2013
Ti Mund t’ia Dalësh Tani!
Nëntor 2013


Ti Mund t’ia Dalësh Tani!

Pamja

Për sa kohë që jemi të gatshëm të ngrihemi në këmbë dhe të vazhdojmë në shtegun, … ne mund të mësojmë diçka nga dështimi dhe të bëhemi më të mirë dhe më të lumtur.

Kur isha i vogël, rrëzimi dhe ngritja në këmbë dukej se ishin një gjë dhe e njëjta lëvizje. Me kalimin e viteve, sidoqoftë, kam arritur në përfundimin turbullues se ligjet e fizikës kanë ndryshuar – dhe jo për përfitimin tim.

Jo shumë kohë më parë, po bëja ski me nipin tim 12-vjeçar. Po e shijonim kohën tonë së bashku, kur rrëshqita në një vend ku bora ishte bërë akull dhe përfundova duke bërë një përplasje spektakolare në një shpat të pjerrët.

Provova çdo marifet për t’u ngritur, por nuk mundesha – isha rrëzuar dhe nuk mund të ngrihesha.

Ndihesha shumë mirë fizikisht, por egoja ime ishte mavijosur pak. Ndaj u sigurova që kaska dhe syzet e mia të ishin në vend, duke qenë se parapëlqeva shumë që skiatorët e tjerë të mos më njihnin. Mund ta përfytyroja veten të ulur aty të pafuqishëm teksa ata bënin ski në mënyrë të hijshme duke thirrur me gëzim: “Përshëndetje, Vëllai Uhtdorf!”

Nisa të vrisja mendjen se çfarë do të duhej për të më shpëtuar. Ky ishte çasti kur nipi më erdhi pranë. I tregova atë që ndodhi, por nuk dukej shumë i interesuar për shpjegimet e mia rreth arsyes përse nuk mund të ngrihesha. Më pa në sy, u afrua, më kapi për dore dhe, me një ton të vendosur, tha: “Gjysh, ti mund t’ia dalësh tani!”

Aty për aty, unë qëndrova në këmbë.

Ende e kam të vështirë ta besoj këtë. Ajo që ishte dukur e pamundur vetëm një çast përpara, u bë realitet menjëherë, për shkak se një djalë 12-vjeçar m’u afrua dhe tha: “Ti mund t’ia dalësh tani!” Për mua, kjo ishte një shtytje sigurie, entuziazmi dhe force.

Vëllezër, mund të ketë kohë në jetën tonë kur ngritja në këmbë dhe të vazhduarit më tej mund të duket përtej aftësisë sonë. Atë ditë në një shpat të mbuluar nga dëbora, unë mësova diçka. Edhe kur mendojmë se nuk mund të çohemi, ende ka shpresë. Dhe ndonjëherë, na duhet thjesht dikush që të na shohë në sy, të na kapë për dore dhe të thotë: “Ti mund t’ia dalësh tani!”

Iluzioni i të Qenit të Fortë

Ne mund të mendojmë se ka më shumë gjasa që gratë të kenë ndjenja papërshtatshmërie dhe dështimi – që këto ndjenja i prekin ato më shumë sesa ne. Nuk jam i sigurt se kjo është e vërtetë. Burrat përjetojnë ndjenja faji, depresioni dhe dështimi. Ne mund të bëjmë sikur këto ndjenja nuk na shqetësojnë, por ato na shqetësojnë. Ne mund të ndihemi kaq të rënduar nga dështimet dhe cenet tona, saqë mund të fillojmë të mendojmë se nuk do të jemi kurrë në gjendje t’ia dalim mbanë. Ne madje mund të hamendësojmë që për shkak se jemi rrëzuar përpara, rrëzimi është fati ynë. Ashtu siç e shprehu një shkrimtar: “Ne mundohemi, barka kundër rrymës, duke u mbartur pareshtur prapa në të shkuarën”1.

Kam vështruar burra të mbushur me potencial dhe hir të shkëputen nga puna sfiduese e ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë, për shkak se kishin dështuar një apo dy herë. Ata ishin burra premtues, të cilët mund të kishin qenë mbajtës të priftërisë dhe shërbëtorë të jashtëzakonshëm të Perëndisë. Por, ngaqë u penguan dhe u shkurajuan, ata u tërhoqën nga zotimet e tyre të priftërisë dhe ndoqën rrugëtime të tjera, por më pak të denja.

Dhe kështu, ata vazhdojnë, duke jetuar vetëm një hije të jetës që mund të kishin bërë, duke mos u ngritur kurrë në potencialin që është e drejta e tyre e trashëgimisë. Sikurse vajtoi poeti, ata janë pjesë e atyre shpirtrave të pafat që “vdesin me pjesën [më të madhe] të muzikës [ende] brenda tyre”2.

Askujt nuk i pëlqen të dështojë. Dhe neve veçanërisht nuk na pëlqen kur të tjerët – sidomos ata që i duam – na shohin të dështojmë. Të gjithë duam të respektohemi dhe vlerësohemi. Ne duam të jemi kampionë. Por ne të vdekshmit nuk bëhemi kampionë pa përpjekje dhe disiplinë ose pa bërë gabime.

