2013
Duke u Mbajtur Vazhdimisht me Vendosmëri
Nëntor 2013


Duke u Mbajtur Vazhdimisht me Vendosmëri

Pamja

U mbajtshim vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit që çon te prania e Atit tonë Qiellor.

Im atë mund ta kujtonte ditën e saktë, madje orën e saktë kur familja e tij – babai, mamaja dhe katër fëmijët – e lanë Kishën, shumë për të mos u kthyer më kurrë në këtë jetë. Ai ishte 13 vjeç, një dhjak, dhe në ato ditë familjet në mëngjes shkonin në Shkollën e së Dielës dhe pastaj pasdite në mbledhjen e sakramentit. Një ditë të bukur pranvere, pasi u kthyen në shtëpi nga shërbimet e adhurimit të mëngjesit të së dielës dhe po hanin vaktin familjar të mesditës së bashku, e ëma u kthye nga i ati dhe thjesht pyeti: “Po mirë, i dashur, a mendon se duhet të shkojmë në mbledhjen e sakramentit këtë pasdite, apo ta nxjerrim familjen për një shëtitje me makinë në fshat?”

Mendimi që kishte një alternativë për mbledhjen e sakramentit, nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend tim eti, por ai dhe tre fëmijët e tij adoleshentë të gjithë u ngritën dhe ishin sy e veshë. Ajo shëtitje në fshat të dielën pasdite qe ndoshta një veprimtari e gëzueshme familjare, por ai vendim i vogël u bë fillimi i një drejtimi të ri, i cili përfundimisht e çoi familjen e tij larg Kishës me sigurinë, mbrojtjen dhe bekimet e saj dhe drejt një shtegu të ndryshëm.

Si mësim për njerëzit e kohës sonë që mund të tundohen të zgjedhin një shteg të ndryshëm, profeti Lehi i Librit të Mormonit i tregoi familjes së tij një vegim ku ai “pa grumbullime të panumërta njerëzish, shumë prej të cilëve po shtyheshin përpara, që të siguronin shtegun që të udhëhiqte drejt pemës pranë së cilës [ai] qëndro[nte].

Dhe … ata erdhën përpara dhe filluan të ecnin në shtegun që të çonte te pema.

Dhe … atje u ngrit një mjegull errësire; … saqë ata që kishin filluar të ecnin nëpër shteg, e humbën rrugën e tyre, sa ata nuk dinin se ku ishin dhe humbën.”1

Lehi pastaj pa një grup të dytë që “po shtyhe[j] përpara dhe ata erdhën përpara dhe u kapën pas fundit të shufrës së hekurit; dhe shkuan përpara përmes mjegullës së errësirës, duke u mbajtur fort pas shufrës së hekurit, madje derisa arritën dhe hëngrën nga fruti i pemës”. Fatkeqësisht, “pasi hëngrën nga fruti i pemës, ata hodhën sytë përreth, sikur të ishin të turpëruar” për shkak të njerëzve në “ndërtesë[n] [e] gjerë dhe të madhe” që “ishin duke u tallur dhe duke treguar me gisht drejt atyre që kishin ardhur … dhe po hanin frutin”. Pastaj ata njerëz “u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën”2. Ata nuk ishin në gjendje, ose ndoshta të gatshëm, të duronin deri në fund.

Megjithatë, pati një grup të tretë që jo vetëm ishte i suksesshëm në arritjen e pemës së jetës, por ata më pas nuk u larguan. Për këta, shkrimet e shenjta thonë se u shtynë “përpara, duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit, derisa arritën dhe ranë dhe hëngrën nga fruti i pemës”3. Shufra e hekurit për këtë grup njerëzish përfaqësonte të vetmen siguri dhe mbrojtje që mund të gjenin, dhe ata u mbajtën vazhdimisht me vendosmëri; ata nuk pranuan ta lëshonin, madje as për diçka aq të thjeshtë sa një shëtitje në fshat të dielën pasdite.

