2013
A Dëshiron të Shërohesh?
Nëntor 2013


A Dëshiron të Shërohesh?

Pamja

Ndërsa pendohemi dhe kthehemi në besim te Zoti, ne shërohemi dhe faji ynë fshihet.

Gjatë një kohe kremtimi të gëzueshëm në Jerusalem, Shpëtimtari u largua nga turmat për të gjetur ata që ishin më shumë në nevojë. Ai i gjeti ata në Betesda, pellgun me pesë portikë afër portës së dhenve, i cili ishte i mirënjohur se tërhiqte të munduarit.

Ungjilli i Gjonit na tregon se pranë pellgut “dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.

Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte” (Gjoni 5:3–4).

Vizita e Shpëtimtarit është ilustruar prej Karl Blokut në një pikturë të bukur të titulluar Krishti Shëron të Sëmurët në Pellgun e Betesdës. Bloku e paraqet Jezusin tek ngre me butësi një mbulojë çadre të përkohshme, duke zbuluar një të “lënguar” (Gjoni 5:7) që rrinte shtrirë pranë pellgut duke pritur. Këtu fjala i lënguar i referohet një personi që është i pafuqishëm dhe thekson mëshirën dhe hirin e Shpëtimtarit, i cili erdhi qetësisht për t’u shërbyer atyre që nuk mund t’i ndihnin vetvetes.

Në pikturë njeriu i munduar struket përdhe në gjysmerrësirë, i dërrmuar dhe i ligështuar, pasi e vuante lëngatën e tij prej 38 vitesh.

Teksa Shpëtimtari ngre anën e cohës me njërën dorë, Ai e shtrin tjetrën në shenjë ftese dhe bën një pyetje depërtuese: “A dëshiron të shërohesh?”

Burri përgjigjet: “Zot, unë s’kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje” (Gjoni 5:6–7).

Sprovës në dukje të pazgjidhshme të burrit, Jezusi i jep një përgjigje të thellë dhe të papritur:

“Çohu, merr vigun tënd dhe ec!

Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci” (Gjoni 5:8–9).

Në një tjetër skenë të dhimbsur, Lluka na tregon se Shpëtimtari, ndërsa udhëtonte për në Jerusalem, takoi 10 lebrozë. Për shkak të sëmundjes së tyre ata “ndaluan larg” (Lluka 17:12). Ata ishin njerëz të dëbuar – të papastër dhe të padëshiruar.

“Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne”, thirrën ata (Lluka 17:13) – me fjalë të tjera, kërkuan me ngulm: “A nuk ka diçka që Ti mund të bësh për ne?”

Mjeku i Madh, gjithë dhembshuri, prapë e dinte se besimi duhej t’i paraprinte mrekullisë dhe si rrjedhim u tha: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë” (Lluka 17:14).

Ndërsa shkuan në besim, mrekullia ndodhi. A mund ta përfytyroni gëzimin e jashtëzakonshëm pas çdo hapi ndërsa dëshmonin në kohë reale si trupat e tyre pastroheshin, shëroheshin dhe ktheheshin në gjendjen e mëparshme pikërisht përpara syve të tyre?

“Një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë më zë të lartë.

Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e [Mësuesit], duke e falënderuar. …

Dhe [Jezusi] i tha atij: ‘Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi’” (Lluka 17:15–16, 19).

Në punën time të mëparshme si mjek dhe kirurg, unë përqendrohesha te ndreqja dhe korrigjimi i fizikut. Jezu Krishti shëron trupin, mendjen dhe shpirtin dhe shërimi i Tij fillon me besimin.

A ju kujtohet kur besimi dhe gëzimi juaj ishin të plotë në kulm? Kujtoni çastin kur dalluat dëshminë tuaj ose kur Perëndia ju konfirmoi që ishit biri apo bija e Tij dhe se ju donte fort – dhe ju u ndiet i shëruar? Nëse ajo kohë ju duket e humbur, mund të gjendet sërish.

Shpëtimtari na këshillon se si të shërohemi – të jemi të plotësuar apo të bëhemi të shëndetshëm:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” (Mateu 11:28–30).

“Eja, e më ndiq” (Lluka 18:22), na fton që të lëmë pas jetën e mëparshme dhe dëshirat e botës dhe të bëhemi një njeri i ri për të cilin “gjërat e vjetra kanë shkuar [dhe] të gjitha gjërat [janë bërë] të reja” (2 Korintasve 5:17), madje me një zemër të re e besnike. Dhe ne shërohemi sërish.

“M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet” (DeB 88:63).

Ndërsa i afrohemi Atij, ne e kuptojmë se vdekshmëri do të thotë vështirësi dhe se “kundërshtimi në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11) nuk është një gabim nga pakujdesia në planin e shpëtimit. Përkundrazi, kundërshtimi është elementi i domosdoshëm i vdekshmërisë dhe e forcon vullnetin tonë dhe i dëlir zgjedhjet tona. Peripecitë e jetës na ndihmojnë të krijojmë një marrëdhënie të përjetshme me Perëndinë – dhe të gdhendim shëmbëlltyrën e Tij në pamjen tonë ndërsa ia japim zemrat Atij (shih Alma 5:19).

