpjekjet e lagjes për të gjetur, për t’u dhënë mësim dhe për të pagëzuar kërkues. Ai e bashkërendon këtë punë me punën e misionarëve kohëplotë.”8

Pamja
Bishopric and ward leaders meeting together in a ward council meeting.

Duke u folur udhëheqësve të misionit të lagjeve, Plaku Nelson tha: “Ndihmojini [misionarët] të mbushin blloqet e tyre të takimeve me mundësi kuptimplote dhe takime, që ata të mos kenë kohë të trokasin nëpër dyer duke kërkuar njerëz për t’u dhënë mësim. … [Ju] jeni hallka lidhëse mes misionarëve, këshillit të lagjes dhe anëtarëve të lagjes.”9

Shenja e Vërtetë e Suksesit

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne jemi bekuar të jetojmë në këtë kohë kur Zoti po e përshpejton punën e Tij. Për shkak se Perëndia ka një qëllim në vendosjen tonë në tokë në këtë kohë, ne kemi zotësinë të bëjmë më shumë nga sa mendojmë se mundemi. Për sa kohë ne do t’u afrohemi me mirësi dhe dashuri njerëzve që kanë nevojë për miqësinë dhe ndihmën tonë, ne nuk do të dështojmë. Suksesi misionar vjen duke ndjekur frymëzimin që rrjedh në mendjet e zemrat tona dhe thjesht duke ftuar të tjerët në jetët tona të përqendruara tek ungjilli. Ftesa është shenja e suksesit, jo nëse njerëzit pagëzohen apo bëhen aktivë në Kishë. Ashtu siç tha Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për ushtrinë e madhe të misionarëve që po hyjnë tani në terrenin e misionit: “Na ka mbërritur ora në të cilën ne tani duhet të themi: ‘Ja ku po vijnë’. Të gjithë ne duhet të planifikojmë dhe ta përdorim këtë burim të dërguar nga qielli në mënyrën më prodhimtare të mundshme.”10

Pamja
An elder missionary talking to a male passenger on a bus.

Është koha për të gjithë ne që ta kuptojmë më qartësisht rolin tonë në përshpejtimin e punës për shpëtim. Ndërsa i bëjmë punën misionare të anëtarit, mbajtjen e të kthyerve në besim, aktivizimin e anëtarëve më pak aktivë, punën në tempull e për historinë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit një pjesë të natyrshme të jetës sonë, ne do të përjetojmë gëzim të madh dhe do të na dhurohen dhuratat shpirtërore që na nevojiten për ta forcuar Kishën në shekullin e 21-të.

Ilustrim me foto nga David Stoker

Ilustrime me foto nga John Luke dhe Cody Bell