Vëllezër, fati ynë nuk përcaktohet nga numri i herëve që pengohemi, por nga numri i herëve që ngrihemi, shkundim pluhurin dhe lëvizim përpara.

Trishtimi Sipas Perëndisë

Ne e dimë se kjo jetë tokësore është një provë. Por, ngaqë Ati ynë Qiellor na do me një dashuri të përsosur, Ai na tregon se ku t’i gjejmë përgjigjet. Ai na e ka dhënë hartën që na lejon të lundrojmë në terren të pasigurt dhe në sprovat e papritura që has secili prej nesh. Fjalët e profetëve janë pjesë e asaj harte.

Kur humbasim rrugën – kur rrëzohemi ose largohemi nga udha e Atit tonë Qiellor – fjalët e profetëve na tregojnë si të ngrihemi sërish e të kthehemi në rrugën e duhur.

Nga të gjitha parimet e dhëna mësim nga profetët përgjatë shekujve, njëri që është theksuar pa pushim, është mesazhi shpresëdhënës dhe ngushëllues që njerëzimi mund të pendohet, të ndryshojë drejtim dhe të kthehet në shtegun e vërtetë të dishepullimit.

Kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndihemi rehat me dobësitë, gabimet apo mëkatet tona. Dhe ka një ndryshim të rëndësishëm mes trishtimit për mëkatin që çon drejt pendimit, dhe trishtimit që çon drejt dëshpërimit.

Apostulli Pal na mësoi se “trishtimi sipas Perëndisë … sjell pendim për shpëtim … por trishtimi i botës shkakton vdekje”3. Trishtimi sipas Perëndisë frymëzon ndryshim dhe shpresë nëpërmjet Shlyerjes. Trishtimi i botës na tërheq poshtë, na e shuan shpresën dhe na bind t’i dorëzohemi tundimit të mëtejshëm.

Trishtimi sipas Perëndisë çon në kthim në besim4 dhe në ndryshim të zemrës5. Ai bën që ne ta urrejmë mëkatin dhe ta duam mirësinë6. Na nxit që të ngrihemi në këmbë dhe të ecim në dritën e dashurisë së Krishtit. Pendimi i vërtetë ka të bëjë me shndërrimin, jo me torturimin apo mundimin. Po, keqardhja e ndier dhe brejtja e vërtetë e ndërgjegjes për mosbindjen, shpesh, janë hapa të dhembshëm e shumë të rëndësishëm në procesin e shenjtë të pendimit. Por kur faji na çon në neveritje të vetes ose na pengon të çohemi sërish, ai bëhet pengesë në vend që të japë shtysë për pendimin tonë.

Vëllezër, ka një mënyrë më të mirë. Le të ngrihemi e të bëhemi burra të Perëndisë. Ne e kemi një kampion, një Shpëtimtar, që eci nëpër luginën e hijes së vdekjes në emrin tonë. Ai e dha Veten e Tij si një çmim për mëkatet tona. Askush nuk ka pasur dashuri më të madhe se kjo – Jezu Krishti, Qengji pa të meta, u shtri me gatishmëri në altarin e flijimit dhe pagoi çmimin për mëkatet tona deri në “qindarkën e fundit”7. Ai e mori mbi vete vuajtjen tonë. Ai i mori barrat tona, fajin tonë mbi shpatullat e Tij. Miqtë e mi të dashur, kur vendosim të vijmë tek Ai, kur marrim mbi vete emrin e Tij dhe ecim trimërisht në shtegun e dishepullimit, atëherë nëpërmjet Shlyerjes, na premtohet jo vetëm lumturi e “paqe në këtë botë”, por edhe “jetë të përjetshme në botën që vjen”8.

Kur bëjmë gabime, kur mëkatojmë dhe biem, le të mendojmë rreth asaj se çfarë do të thotë të pendohesh me të vërtetë. Do të thotë ta kthejmë zemrën e vullnetin tonë te Perëndia dhe të heqim dorë nga mëkati. Pendimi i vërtetë, i ndier në zemër sjell me vete sigurimin qiellor se “ne mund t’ia dalim tani”.

Cili Je Ti?

Një nga metodat e kundërshtarit për të na ndaluar të përparojmë, është të na ngatërrojë rreth faktit se cilët jemi në të vërtetë dhe asaj që dëshirojmë vërtet.

Ne duam të kalojmë kohë me fëmijët tanë, por duam edhe të merremi me veprimtaritë tona të parapëlqyera burrërore. Ne duam të biem në peshë, por duam edhe të shijojmë ushqimet që na pëlqejnë tej mase. Ne duam të bëhemi si Krishti, por duam edhe t’ia tregojmë qejfin atij që na zë rrugën në trafik.

Qëllimi i Satanit është që të na tundojë t’i shkëmbejmë perlat e paçmueshme të lumturisë së vërtetë dhe të vlerave të përjetshme me një xhingël të rreme plastike, që është vetëm një iluzion dhe falsifikim i lumturisë dhe gëzimit.