“Bëni këtë në përkujtimin tim” (Lluka 22:19) është ajo çfarë kërkoi Shpëtimtari ynë kur vendosi atë që ne e quajmë sakrament. Kjo ordinancë me bukë e ujë përtërin besëlidhjet e shenjta që kemi bërë me Perëndinë dhe e fton fuqinë e Shlyerjes në jetën tonë. Ne shërohemi përmes braktisjes së zakoneve dhe të llojit të jetesës që i ashpërsojnë zemrat dhe shkaktojnë kokëfortësi. Kur i ulim “armët e rebelimit” tonë (Alma 23:7), ne bëhemi “veprues për veten” (DeB 58:28), jo më të verbuar nga sofizmat e Satanit apo të shurdhuar nga zhurmat e vrazhda të botës laike.

Ndërsa pendohemi dhe kthehemi në besim te Zoti, ne shërohemi dhe faji ynë fshihet. Ne mund të pyesim veten, siç bëri Enosi: “Si u bë ajo?” Zoti përgjigjet: “Për shkak të besimit tënd në Krishtin. … Prandaj shko, besimi yt të ka bërë ty të shëruar” (Enosi 1:7, 8).

Kori ten Bom, një grua e krishterë e përkushtuar holandeze, e gjeti një shërim të tillë pavarësisht se ishte internuar në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së II-të Botërore. Ajo vuajti së tepërmi, por, ndryshe nga motra e saj e dashur Betsi, e cila u zhduk në një nga kampet, Kori mbijetoi.

Pas lufte shpesh foli publikisht për përvojat e saj dhe për shërimin e faljen. Në një rast, një ish-rojë naziste që kishte qenë pjesërisht shkak i vetë burgosjes së rëndë të Korit në Ravensbryk të Gjermanisë, iu qas, duke u gëzuar nga mesazhi i saj për faljen dhe dashurinë e Krishtit.

“‘Sa mirënjohës jam për mesazhin tuaj, Frojlain [Zonjushë]’, tha ai. ‘Të mendoj, siç thua ti, që Ai i ka pastruar mëkatet e mia!’

‘Dora e tij u zgjat për të shtrënguar timen’, kujtoi Kori. ‘Dhe unë, që kisha predikuar kaq shpesh … për nevojën për të falur, e mbajta dorën në ijë.

Madje ndërsa mendimet zemërake, hakmarrëse zienin përbrenda meje, e shihja mëkatin në to. … Zot Jezus, u luta, më fal dhe më ndihmo ta fal atë.

U orvata të qesh [dhe] u përpoqa shumë ta ngrija dorën. Nuk mundesha. Nuk ndjeva asgjë, as shkëndijën më të zbehtë të ngrohtësisë apo dashurisë. Dhe kështu përsëri pëshpërita një lutje të heshtur. Jezus, nuk mund ta fal atë. Më jep faljen Tënde.

Ndërsa shtrëngova dorën e tij, ndodhi gjëja më e pabesueshme. Një rrymë nga shpatulla ime, përgjatë krahut dhe përmes dorës sime, u duk të kalonte nga unë tek ai, ndërsa në zemrën time gufoi një dashuri për këtë të huaj e cila pothuaj më pushtoi.

Dhe kështu zbulova që nuk varet nga falja jonë, aq më pak nga mirësia jonë, shërimi i botës, por nga e Tija. Kur na thotë që t’i duam armiqtë tanë, Ai, bashkë me urdhrin, jep vetë dashurinë.’”1

Kori ten Bom u shërua.

Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Është një jetë që i mbështet ata që janë të trazuar apo të rënduar me dhembje e pikëllim – madje Zoti Jezu Krisht”2.

Nëse ndiheni të papastër, të padëshiruar, të palumtur, të padenjë ose të pashëruar, kujtoni se “gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit”3. Kini besim dhe durim te ritmi dhe qëllimet e Shpëtimtarit për ju. “Mos ki frikë, vetëm ki besim” (Marku 5:36).

Kini sigurinë që Shpëtimtari ende përpiqet të ndreqë shpirtrat tanë dhe të shërojë zemrat tona. Ai pret te dera dhe troket. Le të përgjigjemi duke filluar sërish të lutemi, të pendohemi, të falim dhe të harrojmë. Le ta duam Perëndinë dhe t’i shërbejmë fqinjit tonë dhe të qëndrojmë në vende të shenjta me një jetë të pastruar. Njeriu i pafuqi në pellgun e Betesdës, lebrozi rrugës për në Jerusalem dhe Kori ten Bom u shëruan. “A Dëshiron të Shërohesh?” Çohu dhe ec. “Hiri [i Tij] mjafton” (2 Korintasve 12:9) dhe ju nuk do të ecni i vetëm.

Kam arritur ta di që Perëndia jeton. E di se ne jemi të gjithë fëmijët e Tij dhe se Ai na do për ata që jemi dhe për ata që mund të bëhemi. Unë e di se Ai e dërgoi Birin e Tij në botë që të ishte sakrifica shlyese për të gjithë njerëzimin dhe se ata që e përqafojnë ungjillin e Tij dhe e ndjekin Atë, do të shërohen dhe do të arrijnë plotësimin – “në vetë kohën e tij dhe në vetë mënyrën e tij, dhe sipas vetë vullnetit të tij” (DeB 88:68), nëpërmjet mëshirave të Tij të dhembshura. Kjo është dëshmia ime për ju në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Corrie ten Boom, The Hiding Place (1971), f. 215.

  2. Thomas S. Monson, “Meeting Life’s Challenges”, Ensign, nëntor 1993, f. 71.

  3. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 52.