2013
Në Konferencën e Përgjithshme Shpallet Rritje në Anëtarësi dhe në Numrin e Misionarëve
Nëntor 2013


Në Konferencën e Përgjithshme Shpallet Rritje në Anëtarësi dhe në Numrin e Misionarëve

Anëtarësia e Kishës ka arritur në 15 milionë, njoftoi Presidenti Tomas S. Monson në sesionin e hapjes së Konferencës së Përgjithshme Gjysmëvjetore të 183-të më 5 tetor 2013. Ai gjithashtu shpalli se, që nga ulja e moshës për shërbimin misionar në tetor 2012, numri i misionarëve kohëplotë që shërbejnë nëpër botë, është rritur në mënyrë dramatike – nga 58.500 në 80.333 vetë.

“Kisha vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të ndryshojë jetën e gjithmonë e më shumë njerëzve çdo vit”, tha Presidenti Monson. “Ajo po përhapet përmes tokës ndërkohë që forca jonë misionare përpiqet të gjejë ata që po e kërkojnë të vërtetën.”

Ai i nxiti anëtarët dhe misionarët që të bashkohen me njëri-tjetrin në ndarjen e ungjillit. “Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të mblidhen së bashku, të veprojnë së bashku, të punojnë së bashku në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij”, tha Presidenti Monson, i cili ka shërbyer si Apostull për 50 vjet.

Në sesionin e pasdites të së shtunës, tre anëtarë të Kuorumit të Parë të Të Shtatëdhjetëve – Pleqtë Xhon B. Dikson, Pol E. Kolliker dhe F. Majkëll Uatson – u liruan nga thirrjet me nderim dhe morën status nderi, dhe gjithashtu Plaku Kent D. Uatson, i Kuorumit të Dytë të Të Shtatëdhjetëve, u lirua nga thirrja me nderim. Përveç këtyre, Hulio A. Angula, 45 vjeç, nga Bogota, Kolumbi; Pitër F. Evëns, 54 vjeç, nga Solt-Lejk-Siti, Juta, SHBA; dhe Xhenadi N. Podvodov, 47 vjeç, nga Donesku, Ukrainë, u mbështetën si Të Shtatëdhjetë Zonalë. U shpall se Sezar H. Huker dhe Kreig T. Rajt u liruan nga thirrja si Të Shtatëdhjetë Zonalë.

Miliona vetë nëpër të gjithë botën e panë ose dëgjuan konferencën nëpërmjet transmetimeve të televizionit, internetit, radios dhe transmetimeve satelitore. Për herë të parë, sesioni i priftërisë i mbrëmjes të së shtunës ishte i disponueshëm në transmetimin televiziv dhe drejtpërsëdrejti në internet. Më shumë se 100.000 njerëz i ndoqën të pesë sesionet në Qendrën e Konferencave në Solt-Lejk-Siti, Juta, më 5 dhe 6 tetor. Konferenca ishte e disponueshme edhe nëpërmjet mediave të ndryshme në 95 gjuhë dhe u transmetua në 197 shtete dhe territore.

Presidenti Monson e përfundoi konferencën me një thirrje për anëtarët e Kishës që të tregojnë më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit dhe “[të gjenden] gjithmonë duke bërë punën e Zotit”.

Tomas S. Monson në Tabernakullin në Sheshin e Tempullit në vitin 1963, pak çaste përpara se të mbështetej si Autoritet i Përgjithshëm.

Fotografi nga Zyra e Presidentit