2013
Rendëll L. Rid
Nëntor 2013


Rendëll L. Rid

Këshilltari i Ri i Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rinjve

Pamja
Rendëll L. Rid

Si bir i një ndërtuesi, Rendëll L. Rid mësoi që në fëmijëri rëndësinë e bërjes së një pune sipas mënyrës së duhur. Në shumë raste, i riu Rendëll do ta kryente një detyrë, vetëm që të dëgjonte babanë e tij, Leon Rid, të thoshte: “S’ke mbaruar ende”.

Një saktësi e tillë la një mbresë afatgjatë tek burri që tani shërben si këshilltari i dytë në presidencën e përgjithshme të Të Rinjve. Deri më sot, ai nganjëherë i dëgjon fjalët plot vendosmëri, por të dashura, të babait të tij ndërsa kryen detyrat e tij profesionale, familjare dhe kishtare: “S’ke mbaruar ende; bëje siç duhet”.

Vëllai Rid tha se etika e punës në familjen e tij ka qenë bekim në jetën e tij. Kështu kanë bërë edhe kujdestarët dhe udhëheqësit e priftërisë që nganjëherë e kanë udhëzuar atë përgjatë shtegut të ungjillit. Teksa shumë prej shokëve të tij të klasës nga shkolla e mesme pranuan thirrjen për mision në moshën 19-vjeçare, Rendëlli u regjistrua në kolegj dhe u fut në ushtri. Më pas ai mori një punë si teknik rrezatimesh, ndërkohë që vazhdonte studimet në Universitetin e Jutas. Disa burra të urtë patën guximin e mjaftueshëm për t’i thënë atij se vendi i tij ishte në fushën e misionit. Ai e ndoqi drejtimin e tyre dhe bëri kërkesën për të shërbyer. Shpejt ai po ndante ungjillin në Misionin e Meksikës Veriore. “Nuk mund ta mendoj se si do të kishte qenë jeta ime nëse nuk do të kisha shërbyer në mision”, thotë ai.

Ai u kthye në shtëpi, vazhdoi arsimimin e tij dhe u martua me Tamina Rork në Tempullin e Solt-Lejkut në vitin 1975. Çifti Rid rriti katër fëmijë ndërkohë që Vëllai Rid e zhvilloi karrierën e tij profesionale në fushën e pasurive të patundshme komerciale dhe në ndërmarrje të tjera biznesi.

Dashuria e tij për punë misionare vazhdon. Ai kryesoi mbi Misionin e Ekuadorit Verior në Guajakil nga viti 2005 deri në 2008 dhe përsëri dëshmoi ndryshimin që një mision kohëplotë mund të ketë në jetën e një të riu ose të reje.

Vëllai Rid po shërbente si anëtar i këshillit të përgjithshëm të Të Rinjve kur u thirr në presidencën e përgjithshme të Të Rinjve në maj 2013.