Për këtë grup njerëzish, Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Fraza kyçe në këtë varg është ‘duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri’ te shufra e hekurit. … Ndoshta ky grup i tretë njerëzish i lexoi dhe i studioi e i shqyrtoi rregullisht fjalët e Krishtit. … Ky është grupi të cilit unë dhe ju duhet të përpiqemi t’i bashkohemi.”4

Ata prej nesh që janë anëtarë të Kishës së Perëndisë sot, kanë bërë besëlidhje për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë. Në pagëzim ne besëlidhëm se do të qëndrojmë si dëshmitarë të Shpëtimtarit5, do të ndihmojmë të dobëtit dhe nevojtarët6, do të mbajmë urdhërimet e Perëndisë dhe do të pendohemi sipas nevojës, pasi siç dha mësim Apostulli Pal: “Të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”7.

Çdo javë ne kemi mundësinë të marrim pjesë në mbledhjen e sakramentit, ku mund t’i përtërijmë këto besëlidhje duke marrë bukën dhe ujin e ordinancës së sakramentit. Ky veprim i thjeshtë na lejon që t’i japim sërish fjalën vetes për të ndjekur Jezu Krishtin dhe për t’u penduar kur njëmend dështojmë. Në këmbim, premtimi i Perëndisë për ne është Shpirti i Tij si udhërrëfyes dhe mbrojtje.

Nga Predikoni Ungjillin Tim, misionarët tanë japin mësim se zbulesa dhe dëshmia vijnë kur marrim pjesë në mbledhjet tona të së dielës në Kishë: “Kur marrim pjesë në shërbesat e Kishës dhe adhurojmë së bashku, ne forcojmë njëri-tjetrin. Ne përtërihemi nga shoqëria e miqve dhe familjes. Besimi ynë forcohet kur studiojmë shkrimet e shenjta dhe mësojmë më shumë rreth ungjillit të rivendosur.”8

Dikush mund të pyesë se përse kemi tri mbledhje të veçanta të dielën dhe përse është nevoja për çdonjërën. Le t’i shikojmë shkurtimisht këto tri mbledhje:

  • Mbledhja e sakramentit jep mundësinë e pjesëmarrjes në ordinancën e sakramentit. Ne përtërijmë besëlidhjet tona, ndiejmë një rritje të Shpirtit dhe kemi bekimin tjetër të të qenit të udhëzuar e të lartësuar nga Fryma e Shenjtë.

  • Shkolla e së dielës na lejon që t’ia “mëso[jmë] njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë”9, që të gjithë të mund të “lartësohen e gëzohen së bashku”10. Fuqi e madhe dhe paqe vetjake vijnë ndërsa kuptojmë doktrinat e ungjillit të rivendosur.

  • Mbledhjet e priftërisë janë koha kur burrat dhe të rinjtë “mësoj[në] detyrën e [tyre]”11 dhe “udhëzohen në mënyrë më të përsosur”12; dhe mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës u japin grave të Kishës mundësi për të “rritur besimin e tyre … , për të forcuar familjet e shtëpitë [e tyre] dhe për të ndihmuar ata në nevojë”13.

Në të njëjtën mënyrë, të rejat dhe fëmijët tanë kanë vetë mbledhjet dhe klasat e tyre ku u mësohet ungjilli ndërsa përgatiten për përgjegjësi të rëndësishme që do t’u vijnë atyre. Në secilën nga këto mbledhje të pashoqe, por të lidhura me njëra-tjetrën, ne mësojmë doktrinën, ndiejmë Shpirtin dhe i shërbejmë njëri-tjetrit. Ndonëse mund të ketë përjashtime për shkak të largësisë, kostos së udhëtimit apo shëndetit, ne duhet të përpiqemi të marrim pjesë në të gjitha mbledhjet tona të së dielës. Unë premtoj se bekime të gëzimit dhe të paqes së madhe do të vijnë nga adhurimi gjatë programit të mbledhjes sonë triorëshe të së dielës.

Familja jonë është zotuar që të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet tona të së dielës. Ne kemi zbuluar se kjo e forcon besimin tonë dhe e thellon të kuptuarin e ungjillit prej nesh. Ne kemi mësuar se ndihemi mirë lidhur me vendimin tonë për të marrë pjesë në mbledhjet tona të Kishës, veçanërisht kur kthehemi në shtëpinë tonë dhe vazhdojmë ta mbajmë Shabatin. Ne marrim pjesë në të gjitha mbledhjet tona të së dielës edhe kur jemi me pushime ose në udhëtim. Kohët e fundit, një nga bijat tona shkroi duke thënë se ajo kishte shkuar në kishë në një qytet ku po udhëtonte dhe pastaj shtoi: “Po, Babi, vërtet i ndoqa që të tria mbledhjet e së dielës”. Ne e dimë se ajo u bekua prej këtij vendimi të drejtë.

