2013
Të Bërit një Misionar për Predikimin e Ungjillit Tim
Tetor 2013


Të Bërit një Misionar për Predikimin e Ungjillit Tim

Nga një fjalim i takimit shpirtëror të dhënë në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve të Provos, më 24 qershor 2011.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

Ju mund ta bëni këtë! Zoti që ju përfaqësoni dhe i shërbeni, e di se ju mund ta bëni këtë. Unë e di se ju mund ta bëni këtë.

Një apostull është së pari, mbi të gjitha dhe gjithnjë një misionar. Për këtë arsye, jam veçanërisht i kënaqur t’ju drejtohem juve si bashkëshërbëtorë në këtë vepër madhështore të ditëve të mëvonshme.

Pamja
Elder missionaries teaching people outdoors.

Çfarë Është një Misionar për Predikimin e Ungjillit Tim?

Një misionar për Predikimin e Ungjillit Tim është një shërbëtor i Zotit, i thirrur nëpërmjet profecisë dhe i autorizuar me anë të vënies së duarve, i cili shpall ungjillin e përjetshëm e të rivendosur të Shpëtimtarit në mënyrën e Tij (shih DeB 50:13–14, 17–24; DeB 68:1).

Qëllimi gjithëpërfshirës i një misionari të përshkruar te manuali Predikoni Ungjillin Tim është t’i “fto[jë] të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ata të marrin ungjillin e rivendosur nëpërmjet besimit në Jezu Krisht dhe Shlyerjes së Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund”1.

Përgjegjësia e shenjtë për të shpallur me autoritet ungjillin dhe për të administruar ordinancat shpëtuese ka qenë në veprim që kur Adami u nxor nga Kopshti i Edenit dhe do të vazhdojë derisa “Jehova i Madh të thotë se puna u krye”2.

Kërkesat për t’u Bërë Misionarë për Predikimin e Ungjillit Tim

Dëshiroj të diskutoj rreth pesë kërkesave bazë për t’u bërë misionar për Predikimin e Ungjillit Tim.

Kërkesa nr. 1: Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim e besojnë se i shërbejnë dhe përfaqësojnë Jezu Krishtin.

Pamja
Jesus Christ with His arm around the shoulder of the Apostle Peter. Christ points to a large number of fish lying on the beach as He speaks to Peter. Two other men and a ship sit on the beach in the background.

Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim e dinë dhe e kuptojnë se cilin përfaqësojnë, përse shërbejnë dhe se çfarë duhet të bëjnë. Misionarë kohëplotë thirren për të shërbyer dhe për t’u veçuar në mënyrën e duhur si shërbëtorë dhe përfaqësues të Zotit Jezu Krisht. Ne japim dëshmi për emrin e Tij dhe për realitetin, hyjninë dhe misionin e Jezu Krishtit te çdo komb, fis, gjuhë dhe popull (shih DeB 133:37).

Ne e duam Zotin. Ne i shërbejmë Atij. Ne e ndjekim Atë. Ne e përfaqësojmë Atë.

Qëllimet e Tij duhet të jenë qëllimet tona. Interesat e Tij duhet të jenë interesat tona. Puna e Tij duhet të jetë puna jonë. Udhët e Tij duhet të jenë udhët tona. Vullneti i Tij gjithnjë e më shumë duhet të bëhet vullneti ynë.

Si përfaqësues të Shëlbuesit, ne predikojmë me thjeshtësi dhe qartësi doktrinat dhe parimet themelore të ungjillit të Tij të rivendosur. Ne nuk paraqesim pikëpamje ose ide vetjake. Ne shpallim dhe dëshmojmë për të vërtetën e thjeshtë të rivendosur sipas mënyrës së Zotit dhe me anë të fuqisë së Shpirtit të Tij.

Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim e kuptojnë se përgjegjësia për ta përfaqësuar Shpëtimtarin dhe për të dhënë dëshmi për Të, nuk resht ndonjëherë. Ju lutem, kujtojeni Atë në gjithçka që mendoni, në gjithçka që bëni, dhe në gjithçka që përpiqeni të bëheni, dhe përfaqësojeni Atë siç duhet tek të gjithë fëmijët e Atit Qiellor me të cilët ndërveproni tani dhe gjithnjë.

Kërkesa nr. 2: Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim janë të denjë.

Pamja
A young man in Fiji praying.

Një kusht paraprak i domosdoshëm për t’u bërë misionarë për Predikimin e Ungjillit Tim është denjësia vetjake përpara Shpëtimtarit.

Më lejoni të shpall disa të vërteta të thjeshta me po aq qartësi sa i di.

  • Ne jemi përfaqësues të autorizuar të Shëlbuesit dhe Shpëtimtarit të botës.