Një metodë tjetër që kundërshtari përdor për të na shkurajuar që të mos ngrihemi, është të na bëjë t’i mendojmë urdhërimet si gjëra që na janë dhënë me detyrim. Mendoj se është në natyrën njerëzore që t’i bëjmë qëndresë çdo gjëje që nuk duket të jetë ideja jonë nga fillimi.

Nëse i shohim të ngrënin e shëndetshëm dhe ushtrimet fizike vetëm si diçka që mjeku ynë pret prej nesh, ne do të dështojmë. Nëse i shohim këto zgjedhje për atë që jemi dhe kush duam të bëhemi, ne kemi një shans më të madh për ta ruajtur drejtimin dhe për t’ia dalë mbanë.

Nëse e shohim mësimin e shtëpisë vetëm si synimin e presidentit të kunjit, ne mund t’i japim një vlerë më të ulët kryerjes së saj. Nëse e shohim atë si synimin tonë – diçka që ne dëshirojmë të bëjmë në mënyrë që të bëhemi më shumë si Krishti dhe t’u shërbejmë të tjerëve – ne jo vetëm do ta përmbushim zotimin tonë, por edhe do ta arrijmë atë në një mënyrë që i bekon vërtet familjet që vizitojmë dhe tonën gjithashtu.

Mjaft shpesh, ne jemi ata që po marrim ndihmë nga miqtë ose familja. Por nëse shohim përreth me sy vëzhgues dhe shtysën e një zemre përkujdesëse, ne do t’i dallojmë mundësitë që Zoti na vë përpara për t’i ndihmuar të tjerët të ngrihen dhe të ecin drejt potencialit të tyre të vërtetë. Shkrimet e shenjta sugjerojnë: “Çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit”9.

Është një burim i madh fuqie shpirtërore që të jetojmë jetë me integritet moral e drejtësi dhe t’i mbajmë sytë atje ku dëshirojmë të jemi në përjetësi. Edhe sikur të mund ta shohim këtë vendmbërritje hyjnore vetëm me syrin e besimit, ajo do të na ndihmojë ta mbajmë drejtimin.

Kur vëmendja jonë përqendrohet kryesisht në sukseset apo dështimet tona të përditshme, ne mund ta humbasim udhën tonë, mund të endemi dhe të rrëzohemi. Mbajtja e shikimit te synime më të larta do të na ndihmojë të bëhemi bij e vëllezër më të mirë, etër më të butë dhe bashkëshortë më të dashur.

Edhe ata që i vënë zemrat e tyre në synime hyjnore, mund të rrëzohen me raste, por nuk do të mposhten. Ata u mirëbesojnë premtimeve të Perëndisë dhe mbështeten tek ato. Ata do të ngrihen sërish në këmbë me një shpresë të ndritur te një Perëndi e drejtë dhe te vegimi frymëzues për një të ardhme të shkëlqyer. Ata e dinë që mund t’ia dalin tani.

Ti Mund t’ia Dalësh Tani

Çdo njeri, i ri dhe i moshuar, ka pasur përvojën e tij vetjake me rrëzimin. Rrëzimi është ajo çka bëjmë ne të vdekshmit. Por, për sa kohë që jemi të gatshëm të ngrihemi dhe të vazhdojmë në shtegun drejt synimeve shpirtërore që Perëndia na ka dhënë, ne mund të mësojmë diçka nga dështimi dhe të bëhemi më të mirë dhe më të lumtur si rrjedhim.

Vëllezërit e mi të dashur, miqtë e mi të dashur, do të ketë kohë kur do të mendoni se nuk mund të qëndroni në këmbë ose të vazhdoni më tej. Mirëbesojini Shpëtimtarit dhe dashurisë së Tij. Me besim te Zoti Jezu Krisht, me fuqinë dhe shpresën e ungjillit të rivendosur, ju do të jeni në gjendje të ecni të sigurt dhe të vazhdoni më tej.

Vëllezër, ne ju duam. Ne lutemi për ju. Sikur të mundeshit ta dëgjonit Presidentin Monson të lutet për ju. Qoftë nëse jeni një baba i ri, një mbajtës i moshuar i priftërisë ose një dhjak i saposhuguruar, ne ju kemi në mendje. Zoti ju ka në mendje!

Ne e pranojmë se shtegu juaj ndonjëherë do të jetë i vështirë. Por, unë ju bëj këtë premtim në emrin e Zotit: ngrihuni dhe ndiqini hapat e Shëlbuesit dhe Shpëtimtarit tonë, dhe një ditë, do të shihni prapa dhe do të mbusheni me mirënjohje të përjetshme që zgjodhët t’i mirëbesonit Shlyerjes dhe fuqisë së saj për t’ju ngritur e e për t’ju dhënë forcë.

Miqtë dhe vëllezërit e mi të dashur, pavarësisht sa herë keni rrëshqitur apo jeni rrëzuar, ngrihuni! Fati juaj është një fat i lavdishëm! Qëndroni në këmbë dhe ecni në dritën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit! Jeni më të fortë nga sa e kuptoni. Jeni më të aftë nga sa mund ta përfytyroni. Ju mund t’ia dilni tani! Për këtë dëshmoj në emrin e shenjtë të Mësuesit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, amen.