Secili nga ne ka shumë zgjedhje për të bërë lidhur me mënyrën se si e mbajmë ditën e Shabatit. Gjithmonë do të ketë ndonjë veprimtari “të mirë” që mund dhe duhet sakrifikuar për zgjedhjen më të mirë të pjesëmarrjes në mbledhjen e Kishës. Kjo në fakt është një nga mënyrat se si kundërshtari i “gënjen shpirtrat [tanë] dhe ai [na] çon me kujdes [larg]”14. Ai përdor veprimtari të “mira” si zëvendësuese për veprimtari “më të mira” ose madje “më të mirat”15.

Të mbahesh vazhdimisht me vendosmëri te shufra do të thotë që ne, kurdoherë që është e mundur, marrim pjesë në mbledhjet tona të së dielës: mbledhjen e sakramentit, Shkollën e së Dielës dhe mbledhjen e priftërisë ose të Shoqatës së Ndihmës. Fëmijët dhe rinia jonë marrin pjesë në mbledhjet e tyre përkatëse në Fillore, tek Të Rinjtë dhe tek Të Rejat. Ne kurrë nuk duhet të përcaktojmë apo përzgjedhim se cilat mbledhje të frekuentojmë. Ne thjesht mbahemi me vendosmëri te fjala e Perëndisë duke adhuruar dhe duke marrë pjesë në mbledhjet tona të Shabatit.

Të mbajturit vazhdimisht me vendosmëri te shufra do të thotë se ne përpiqemi t’i mbajmë të gjitha urdhërimet e Perëndisë, të bëjmë lutjen e përditshme vetjake e familjare dhe t’i studiojmë shkrimet e shenjta përditë.

Mbajtja vazhdimisht me vendosmëri është pjesë e doktrinës së Krishtit siç na mësohet te Libri i Mormonit. Ne ushtrojmë besim te Jezu Krishti, pendohemi për mëkatet tona, i ndryshojmë zemrat tona, dhe pastaj e ndjekim Atë brenda në ujërat e pagëzimit dhe marrim dhuratën konfirmuese të Frymës së Shenjtë, që shërben si udhërrëfyes e ngushëllues. Dhe atëherë, siç dha mësim Nefi, ne “shko[jmë] përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit”16 deri në vetë fundin e jetës sonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, ne jemi popull i besëlidhjes. Ne i bëjmë e i mbajmë me gatishmëri besëlidhjet, dhe bekimi i premtuar është se ne do të marrim “gjithçka që Ati … ka”17. Ndërsa kapemi vazhdimisht me vendosmëri te shufra duke i mbajtur besëlidhjet tona, ne do të forcohemi për t’u bërë ballë tundimeve dhe rreziqeve të botës. Ne do të jemi në gjendje të lundrojmë në këtë jetë të vdekshme me të gjitha sfidat e saj derisa të arrijmë me të vërtetë te pema me frutin “më [të] çmueshëm dhe më [të] dëshirueshëm mbi të gjitha … [të] tjera[t]”18.

Im atë ishte me fat që u martua me një grua të mirë, e cila e nxiti të kthehej në kishën e rinisë së tij dhe të fillonte sërish të përparonte përgjatë shtegut. Jeta e tyre besnike i ka bekuar të gjithë fëmijët e tyre, brezin tjetër të nipërve e mbesave dhe tani të stërnipërve e stërmbesave.

Ashtu si vendimi i thjeshtë për të shkuar apo për të mos shkuar në një nga mbledhjet e tyre të adhurimit të ditës së diel solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e familjes së gjyshërve të mi, vendimet tona të përditshme do të ndikojnë në jetën tonë në mënyra domethënëse. Një vendim në dukje i vogël i tillë si të shkosh apo jo në mbledhjen e sakramentit mund të ketë pasoja me ndikim të gjerë, madje të përjetshëm.

Zgjedhshim që të jemi të zellshëm e t’i fitojmë bekimet e mëdha dhe mbrojtjet që vijnë nga mbledhja së bashku dhe mbajtja e besëlidhjeve. U mbajtshim vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit që çon te prania e Atit tonë Qiellor, është lutja ime në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.