  • Ne jemi thirrur për të shpallur ungjillin e Tij të rivendosur e të përjetshëm.

  • Ne nuk mund të njollosemi me mëkatet e botës dhe ta përfaqësojmë Atë me autoritet e të veprojmë me fuqi në emrin e Tij të shenjtë.

  • Ne nuk mund t’i ndihmojmë të tjerët ta mposhtin skllavërinë e mëkatit nëse vetë ne jemi të përzier në mëkat (shih DeB 88:86).

  • Ne nuk mund t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë të pendohen nëse vetë ne nuk kemi mësuar të pendohemi siç duhet dhe plotësisht.

  • Ne mund të shpallim dhe predikojmë me fuqi vetëm atë çfarë po orvatemi të bëhemi.

  • Ne do të mbahemi përgjegjës përpara Perëndisë për dëshirat tona të drejta dhe denjësinë për të vepruar si përfaqësues të Tij.

Neve nuk na kërkohet tani të jemi të përsosur. Por ne urdhërohemi të jemi të pastër dhe të ecim me drejtësi përpara Shëlbuesit të Izraelit. “Jini të pastër që të mbani enët e Zotit” (DeB 38:42).

Pendimi është një parim shprese dhe shërimi – jo një parim shkurajimi dhe dëshpërimi. Pendimi në të vërtetë është përulje – por jo frikë. Pendimi është njëherësh kërkues dhe ngushëllues, i rreptë dhe lehtësues. Pendimi është një dhuratë e paçmueshme e bërë e mundur përmes Shlyerjes së Atij të cilin e duam, i shërbejmë dhe e ndjekim.

Edhe nëse keni kryer mëkate të rënda, përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe pendimit të sinqertë, ju keni qenë ose sërish mund të bëheni të pastër dhe të denjë.

Ka të rinj që ende kanë nevojë të pendohen plotësisht. Tani është koha! Ju lutem, ju lutem, ju lutem mos e shtyni ditën e pendimit tuaj.

Ka të rinj të cilët janë penduar dhe po vazhdojnë të pendohen, dhe që pyesin veten nëse kanë bërë gjithçka që është e nevojshme për t’u pranuar nga Zoti (shih DeB 97:8). Ju lutem kujtoni, Zoti ju kërkon të jeni të pastër por jo të përsosur. Fryma e Shenjtë që vepron sërish në jetën tuaj, është treguesi më i sigurt i faljes nga Zoti sepse “Shpirti i Zotit nuk banon në tempuj jo të shenjtë” (Helamani 4:24). Dhe dijeni se urdhri për t’i “fal[ur] të gjithë njerëzit” (DeB 64:10) përfshin faljen e vetvetes.

Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim janë dishepuj nderues të besëlidhjeve dhe të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit Jezu Krisht. Ju lutem, kujtojeni Atë gjithnjë dhe jini të pastër e të denjë për ta përfaqësuar Atë.

Kërkesa nr. 3: Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim i ruajnë si thesar fjalët e jetës së përjetshme.

Pamja
Young man reading the scriptures.

Ju ftoj të “mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës” (DeB 84:85). Mbledhja si thesar e fjalëve të jetës së përjetshme është më shumë se thjesht studimi ose mësimi përmendsh, sikurse “ushq[imi] me bollëk mbi fjalë[t] e Krishtit” (2 Nefi 31:20; shih edhe 2 Nefi 32:3) është më shumë se thjesht të provuarit ose të ngrënit e shpejtë. Mbledhja si thesar për mua sugjeron përqendrimin dhe të punuarin, shqyrtimin dhe përvetësimin, meditimin dhe lutjen, zbatimin dhe nxënien, çmuarjen dhe vlerësimin, si dhe kënaqjen dhe shijimin.

Sillni ndër mend se si bijtë e Mosias – katër misionarë vërtet të mrekullueshëm të quajtur Amoni, Aaroni, Omneri dhe Himni – “ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta” (Alma 17:2).

Këta misionarë guximtarë vërtet mblodhën vazhdimisht si thesar fjalët e jetës së përjetshme. Ata nuk i shpërfillën as i zbatuan mekanikisht detyrat për studimin e shkrimeve të shenjta veçmas dhe me shokun. Njohuria dhe kuptueshmëria shpirtërore depërtuan thellë në vetë shpirtrat e tyre dhe doktrinat e parimet e ungjillit u pohuan në zemrat e tyre si të vërteta nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Si përfaqësues të Shpëtimtarit, ju dhe unë kemi përgjegjësinë e vazhdueshme për të punuar me zell dhe për të rrënjosur në zemrat e mendjet tona doktrinat dhe parimet themelore të ungjillit të rivendosur, sidomos ato nga Libri i Mormonit. Ndërsa e bëjmë këtë, bekimi i premtuar është se Fryma e Shenjtë do të na i “kujtojë të gjitha këto” (Gjoni 14:26) dhe do të na fuqizojë ndërsa japim mësim dhe dëshmojmë. Por Shpirti mund të punojë me dhe përmes nesh vetëm nëse i japim Atij diçka me të cilën të punojë. Ai nuk mund të na ndihmojë të kujtojmë gjëra që nuk i kemi mësuar (shih Alma 31:5).

Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim i mbledhin vazhdimisht si thesar fjalët e jetës së përjetshme, ata mbështeten te virtyti i fjalës dhe kanë fuqinë e fjalës në vetvete. Ju lutem, kujtojeni Atë gjithnjë, jini gjithnjë të denjë për ta përfaqësuar Atë dhe mblidhni si thesar e mbështetuni te virtyti i fjalës.

Kërkesa nr. 4: Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim e kuptojnë se Fryma e Shenjtë është mësuesi vendimtar dhe i vërtetë.

Pamja
Sister missionaries reading scriptures.

Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi dhe Ai është dëshmitari i të gjithë të vërtetës dhe mësuesi vendimtar e i vërtetë. Mësimet që ne japim dhe dëshmitë që ndajmë, janë përgatitore për një kërkues që vepron dhe mëson për veten.

Si misionarë, një prej roleve tona më të rëndësishme është të ftojmë kërkuesit të ushtrojnë lirinë e tyre morale të zgjedhjes dhe të veprojmë në përputhje me mësimet e Shpëtimtarit. Bërja dhe mbajtja e zotimeve shpirtërore, të tilla si lutja për një dëshmi për të vërtetën, studimi dhe lutja për Librin e Mormonit, frekuentimi i mbledhjeve të Kishës dhe mbajtja e urdhërimeve, kërkojnë që një kërkues të ushtrojë besim, të veprojë dhe të ndryshojë.

Pavarësisht se me sa zell shërbejmë, unë dhe ju thjesht nuk mund ta shtyjmë ose detyrojmë të hyjë të vërtetën në zemrat e kërkuesve. Përpjekjet tona më të mira vetëm mund ta sjellin mesazhin e së vërtetës zemër (shih 2 Nefi 33:1). Përfundimisht, një kërkues ka nevojë të veprojë në drejtësi dhe në këtë mënyrë të ftojë të vërtetën vetë zemrën e tij apo të saj. Vetëm në këtë mënyrë kërkuesit e ndershëm të së vërtetës dhe të kthyerit e rinj në besim mund ta zhvillojnë aftësinë shpirtërore për të gjetur përgjigje për veten e tyre.

Duke qenë se përgjegjësia jonë është të ndihmojmë kërkuesit të mësojnë me anë të besimit dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, kjo punë nuk është asnjëherë për mua dhe nuk është asnjëherë për ju. Ne duhet të bëjmë gjithçka kemi fuqi për të përmbushur përgjegjësinë tonë si misionarë dhe njëherësh të “dalim nga skena” në mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund të kryejë funksionin dhe punën e Tij të shenjtë. Faktikisht, çdo gjë që unë ose ju bëni si përfaqësues të Shpëtimtarit që me dijeni dhe me qëllim e tërheq vëmendjen tek vetja – te mesazhet që paraqesim, te metodat që përdorim, ose te sjellja dhe paraqitja jonë personale – është një formë e intrigës së priftërinjve që pengon efektshmërinë e mësimdhënies së Frymës së Shenjtë.

“A e predikon atë me anë të Shpirtit të së vërtetës apo me ndonjë mënyrë tjetër? Dhe nëse është me anë të ndonjë mënyre tjetër, nuk është prej Perëndisë” (DeB 50:17–18).

Ju lutem, kujtojeni Atë gjithnjë, jini të denjë për ta përfaqësuar Atë, mblidhni si thesar fjalën e Tij dhe lejojeni mësuesin vendimtar e të vërtetë, Frymën e Shenjtë, të dëshmojë për gjithë të vërtetën.

Kërkesa nr. 5: Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim e kuptojnë se mësimdhënia është më shumë sesa të folurit dhe të treguarit.

Pamja
Two elder missionaries visiting with a man in his home.

Ndërsa Shpëtimtari u ul në malin e Ullinjve, Ai shpalli: “Mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t’ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë” (Marku 13:11).

Shpëtimtari, në ditët e hershme të kësaj periudhe ungjillore, i udhëzoi misionarët: “Hapini gojët tuaja e ato do t’ju mbushen” (DeB 33:8, 10) dhe: “Ia ngrini zërat tuaj këtij populli; flisni mendimet që unë do të vë në zemrat tuaja dhe ju nuk do të ngatërroheni përpara njerëzve; sepse do t’ju jepet në orën e duhur, po, në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni” (DeB 100:5–6).

Këto shkrime të shenjta theksojnë modelin më kërkues e të saktë për predikimin dhe të ndihmuarin e kërkuesve për të mësuar të vërtetën. Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim e dinë që ne nuk japim mësime; ne u japim mësim njerëzve. Ne nuk përsërisim ose paraqesim thjesht mesazhe të mësuara përmendsh për tema të ungjillit. Ne i ftojmë kërkuesit e së vërtetës që të përjetojnë ndryshimin e fuqishëm të zemrës. Ne besojmë se vetëm të folurit dhe të treguarit nuk të japin mësim.

Predikimi i ungjillit sipas mënyrës së Zotit përfshin vrojtimin, dëgjimin dhe dallimin si kushte paraprake për të folurin. Vijimësia e këtyre katër proceseve të ndërlidhura është domethënëse. Ju lutem, vini re se vrojtimi dhe dëgjimi aktiv i paraprijnë dallimit dhe se vrojtimi, dëgjimi dhe dallimi vijnë përpara të folurit. Përdorimi i këtij modeli u krijon mundësinë misionarëve që të dallojnë dhe të japin mësim sipas nevojave të kërkuesve.

Teksa vrojtojmë, dëgjojmë dhe dallojmë, ne mund të na jepet “në çastin e duhur ajo pjesë që do t’i shpërndahet çdo njeriu” (DeB 84:85) – të vërtetat që duhen theksuar dhe përgjigjet që duhen dhënë, që do të plotësojnë nevojat e veçanta të një kërkuesi të caktuar. Vetëm përmes vrojtimit, dëgjimit dhe dallimit ne mund të drejtohemi përmes Shpirtit për të thënë dhe për të bërë gjëra që do jenë më të dobishmet ndaj atyre të cilëve u shërbejmë.

Vrojtimi është një përgatitje jetike për të marrë dhuratën shpirtërore të dallimit. Dallim do të thotë të shohësh me sy shpirtërorë dhe të ndiesh me zemër – të kuptosh dhe të ndiesh pavërtetësinë e një ideje, mirësinë te një person tjetër ose parimin vijues që nevojitet për të ndihmuar një kërkues. Dallimi nënkupton dëgjimin me veshë shpirtërorë dhe të ndierin me zemër – dëgjimin dhe të ndierin e shqetësimit të pashprehur në një koment ose pyetje, vërtetësinë e një dëshmie apo doktrine, ose sigurinë e paqen që vijnë përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Misionarët për Predikimin e Ungjillit Tim veprojnë me besim dhe drejtohen me anë të Shpirtit për t’i ndihmuar kërkuesit që të mësojnë të vërtetën. Ju lutem, kujtojeni Atë gjithnjë; jini të denjë për ta përfaqësuar Atë; mblidhni si thesar fjalën e Tij; lejojeni Frymën e Shenjtë t’ju dëshmojë gjithë të vërtetën; dhe vrojtoni, dëgjoni e dalloni ndërsa u dëshmoni për Jezu Krishtin kërkuesve të ndershëm të së vërtetës.

Ju Mund ta Bëni Këtë!

Pamja
Two elder missionaries walking along a dirt road.

Ju mund ta lexoni mesazhin tim dhe të besoni se të gjithë të rinjtë e tjerë mund dhe do ta bëjnë atë që po përshkruaja. Por ju mund të jeni duke pyetur veten nëse mund ta bëni këtë. Ju lutem, dëgjoni. Ju mund ta bëni këtë!

Nëse do të plotësoja dëshirën e zemrës sime, do rrija disa çaste me çdonjërin prej jush personalisht. Do t’ju jepja dorën, do t’ju afroja, do t’ju shihja në sy dhe do t’ju thoja: “Ju mund ta bëni këtë! Zoti që ju përfaqësoni dhe i shërbeni, e di se ju mund ta bëni këtë. Unë e di se ju mund ta bëni këtë. Dhe si shërbëtor i Tij, ju premtoj se do ta keni ndihmën e Tij. Ju lutem, kujtoni gjithnjë se me ndihmën e Tij dhe me forcën e Tij, ju mund ta bëni këtë!”

Ju dua dhe lutem që ndërsa përpiqeni të bëheni ai/ajo që duhet të bëheni, ju do t’i njihni dhe do t’u përgjigjeni me besim zërit dhe drejtimit të Zotit. Më pas ju me të vërtetë do të bëheni përfaqësues të fuqishëm dhe të dobishëm të Zotit Jezu Krisht.

Ilustrime me foto nga Departamenti i Shërbimeve për Botimet; Lovest Thou Me More than These [A më Do Mua më Shumë se Këta?]? nga David Lindsley

Shënime

  1. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 1.

  2. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 147.